Kurti

Blerim Muriqi: REFLEKTIM A DJALLËZI

Aksioni i rikthimit të Kurtit dhe LVV-së te mediat, të cilat, me zë të lartë gjatë gjithë mandatit qeverisës, kur pushteti i tyre ishte në “qiellin e shtatë” u shpallën si Media të Serbisë, na vjen sot si një tabula rasa, mbi të cilën secili prej nesh mund të shkruajë pa drojë hipotezat e veta, qoftë edhe ato më keqdashëse.

Ky dhjetëmujorsh dështimi për t’u rietabluar në pushtet të ligjshëm përmes votës së marrë e vendos leximin tonë në dy binarë, të cilët në fund prodhojnë të njëjtin përfundim: etje për pushtet përtej çdo morali dhe çdo parimi të paravendosur si normë sjelljeje.

Nuk është hera e parë për Kurtin dhe LVV-në. As thyerja e parë as e fundit për elektoratin e saj besnik. Për trushpërlarët, mjafton ta ketë thënë Mesia i tyre.

Gjella e këtyre zgjedhjeve u shërbye, edhe një herë, në sahanin e vjetër të parimit:
“Qëllimi arsyeton mjetin.”

Kushdo që e kujton bizarinë e shprehjes pa turp të Kurtit për përgjegjësinë e rënies së Mon Balajt dhe Arben Xheladinit pas braktisjes së idealeve për të cilat ata ranë –“se duheshin sakrifica për t’u rritur elektoralisht” (parafrazim i imi), sot nuk ka vështirësi ta kuptojë këtë rikthim në mediat e shpallura armike të Kurtit dhe LVV-së.

Kushdo që kujton përpjekjen e VLAN për bërjen e qeverisë dhe braktisjen e saj në minutën e fundit, e ka të lehtë ta kuptojë këtë ardhje të beftë në mediat e shpallura armike.

Kushdo që e kujton thyerjen deri në palcë të përuljes së “Profesorit Isë”, diminutiv i krijuar nga slogani “Isë, Isë, argat i Serbisë”, e ka të lehtë ta kuptojë ngrënien e gjellës që vetë e helamtisen Kurti dhe LVV-ja, duke u kthyer në “Mediat e Serbisë” në Kosovë.

Kushdo që e kujton shprehjen “Kushtetuta nuk e lejon bashkimin me Shqipërinë, gjë që nuk e kemi ditur”, e kupton djallëzinë e kësaj çorbe të prishur që po e han Kurti dhe LVV me rikthimin në “Mediat vrastare të Serbisë”.

Kushdo që kupton përjashtimin e Agim Veliut nga qeveria Kurti I — duke thyer marrëveshjen e koalicionit me LDK-në si kalkulim elektoral për të veshur tumën me terrin e mendjes — e ka të lehtë ta kuptojë djallëzinë e kthimit të Kurtit dhe LVV-së në “Mediat vrastare të Serbisë”.

Kushdo që lexon jazin e hapur brenda GUXO për minimizimin e rrezikut armik të brendshëm, e kupton djallëzinë e kthimit në mediat e Kosovës, sepse kjo është lodhja e fundit. Nuk ka më vend për teprime.

Kurtit dhe Vetëvendosjes i janë shterrur mundësitë, pasi i janë privuar hapësirat e manovrimit djallëzor nga të gjitha partitë politike. Leqitja i ka bërë ata lëngatë për t’u braktisur. Dhe kjo po ndodh, edhe pse jo me rënie të shpejtë, por me bjerrje domethënëse.

Kjo bjerrje domethënëse, e dukshme me trend rritës, jo vetëm që i ka privuar nga mundësia e bërjes së pushtetit, por i ka vënë para reflektimit në frikën e madhe të humbjes së tij. Humbja e pushtetit apo prerja e çdo fije me të kaq prerazi mund të jetë fundi i tij — jo vetëm politik, por edhe lëndë gjyktash e gjykimesh qytetare.

Fryma gebelsiane e qeverisjes dhe terri mbi strukturat e veta të etabluara në pushtet, institucionet dhe terrenin e propagandës për kujdesin e pastërtisë së figurës së njëshit – Fyrerit, ka krijuar një qark të mbyllur ku janë zier njëmijë e një deformime, keqmenaxhime dhe pse jo, edhe keqpërdorime.

Heqja e ‘Petës së Lakrorit’ është vet reflektimi dhe frika që ka shtyrë Kurtin dhe Vetëvendosjen ta gëlltisin gjellën e vet-helmatosur “Media vrastare të Serbisë” në Kosovë dhe t’i vërshojnë ato me kthim të shitur kinse nga reflektimi. Djallëzi që nuk  shitet kollaoj.

Në sfondin e kësaj djallëzie që ka lënduar gjeopolitikën tonë, mjafton të kujtohet thënia e Kurtit: “Ne jemi europianë”, dhe rendja eksponent pas eksponenti derisa ia mbyllën dyert të gjithë — një e nga një, dhe së fundi tërësisht e bashkë.

Vetëvendosje nuk dështoi sepse u tradhtua nga individë të caktuar, paqoftë edhe kreu i saj Kurti. Ajo u transformua sepse ideali i saj fillestar ishte i papajtueshëm me realitetin politik dhe gjeopolitik të Kosovës dhe shqiptarëve në përgjithësi. Drejtuesit e saj ndoqën këtë realitet hap pas hapi, varësisht nga sa ngjiteshin në skenë.

Nga një lëvizje që ndërtoi identitetin mbi refuzimin dhe moralizimin absolut, ajo u shndërrua gradualisht në establishment politik, të cilin dikur e quante armiqësor: PDK, LDK etj.

Duke u rendur nëpër rrugëtimin politik të Vetëvendosjes, shohim jo vetëm “ndryshime qëndrimesh”, por braktisje parimesh që përbënin ADN-në e lëvizjes. Kjo i dhemb secilit idealist që në nisje të VV-së përjetoi frustrim populist, ku temat e mëdha përbënin karrotën ëndërrimtare për të cilën ia vlente edhe flijimi.

Kur drejtuesit e Vetëvendosjes që donin lavdinë mësuan pushtetin, e bënë atë kafshatë poshtëruese të idealeve dhe sot po e hanë ditën për drekë, duke u lëshuar në realpolitikë, ku përpiqen të gjejnë daljen në paqen që ua siguron kamja, qoftë ekonomike që kanë krijuar, qoftë e petkut të elitës që ua veshën me aq përpjekje masat mbështetëse.

Në dhimbje të një kujtese ku poshtërimi i mbështetësve i quajti 47%-shi analfabet, them se në këtë rikthim ka vetëm djallëzi.

Ta besosh reflektimin e kësaj kaste është e vështirë, po aq sa është kollaj ta lexosh nevojën e saj. Derisa të kuptosh frikën për terrenin e panjohur ku mund të përfundojë me rënien nga pushteti, mjafton të ndjekësh “Mediat vrastare të Serbisë” në Kosovë ku përjargia e KATËS do të na thotë gjithçka.
Le ta bëjmë.

Kontrolloni gjithashtu

Djaloshi me shqiponjë në ballë

Djaloshi me shqiponjë në ballë

Shikoni këtë foto të Aziz Kelmendit. Është origjinale, nuk ka kurrfarë  retushimi. Para se të …