Profesori amerikan dhe njohësi i çështjeve të Ballkanit, Daniel Serwer, ka shprehur rezervat e tij ndaj procesit gjyqësor në Hagë kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke deklaruar se sot pendohet që kishte mbështetur krijimin e gjykatës speciale Serwer tha se mbajtja për një periudhë të gjatë në paraburgim e ish-udhëheqësve të UÇK-së, si para fillimit të gjykimit ashtu edhe gjatë zhvillimit të procesit, nuk gjen justifikim sipas bindjes së tij, ndonëse theksoi se nuk është ekspert juridik. Ai u ndal veçanërisht te rasti i ish-presidentit Hashim Thaçi, duke vlerësuar se roli i tij gjatë luftës nuk përfshinte autoritet komandues mbi UÇK-në, prandaj një përgjegjësi penale e mbështetur në këtë argument do të përbënte, sipas tij, një gabim serioz. Megjithatë, Serwer nënvizoi se pavarësisht qëndrimeve të tij personale, çdo vendim i gjykatës duhet të respektohet, duke shtuar se nuk ka pritshmëri konkrete lidhur me epilogun e procesit ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Gjykata Speciale, të themeluara nga Kuvendi i Kosovës në vitin 2015 dhe me seli në Hagë, trajtojnë pretendimet për krime të kryera nga pjesëtarë të UÇK-së gjatë periudhës 1998-2000, ndërsa procesi ndaj ish-udhëheqësve të saj vazhdon të mbetet një prej çështjeve më të ndjeshme politike dhe juridike për Kosovën.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
