leoni

Dilaver Goxhaj: Ç‘do të bëhet me pavarësinë e Kosovës?

Në datën 20 dhjetor, sikundër pritej, u mblodh Këshilli i Sigurimit i OKB-së në Est River, SHBA, për të diskutuar mbi statusin e Kosovës, pas shtyrjes 4 mujore, e cila u bë me propozimin e Francës dhe u miratua nga të gjithë. Sikundër u mësua edhe nga lajmet, këtë mbledhje të Këshillit të Sigurimit e drejtonte italiani Masimo D’Alema. Të gjithë shqiptarët, kudo që ndodhen në botë, atë ditë mbajtën frymën, të dëgjonin me vëmëndje vendimin e Këshillit të Sigurimit për njohjen apo jo të pavarësisë së Kosovës. Madje Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë, qysh herët në mëngjes, ende pa aguar mëngjezi në Est River (pasi ne jemi 6 orë përpara), e quajti datën 20 dhjetor, datë historike, por D’Alema na e nxori bllof. Dhe, në orët e vona të mbrëmjes, (sipas orës së Shqipërisë), tullumbacja u shfry. D’Alema doli në konferencë shtypi dhe tha afërsishtë: konkluduam që palët, (ajo shqiptare dhe ajo serbe), këta katër muaj nuk janë marrë vesh! Kësaj i thonë: U mbars mali dhe polli një mi. 
Pse, nuk e di D’Alema dhe bashkëmendimtarët e tij se shqiptarët me serbët kanë 14 shekuj që nuk merren vesh?! 
Si mund të merresh vesh me uzurpusin e shtëpisë, kur ai të thotë se shtëpia është e imja? 
Faik Konica e shpreh edhe më qartë këtë strategji sërbe: “Hapi derën e shtëpisë një serbi dhe ditën tjetër ai do të të kërkoi gjysmën e saj, sikur e ka të drejtën e vet; ndërsa të pasnesërmën ai do të përpiqet të të flakë nga dritarja e shtyëpisë sate, sikur je ti ay që ke hyrë me zor”. 
Kështu e kanë formuar edhe shtetin e tyre sërbët: “Gjatë sundimit turk në Sërbi, shpjegon po Konica, një numur sërbësh u arratisën për të shpëtuar nga përndjekjet dhe gjetën strehë nga hungarezët e mëshirshëm. Si shpërblim, nja dy a tri shekuj më vonë, pasardhësit e këtyre refugjatëve, të cilët kishin përfituar nga mikëpritja, u bënë kërkesë Fuqive që t’ia jepnin Sërbisë vendin ku gjetën strehim paraardhësit ve tyre”. 

Iku dhe data 20 dhjetor 2007, nuk u bë dot datë historike, sikundër e deshëm të gjithë dhe siç u shpreh para kohe zëdhenësi i MPJSH-së. Sërbët nga ana e tyre deklaruan tërë mburrje se nuk do ta lejojnë dhe nuk do ta njohim pavarësinë e Kosovës, me argumentin e tyre të njohur: “Se kosova na qenka djepi i Serbisë”. 
Është, gjithashtu, alogjike të mendoje se Rusia do ta pranonte pavarësinë e Kosovës, e cila për Rusinë nënkupton tkurrje të Sërbisë. Besoj se D’Alema dhe bashkëmendimtarët e tij e panë për të njëmijtën herë se kush janë ata që prishin paqen në Ballkan. 

Kufijtë dhe vetëm kufijtë janë problemi jetik për Serbinë 

Kemi të drejtën të pyesim: Pse Sërbia, e mbështetur fuqishëm dhe haptas nga Rusia, ngul këmbë me forcë për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës, kur ajo e ka të qartë se Kosovën nuk e ka dhe nuk ka për ta patur më koloni të saj? 
Për këtë jemi të detyruar që gjatë shpjegimit të bëjmë edhe ndonjë përsëritje të ndonjë argumenti të dhënë edhe më parë dhe, për këtë, i kërkojmë falje lexuesit. E para dhe kryesorja pse Sërbia bën kaq shumë rezistencë, edhe pse në vitin 1999 patëm një luftë midis gjithë Botës Demokratike dhe Serbisë, është çështja e ndryshimit të kufijve të Serbisë jo vetëm tash, por edhe në perspektivë. Këtu është thembra e Akilit. Të gjitha çështjet e lidhura me kufijtë duket sikur do të pushojnë së ekzistuari në momentin kur Kosova do të njihet ndërkombtarisht. 
Por jo. 
Sërbia është e bindur që e ka të humbur Kosovën, si bukën që ha, por ajo bën aq zhurmë të madhe që shqiptarët nesër të mos kërkojnë Preshevën dhe qytetet e tjera me rrethina në atë Luginë. 
Porta e Preshevës është porta kryesore e lidhjes së Sërbisë me Mesdheun, është baras me një port detar, si porti i Durrësit dhe i Vlorës për Shqipërinë. 
Pak më lartë jo pa qëllim cituam Konicën për të thënë se sërbët kanë edhe një arsye tjetër, përveç Preshevës, pse bëjnë kaq presion ndaj pavarësisë së Kosovës, nga që kanë frikë se mos u ikën nga duart edhe Vojvodina Hungareze, të cilën e mbajnë me të padrejtë si dhe Luginën e Preshevës. Këtu i djeg Sërbisë, ndaj dhe Franca i erdhi në ndihmë, e propozoi shtyrjen katër mujore të bisedimeve, vetëm e vetëm që shqiptarët të hiqnin dorë nga kundërshtimi i paketës së Ahtisarir, e cila nuk e përmend pavarësinë e Kosovës. 
Me një fjalë, Evropa, përmes kësaj shtyrjeje përdori taktikën e shprehur me fjalët: Ujku, ujku!, që çakalli të bëjë kërdinë. Dhe kërdia u bë, Këshilli Sigurimit bëri një vrimë në ujë dhe do të pritet kalimi dimrit, ndryshe na zëmërohet ariu rus e na bën Evropën të ngrijë, të cilën do ta shpjegojmë më poshtë. 

A do të kemi luftë apo trazira në Kosovë? 

Nëse Kosova do të njihet nga Këshilli i Sigurimit, dhe Serbia në një formë ose në një tjetër, (me serbët e importuar andej apo me serbët që ka në Kosovë, pak rëndësi ka), do të fillonte luftë mbi Kosovë, (gjë që nuk e bën kurrë, por i thonë të shprehet ashtu se, gjetkë është frika, sikundër e shpjeguam më lartë), atëhere qysh nga ai moment që Sërbia do të guxojë të cënojë aktualitetin, thënë ndryshe statu quonë e Kosovës, atëhere ajo do të kryente krim ndërkombëtar, që do të thotë se do të kryente krim kundër paqes. Dhe, në këto kushte, Kosova do të merrej menjëherë në mbrojtje nga të gjithë mekanizmat ndërkombëtarë, duke iu njohur edhe pavarësia, madje pavarësi reale dhe jo me kushte, sikundër po vinë vërdallë. 
Mirëpo, po qe se arrihet në këtë pikë, Serbia i trembet kërkesës tjetër të shqiptarëve, për Preshevën, dhe nuk përjashtohet mundësia që në atë rast ta mbështesin edhe ndërkombëtarët. Mbase fillon e tërhiqet “filli i Pandorës”, dhe eja pastaj e mbaje; katandiset Sërbia si kokoshi një thelë. Por janë edhe ndërkombëtarët që i tremben çështjes së Preshevës, ndaj edhe u intereson që ta paraqesin si shumë të vështirë njohjen e pavarësisë së Kosovës, që nesër të na thonë: Ju e patë seç hoqëm me pavarësinë e Kosovës, tashti ç’doni më?! Rrini urtë e kënaquni me kaq! 

Por, dihet që Kosova është nën mbrojtjen e ndërkombëtarëve, me ushtri dhe administratë, kështu që, në këtë rast, vetëm se përsëritëm dhe u kujtuam atë që ekziston dhe nuk thamë gjë të re. Mirëpo, mos harrojmë edhe diçka tjetër, e cila dihet por nuk është thënë, se Sërbisë nuk iu ndalua as edhe një fishek kur u tërhoq nga lufta me NATO-n në Kosovë. Pse ndodhi ky ndryshim i regullit të çdo kapitullimi në luftën e armatosur, kur dihet që ushtritë, të cilat detyrohen me forcë të pranojnë kapitullimin, duhet të dorzojnë gjithë armatimin dhe municionin? Mos vallë nuk e dinte gjenerali Xhekson këtë regull që nuk e vuri pikë të veçantë në Marrëveshjen e Kumanovës midis NATO dhe Ushtrisë Serbe? Ndërkohë, shqiptarët të organizuar në UÇK, u çarmatosën, edhe pse ishin reshtuar në palën fituese, si aleatja tokësore e NATO-s! Dhe, çështë më e keqja, shqiptarët po çarmatosen edhe sot e gjithë ditën, edhe nga armët trofe që të kohës së Turqisë, të cilat gjyshërit e tyre i kanë fshehur qysh në atë periudhë. Madje shumë shqiptarë vuajnë edhe burg aktualisht për ato armë. (Njësoj si në periudhën kur Kosova sundohej nga Serbia). 

E dyta, Sërbia, jo vetëm që u lejua të bënte riorganizim të ushtrisë së saj pas asaj lufte, duke mbajtur aq ushtri dhe lloj armësh e forcash sa deshi dhe sa ajo do, por edhe u ndihmua jo vetëm nga Rusia por edhe nga disa shtete të pasura perëndimore dhe aktualisht i ka bërë karshillëk edhe SHBA dhe NATO-s, (KFOR-it), duke ngritur “Bonstillin “ e saj në Vranjë (në Luginën e Preshevës), por me një ndryshim: ka më shumë forca se amerikanët dhe mund t’i shumëfishoi më shpejt se ata. 
E treta, Rusia tashmë nuk është më ajo e vitit 1999, kur i kishin rënë brekët në fund të këmbëve. Tashmë Rusia e ka marrë veten, falë reformave ekonomike të guximshme të Putinit, i cili të gjithë biznesmenët e pasur të Rusisë t’i angazhoi t’i investonin të gjitha kapitalet e tyre në Rusi. Ato investime e ngritën shumë shpejt ekonomikisht Rusinë, të cilën gazeta e jonë, (Gazeta “Ndryshe”), e ka pasqyruar në ditët e mëparshme. Kjo është arsyeja kryesore pse Rusia ka filluar t’i bëjë karshillëk Amerikës gjithnjë e më shumë e në të gjitha drejtimet. Nga që është bërë e pasur. Këtë nuk duhet ta harrojmë, pasi këtu merr zemër Sërbia. 
E katërta, aktualish KFOR-i në Kosovë ka një të tretën e atyre forcave që solli në vitin 1999 dhe nuk e ka të lehtë të sjelli me urgjencën që mund të afrojë forcat e saj Serbia, pasi dihet se në NATO kemi mbi 30 shtete dhe, ne e dimë që NATO-s iu deshën disa vjet që të binin në ujdi e të futeshin në Kosovë, sikundër u futën. Të mos na duket aq i thjeshtë konsesusi i gjithë pjestarëve të NATO-s për të rifiilluar një luftë me Serbinë. Dhe Serbia jo vetëm që e di, por edhe e ka konfirmuar me një pjesë të tyre që të sjellin sa më shumë pengesa, deri sa ta vendosi Evropën para faktit. Për këtë të jemi të sigurtë si buka që hamë dhe mos të gënjehemi se na mbron ky apo ai shtet. 
E pesta, nuk duhet të harrojmë se politika është shprehja më e përmbledhur e ekonomisë. Si të kesh xhepin ashtu edhe do ta bësh muhabetin. Është e vërtetë që Evropa i ka vendosur sot mbi kokë parimet demokratike, por barku nuk pyet për parime. Evropa, në rast se prish marrëdhëniet me Rusinë, ajo ngelet pa ngrohje në dimër dhe pa gatuar gjatë gjithë vitit, sepse është e bazuar kryesisht në përdorimin e gazit natyror e të lëngshëm dhe, mos harrojmë, gazin e merr nga Rusia. 
Rusia është lubia që sjell ngrica për Evropën. Kjo është edhe arsyeja pse Evropa i vjen anës e anës Rusisë, e merr me të mirë, se ka frikën e mbylljes së rubinetit të gazit natyral dhe atij të lëngshëm, ku rezervat e Rusisë janë të pashtershme. Në rast se Rusia i mbyll rubinetin Evropës, ajo detyrohet të kthehet te reaktorët atomikë, gjë që nuk e lejon populli i vet, apo e nxjerrim ne nga halli, nga që do ndërtojmë një central atomic në bregdet me ndihmën e italianëve! 
SHBA nuk janë të varur nga gazi rus, ndaj dhe i bëjnë karshillëk Rusisë në çështjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës, prandaj mbështetja e jonë te Amerika është dhe duhet të jetë piketa kryesore. Së fundi, mos harrojmë se Sërbia është ngritur edhe ekonomikisht. E kini parë listën botërore të vendeve të varfëra, ku Shqipëria zë vendin e fundit? Sërbia nuk figuron fare në atë listë. Hapni sytë dhe mos u besoni përrallave të përrallaxhinjve tanë politikë e analitikë. 

Po Serbia, a e ka të lehtë të bëjë ato që trumbeton? 

Edhe për Serbinë nuk është aq e lehtë të përdor forcën, edhe pse mburret e stërmburret, madje edhe pse ka miq të deklaruar e të padeklaruar brenda BE-së dhe jashtë saj. 
Në rast se Sërbia përdor forcën, me tezat e saj të huajtura nga Millosheviqi, mbi “mbrojtjen e integritetit të Sërbisë”, apo atë “të gjithë serbët në një shtet”, apo tezën tjetër “populli serb i kërcënuar nga shqiptarët, i paarmatosur detyrohet të mbrojë shtëpinë e tij dhe ne ta ndihmojmë”, etj., kuptohet duke nxitur serbët e Kosovës, ajo e ka të qartë se po veproi kështu, do ta detyrojë botën demokratike, jo vetëm që ta njohë menjëherë pavarësinë e Kosovës, por edhe të veprojë si në vitin 1999. 
Po qe se Sërbia do të nxis apo do të bëjë konflikt në Kosovë, ajo e ka të qartë se BE, por edhe shumë shtete të jera, pa folur për SHBA e Angli, do ta njohin menjëherë pavarësinë e Kosovës. 
Këtë frikë të Sërbisë, Rusia e di shumë mirë, ndërsa diplomacia shqiptare duhet të dijë se si ta shfrytëzojë. E vetmja gjë që mund të bëjë Sërbia, të cilën e dëgjuam edhe nga goja e Koshtunicës, është mbyllja e doganave, pra ndalimin e tregëtisë midis Kosovës dhe Sërbisë. Mirëpo nuk është Kosova që eksporton në Sërbi, është Sërbia që shet mallra në Kosovë. Atëhere kush është humbës më i madh? 
Serbia. 
Nga kjo bllokadë, kuptohet që Kosova do të dëmtohet, por dëmtimi do të jetë shumë më i vogël se ai i Sërbisë dhe do të jetë i përkohshëm, ndërsa humbja e tregut të Kosovës për Sërbinë do të jetë i përhershëm dhe mos harrojmë se është një treg i një popullsie mbi dy milionë banorë. 
Në rast se Serbia e ndërmerr këtë masë, por që nuk ka gjasa ta bëjë, ajo do të bëjë automatikisht shkëputjen edhe me serbët e Kosovës, të cilët ose do të kthehen në Sërbi ose do të detyrohen të integrihen me shqiptarët, të cilën nuk kanë dashur ta bëjnë deri tashti. Prandaj Kosova nuk ka pse trembet nga ai kërcënim i Koshtunicës. 

Ç’duhet bërë në këtë gjendje të pas mbledhjes së KS? 

Institucionet ndërkombëtare vendosëse për këto të drejta të popujve kuptohet që ende janë të lidhura pas një besimi jo real në lidhje me të drejtën e vetvendosjes së popullit të Kosovës, (për shkak të luftës së ashpër propagandistike që ka bërë dhe bën Sërbia me miqtë e saj), dhe shqetësohen se mos njohja e pavarësisë së Kosovës është e parakohëshme dhe e pakoordinuar, ndaj dhe e shtynë atë me sot e me nesër; dje për katër muaj dhe po eshtyjnë edhe për katër të tjerë. 
Por, për deri sa SHBA dhe shumë shtete të BE-së janë shprehur se do ta njohin pavarësinë e Kosovës, në rast se Kosova e shpall në mënyrë të një anëshmë, atëhere në një të ardhme të studiuar dhe të afërt duhet të bëhet shpallja e Pavarësisë nga Kuvendi i Kosovës, pavarësishtë se ai Kuvend përfaqëson çerekun e popullit. Këtu është edhe thembra e Akilit për ne, të cilën Serbia dhe miqtë e saj do ta shfrytëzojnë. Këtu duhet ta shohin veten liderët politikë të Kosovës që me politikën, pangopësinë dhe korrupsionin e tyre galopant e dertyruan popullin t’u thoshte në votimet e fundit: Hajt Sikter! 
Këtu duhet ta shohin “patriotizmin” e tyre, për mos u shprehur më ashpër, duke u munduar të na tregohen atdhetarë të flaktë, duke u veshur me kostume të shtrenjta e me baluke me xhelatinë, të shoqëruar nga bodiguardë të shumtë. 
Ai që është atdhetar dhe punon për atdheun të mos ketë frikë se e vrasin; roje mbledh rreth vetes ai që ia ka me hile popullin, ai që e ha pas shpine popullin. 
Së dyti, partitë që gjoja kanë fituar zgjedhjet në Kosovë të ulen urgjentisht me udhëheqjen e Lëvizjes Vetvendosje, të bien në konsesus me atë dhe, gjatë bisedimeve, jam i sigurt se do të gjejnë një rrugë zgjidhjeje nga më të mundshmet për situatën e krijuar. Thaçi dhe kompani po nuk u kërkuan të falur asaj lëvizje dhe po nuk e ulën hundën para atyre viganëve popullorë, keq do ta kenë. 
Së treti, në datën 20 dhjetor doli në TV z. Arsim Bajrami ( e gëzoftë festën e Bajramit) dhe, si antar i komisionit për kushtetutën shpjegoi se ajo do të miratohet pas njohjes së pavarësisë së Kosovës. Mendoj se këtu ka një gabim qoftë taktik, qoftë strategjik. 
Ku është gabimi? 
Të mos harrojmë se bota demokratike është shumë e ndjeshme ndaj trajtimit të minoriteteve. Aq më shumë që gabimet e shqiptarëve Evropa i sheh me lupë zmadhuese. Ndaj, pikë së pari, kushtetuta duhet të miratohet në Kuvendin e Kosovës sa më shpejtë që të jetë e mundur, para shpalljes së pavarësisë së njëanëshme, ku paragrafi mbi të drejtat e njeriut dhe të bashkësive etnike duhet të jetë nga më demokratët dhe atij t’i bëhet sa më shumë jehonë. 
Kjo është garancia e parë për ndërkombëtarët dhe për njohjen e pavarësisë, edhe pse të shpallur në mënyrë të njëanëshme. Megjithatë të mos bëhen hapa të nxituara, pasi para pranverës, para daljes së dimrit, as nuk duhet vepruar, pasi kur të ngrohet koha i del frika Evropës nga bllokada e gazit rus. 
Së katërti, dhet punuar në unison dhe jo vetëm me deklarata zëdhënësish, me të gjitha shtetet që janë deklaruar pro njohjes së pavarësisë, me qëllim që ato të nxiten e të nxisin shtete të tjera deri sa BE të bjerë në unison në mënyrë të përbashkët për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Bazuar në këtë analizë dalim në përfundimin se njohja e pavarësisë së Kosovës do të filloi në një kohë të përshtatëshme për BE-në, e cila nuk do ta hedhi hapin para SHBA-ve dhe Anglisë. 
Ka dhe një rrugë tjetër, në rast se zvarritet pambarimisht çështja e njohjes së pavarësisë së Kosovës. Është rruga e referendumit mbarëpopullor, atë që kërkon Vetvendosja. Madje në rast se Qeveria e Kosovës dhe Parlamenti do ta mbështesin fuqishëm Referendumin, në kohën që ndërkombëtarët janë prezentë, rezultati i atij Referendumi do të njihet, pavarësishtë se gjatë periudhës përgatitore të tij ndërkombëtarët, sërbët dhe rusët do të flasin me Jo të madhe. Por në realitet, ndërkombëtarët e dëshirojnë një gjë të tillë, por janë lakejt shqiptarë që nuk i kuptojnë, pasi presin t’ua thonë ata haptas: bëjeni. Mirëpo ata nuk janë aq budallenj sa ta shprehin haptas një gjë të tillë, pasi kanë interesa edhe me Sërbinë edhe me Rusinë, të cilat janë më madhore se interesat me ne. 
Në rast se Referendumi organizohet dhe zhvillohet me regullsinë më të plotë dhe me pjesmarrjen e gjithë shqiptarëve, atëhere ndërkombëtarët, edhe sikur të kenë qenë kundër deri në momentin e shpalljes së rezultateve, do të detyrohen t’i njohin rezultatet e tij, pasi janë të vendosur para një fakti kokfortë dhe se e drejta për vetvendosje është pjesë e Kartës së OKB-së. Madje gjatë periudhës së fushatës për Referendum për Vetvendosje (ku hyn edhe pavarësia) duhet bërë takime me sërbët e Kosovës, në rast se kanë vendosur që të rrinë në Kosovë.

Kontrolloni gjithashtu

Besnik Bislimi

Besnik Bislimi nuk pajtohet me qëndrimin e Serbisë në dialogun për çështjen e përdorimit të dinarit serb në Kosovë

Pas takimit në Bruksel, për çështjen e dinarit, zëvendësi i Kurtit, Besnik Bislimi, ka shprehur …