KEK
Fillimi / Opinione / DEKLARATË POLITIKE e Shoqërisë LËVIZJA
Shoqeria Levizja

DEKLARATË POLITIKE e Shoqërisë LËVIZJA

Shoqëria LËVIZJA –  Për institucionet e Republikës së Kosovës, për  institucionet e BE-së dhe për qendrat e vendosjes në botë

                                          Asociacioni i Komunave me shumicë serbe- akt diversiv kundër Republikës

Shoqëria LËVIZJA po e përcjell me shqetësim diskursin publik të ringjallur nga diplomacia evropiane dhe jo vetëm ajo, lidhur me gjoja obligimin që paska Kosova për krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, por edhe reagimin e mefshtë të Qeverisë sonë.
Asociacionin e Komunave me shumicë serbe Shoqëria LËVIZJA e vlerëson si akt diversiv kundër Republikës.

1.
I ngarkuari i BE-së për dialogun Mirosllav Lajçaku së fundmi ishte për vizitë pune në Prishtinë dhe më pas vazhdoi turin e tij në Beograd. Ai është diplomat karriere. Në pozicionin që ka, është zëri i Komisionerit të BE — Josep Borrell — Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë si dhe Nënkryetar i Komisionit Evropian.
Josep Borrelli, ish Ministri i Jashtëm i Spanjës, mori detyrën si Përfaqësues i Lartë i BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë si dhe Nënkryetar i Komisionit Evropian, i kryesuar nga Presidenti i ri Ursula von der Leyen. Këta dy emra e dëshmojnë se në postet më të larta të BE-së janë përfaqësuesit e dy poleve politike dominuese në skenën evropiane, që sot kanë fjalën e fundit në BE.

BE si tërësi duhet të reagojë ndaj tendencave që për objektiv kanë revizionimin e asaj që kishte ndodhur gjatë viteve të luftës në Kosovë, me theks të veçantë gjatë procesit të shtetëformimit të Kosovës.
Kosovës, sipas kësaj fryme, i ishin imponuar përveç Pakos së Ahtisarit, edhe tri aktet kapitulluese, që i ksihin nënshkruar radhas përfaqësuesit e Republikës sonë:

I. Marrëveshja e 19 prillit të vitit 2013, ku ravijëzohej projekti për
themelimin e Bashkësisë së komunave serbe, respektivisht Zajednicës.

II. Plani për zbatimin e marrëveshjes;

III. Marrëveshja pasuese e 2015 -ës, përmes së cilës i vihen themelet  Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Në këtë linjë të veprimeve anti-shtet, vije kurora e turpit historik: ratifikimi i këtyre marrëveshjeve nga ana e Kuvendit të Republikës.

Shoqëria LËVIZJA i bën thirrje kësaj legjislature, por edhe asaj që vjen, që asesi mos të votojë krijimin e Asociacionit. Këtë ecje drejt zhbërjes së Kosovës si shtet i pavarur sot e bën të pamundur vetë populli.

2.
Miroslav Lajçaku duket se në Prishtinë ua ka kujtuar këto fakte bashkëbiseduesve, ndërkaq kur vajti në Beograd, e bëri të qartë se ai mbetet jo thjeshtë e formalisht përfaqësues i BE, por më shumë përfaqësues i polit të shteteve mbështetëse tradicionale të interesave serbe në rajon. Ai ua kujtoj olhokratëve tanë se, dega në të cilën ata varin shpresat, për të shmangur krijimin e Asociacinit nuk i mban dot. Fundja, lidhur me vlerësimin e Gjykatës Kushtetuese për përputhshmërinë e parimeve që përmban dokumenti i titulluar “Asociacioni/Bashkësia e komunave me shumicë serbe në Kosovë — Parimet e përgjithshme/Elementet kryesore”, ua rikujton se edhe ai vendim nuk hedhë poshtë idenë bazë për krijimin e Asociacionit. Ndërkaq kornizat e kushteturtës së Republikës sonë, që Lajçaku nuk e njeh, meqë nuk mundësojnë krijimin e Asociacionit sipas konditave serbe, atëherë duhet ndryshuar ato (kornizat e kushtetutës)! Kushtetuta, u shpreh ai, nuk është Bibël!

3.
Pozicioni i BE-së, siç potencojnë zyrtarët në Bruksel dhe të dërguarit në Prishtinë, është logjike që Kushtetuta duhet të ndryshohet në përmbyllje të procesit të dialogut.
Në këtë linjë, Brukseli zyrtar potencon me forcë: “Askush nuk tha që ishte e pamundur, Kushtetuta nuk është Bibël. Nëse biem dakord për çështje serioze, atëherë sigurisht që duhet të pasqyrohet në Kushtetutë.”
Shoqëria LËVIZJA i bën thirrje BE-së, njëzetë e dy shteteve që kanë njohur pavarësinë e Kosovës, të mos vihen në lajthitje dhe të lejojnë krijimin e Bosnjës së dytë në Evropën Juglindore, duke cenuar kështu rëndë paqen dhe sigurinë në rajon.

Shpallja e pavarësisë së Kosovës, e vulosur edhe me opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, është shprehje e vullnetit të popullit dhe  në përputhje të plotë me Ligjin ndërkombëtar.
Kushtetuta jonë në nenin e saj të parë dhe të dytin potencon:
Neni 1. 1. Republika e Kosovës është shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik, dhe i pandashëm.
Neni 2. 2. Sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i pacenueshëm, i patjetërsueshëm dhe i pandashëm dhe mbrohet me të gjitha mjetet e përcaktuara me Kushtetutë dhe me ligj.
Ndryshimet kushtetuese, në vendet demokratike, bëhen për të mirën e përgjithshme. Insistimi i BE-së konform kërkesave të Beogradit dhe për kompromise politike, de fakto për cenimin e unitetit të Republikës, dëmton jo vetëm funksionalitetin e shtetit, por i hap rrugë  destabilizimit të rajonit.

4.
Faktin se kushtetuta nuk na qenka Bibël, Lajçaku do të duhej t’ua kujtonte para së gjithash nikoqirëve në Beograd. Ka disa arsye bazike se, përse de fakto do të duhej ndryshuar pikërisht Bibla serbe, alias Kushtetuta e Serbisë. Aty, përveç tjerash, në preambulën e saj, thuhet taksativisht për Kosovën:
“Bazuar në traditën shtetërore të popullit serb dhe barazisë së gjithë qytetarëve dhe bashkësive etnike në Serbi; bazuar në faktin që Krahina Autonome e Kosovës dhe Metohisë është pjesë përbërëse e Serbisë, pra se ka pozitën e saj si pjesë përbërse e shtetit sovran të Serbisë dhe se nga kjo pozitë Krahina Autonome e Kosovës, organet e saj si dhe të gjitha organet shtetërore kushtetuese, kanë obligime dhe detyra të mbrojnë interesat shtetërore të Serbisë në Kosovë dhe Metohi në të gjitha marrëdhëniet politike të brendshme e të jashtme“.
Ndërkaq në kapitullin e shtatë të kushtetutës serbe, Kosova trajtohet si pjesë organike e saj në shtatë nene të veçanta.

Brenda kësaj kushtetute as që potencohet popullsia shqiptare e Preshevës, Bujanocit, Medokës (Medvegjës) dhe ajo e Sanxhakut, që është më se dyfishi i popullsisë serbe që jeton në Kosovë.

Shoqëria LËVIZJA i bën thirrje BE-së të pushojë së trajtuari  çështjet e minoriteteve në Kosovë dhe Serbi me standarde të dyfishta.

5.
Zoti Lajçak, Kosova nuk kthehet dot në kthetrat e Serbisë, tek statusi kolonial, siç ishte deri në qershor 1999. Është pikërisht lufta e UÇK-së (e popullit shqiptar) dhe ndërhyrja e demokracive perëndimore përmes mekanizmit të saj të sigurisë — NATO-së, që e bëjnë atë kthim të pamundur.

Shoqëria LËIZJA kundërshton me forcë tendencat për ringjalljen e projektit për federalizimin e Kosovës. Autonomia serbe de fakto është stacioni i ndërmjetmë për ndarjen dhe zhbërjen e Republikës. Ndërkaq këto tendenca ne i shohim edhe si kushtëzim për kalim në variantin e promovuar në vitin 2018 për gjoja “korrigjimin e kufijve” apo “razgraniçenjen” e A.Vuçiqit, që de fakto d.t.th. aneksim i Veriut të Kosovës nga Serbia.

6.
Shoqëria LËVIZJA si komunitet shoqëror  aktiv Asociacionin e konsiderojmë si akt politik që bie ndesh edhe me Kartën Evropiane të qevrisjes lokale dhe me atë për të Drejtat e Njeriut dhe vetë filozofinë politike mbi të cilën është ngritur BE-ja.
Shoqëria LËVIZJA i bën thirrje Brukselit ta refuzojë me forcë e bindje këtë projekt të rrezikshëm, që cenon rëndë Kartën Evropiane për organizimin dhe mbrojtjen e të drejtave të minoriteteve dhe paqen e prosperitetin e rajonit.

7.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese në raport me Marrëveshjen e vitit 2013 dhe atë të vitit 2015, nuk e nulifikon Zajednicën. Përkundrazi, ai vendim merr në mbrojtje kushtetutshmërinë dhe Republikën, por e obligon Kosovën për realizimin e Asociacionit në përputhje me Kushtetutën, që d.t.th. duke marrë në konsideratë që ajo të mos ketë kompetenca ekzekutive.

Shoqëria LËVIZJA inkurajon Kuvendin e Republikës që ta trajtojë me seriozitetin më të madh këtë çështje dhe nëse e kërkon nevoja ta dërgojë për opinion edhe në Komisionin e Venedikut.
Shoqëria LËVIZJA shpreh bindjen se as Komisioni i Venedikut nuk do të tumirë krijimin e Asociacioneve njëetnike.
Komuniteti serb në veri, komunat ku shumica e qytetarëve janë të etnisë serbe, mund të krijojnë Asociacion shtesë, përveç këtij ekzistuesit, por asesi jo njëetnik.

8.
Shoqëria LËVIZJA konsideron se çështja e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe po bëhet gjithnjë e më sfiduese për Republikën tonë. Si e tillë nuk zgjidhet dot duke gjuajtur gurë mbi shpinën e Lajçakut dhe duke demonizuar BE-në. Në gracka të atilla nuk guxojmë të biem asesi.
Deklarata mbi domosdonë e ndryshimit të Biblës, alias kushtetutës, është truk diplomatik, që ka për qëllim të arrijë njërin nga tri objektivat e Beogradit:
E para, të krijoj presionin për kalimin në variantin e ndarjes, si gjoja e keqja më e vogël;
E dyta, të krijojë alibin mbi “arsyet” e bllokimit të dialogut. Ky bllokim do të shfrytëzohet si preteks për fajsimin e palës shqiptare dhe penalizimin e Kosovës nga Brukseli.
E treta, përmes bllokimit të dialogut, duke shenjuar palën shqiptare si përgjegjëse, t’i shërbejnë sa më mirë agjendës serbe për ruajtjen edhe për kohë të pacaktuar të status quos.

9.
Shoqëria LVIZJA vë në dispozicion gjithë potencialin e saj njerëzor, profesional, moral e atdhetar, për parandalimin e krijimit të Asociacionit të Komunave Serbe.

Prishtinë, më 24 tetor 2020                              Kryesia e Shoqërisë LËVIZJA

Kontrolloni gjithashtu

RLK

RKL: Mazohizmi i disa mendjeve të degraduara duhet të marrë fund për të mirën e përgjithshme, për interesin e kombit

Lufta, jo vetëm virtuale kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka filluar qysh me lindjen e ...