OVL-UÇK paralajmëron padi penale ndaj Muratit: Zbatoni vendimin për pensionet e dyfishta të veteranëve

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, ka paralajmëruar ngritjen e padisë penale ndaj ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati, duke e akuzuar për moszbatim të vendimit të Gjykatës Supreme lidhur me pensionet e dyfishta të veteranëve.

Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, ka thënë se organizata tashmë është duke u përgatitur me avokatë për ndjekjen e rrugës ligjore, pasi, sipas tij, shumë veteranë kanë marrë vendime pozitive, por ende nuk kanë marrë mjetet që u takojnë.

Gucati ka akuzuar Ministrinë e Financave se po pengon edhe pranimin e dokumentacionit të veteranëve në qendrat përkatëse, duke e cilësuar këtë si një situatë të papranueshme.

“Ministri i Financave nuk i qet mjetet që u takojnë veteranëve të UÇK-së”, ka deklaruar Gucati, duke kërkuar nga Murati që të zbatojë vendimin dhe ligjin.

Sipas tij, numri i veteranëve që janë përballur me probleme në realizimin e kësaj të drejte është i madh. Ai ka thënë se deri më tani janë drejtuar në OVL-UÇK mbi 2 mijë veteranë, ndërsa shumë prej tyre po detyrohen t’u drejtohen avokatëve dhe gjykatave për të kërkuar të drejtat e tyre.

Gucati ka ngritur shqetësim të veçantë për gjendjen ekonomike dhe shëndetësore të veteranëve, duke thënë se shumë prej tyre jetojnë në kushte të vështira dhe përballen me sëmundje të rënda.

OVL-UÇK ka bërë thirrje që vendimi i Gjykatës Supreme të zbatohet dhe veteranëve t’u mundësohet realizimi i të drejtave të tyre ligjore, ndërsa ka paralajmëruar se padia penale ndaj ministrit në detyrë Hekuran Murati mund të jetë hapi i radhës.

Kontrolloni gjithashtu

KDI ka folur për një situatë të kundërligjshme, të cilën kryetarja Osmani është duke e toleruar që afro 3 muaj

Eugen Cakolli: Praktika e shkeljes së qëllimshme të Kushtetutës duhet të ndërpritet

Eugen Cakolli nga KDI ka kritikuar mënyrën e thirrjes së seancës për konstituimin e Kuvendit, …