Nënkryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim dhe ish-ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka drejtuar kritika ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, duke e akuzuar se mbështetja e tij për ndryshimet politike në Shkup ka prodhuar pasoja që, sipas Osmanit, tashmë po evidentohen edhe nga Parlamenti Evropian. Osmani tha se Kurti e kishte paraqitur ndryshimin e pushtetit në Shkup si fitore të një politike të re, ndërsa sot, sipas tij, institucionet evropiane po paralajmërojnë për një afrim gjithnjë e më të madh të Maqedonisë së Veriut me qeverinë e Serbisë, si dhe për ekspozim ndaj ndikimit rus dhe narrativave të ashtuquajturës “Botë Serbe”. Ai theksoi se politika nuk vlerësohet vetëm nga synimet, por mbi të gjitha nga pasojat që prodhon, duke ngritur pyetjen se si një forcë politike që, sipas tij, e ka ndërtuar identitetin mbi kundërshtimin e hegjemonizmit serb, përfundoi duke mbështetur aktorë politikë që sot përmenden në raportet evropiane për afrimin e vendit me Serbia. Osmani vlerësoi se shqiptarët në rajon kanë ndarë për vite me radhë prioritete të përbashkëta strategjike, si integrimi euroatlantik, partneriteti me SHBA-të, orientimi drejt Bashkimit Evropian dhe kundërshtimi i projekteve që cenojnë sovranitetin e vendeve të Ballkanit. Kur interesat partiake zëvendësojnë këto objektiva strategjikë, pasojat i bartin interesat kombëtare, ndërsa shtroi pyetjen se kush do të marrë përgjegjësinë për të shpjeguar, sipas tij, zhvillimet që kanë çuar në këtë situatë.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
