Delegacionet nga Kosova dhe Serbia takohen ditën e martë në Bruksel, ndërsa bisedimet do të udhëhiqen nga Marko Gjuriq dhe Avni Arifi. Vazhdimin e dialogut të martën, mes Kosovës dhe Serbisë, e ka konfirmuar Maja Kocijancic, zëdhënëse e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së. Ajo ka thënë se krerët e ekipeve teknike negociuese, Marko Gjuriq dhe Avni Arifi e kanë konfirmuan pjesëmarrjen në bisedimet që do të mbahen nga 16 deri në 18 janar në Bruksel. Është parashikuar që brenda tri ditëve në rendin e ditës të jenë, zbatimi i marrëveshjeve të arritura deri tani, Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, Liria e Lëvizjes dhe Gjyqësia. Këtë vit dialogu do të jetë në nivel presidencial, por takim mes kryetarit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij serb, Aleksandar Vuçiq ende nuk është planifikuar.
