Serwer - Grenell: Nuk ka mundësi që prokurori të mos kishte ‘lejen tënde’ për shkak se ai është i caktuar nga Trump

Daniel Serwer: BE-ja të vlerësojë nëse ndryshimet ruajnë qëllimin e Dhomave të Specializuara

Kuvendi i Kosovës miratoi më 6 tetor ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara. Ato prekin juridiksionin, dënimet dhe procedurat e këtij institucioni, pas vendimit për dënimin me gjithsej 81 vjet burgim të katër ish-krerëve të UÇK-së në Hagë. Ende nuk dihet se si do të zbatohen ndryshimet dhe nëse ato do të dërgohen për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese. Profesori i Universitetit Johns Hopkins, Daniel Serwer, tha për Gazetën Express se Bashkimi Evropian duhet të vlerësojë nëse ligji i ndryshuar përmbush qëllimin për të cilin u themeluan Dhomat e Specializuara. “BE-ja duhet të shqyrtojë nëse dispozitat e këtij legjislacioni janë të mjaftueshme për përmbushjen e qëllimit kryesor të Gjykatës: vënien para përgjegjësisë të personave që dyshohet se kanë kryer krimet e përmendura në raportin e [Dick] Martyt”, u shpreh Serwer. I pyetur nëse ndryshimet mund të pengojnë rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në BE, ai tha se këtë duhet ta përcaktojë Brukseli. “Është në dorën e BE-së të vendosë për kriteret e anëtarësimit, jo në dorën time apo të Kosovës. Përgjigjen duhet ta japë Brukseli”, tha ai. Serwer vlerësoi se ligji synon ta afrojë Gjykatën me atë që, sipas tij, përgjithësisht kuptohej si mandati i saj në kohën e themelimit. Megjithatë, ai vuri në dukje se Kosova nuk ka mundësi ta zbatojë vetë këtë legjislacion. Bashkimi Evropian ka kundërshtuar ndryshimet, duke thënë se ato bien ndesh me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës. Në reagimin e tij, BE-ja përsëriti mbështetjen për Dhomat e Specializuara si institucion të pavarur gjyqësor dhe kërkoi respektimin e mandatit dhe pavarësisë së tyre. Sipas BE-së, Dhomat janë pjesë e sistemit juridik të Kosovës, të themeluara nga Kuvendi dhe të sanksionuara në Kushtetutë. Unioni theksoi se drejtësia duhet të bazohet në përgjegjësinë penale individuale dhe u bëri thirrje autoriteteve të Kosovës të garantojnë pavarësinë gjyqësore, llogaridhënien dhe drejtësinë për viktimat dhe familjet e tyre nga të gjitha komunitetet. Ndërkohë, Serwer e vlerësoi si zhvillim pozitiv zgjedhjen e presidentes së re, që i dha fund bllokadës institucionale gati dyvjeçare dhe shmangu zgjedhjet e parakohshme. “Mendoj se është gjë e mirë që kompromisi ka çuar në zgjedhjen e një presidenteje me kualifikime të larta”, tha ai.

Kontrolloni gjithashtu

Shqipëria synon mbylljen e përkohshme të Kapitullit 20; vendimi pritet më 13 tetor

Shqipëria po synon ta mbyllë përkohësisht Kapitullin 20 të negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, …