Brickos

Donika Omari: Replikë me gazetarin, Ben Andoni, që përbalt kombin e vet

Donika Omari: Replikë me gazetarin, Ben Andoni, që përbalt kombin e vet

Një shkrim i botuar në një të përditshme me titullin: Urrejtja e shqiptarit patologji që nuk duhet harruar, e vë autorin, gazetarin, Ben Andoni, përpara pyetjes: Është shqiptar apo jo? Pas këtij shkrimi, i duhet t’i përgjigjet kësaj pyetjeje. Sipas shkencës së logjikës, silogjizmi nuk lë shteg  për mëdyshje: autori ose është ose nuk është shqiptar. Ja silogjizmi i mundshëm sipas deklaratave të tij:

Patologjia e tradhtisë, urrejtjes, nëpërkëmbjes është pjesë e shenjës kombëtare të shqiptarëve.

Unë jam shqiptar.

Unë kam patologjinë e tradhtisë, të urrejtjes, të nëpërkëmbjes.

Ose:

Patologjia e tradhtisë, urrejtjes, nëpërkëmbjes është pjesë e shenjës kombëtare të shqiptarëve.

Unë nuk jam shqiptar.

Unë nuk kam patologjinë e tradhtisë, të urrejtjes, të nëpërkëmbjes.

 Me rastin e reagimit me  shqiponjën të futbollistëve shqiptarë pas fitores me Serbinë, presidenti serb Vuçiç deklaroi se Serbët nuk fyejnë e nuk urrejnë askënd, siç bëjnë shqiptarët. Përgjigja që duhet dhënë në këtë rast është  se, me sa duket, kur vrasin e përdhunojnë, këtë ata e bëjnë “pa urrejtje”.  Por ai që bën këtë deklaratë nuk është shqiptar. Po ky gazetari ynë, që jeton në Shqipëri, që shkruan shqip e boton në një gazetë shqiptare, që rron me bukën që i jep dheu shqiptar i ç’kombësie është?

Ai shkruan pikë për pikë, e madje duke e tejkaluar shumë serbin, (se jep e merr të sjellë “argumente”, dhe,  duhet theksuar,  nuk është se shkruan me ironi a me ndonjë metaforë):

Shqiptarët e kanë urrejtjen në ADN–në e tyre… Urrejtja për çdo gjë është nga patologjitë tona më të mëdha…  Sipas logjikës së tij, në këtë patologji nuk bën përjashtim askush: as Noli e Konica, as kokat e kombit të plazmuara si të tilla në histori në kohën e para Luftës së Dytë botërore, etj., etj.

Pasi ka mbledhur me zell raste mosmarrëveshjesh mes shqiptarësh, çka nuk është se s’kanë ndodhur e s’ndodhin, madje shumë e shpesh, bën një “argumentim” kur nxjerr një konkluzion copë-copë që vetëm objektiv nuk është. Sepse bazohet vetëm në rastet negative ku do të mbështetej  çdo armik i kombit tonë.

Në një vepër të vet me titullin  “Plagët tona”, Midhat Frashëri prek me keqardhje plagët reale të kombit, që i përmend me dhimbje e me synimin që të ndreqen. Por nuk bën fajin e madh që të përgjithësojë. Se, së pari, është patriot, e së dyti nuk shkruan pa mend. Edhe e nënshkruara, në librin Kulturë e ndërprerë,  ka sjellë në vëmendje cenet e mëdha që sëmurin trupin e kombit. Por në përmbyllje shprehet:

Vetëm një pjesë e Shqipërisë është e sëmurë. Kur ta shërojmë do të mahnitemi nga bukuria e saj. Dhe synimi i këtij shkrimi ky është: të japë një ndihmesë sado të vogël që përqindja e bukurisë  dhe e shëndetit të mbizotërojë.

Ndërsa zoti Ben Andoni nuk na lë asnjë shpresë sado të vogël për të ardhmen: jemi të dënuar njëherë  e mirë tashmë. Të sëmurë përfundimisht, pa shpresë shpëtimi. Të marrë fund.

Në demokracinë e grekëve të lashtë, nuk lejohej askush të fliste e të kritikonte duke përgjithësuar, duke përfshirë kështu në kritikën e vet të gjithë athinjotët.  Duhet t’i drejtohej me emër të përveçëm atij që donte të kritikonte.  Intelektuali, shkrimtari, përkthyesi  patriot  Skënder Luarasi, e pati bërë kauzë personale fyerjen që i bënte fshatarit myzeqar një shkrimtar në një tregim të vetin. Profesor Skënderi e hodhi poshtë me forcë e me pathos përgjithësimin poshtërues që bëhej në atë tregim. Madje e denoncoi keqazi me një sarkazëm therëse autorin e tregimit.  Në një rast tjetër, kur ndodhej jashtë vendit dhe dëgjon që, nga një i huaj, shahet mbreti Zog, i del në mbrojtje këtij të fundit, megjithëse vetë ishte antizogist i vendosur. Por ndaj të huajit, vuri kombësinë përpara zgjedhjes politike, çka duhet të vlejë si shembull për politikanët e sotëm.

Sot, fatkeqësisht, nuk është i vetmi ky gazetar që përbalt  kombin e vet. Kjo gjë e shëmtuar dhe poshtëruese vërehet edhe te media e gazetarë të tjerë, madje edhe te drejtues televizivë. Dhe bashkëkombës të tjerë, ata që nuk gjykojnë me kokën e vet se u janë shpëlarë trutë, përsërisin si papagall të njëjtën muzikë, duke mos pushuar së hedhuri baltë mbi shqiptarët në përgjithësi, pa e shkuar në mendje se ajo baltë u bie drejt e në fytyrë  Është bërë si shenjë “emancipimi shoqëror”, si shenjë “niveli qytetërimi” të mos jesh patriot, të shash e të fyesh vendin tënd.

E marr me mend si do t’i shkatërronte me penën e tij therëse këta persona kaq “të ngritur” atë Gjergj Fishta.

Thesin e urrejtjes, (ku autori i deklaratës se urrejtja është në ADN e shqiptarëve nuk e mendon se fut edhe veten), ai e mbush vetvetiu me gjithçka të çmuar që kanë prodhuar shqiptarët dhe që u ka lejuar të ekzistojnë si të tillë deri në ditët e sotme: me Buzukun, që shkruan …en së dashunit të botës sanë;  me tre B-të e tjerë, Budin, Bardhin, Bogdanin, që shkruajtën pikërisht, dhe në kushte shumë të vështira, nga dashuria për vendin.  Vetvetiu aty futen edhe Variboba, Gavril Dara e De Rada, edhe vetë Gjergj Kastrioti, edhe Veqilharxhi e Kristoforidhi, edhe i ëmbli Naim, që shprehet : “Në shpirt kam dashurinë”. Futen rilindasit e tjerë frymëzues të atdhedashurisë: Samiu, Çajupi, Asdreni, etj, për të vazhduar me ata që dhanë jetën për pavarësinë e për çlirimin e vendit. Futen gjithashtu kolosët e letërsisë e të kulturës shqiptare, që e kanë lidhur fatin e tyre me fatin e atdheut, I. Kadareja e R. Qosja. E vargu i intelektualëve të ndershëm e patriotë, shkrimtarë, poetë, Fishta, Lasgushi e Kuteli, A.Buda, E. Çabej e S.Riza, që  mundën t’i kryenin punët e tyre aq të vlefshme e të bukura të nxitur jo nga urrejtja por nga dashuria. Futet vetë Nënë Tereza, simboli sublim i dashurisë. Si edhe të gjithë ata shqiptarë që e duan atdheun, pavarësisht pakënaqësive ndaj tij, ashtu siç do fëmija prindin, me gjithë shuplakat që u ka dhënë a u jep ky.

Është e vërtetë se nuk janë të pakta të metat tona, plagët tona. Por kjo nuk përligj nxirjen e plotë të realitetit.  Dhe këta nxirosës e përjashtojnë veten nga përgjegjësia për këtë gjendje. Nuk marrin mundimin të bëjnë as përpjekjen më të vogël për sugjeruar si dilet nga tuneli. E gjejnë më të udhës të përhapin demoralizim, depresion, humbje të çdo shprese.

Vetëm një solidarizim i fuqishëm kundër përbaltjes së kombit mund t’i vërë fre kësaj dukurie kaq të shëmtuar e të rrezikshme, besoj se pa shembull në botë.

Kontrolloni gjithashtu

Eliot Engel: Qeveria e Serbisë duhet ta kuptojë se Kosova është shtet i pavarur dhe se e tillë do të mbetet

Ramiz Lushaj: “MIRËNJOHJA SHQIPTARE”  për Kongresmenin Amerikan ELIOT ENGEL,  nga “Takimi i Madh i Prishtinës, 2024” 

Kongresmeni Amerikan Eliot ENGEL- ish Kryetar i Komisionit për Politikën e Jashtme  të Kongresit Amerikan, një mik i shquar i Shqiptarëve në Ballkan e në Amerikë, një ndër  kontributorët e mëdhenj për Lirinë, Pavarësinë e Shtetësinë e Republikës së Kosovës, për  Njohjet Ndërkombëtare të saj, u nderua me Çmimin e Madh “Mirënjohja Shqiptare“ nga  “Takimi i Madh i Prishtinës, 2024″ (Këshilli Kombëtar Organizativ i Takimit), ku merrnin pjesë  511 të Ftuar Nderi nga Republika e Kosovës, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Lugina e  Preshevës e Sanxhaku, Çamëria, Europa, Amerika, Australia, etj.. mbajtur këto ditë në në sallen  “Beethoven” të “Emerald Hotel” (me pesë yje) në Prishtinë, kryeqytetin e Republikës së Kosovës.    Çmimi i Madh “Mirënjohja Shqiptare“ për Kongresmenin Amerikan Eliot Engel, mban  të nënshkruar motivacionin: “Për kontributet e shquara si Kongresmen (1989-`21) dhe Kryetar i  Komisionit të Punëve të Jashtme të Kongresit Amerikan (2019-`21) për Lirinë, Pavarësinë e  Shtetësinë e Republikës së Kosovës dhe për njohjet ndërkombëtare të saj”.  Kongresmeni Amerikan Eliot Engel nga Nju Jorku iu drejtua “Takimit të Madh të  Prishtinës, 2024” me një Përshendetje (e dërguar në shqip e në anglisht), e cila u lexua në  …