leoni

Doli në dritë libri, “Shtigjeve të jetës sime”, i autorit, Sezair Elshani

Doli në dritë libri, “Shtigjeve të jetës sime”, i autorit, Sezair Elshani

Liria,  që i solli vendit lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gjaku i derdhur i dëshmorëve dhe i martirëve, me ndihmën e popullit liridashës dhe me përkrahjen e ndihmën nga ajri të Aleancës Veriatlantike, bëri që jeta në Kosovën e pas luftës të begatohet në çdo segment, si në rindërtim, në shtet-ndërtim, në arsim e kulturë, në shkollim e emancipim, por edhe në fusha të ndryshme të krijimtarisë,  në arte, letërsi me botimin e mijëra veprave gjinish e zhanresh të ndryshme të autorëve të shumtë, nga Kosova dhe të gjitha viset shqiptare.

Libri i mësuesit, gazetarit, veprimtarit të njohur e të dalluar, Sezair Elshani, tani në moshën 85-vjeçare, i titulluar: “Shtigjeve të jetës sime” është sa i veçantë për nga përmbajtja, aq edhe i hartuar me kujdes e sinqeritet në trajtimin e disa segmenteve të jetës dhe aktiviteteve të tij në shërbim të familjes, të afërmeve e miqve, arsimit e kulturës dhe përgjithësisht njerëzve të vullnetit të mirë, të cilët jetojnë me thjeshtësinë e modestinë e tyre, duke  falënderuar të tjerët dhe duke qenë edhe vetë të falënderuar për veprat e mira, për mësimet e porositë e mira, për jetën e jetuar  gjithnjë vertikale dhe të papërkulur para vështirësive të saj, prore në luftë, sepse jeta është një luftë e pandërprerë, dhe jeta mbaron atëherë kur mbaron lufta, ashtu sikur thoshte Dostojevski i madh i letërsisë botërore.

Duke lexuar me lehtësi këtë libër, lexuesi mëson për jetën dhe veprën e një veprimtari, të njeriut të kohës sonë, të nën-qiellit tonë, të cilin e gjen kudo, sepse ata jeta i kishte  ndarë, degdisur e shkapërderdhur kudo, për ta dhënë secili kontributin e vet në ngritjen, arsimimin dhe emancipimin e kombit.

Edhe pse i shkruar në vetën e parë, pa pretendime për t’ u marrë me tema e fenomene të veçanta, libri i z. Sezair Elshani, “Shtigjeve të jetës sime” si i tillë, me pak nga të gjitha, ka vlera njohëse, trajton tema e ngjarje ndër më të ndryshmet, kujtime e rrëfime, ndodhi të pritura e të papritura të jetës, të mbushura me optimizëm, pavarësisht vuajtjeve e degdisjeve, sepse njeriu që i  beson njerëzores dhe është fort i dashuruar në të, vazhdimisht gjen shtigje për të mbijetuar, duke ndihmuar edhe të tjerët të jetojnë e të mbijetojnë.

I tillë ka qenë dhe ka mbetur  në jetë, mësuesi e publicisti, babai e gjyshi, i sinqerti dhe i drejti, miku i mirë i të gjithë të mirëve, z. Sezair Elshani, të cilin përmes këtij libri e njohim edhe më mirë, e çmojmë edhe më shumë,  e duam edhe më tepër, e nderojmë dhe e respektojmë për një jetë të tërë të jetuar vertikalisht, për krijimin e një familjeje të shëndoshë e të arsimuar, për të afërmit, miqtë e dashamirët, të cilët e njohin dhe e nderojnë, sepse nëpër shtigjet e jetës  ai ka lënë ka lënë shembuj të shumtë mirësie e njerëzie…

Të na rrosh sa malet, Baca Sezair!

Ahmet Qeriqi

Libri është përgatitur, sistemuar e korrektuar nga një staf profesionistësh, të cilët kanë treguar përgjegjësi e dashamirësi të veçantë që nga redaktori, recensentët, konsulenti e tjerët. Libri ka 170 faqe Botoi SAS, shtypi “DTITA PRES” në Prishtinë.

 

Kontrolloni gjithashtu

Enver Hoxha

ISA FERIZAJ: RRON E DREJTA, E VËRTETA

ENVERIZMI ATDHETAR! Erdhi serish prilli, në vendin tim; Gjetur, i ka shqipet, në fluturim. Gjet …