Burhan Seferi: Politika e gabuar ndërkombëtare dhe viktimat e pafajshme në Paris

Ishte 20 gushti, viti 2014, kur presidenti francez, Francois Hollande, për gazetën Le Monde deklaroi se “duhet të dalim me një strategji globale për ta luftuar këtë grup (ISIS), e cila është strukturuar, ka financim të mjaftueshëm, armë të sofistikuara dhe kërcënon vendet si Iraku, Siria dhe Libani”.

 

“Nuk mund të mbajmë debate tradicionale për ndërhyrje dhe mosndërhyrje”, kishte thënë presidenti Hollande për të përditshmen franceze.

Më 12 shtator, viti 2014, Hollande, gjatë takimit me presidentin kurd, Masud Barzani, ishte pajtuar për dërgimin e “mjeteve të nevojshme” për kurdët në luftën kundër ISIS.

 

Me këto dy deklarata të presidentit francez, iu shpall luftë terrorizmit në Siri dhe Irak, por jo vetëm kaq: u ndihmuan edhe grupe të tjera, siç është PKK kurde, e cila që moti është shpallur si organizatë terroriste, për ta luftuar terrorizmin dhe kjo, e pranojmë ose jo, quhet luftë e klasifikuar kundër terrorizmit.

 

Pas kësaj filluan edhe intervenimet e para kundër territoreve të kontrolluara nga organizata terroriste ISIS, sulme ajrore në të cilat më shumë vriteshin civilë të pafajshëm, sesa ushtarë të ISIS-it, të cilët jetonin në mesin e qytetit së bashku me popullin sirian.

Thuhet se për ta luftuar armikun, duhet ta njohësh. Tani po dëshmohet se ISIS-i nuk u mor seriozisht dhe nuk u njoh. Faktori ndërkombëtarë harroi se ka punë me një organizatë e cila vetëm prej puseve të naftës të naftës fiton më shumë se një milion dollarë në ditë dhe sipas statistikës së aktivistëve brenda Sirisë, për çdo ditë ISIS pasurohet me 2.5 milionë dollarë nga shitja e naftës dhe gazit. E gjithë kjo është jashtë plaçkës së luftës të cilën e merr nga kundërshtarët e saj.

 

Faktori ndërkombëtarë harroi se ISIS është një grup me një fuqi propagandistike në media, si asnjëherë më parë, saqë SHBA-të vetëm në vitin 2014 harxhuan afër 1.2 miliard dollarë në luftën mediatike kundër ISIS, por e gjithë kjo rezultoi me ndikim më të madh në Evropë dhe SHBA, me ndikim më të madh në Lindjen e Mesme dhe Azi.

 

ISIS e kishte të vështirë ta bindte popullin për ideologjinë e saj, se SHBA-të dhe Perëndimi janë “armiq të përbetuar” dhe se duhet vrarë; e kishte të vështirë ta bindte popullin sirian se ligjin të cilin ata e sollën, është ligji më i mirë në botë, se ideologjia e tyre është ideologjia e vetme e pranuar dhe se faktori ndërkombëtarë nuk e do një mysliman, pos të vdekur.

 

Gjatë gjithë kësaj periudhe, kishte ekzekutime publike, të gjykuar si hipokritë, si armiq, si spiunë.

 

Edhe sikur ta harxhonte gjithë pasurinë, ISIS-i nuk do mundej ta bindte popullin aq sa ka arritur ta bind fillimi i sulmeve ajrore kundër ISIS-it, me çka populli sirian brenda territoreve të ISIS-it filluan ta besojnë gjithë atë që thërret ISIS-i, se faktori ndërkombëtar e përkrah Bashar al-Assadin, se nuk i do myslimanët, se dëshiron t’ju vrasë…

 

Atë ditë kur filluan sulmet ajrore, kampet e trajnimit në territoret e ISIS-it u mbushën me sirian të rinj, të cilët dëshironin hakmarrje për spitalet dhe shkollat e rrënuara prej sulmeve ajrore të koalicionit ndërkombëtarë në luftimin kundër terrorizmit; dëshironin hakmarrje për çdo viktimë. Sulmet ajrore ndikuan në shtimin e urrejtjes kundër faktorit ndërkombëtar, me çka, përkrahja për ISIS-in brenda Sirisë dhe Irakut në mënyrë ekstreme filloi të rritej.

 

Faktori ndërkombëtar u ballafaqua edhe me kritika të panumërta, duke u akuzuar si të padrejtë dhe përkrahës të Bashar al-Assadit, mu atë ditë kur edhe filluan sulmet ajrore, ndërkohë që presidenti sirian vazhdonte të vriste civil të pafajshëm, në Douma, Hasakah, Aleppo, Homs dhe qytetet tjera.

 

Kjo edhe më shumë ndikoi në përkrahjen e ISIS-it, me çka u rrit edhe numri i ushtarëve, përkrahësve, propaganduesve, ndihmuesve, aktivistëve, në internet dhe jashtë internetit.

 

Politika e gabuar e faktorit ndërkombëtar është një prej shkaktarëve kryesorë për situatën e krijuar aktuale, në mbarë botën. Ndoshta do të hasi në kritika për atë që e them, por çdo i mençur i cili e njeh situatën në Lindjen e Mesme, do të pajtohet nëse është i sinqertë, pse?

 

Me fillimin e sulmeve ajrore, ISIS-i arriti dy pika të rëndësishme në politikën e saj të jashtme dhe të brendshme, të luftës dhe të paqes. ISIS thuajse çdo ditë ballafaqohej me dy vështirësi. E para është vështirësia e numrit të madh të banorëve, të cilët e vështirësonin luftën e mëtutjeshme kundër grupeve të tjera opozitare që paguhen nga Perëndimi dhe kundër regjimit sirian.

 

Ballafaqoheshin me akuza të vrasjes së civilëve thuajse në çdo sulm. E dyta është vështirësia që vinte nga njerëzit që nuk ishin të kënaqur me ideologjinë e ISIS-it, por jetonin brenda territoreve të saj dhe jepnin informacione për çdo pakënaqësi dhe çonin pluhur kundër ISIS-it.

 

Me fillimin e sulmeve ajrore, të cilat i provokoi vet grupi terrorist, të dyja vështirësitë u pastruan, por filluan ta arrinin edhe qëllimin e tyre për “hakmarrje kundër faktorit ndërkombëtar për çdo civil dhe ushtarë të vrarë”.

 

Fillimi i ikjes së sirianëve drejt rrugës së Perëndimit, hapi derën e falsifikimit të dokumentacionit, me çka arriti që nëpërmjet refugjatëve të fusë njerëzit në stilin “inghimasi” (njeriu që lufton deri në plumbin e fundit dhe në fund vritet) në mes të Francës, ku edhe të shkaktohej sulmi më i madh terrorist pas 11 shtatorit të vitit 2001.

 

Edhe pse sulmi në Paris shkaktoi masakër të paparë, përsëri gazetarë dhe media filluan që ta akuzojnë faktorin ndërkombëtar për lotët e krokodilit. Akuzat vinin për shkak të dy arsyeve: njëra, sepse faktori ndërkombëtar vazhdon të mbetet i shurdhër për vrasjet ekstreme në vendet tjera; dhe, e dyta, sepse faktori ndërkombëtarë me sulmet ajrore në Siri dhe Irak, duke vrarë civilë të pafajshëm, me qëllim dhe pa qëllim, e ngriti urrejtjen dhe dëshirën për hakmarrje, duke harruar se sa për qind të myslimanëve jetojnë në Evropë; duke harruar se ideologjia e ISIS-it tanimë gjendet në çdo skaj; duke mos i marrë nën konsideratë pasojat e një lufte të tillë, të ashpër; duke paguar grupe opozitare që në vend se ta luftojnë presidentin al-Assad, të luftohet ISIS-i; dhe, duke harxhuar pasuri për sulme ajrore në të cilat nuk ka pasur asnjë sukses deri më tani, përkundrazi territoret e kontrolluara nga ISIS-i vazhdojnë të zgjerohen.

 

E gjithë politika e gabuar e faktorit ndërkombëtarë, ndoshta pa qëllim, ka ndihmuar që të shtohet përkrahja për udhëheqësit e ISIS-it brenda territoreve të kontrolluara, por edhe jashtë saj, saqë, sipas anketës së fundit e bërë në vendet e Lindjes së Mesme, është shtuar më shumë se 24 për qind.

 

Nëse do isha pyetur unë, do të thosha se shkaktari i vrasjeve në Paris janë faktori ndërkombëtar, të cilët botën e sollën në një situatë të pazgjidhur, në një situatë e cila në vend se ta shtojë paqen, e ka shtuar luftën, terrorizmin dhe frikën.

 

Kjo që e thash është shkaktari, ndërsa ne, përderisa vajtojmë dhe qajmë për pasojat, dikush na bën që t’i harrojmë shkaqet që edhe më tej të arsyetohen sulmet duke u vrarë civilë të pafajshëm. Tani kur edhe e shkruaj këtë shkrim, sulmet ajrore të ushtrisë franceze në Siri, kanë rrënuar një spital të mbushur me civilë, në qytetin Rakah të Sirisë.

 

Asnjëherë në historinë e njerëzimit, prej një toke që ujitet me kerozin, nuk ka lindur lulja e paqes.

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …