Brickos

Blerim Muriqi

Blerim Muriqi: Taksa dhe reciprociteti i plotë çelësi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi

 Taksa tashmë ka treguar dimensionin shtetëror, ajo do duhej të bëhej temë e dialogut për të ndihmuar kapacitetet tona dialoguese dhe politikat tona të jashtme karshi vullgaritetit serb.

Me Serbinë nuk është dashur të bisedohej përveçse për të pagjeturit dhe atë përmes faktorëve ndërkombëtar. Kërkimfalja dhe njohja nga Serbia mund të përbënin bazën nisëse të fillimit të komunikimit si fqinjë edhe pse armiqësorë. Është e padrejtë të tentohen bisedime miqësore e besueshmërie me armikun tënd. Serbia nuk ka lëvizur për asnjë temë nga qëndrimet e shtetit fashist të Millosheviqit. Ajo po mbahet larg Kosovës me forcat ndërkombëtare. Po kjo Serbi në një rrethanë tjetër tashmë do gjindej në luftë me Ne. Ajo duke mos kërkuar falje dhe duke mos u penduar për gjithë ato që na i ka bërë me vrasjet, dhunimet dhe deportimet ka dëshmuar se ka mbetur po ajo millosheviqistja që ishte edhe në të shkuarën. Bashkësia ndërkombëtare e shtyri Kosovën përtej dhimbjes së saj në një dialog të kuptueshëm dhe kjo e trimëroi Serbinë. Bashkësia ndërkombëtare do duhej të ishte më e prerë me Serbinë dhe politikat e saj agresive. Duke e mbajtur gjallë agresivitetin serb toleranca e bashkësisë ndërkombëtare ka bërë gabime dhe ato po na çojnë në rishikime territoriale. Kjo do bëhet mësimi i dhimbshëm i historisë sonë në pritje për t’u përsëritur.

Taksa të cilës do duhej t’i shtohej edhe reciprociteti në të gjitha sferat deri edhe në trajtimin e minoriteteve respektive do bënin që Serbia të kuptonte se nuk ka më letargji as Shqiptare e as ndërkombëtare. Një këndjellje e tillë do krijonte të gjitha parakushtet e fillimit të të kuptuarit nga secili se koha e të keqes ka mbaruar njëherë e mirë.

 

Gërshërët në veriun e Kosovës provokojnë zhbërje shtetesh

Vitet e pasluftës së dytë botërore përveç se për Shqiptarët për tjerët në ish Jugosllavi mund të kenë qenë kohëra shprese!

Vitet e dekadat rrodhën me shumë zhvillime. Beogradi u mbrujt me shovenizmin e tij serb, me çka të gjithë i bëri armiq po aq sa i kishte Shqiptarët që në pushtimin e tyre. Titoja për ta bërë dreqin edhe me brina në kurriz të shqiptarëve krijoi Republikën e Maqedonisë dhe Vojvodinës një krahine jo serbe në popullim u arrit t’i ndrohej struktura e saj. Popullimi i saj me serb u bë nën trysninë e pranueshme të largimit të popullatës gjermane atje si fajtor kolaborimi me Nacizmin. Sangjaku mori rrugën asimiluese në drejtimin e fesë, po nuk u bë serb. Muslimanizimi i tij megjithatë ruajti kujtimin për masakrat serbe në trevë. Mali i zi shpëtoi  meqë Serbia besonte në vëllazërinë sllave, të cilën besonte se ia kishte arritur ta mbjellte te malazezët. Ajo kishte harruar se gjaku nuk bëhet ujë.

Nëse nuk flasin plagët flet kujtesa!

Shpërbërja e Jugosllavisë ishte domosdoshmëri raportesh ndëretnike. Ato ishin ngarkuar. Shovenizmi serb nuk po e kontrollonte veten. Beogradi u bë magjja ku gatuhej shovenizmi dhe prej ku shkëndijat e luftërave e krimeve shpërndanë federatën. E fundit ndër to u shkëput Kosova edhe pse ajo duhej të ishte e para në atë zhvillim. U desh që bashkësia ndërkombëtare të na ndihmoj ushtarakisht duke e bombarduar Serbinë për të realizuar të paktën minimumin human që kishin në themelet e saj Kombet e bashkuara.

20 vjet pas kësaj sot Kosova po rrezikohet të futet nën thikat Serbe për territoret e saj. Është e çuditshme se si disa nga shpëtimtarët e djeshëm po flitet se po e dërgojnë Kosovën në këtë Gijotinë. Ata që po e dërgojnë Kosovën në gijotinën e Territoreve po harrojnë se rajoni jonë ka nevojë më shumë për paqen se sa për armiqësitë e reja. Më shumë ka nevojë për ta konservuar të tashmen se sa të ushqej apetitet e ndarjeve etnike, të cilave asnjëherë nuk do iu gjindet fundi. Nëse Bashkimi Europian është synimi i rajonit atëherë çdo lëvizje territori sot është shtyrja e këtij integrimi të paktën për 20 deri në 30 vjet. Kujt po i intereson kjo?

Kosovës mund t’i preken kufijtë dhe kjo nuk do të prodhoj luftë sot e deri sa të jenë  ndërkombëtarët këtu, veçanarisht amerikanët, por kjo nuk mund të thuhet për rajonet tjera. Vojvodina, Sangjaku i mbetur nën Serbi, serbët dhe kroatët e Bosnjës do ta kenë vështirë të mos e ndajnë Bosnjën. Po kësaj rruge do provojnë të shkojnë serbët në Mal të zi. Po Maqedonia! Shqiptarët do ta donim kështu sikur është të tërën për vete, por ka edhe interesa tjera atje.

Rusia në gjithë këto vite është angazhuar shumë për ta goditur Malin e zi dhe aspiraten e tij për të mos u përfshirë në pansllavizmin rus. Ajo duket se po punon atje me elementin serb. Këtë ka provuar jo më pak edhe me Maqedoninë sikur që po e provon ta destabilizoj tashmë Shqipërinë. Në rrethanë të tillë Maqedonia si pika nevralgjike e rajonit dhe kodi i pranueshëm i gjithë nacionalizmave rajonal rrezikon të bëhet arenë shërbimesh inteligjente e përplasje nacionalizmash.

Nëse në Kosovë do vendoset me çelësin: pse të jetojnë serbët e veriut me shqiptarët në Kosovë dhe pse Lugina e Preshevës në Serbi, atëherë gjithë popujt e rajonit nuk do kenë apo duan të mos kenë përse të jetojnë me shtetet ku sot janë dhe popujt me të cilët i ndajnë hapësirat e përbashkëta. Ndarja e të pandarave është vet konflikti. Forcat ndërkombëtare mund t’i mbajnë këto konflikte potenciale të ngrira, por motet do i shkrijnë këta akuj fatkeq të mbushur me gjak e fatkeqësi.Ne do jemi ata që do ia japim fëmijët tanë kësaj kuqedre që po  na e pregadisiin këto mendje të luajtura.

Nëse ky Çelës është fati i rajonit tonë atëherë le të mendohet edhe pak e le të gjindet zgidhja, e cila nuk na lë në gjysmë të rrugës prej ku vetëm luftëra e gjak do ketë.

Ndarja etnike edhe mund të bëhet çelësi i rajonit edhe pse kishim besuar se bota njerëzore është emancipuar më  shumë se sa për të qenë e denjë për vlera segregacioniste. Në rast se kjo është dhurata që bashkësia ndërkombëtare dëshirojka të na jep si zgjidhje të imponuar, të paktën le të mendojnë tërësinë e aksionit ku bashkë me territoret t’i lëvizin edhe  popullsitë dhe të imponojnë kufijtë e luftës së ftohtë në 50 vitet e ardhshme.

Nuk besoj në sigurinë e një kishe shqiptare të grabitur nga shteti dhe historiografia serbe e cila është në territor shqiptar dhe se mund t’ua imponoj kush shqiptarëve që ajo akoma të mbetet serbe në paqenësinë e saj, dhe të mos i kthehet pronaritlegjitim praktikantit të ritit përkatës shqiptar. Poashtu, nuk besoj në paqen e miqësinë e popujve të bartur në shtëpitë e njëri tjetrit. Forca i mban në një burg edhe dy armiq sikur mbajti komandantët tanë me kriminelët serb në Hagë, por liria nuk do ti bashkojë kurrë veç nëse rastësia do u jepte kënaqësinë ta vrisnin njëri tjetrin.

Maqedonia është e brishtë dhe ajo më në fund po e gjen rrugën e saj integruese nga brenda e nga jashtë, por për tu prishur i mjafton vetëm nga brenda dhe nuk e mbron dot askush nga jashtë. Kjo formulë shkatërrimtare e zhbëri Bashkimin Sovjetik e Paktin e Varshavës, Jugosllavinë e gjithë lindjen. Kjo formulë fatkeqe për shtetet por shpëtimtare për popuj po e çon Spanjën në pranueshmëri ndarjeje ku Katalonasit që e meritojnë lirinë e tyre edhe ta gëzojnë.

Baskët, Flamanët e kushdo popull e krahinë kanë mijëra arsye për të mos mbetur të pushtuar etj. Pse do duhej që Tiroli i jugut të mos bënte hapat e ëndrrës së tij, ku do lindte pyetja më kapitale e zhbërjes së Europës?

 

Ne në Ballkan kemi luajtur mjaft me zjarrin!

Kushdo që mund të kuptoj se ku po futet do të bindet një ditë se loja me kufijtë është vet gaca e pambuluar që do duroj kujdestare për të ndezur zjarrin e luftërave tona të ardhshme. Shqiptarët dhe Serbët kanë shumë për të rregulluar mes veti dhe ato duhet bërë në kohëra tjera kur të largohemi nga era e gjakut.

Është mirë mos ta lodhim Historinë!

Askush nuk është imun nga sherret!

Kontrolloni gjithashtu

Egzon Kastrati

Egzon Kastrati: Varfëria është një problem social-ekonomik (i trajtuar por pa zgjidhje)

Kosova po përballet me shumë probleme sociale dhe ekonomike nga viti 2022, kemi një trend …