Deputeti i Vetëvendosjes, Albin Kurti, sot ka marrë pjesë në shënimin e 21 vjetorit të masakrave dhe gjenocidit që kanë kryer forcat ushtarake e policore serbe, në Srebrenicë, ku kriminelët serbë kishin vrarë së paku 8.327 boshnjakë. Sipas njoftimit të Vetëvendosjes Kurti është ftuar nga Lëvizja e Nënave të Enklavave të Srebrenicës dhe Zhepës, nga kryetarja Munira Subashiq, si dhe nga kryetari i Shoqatës së Viktimave dhe Dëshmitarëve të Gjenocidit, Murat Tahiroviq. Sivjet, organizatorët boshnjakë i kanë shpallur të padëshirueshëm në Srebrenicë qeveritarët nga Serbia. Në Potoçari të Srebrenicës janë varrosur deri më tani 6.377 viktima dhe aty sot u varrosën edhe 121 të tjerë. “Z.Kurti mori pjesë në ceremoninë mortore, vizitoi shoqatat e familjarëve dhe bëri nderime te monumenti pranë varrezave e vendosi lule të freskëta në kujtim të të vrarëve. Ai shprehu solidaritetin e tij me të afërmit e viktimave dhe popullin boshnjak”, thuhet në njoftimin e Vetëvendosjes.
![Deputeti i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka marrë pjesë në shënimin e 21 vjetorit të masakrës së Srebrenicës](https://www.radiokosovaelire.com/wp-content/uploads/Albin-Kurti-Srebrenice.jpg)