Daniel Serwer: Një vit i humbur për Kosovën, kompromisi është çelësi për t’i dhënë fund bllokadës politike

Profesori amerikan Daniel Serwer ka vlerësuar se Kosova ka kaluar një periudhë jo të favorshme politike, duke theksuar se mosformimi i institucioneve dhe vështirësitë në zgjedhjen e presidentit kanë dëmtuar imazhin e stabilitetit të vendit. Serwer tha se sistemet parlamentare përballen shpesh me situata të tilla, por shtoi se bllokada e zgjatur nuk i ka shërbyer Kosovës dhe ka krijuar perceptim negativ për funksionimin institucional të saj. “Sinqerisht, mendoj se nuk ka qenë një vit i mirë për Kosovën. Është e vështirë të përcillet një imazh i stabilitetit të institucioneve dhe i qëndrueshmërisë së tyre kur nuk arrini të formoni një qeveri, kur nuk mund të zgjidhni presidentin. Prandaj, shpresoj shumë që këtë herë do të keni sukses. Serwer nënvizoi se edhe vende të tjera me sisteme të ngjashme përballen me kriza politike, por shtoi se Kosova duhet të fokusohet në formimin e qeverisë dhe në rikthimin e stabilitetit institucional, ndërsa çështjet e tjera mund të diskutohen më pas. Duke komentuar projektin për gazin amerikan, ai tha se nuk është mjaftueshëm i informuar për të dhënë një vlerësim të plotë, por vlerësoi se gazi natyror është më i favorshëm për mjedisin sesa përdorimi i linjitit, megjithëse kostoja mbetet faktor kyç në vendimmarrje. Në fund, profesori amerikan theksoi se, pavarësisht ndryshimeve të qeverive ndër vite, miqësia dhe partneriteti strategjik ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara kanë mbetur të pandryshuara dhe vazhdojnë të jenë një shtyllë e rëndësishme për të ardhmen e vendit.

Kontrolloni gjithashtu

Sylë Ukshini: Rusia dhe Serbia po riprodhojnë në Kosovë skemat e vjetra të ndërhyrjes nga fillimi i shekullit XX

Analisti dhe diplomati Sylë Ukshini ka publikuar një analizë historike ku argumenton se bashkëpunimi ruso-serb …