Britania i bën thirrje politikës kosovare: Kuvendi duhet të konstituohet urgjentisht

Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë ka reaguar lidhur me krizën e vazhdueshme institucionale dhe pamundësinë për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Ambasada britanike ka theksuar se Kosova, gjatë dy viteve të fundit, ka kaluar për periudha të gjata pa një Kuvend funksional, duke vlerësuar se përgjegjësia për zgjidhjen e kësaj situate u takon politikanëve kosovarë.

Sipas Ambasadës, funksionalizimi i institucioneve nuk është përgjegjësi e sistemit, por e përfaqësuesve politikë të vendit.

“Për një kohë të gjatë gjatë dy viteve të fundit, Kosova ka qenë pa një Kuvend funksional. Funksionalizimi i Kuvendit është përgjegjësi e politikanëve të Kosovës, jo e sistemit”, thuhet në reagim.

Ambasada britanike u ka bërë thirrje të gjithë aktorëve politikë që të veprojnë me urgjencë dhe të gjejnë një zgjidhje për ngërçin institucional përmes dialogut dhe negociatave paqësore.

“Ata duhet urgjentisht të punojnë së bashku për ta zgjidhur këtë situatë përmes dialogut dhe negociatave paqësore, në të mirë të qytetarëve të Kosovës dhe partneriteteve të saj ndërkombëtare”, thuhet më tej.

Ky reagim vjen në një kohë kur procesi i konstituimit të Kuvendit të Kosovës vazhdon të jetë i bllokuar, ndërsa partitë politike nuk kanë arritur marrëveshje për funksionalizimin e organit më të lartë ligjvënës.

Kriza institucionale ka shtuar shqetësimet edhe për funksionimin normal të institucioneve të shtetit dhe për raportet e Kosovës me partnerët e saj ndërkombëtarë.

Thirrja e Ambasadës britanike drejtohet ndaj të gjithë deputetëve dhe subjekteve politike që, përmes kompromisit dhe dialogut, të mundësojnë sa më shpejt konstituimin e Kuvendit dhe funksionalizimin e institucioneve të Republikës së Kosovës.

Kontrolloni gjithashtu

Ramush Haradinaj kritikon Kurtin dhe Haxhiun për vonesat në konstituimin e Kuvendit

Deputeti i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka akuzuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, dhe ushtruesen e …