Ish-deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, ka drejtuar kritika të ashpra ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, duke e akuzuar për shkelje të vazhdueshme të Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Kosovës. Haradinaj ka thënë se politikat e Qeverisë së udhëhequr nga Kurti dhe, siç i ka cilësuar ai, “shantazhet” ndaj rregullave të demokracisë parlamentare dhe opozitës, sipas tij, dëshmojnë për një qasje që e dëmton funksionimin e shtetit dhe të institucioneve. “Albin Kurti e ka problem të madh Republikën e 17 shkurtit 2008, andaj po e sulmon dhe po synon ta shpërbëjë”, ka shkruar Haradinaj, duke pretenduar se veprimet e kryeministrit në detyrë paraqesin rrezik për vetë themelet e Republikës. Haradinaj ka kundërshtuar gjithashtu mënyrën se si, sipas tij, po trajtohen proceset politike dhe marrëveshjet ndërkombëtare të Kosovës, duke e akuzuar Kurtin për shmangie nga marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit. Ai ka thënë se Republika e Kosovës nuk duhet të shërbejë si “laborator eksperimental” për politika të reja dhe i ka bërë thirrje Kurtit që interesat e shtetit t’i vendosë mbi kalkulimet politike. “Albin, Republika është mbi ty e secilin prej nesh. Mjaft me politika meskine që e dëmtojnë shtetin”, ka shkruar Haradinaj.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
