leoni

20 vjet nga dalja publike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës

Dalja publike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe “Nëntori i Tretë” i historisë shqiptare

Dalja publike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, më 28 nëntor të vitit 1997, në Llaushë të Skënderajt,  gjithsesi shënon një ngjarje ndër më të mëdhatë e historisë së kombit shqiptar, në fund të shekullit 20-të.  Kjo datë historike nuk ishte rastësi, as koincidencë, as vetëm një ndodhi më shumë e muajit nëntor, muajit historik të shqiptarëve.

Daljes publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i kanë paraprirë shumë zhvillime shoqërore, politike e diplomatike që kanë ndodhur në vendin tonë qysh nga shkurti i vitit 1945, kur forcat e Armatës, së quajtur Nacional Çlirimtare të Jugosllavisë, kishin vendosur pushtetin e tyre me shpalljen e gjendjes së Jashtëzakonshme në Kosovën e ri okupuar, dhe fillimin e goditjeve ushtarake të armatës së Jugosllavisë, veçmas në Drenicë, ku Komandanti popullor, Shaban Polluzha me disa qindra luftëtarë kishte rezistuar në përpjekje për të mos lejuar ripushtimin e Kosovës nga Jugosllavia.

Përderisa në Shqipëri ishte rikonfirmuar Nëntori i Dytë, me fitoren e Ushtrisë Antifashiste Nacional Çlirimtare më 29 Nëntor të vitit 1944  dhe Shqipëria kishte ruajtur territorin e cunguar me vendimet e Konferencës së Londrës së vitit 1914 dhe të Parisit më 1919, Kosova kishte rënë sërish nën sundimin jugosllav deri në qershor të vitit 1999.

Nëse duam t’i pranojmë faktet e argumentet dhe vërtetësinë e tyre historike, nëse i vlerësojmë drejt dhe paanshëm dimensionet e shtrirjes së rezistencës sonë kombëtare në kohë e hapësirë, në sinkroni e diakroni, nëse rezonojmë e gjykojmë me gjuhën e fakteve dhe jo me gjuhën e mujsharëve politikë, duhet pranuar fakti historik se “Dalja Publike e UÇK-së” më 28 Nëntor të vitit 1997 ka  kulmuar në “Nëntorin e Tretë”, jo vetëm në pikëpamje ngjashmërie e koincidence, jo vetëm si hije e saj,  por në brendinë e përmbajtjen faktike, të riciklimeve shekullore historike.

Dihet tashmë për mbarë opinionin tonë se Komandanti i UÇK-së, Adem Jashari kishte organizuar dhe kishte udhëhequr sulmin mbi makinerinë policore serbe më 26 nëntor të vitit 1997. Atë ditë, forca të shumta të policisë serbe me autoblinda, pizgauerë mitralozë të rëndë dhe me një helikopter të policisë, i cili përcillte zhvillimet nga lartë, ishin nisur në relacionin Skenderaj-Llaushë-Rezallë e Re. Në vendin e quajtur “Klisyra”, në drejtim të Turiçecit, kishte zënë pritë komandanti i UÇK-së,  Adem Jashari me një duzinë  luftëtarësh të  tij. Atë ditë, forcat serbe, u sulmuan në befasi. Edhe pse ata kishin armatim të rëndë dhe ishin me numër të madh policësh, që në fillim e humbën orientimin, meqë sulmi i rrufeshëm i çlirimtarëve të Adem Jasharit dhe i vetë Komandantit nuk u kishte lënë shteg për t’ i akorduar veprimet luftarake. Piloti i helikopterit, disa herë i goditur nga armët e luftëtarëve të lirisë  nuk kishte guxim të lëshohej më poshtë, për t’iu shkuar në ndihmë të plagosurve, meqë ndodhej në rreze të veprimit të armëve të luftëtarëve të Adem Jasharit. Gjatë tërheqjes së turpshme në drejtim të Skenderajt, forcat serbe, në shenj hakmarrjeje kishin derdhur  breshëri plumbash në shkollën e fshatit Llaushë, me ç’ rast merr plagë vdekjeje mësuesi, Halit Geci, ndërsa plagoset edhe arsimtari tjetër, Shaban Rreci, nga Llausha. ( Kalendari Kombëtar  TV-Dielli-RKL).

Duke komentuar luftimet mes policisë serbe dhe kryengritësve shqiptarë, shtypi i Beogradit saktësonte asokohe  se “kishte kohë kur  Policia serbe gjatë orëve të natës nuk shkonte dot në Drenicë, por  tani e tutje ajo nuk do të  kalonte andejpari  as gjatë ditës, sepse në çdo vend mund të sulmohej”, ashtu sikur ndodhi më 26 nëntor 1997.

Dalja publike e UÇK-së ishte llogaritur të bëhej, pikërisht më 28 nëntor, edhe pse kishte mundur të bëhej më 27 apo 29  nëntor apo në ndonjë datë tjetër. Ky ishte projekti i Adem Jasharit dhe i trimave të tij çlirimtarë, me qëllim të shënimit të Nëntorit të Tretë, që nuk mbeti iluzion, sikur e kishin quajtur dhe e quajnë pacifistët e neopacifistët tanë dhe nuk ishte  bërë me qëllim  të shënimit të  ditëlindjes së vetë Komandantit, për veten e tij.

Shtypi dhe politika pacifiste në Prishtinë e në Tiranë, vajtonte mësuesin dëshmor,  Halit Geci, duke e paraqitur si viktimë, por nuk përmendej dot emri i Adem Jasharit, sulmi as rezistenca heroike,  edhe pse për luftën dhe sulmet  e tij e të bashkëluftëtarëve, për disa vite rresht  dinin të gjithë shqiptarët liridashës, jo vetëm në Drenicë.

Në ceremoninë e varrimit të trupit të mësuesit dëshmor, Halit Geci, kishin marrë pjesë dhjetëra mijëra shqiptarë liridashës të Kosovës. Atë  ditë, në shenj kujtese historike lidhur me përvjetorin kthimit në Krujë të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, në përvjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë nga Ismail Qemali, më 28 nëntor të vitit 1912, tre bashkëluftëtarë të Adem Jasharit  Mujë Krasniqi, (hero)Rexhep Selimi (në Hagë)  dhe Daut Haradinaj, kishin veshur uniformat ushtarake me emblemat e UÇK-së, dhe kishin paraqitur publikisht ekzistencën e saj, luftën dhe qëllimin e saj për çlirimin e Kosovës nga robëria serbe.

Brohoritjet e të pranishmëve për UÇK-në, kishin çarë  atmosferën e elektrizuar me zëra lirie, atmosferë mobilizimi e reflektimi atdhetar,  e cila jo vetëm që nuk ishte shuar por kishte mbijetuar gjatë tërë kohës së luftës, deri në qershor të vitit 1999.

Nëntorin e tretë, Adem Jashari me Jasharët e Prekazit dhe trimat e trimëreshat e tij e kishin larë me gjak, me sakrificë e heroizëm, më 5.6 dhe 7 mars të vitit 1998.

Rrugën dhe shembullin e tij e ndoqën dhjetëra mijëra luftëtarë e luftëtare shqiptarësh liridashës, nga të gjitha trevat etnike dhe nga mërgata shqiptare.

Luftës për çlirim e bashkim  ia falën jetën e tyre  rreth 2500 dëshmorë, 13 mijë martirë,  luftës për liri e pavarësi ia dhanë gjymtyrët e tyre mijëra  invalidë, ndërsa në betejat e kohës kundër makinerisë së barbarisë serbe,  morën pjesë dhjetëra mijëra veteranë, që sot janë forca e gjallë kombëtare, gjithnjë e gatshme për të ruajtur frytet e fitores.

Nëntori i tretë, falë gjakut të derdhur për liri në nga vitit 1912,  u kurorëzua më 17 shkurt të vitit 2008 me Shpalljen e Pavarësisë Kosovës, Shtet i pavarur dhe sovran.

Nëntorët  për çdo vit venë e vinë.

Katër kapitujt më të rëndësishëm të historisë sonë kombëtare, do të mbesin përgjithmonë të ngulitur thellë në memorien kombëtare, për të mësuar brezat se, ku kemi qenë, në cilat rrugë kemi kaluar, ku jemi dhe për ku po synojmë…

Përvjetorët si këto vazhdimisht rrezatojnë reflektime, kujtime për të kaluarën, për ngritjet, rëniet, prapë ngritjet, për lirinë e bashkimin e domosdoshëm të një kombi që ende jeton i ndarë në pesë shtete.

 

 

Ahmet Qeriqi

Shtime

  1. 11. 2021

Kontrolloni gjithashtu

Komandanti i ZOD, gjatë luftës, Sami Lushtaku, rrëfen momentet me komandantin. Ilaz Kodra, në 25-vjetorin e rënies së tij

Në 25-vjetorin e rënies së komandantit Ilaz Kodra, bashkëluftëtari i Ilaz Kodrës, Sami Lushtaku, ka …