Brickos

Dalip Isuf Behra (26.7.1962 - 13.4.1999)

Dalip Isuf Behra (26.7.1962 – 13.4.1999)

Krusha e Madhe e Bajram Currit, ku ishte lindur “Prometheu i Shtetësisë Shqiptare”, e ushqyer me madhështinë e paluhatshmërisë, të papërkulshmërisë dhe të pathyeshmërisë nëpër valët e lëvizjeve kombëtare të cilat e forcuan edhe më shumë krenarinë kombëtare, gjatë Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, prej 26 prillit të vitit 1998, te “Ura e Piranës” e deri më 28 maj 1999 te “Mileska”, qëndroi si kala me themele të çelikut dhe për lirinë e Kosovës dha 30 dëshmorë e 290 viktima. Ky vargan i sakrificave filloi me Halim Hotin, më 27 janar 1990, te “Laku i Dëshmorëve” të “Flakës së Janarit” dhe mbaron me Ismail Malush Gashin, në “Betejën e Mileskës”, më 28 maj 1999, jo larg prej “Lakut të Dëshmorëve”. Dhe kështu, në këto hallka përpjekjesh për liri u radhitën: Muhamet Malësori, Sinani, Isaku, Ismeti, Sedati, Hidaja, Shukriu, Xhemaliu, Agimi e Ragip Hoti, Hysniu, Enveri e Fitim Duraku, Agimi e Sami Nalli, Bekim Gashi me Nijaziun dhe Ismailin, bri të cilëve shtrihen hektarët e varrezave me viktima të gjetura e të pagjetura në krye të të cilëve gjendet si i pagjetur edhe emri i prof. Ukshin Hotit. Këta hektarë me varre shtrihen edhe në Krushë të Vogël e Celinë, në Fortesë e Rudinë, në Hoçë të Vogël e Brestos, në Nagac e në Reti, ose në çdo pëllëmbë të tokës së Anadrinit, e vetëm përreth Shtëpisë së amshueshme të Dalip Isuf Behrës gjenden edhe rreth 300 varre të “Krushqve të Lirisë”, në krye të të cilëve historia e nderoi dëshmorin e Kombit Dalip Behra.
Dalip Isuf Behra është i lindur më 26 korrik të vitit 1962 në fshatin Krushë e Madhe të Anadrinit të Rahavecit. Luftëtari i vjetër, Isuf Behra, i ndjekur, i persekutuar dhe i burgosur për pikëpamjet dhe veprimtarinë që zhvillonte, i martuar me Sevdinë e Bytyçëve të Semetishtit kishte gjashtë fëmijë; pesë djem dhe vajzën Zarife, e cila sot rrit nipërit dhe mbesat e dajës – dëshmor, duke u rrëfyer për betejat e Anadrinit; te “Ura e Piranës”, te “Ura e Rogovës” te “Ura e Bardhasë”, te “Qafa e Gardhishtit” e te “Qafa e Pagarushës”, prej nga zbriti Dalip Behra me Bekim Gashin për të hyrë në Krushën e Madhe, sipas rapsodive që nipërit sot e dëgjojnë për dajën Dalip Behra.
Shkollën fillore Dalipi e bëri në vendlindje, kurse të mesmen, në Rahavec, por në kushte shumë të vështira. Si vëllai më i madh, rropatej shumë me valët e jetës në bujqësi dhe kopshtari, ndërsa si dajë i patriotit dhe intelektualit të madh, prof. Behajdin Hallaqi, herët u organizua në veprimtarinë organizative dhe operative të ilegales. U ndihmonte veprimtarëve Ukshin Hoti, Behajdin Hallaqi e Nait Hasani në shpërndarjen e materialeve, e veçanërisht të shtypit alternativ që vinte nga Lubjana.
Pas demonstratave të janarit të vitit 1990, kur marrin përjetësinë: Halim Hoti, Agron Fetahu, Nesimi Elshani e Hilmi Krasniqi, Dalipi largohet nga fshati dhe më 1993 merr rrugën e kurbetit. Vendoset në qytetin Manhajm të Gjermanisë dhe vazhdon veprimtarinë patriotike duke kontaktuar me veprimtarin Bardhyl Mahmuti. Në Gjermani jeton dhe vepron deri më 1995. Me t’u kthyer, i ndihmuar prej veprimtarit Fehmi Hoti, bashkërenditet në “Front” dhe zgjeron veprimtarinë, sa në informim aq edhe në logjistikën e ilegales së Anadrinit, duke vepruar me Adnan Gashin, Bislim Elshanin dhe Ukshin Hotin. Angazhohet veçanërisht në logjistikë, me Limanët e Krushës së Vogël (Sokolin dhe Agronin), Arben Behrën e Haxhi Dellovën.
Arestimi i fundit, gjykimi dhe dënimi i profesor Ukshin Hotit, rritën mëninë dhe urrejtjen e Dalipit dhe të “Djemve të Anadrinit” ndaj ingranazhit të dhunës serboçetnike mbi Kosovën dhe shqiptarët, prandaj priste çastin e volitshëm për veprime guerile në Rrafshin e Anadrinit.
Rëniet nëpër Pashtrik të dëshmorëve Jahë Hoti, Shkëlzen Krasniqi, Luan Haradinaj e Haxhi Hoti, ishin fanare për Dalipin se Kosova do ta ketë “Instrumentin e forcës” i cili duhet ta shpërthejë amullinë pacifiste dekadente, ndërsa pjesëmarrja në përcjelljen për mësuesin – dëshmor Halit Geci, në Llaushë të Drenicës, e ushqyen me krenari sepse atë ditë u ballafaqua me luftëtarët e Lirisë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Më 26 prill të vitit 1998 u takua me komandantët dhe luftëtarët të cilët arritën nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe nga Bërthama e Drenajt të Anadrinit. Dëgjoi krismat e lirisë te ura mbi “Përronin e Keq” në aksin e magjistrales Prizren – Gjakovë, jo larg Krushës së Madhe. Me formimin e Këshillit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për fshatrat: Celinë, Brestos, Hoçë e Vogël, Nagac, Krushë e Madhe e Krushë e Vogël, Dalip Behra organizohet dhe vendoset në fshatin Drenaj të Anadrinit. Mbaron stërvitjet në Zatriq, ku aftësohet dhe merr detyra konkrete për përshpejtimin e shtrirjes së Ushtrrisë Çlirimtare të Kosovës në fshatrat përreth Krushës së Madhe ku mbërthehej nyja lidhëse e logjistikës me Korridorin e Hasit (Rogovë – Romajë – Kushnin – Cahan).
Beteja e Fortesës më 18 korrik të vitit 1998, rezistenca heroike e anadrinasve në hyrje të fshatit Fortesë, rënia e dëshmorëve: Agim Kelmendi, Gani Paçarizi e Tafil Zyberaj dhe imperativi për mbrojtjen e Rahavecit, e detyruan bërthanën e Krushës së Madhe që t’i afrohet Fortesës, Bërnjakës dhe Rrapishteve e në këto luftime Dalip Behra zhvillon operacione të veçanta në depërtim dhe tërheqje, prandaj çdo aksion i Dalipit del i suksesshëm, sa në aksin rajonal Fortesë – Rahavec, aq edhe në “Shpatin e Celinës”. Pas përfundimit të këtyre operacioneve, Dalip Behra sërish i rikthehet logjistikës. Në këtë sektor vepron së bashku me Muhamet Malësorin, Hysni, Enver e Fitim Durakun, Bekim, Ismajl e Isa Gashin, Agim Nallin, Haxhi Dellovën, Rasim Zenunin, Afrimin e Gazmend Malësorin, Shaban Bajramin dhe Arben Behrën deri në tetor të vitit 1998. Me riorganizimin e Zonës Operative të Pashtrikut, Dalip Behra me një kompani të Batalionit të “Lugut të Brestosit” gjendet në fshatin Reti të Anadrinit dhe më 25 e 26 tetor merr pjesë në Betejën e Izbishtit. Edhe në këto luftime Dalipi është i pathyeshëm; së bashku me Bekim Gashin është pranë Xhelal Hajdës – Tonit dhe Selajdin Mullabazit – Micit dhe kështu edhe një herë forcat serboçetnike thyhen dhe tërhiqen në Rahavec. Më 6 nëntor 1998, Dalip Behra gjendet në luftimet te “Udhëkryqi i Apterushës” dhe merr pjesë në operacionet për tërheqjen e forcave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilat u gjetën në rrethimin e hekurt, pas rënies së: Xhelal Hajdës, Selajdin Mullabazit, Hamdi Hajrizit, Nezir Ymerit dhe Bektesh Halitit. Më 3 dhjetor 1998, Dalip Behra mbetet pa profesor Muhamet Malësorin, pa Hysni Durakun, pa Skënder Hamelin e pa Sinan, Sedat, Hida, Isak e Ismet Hotin, sepse në Betejën e Garazhupit “Djemtë e Krushës së Madhe” e morën Përjetësinë, por edhe kjo e forcoi Dalipin dhe zhvillon luftë, sa kundër forcave serboçetnike, aq edhe kundër defetistëve e dështakëve dhe kështu u bë mburojë për mosdepërtimin e fatalizmit, sa në fshatrat e Anadrinit aq edhe në radhët e luftëtarëve të lirisë. Më 14 dhjetor 1998, Dalip Behra gjendet në krye të luftëtarëve që nisen në Luftimet e Pashtrikut për tërheqjen e luftëtarëve të rënë në Pashtrik, bashkë me Komandantin Mujë Krasniqi – “Kapuçi”.
Pas përfundimit të këtyre operacioneve, luftëtarët e Krushës së Madhe, së bashku me anadrinasit e fshatrave përreth, mobilizohen në përcjelljen e trupave të pajetë të dyzetë luftëtarëve të rënë, deri në “Vorret e Dëshmorëve” në Palac të Skënderajt, e në krye të kortezhit lëvizte dhe operonte Dalip Behra me Bekim Gashin. Merr pjesë në luftimet e Mirushës dhe në ato të Llazicës të cilat u zhvilluan për mbrojtjen e kortezhit funeral.
Më 21 janar të vitit 1999, me rastin e rënies në pritë të Njësitit të Skënder Rexhepit, në të cilën plagosen rëndë luftëtarët: Fitim Duraku, Xhavit Elshani dhe Mustafë Bajraktari, Dalip Behra i bashkohet togut të Policisë Ushtarake të Brigadës 124 “Gani Paçarizi” dhe pas shpartallimit të forcave serbe që ishin në pritë, bashkëluftëtarët e Dalip Behrës, tërheqin trupin e pajetë të Skënder Rexhepit, i marrin të plagosurit dhe i vendosin në spitalin e Pagarushës, kurse vetë sërish vendosen në fshatin Reti, me tendencë zhvillimi e shtrirje kah Krusha e Madhe e Celina, ose me pretendim të marrjes së kontrollit mbi aksin rrugor të magjistrales Prizren – Gjakovë, pikërisht te “Plepat e Celinës”. Por ndërhyrja e forcave policore e ushtarake në fshatin Rogovë, më 29 janar, dhe masakrimi i civilëve të këtij fshati, prolonguan shtrirjen. Shpërthimi i luftimeve në aksin e rrugës rurale Rahavec – Therandë, në mars të vitit 1999 e detyrojnë togun e policisë ushtarake të Brigadës 124 “Gani Paçarizi” që, si pararojë, ta shpërthejë aksin e përmendur e t’u qaset kodrave: Shkozë, Grap, Qafë e Pagarushës e në këto luftime Dalip Behra mbetet edhe pa Shefki Thaçin e Rogovës e Enver Durakun e Krushës së Madhe, ndërsa bashkëluftëtari Hamëz Kryeziu i Retisë mbetet pa njërën këmbë, e në krahun e Brigadës 123, merr Përjetësinë Indrit Cara – “Ushtar Kavaja”. Më 13 prill, Dalip Behra, së bashku me Bekim Ismet Gashin, dëshmor i kombit, merr detyrë që të depërtojë në fshatin e djegur e të shkatërruar, Krushë e Madhe. Të dytë hetohen prej forcave serbe dhe me breshëri të shtënash sulmohen prej kodrinave përreth “Rrezeve” të Krushës së Madhe. Pas një rezistence dhe qëndrimi burrëror, në kodrën e “Rrezes”, jo larg fshatit të lindjes, marrin përjetësinë: Dalip Isuf Behra e Bekim Ismet Gashi.
Luftëtarët e lirisë zhvilluan operacione përreth “Rrezeve” të Krushës së Madhe, për t’i tërhequr trupat e pajetë të dëshmorëve Dalip Behra e Bekim Gashi, por lufta e pabarabartë dhe teknika e madhe luftarake serbe, mundësoi pëparësinë dhe kështu, trupat e dëshmorëve varrosen në varrezat e Prizrenit. Pas përfundimit të aktiviteteve luftarake të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u zbuluan varret e dy dëshmorëve krushjanë dhe bëhet zhvarrosja. Rivarrimi i dëshmorit të kombit Dalip Behra bëhet në “Kopshtin e Dëshmorëve” të Krushës së Madhe, ndërsa lapidari dhe flamuri kombëtar janë shenja se në “Rreze” morën përjetësinë dy vigaj të Krushës së Madhe.
Për nënën Sevdi dhe motrën e vetme, Zarifen, lapidari i “Rrezes” mbetet vendi më i shenjtë, sepse aty çdo pëllëmbë toke u shenjtërua me gjakun e Dalipit të betuar para flamurit, i cili sot i valon mbi kokë dhe u pëshpërit se sa e shtrenjtë i doli liria – amanet për Liridonin dhe Frashërin, tashmë burra krenarë për gjyshin Isuf dhe për të anë, Dalip Behrën.
Nxënësit e Shkollës Fillore “Bajram Curri” dhe të afërmit e Dalipit, thurin vargje për dëshmorin, ndërsa një rapsodi e rapsodëve të Kukësit, ngreh lart portretet e dëshmorëve Dalip Behra e Bekim Gashi. Për Dalipin kanë shkruar ese biografike edhe Agim Metbala, Bajram Kurti e Milazim Bajraj, ndërsa në një dokumentar, në celuloidë janë skalitur portretet e këtyre dy dëshmorëve: Dalip Behra e Bekim Gashi. (S. C.)

Kontrolloni gjithashtu

Feti Jahir Haxholli (11.6.1975 – 20.4.1999)

Feti Jahir Haxholli (11.6.1975 – 20.4.1999)

Fetiu u lind më 11 qershor të vitit 1975 në fshatin Viti të Marecit, komuna …