Dr. Ilaz Metaj: Një Verë Në Vetmi

(Ahmet Qeriqi: Meditime në arrati, Prishtinë, 2002)


Koha e kaluar në vetmi, në arrati dhe bredhjet e Eknatit, të personazhit kryesor të veprës Meditime në arrati, janë përjetimet e botës reale, të zemrës dhe të shpirtit në kohë dhe në hapësirë të caktuar, të autorit. Ndonëse ky libri i parë i tij, për opinionin lexues shqiptar,  autori, Ahmet Qeriqi, nuk është anonim në letrat shqipe. Është pjesëmarrës i drejtpërdrejtë në luftën çlirimtare të UÇK-së dhe drejtor  i Radios “Kosova e Lirë”, ku punon edhe tani.


             Autori, Ahmet Qeriqi, librin me titull “Meditime në arrati” e ka ndarë në disa kaptina. Secila nga këto ngërthen në vete porosi të veçantë. Të gjitha së bashku shkrihen dhe sajojnë një tërësi. Mendimet dhe përmbajtjet e kaptinave qëndrojnë dhe janë struktura përmbajtësore në funksion të titullit,të tërësisë.


             Ai që e njeh autorin dhe veprimtarinë e tij prej idealisti kombëtar, nuk e ka vështirë që ngjarjet, toponimet, mikroponimet dhe antroponimet e kësaj vepre t`i lidhë pikërisht me jetën dhe të kaluarën e tij në fëmijëri dhe më vonë, qoftë në vendlindje ose jashtë saj. Eknat Malmiri është vetë autori, Ahmet Qeriqi.


            Fjalën verë në titull të këtij vështrimi e marrin me konotim të caktuar – gjysmëviti. Koha e qëndrimit të Eknatit në arrati është stina e verës , ashtu siç trajtohet në vepër. Rrugët e arratisë Eknati i nis në fillim të prillit të vitit 1981 dhe e përfundon në vjeshtë nga ndikimi i faktorëve të natyrës. Atëherë kur lëbyren gjethet e lajthisë, kur fillojnë të marrin ngjyrë të skuqur ato të ahut, kur largohen korilat, atëherë kur dyndjet e reve paralajmëronin prishjen e kohës.


            Në këtë Eknati ishte nisur i shtrënguar të mos binte në duar dhe në kthetrat e UDB-së. E dinte se po e kërkonin. Kishte një veprimtari të ngjeshur më se dhjetë-vjeçare ilegale kombëtare. Ishte profesor dhe kishte lexuar literaturë të shumëllojshme, madje edhe shumë vepra të klasikëve të marksizmit, veprat e Enver Hoxhës  dhe të shumë filozofëve. Leximi e kishte bërë të veten, kishte ndikuar në formimin e personalitetit të tij. Njihte mirë profesionin për të cilin kishte studiuar, fenomenet e natyrës dhe si nxënës i medresesë ishte brumosur në masë të konsiderueshme edhe me edukatën shpirtërore në rrafshin e religjionit.


            Në kohë të arratisë, Eknati preokupim qenësor kishte situatën politike që mbretëronte në Kosovë, duke mos përjashtuar atë ndërkombëtare. Dihet, “thana çel e para nga drurët e pyllit, thotë autori, por frutat i pjek e fundit”. Për Eknatin edhe pranvera shqiptare e atij viti kishte çelur e para ndër shoqet, duke aluduar në pranverën sllovene, kroate, boshnjake. Në krahasim me pranverat e popujve të tjerë, kjo shqiptare ishte e përgjakur dhe do të vinte më vonë. Kishte mendime të ndryshme dhe nuk mund të parashikonte dhe të parandiente se kur do t`i “piqte” frutat pranvera shqiptare,kure do të vinte dita e lirisë. Pushteti serb, ai i Beogradit, i druante kësaj pranvere të ngjeshur me protesta dhe demonstrata studentore,të minatorëve, madje edhe gjithëpopullore, Ai pushtet i kohës i ndiqte dhe i persekutonte veprimtarët e kësaj lëvizje. Njëri ndër ta ishte edhe Eknat Malmiri.


           Natyrisht, vendstrehimin më të sigurt Eknati e konsideronte vendlindjen e tij. Sado që ndërronte hapësirat e veprimit (sa ishte në Gjilan, në Preshevë, në Shkup e në Tetovë), ishte një forcë magjike e pashpjegueshme që e tërhiqte dhe shtynte gjithnjë të kthehej, aty, ku kishte bërë hapat e parë të fëmijërisë, në vendin e lindjes, në Malmirin e tij, në Krojmirin e tij. Jeta e tij ishte e lidhur me Malmirin: fëmijëria, mësimi i shkronjave të para, lojërat baritore, familja, farefisi, po edhe fshatrat e tij. Ndonëse Malmirin e trajtonte vendin dhe hapësirën më të sigurt, atëherë kur kishte marrë vendimin të arratisej, ishte hera e parë në jetën e tij që ishte i shtrënguar të hynte këtu tinëzisht.


           Është për ta veçuar këtu se autori, sa i përket përdorimit të toponimeve, të mikroponimeve dhe të antroponimeve, ka zgjedhur një rrugë dhe një sistem të veçantë të kodimit. Toponimet i përkufizon si të rinj, pas të cilëve fshihen lokalitete me emra të tjerë. Ai do t’ i quaj Malmir, Fortesë, Qytezë, Goden etj. Emrat e poltronëve politikë shqiptarë dalin me emra dhe mbiemra të vërtet, siç dalin edhe ata të serbëve. Në anën tjetër, emrat e spiunëve dhe të bashkëpunëtorëve të sigurimit shtetëror serb dhe ata të bashkëpunëtorëve të UDB-së janë të formës së deformuar: Milhami, Metë Llabani, Velë Kaçami, Teki Lluga, Basër Derri, e ndonjë tjetër, si:  Basho Sani, Lutë Zajzi etj. Emrat e kolegëve me të cilët pati fatin të punoj, e në të cilët nuk kishin besim, dalin sipas të njëjtit sistem kodimi, siç janë: Has Ceri, Bar Troshi, Shyqë Uki etj. Për kodimin e emrave të këtillë autori gjen mbështetjen pikërisht në bashkëtingëlloret veçuese të emrave të tyre. Pë autorin e këtyre rreshtave, nuk është aq vështirë t`i dekodojë, t`i zbërthejë Mikrotoponimet janë ruajtur me emra të vjetër, ashtu siç i shqipton popullata e vendit: Arat e Shkreta, Trolli i Moçëm, Shkrepat e Bigave, Vorret e Murtajës, Rasujat, Vorri i Mohit etj.Këto mikrotoponime të fshatit sikur na thonë se Malmiri është një vendbanim shumë i vjetër, i banuar denbabaden me shqiptarë.


           Nuk ngel gjë e të mos i sillet Eknatit në këto çaste në mendjen, në trutin dhe në shpirtin e tij. Nuk gjendej njeri pranë tij t`ia zhdavarisë kujtimet, t`ia prishë qetësinë e ta ndaj nga to. Kujton shokët e shkollës ata me të cilët kishte punuar, rrugëtimet e ndryshme, madje edhe atë në Sofje për literaturë në Ambasadën e Shqipërisë; kujton nxënësit e tij, ata të cilët i kishte vrarë policia serbe, demonstratat, pjesëmarrjen në to së bashku me nxënësit, rezistencën trimërore të Tahir Mehës së Prekazit të Drenicës, por edhe për dromca historike jetë familjare, për Atëgjyshin – Miftar Shemën etj.


           Pas dy muaj qëndrimi në arrati, te Eknati hetohet një dozë zhgënjimi pse deri në ato çaste nuk kishte realizuar asnjë nga synimet, përveç asaj se ishte i braktisur dhe organet e ndjekjes s`mund t`i binin në gjurmë. Qetësi shpirtërore dhe ngushëllim gjente në të dhënën se kishte kohë të mjaftueshme të lexonte dhe të shkruante për preokupimet dhe frymëzimet që i vinin. Kishte një botë të pasur të imagjinatës dhe një sens të lindur për të komunikuar pa zë, për të komunikuar me veten, aftësi kjo jo për t`u nënçmuar. Sa e sa dëshira të zjarrta të paplotësuara i silleshin ndër mend, nga të cilat asnjëherë nuk hiqte dorë. Ishte i vendosur Eknati të qëndronte në Malmir. Në rast ballafaqimi të befasishëm me forcat armike, dëshirë e tij ishte që pikë e fundit e gjakut të tij të derdhej pikërisht këtu. Ishte i vendosur të bënte edhe rezistencë të armatosur. Këtë e bënte ngase ky ishte vendi më i dashur për të, të cilit i falej çdo herë, edhe vendi që ia ndizte frymëzimet për jetë a vdekje me nderë. Ishte ky vendi dhe hapësira e tij që vetëm atij dhe lirisë së tij ia kishte jetën borxh. Askujt tjetër më.


           Eknati e zotëronte vetveten dhe gjatë bredhjeve prej një vendi në tjetrin sikur tashmë nuk ndjente nevojë për të tjerët, për bashkudhëtarë, për bashkëveprimtarë,për bashkëkëshilltarë. Ishte dhe u bë krijesë njerëzore që kishte një aftësi të veçantë të jetonte në vetmi. Në këto kushte jetese, me kalimin e kohës, gjithnjë e më tepër e zotëronte dhe e prefeksiononte filozofinë e preferueshme të tij, të bisedës dhe të komunikimit me vetveten. Këtë mënyrë të veçantë të komunikimit e konsideronte filozofi të shoqërimit, duf e ashk të brendshëm të shfrimit, me edukatën familjare dhe me formimin e personalitetit të tij. Kishte shpirt të ndjeshëm dhe sens të hollë prej filigrani për ngjarjet që po ndodhnin në Kosovë. Jeton me to dhe i parakalojnë në trurin, në psikën dhe në shpirtin e tij shpesh në formë lumi të turbullt. Sa kujton një ngjarje, duke dëshiruar të jetojë me të më gjatë dhe të përsiasë sa më hollësisht, ajo zgjonte asociaconin e ngjarjes tjetër. Kështu ngjarjet dhe mendimet shkonin duke u lidhur zinxhirë njëra me tjetrën,duke krijuar mozaik situatash ndër më të shumëllojshmet. Eknat Malmiri qëndronte si subjekt në epiqendër, duke mos qenë i aftë të gjejë zgjidhje përkatëse.


           Eknatitnuk fshihej nga mendja 13 maji i vitit 1981. I sillej vazhdimisht në kujtesë kjo ngjarje kombëtare, kur forcat speciale policore serbe, pikërisht në ditën kur shënonin përvjetorin, dëshironin vetes t`ia shënonin  edhe një fitore. Në pikë të dritës sulmuan shtëpinë dhe familjen e Tahir dhe të Nebih Mehës. Babë e bir, në Prekaz, u bënë rezistencë këtyre forcave deri në frymën e fundit Urrejtja dhe pezmi i Eknatit ndaj kësaj force policore armike shkrihej dhe tretej në ato çaste në krenarinë dhe në heroizmin e këtyre dy martirëve, që ditën dhe treguan, në vepër, si mbrohet dhe si vdiste për atdhe. Ishte krenar në këto çaste Eknati se edhe ai i përkiste Rrafshnaltës së trimave. Rezistenca  e armatosur e bënte edhe të fuqishëm, i jepte më shumë zemër dhe shpresë. Veten në këto momente nuk e ndjente të vetmuar. Paska edhe shqiptarë të tjerë të mendjes dhe të qëllimit tim, thoshte vetmevete. Zgjohej në të diçka e jashtëzakonshme dhe sajonte në kokën e tij strategjinë dhe planet si t`i priste këto forca policore edhe ai një ditë. Edhe ky ishte i lidhur për vendlindjen, siç ishte i lidhur Tahiri për kullën e tij. Kjo i jepte zemrën, e bënte shumë më të fortë, ia arsyetonte qëndrimin në arrati.


           Mbresë të pashlyeshme, që i përfytyrohej shpesh, dhe nuk e linte të qetë Eknat Malmirin, ishte Limi, ai bonjaku i lagjes. Limi ishte djaloshi që jetën e shkonte me dashurinë e tejshprehur për Shqipërinë. Për Limin Shqipëria ishte vendi ku balta ishte më e ëmbël se mjalti. Ky jetonte me bindjen se Dielli lindte në Shqipëri, shëtiste botën, duke derdhur dritën dhe ngrohtësinë në rruzullin tokësor dhe në mbrëmje kthehej në vendin e lindjes, kthehej në shtëpi, në Shqipëri. Dielli natën e kalonte në vendin të cilin Limi e adhuronte më së shumti, për t`i ngritur përsëri në mëngjes në vendlindje – në Shqipëri. Për Limin Shqipëria ishte vend i shenjtë, vend i idealeve. Edhe për shumë shokë të Limit ky vend ishte botë në vete, bota reale, e dijes , e barazisë, e idealit, së fundi vendi i lirisë. Shqipëria ishte hapësira dhe vendi që Limi dhe shumë shokë të tij e idealizonin dhe e donin me zemër dhe me shpirt, me tërë qenien e tyre. Dëshira ta shohë njëherë këtë vend Limin nuk e kishe lënë rahat kurrë. Një ditë ishte gjetur në Vendin e Premtuar, por shpejt kthehet. Limi e shpjegon shokëve dhe miqve të tij në hollësi për këtë vend të idealizuar, të shenjtë për të,deri në ekzagjerim, që prijësin e tij e quante “Baba Enver”.


Personazhi i romanit, Eknat Malmiri, gjatë arratisë dhe qëndrimit në vetmi lëvizte, duke ndërruar hapësirat prej ditës në ditë. Sa ishte në Biga, binte Te Kroni, Te Gurra Gate, në Luginë, ngjitej te Vorret e Kelmendit, te Vorri Mohit apo te Lendina Kuqe, te Lugu i Tërvesës etj. Vorri i Mohit ishte që ia kishte zgjuar më së tepërmi kërshërinë, i kishte zgjuar asociacione të një ngjarje të trishtueshme, që kishte ndodhur në vitet e para të pas Luftës së Dytë Botërore. Këtë ngjarje të vërtetë e kishte dëgjuar shpesh nga gjyshi dhe nga bashkëfshatarët e tij. Ngjarja ka subjekt bashkëpunimi për krime dhe vepra të liga antipopullore me pushtuesin serb, Dan Zaptisë ndaj familjes së ndershme të Lan Hazarit, që ua mbante krahun luftëtarëve të Shaban Palluzhës. E keqja më e madhe del në vepër se ky farë Dani të zezat i bënte në bashkëpunim të drejtpërdrejtë apo me cytjen e serbit Lubë Korkotiqit, apo të ndonjë tjetri. Kujtesa e popullit thotë se Dani mbyt Lanin e pafajshëm pikërisht te Vorret e Mohit, më vonë mbyt edhe Zarën, gruan e tij. Që të humbë gjurmët e krimit, i vë flakën shtëpisë dhe Zarës.


            Zani, i biri i Lanit dhe i Zarës, që t`u shpëtojë kthetrave të Dan Zaptisë, kalon kufirin dhe strehohet në Shqipëri. Më vonë, i ndihmuar nga organet e sigurimit shtetëror shqiptar, kthehet në Malmir dhe pikërisht te Varri i Mohit zë pritë dhe vret Danin dhe Lubë Korkotiqin.  Zani kthehet sërish në Shqipëri.


            Edhe Atëgjyshi i Eknatit, Miftar Shema, në kohën e tij, në kohën e Lidhjes së Prizrenit, kishte kaluar një pjesë të jetë në vetmi. Edhe ai kishte marrë malet në sy. Këtë e kishte bërë për dy arsye: kishte kryer shërbime të forta në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, por kishte bërë edhe prapësi, duke vrarë bashkëfshatarë për një fjalë goje. Eknati ndryshonte nga Atëgjyshi, madje shumë. Nuk kishte ndëshkuar askënd, ndonëse kishte raste kure kupa tashmë ishte mbushur. Ai nuk ndërmori ndonjë veprim konkret, ende nuk iu kishte larguar asnjë çast mendja se nuk do të ndodhte. Për ndodhitë dhe për trimëritë e Atëgjyshin kishte dëgjuar shumë nga gjyshi, por edhe nga bashkëfshatarët e tij. Eknati për Atëgjyshin e tij kishte formuar bindje se ai ishte personazh i historisë së shqiptarëve të robëruar nga të huajt, personazh i paarsimuar sa duhet, figurë e trashëgimisë së vrazhdë historike, ishte ai që pati fatin, si edhe shumë të tjerë, të jetojë pikërisht në kohën e shumë kundërthënieve shoqërore, gjë që edhe e tërë jeta e tij ishte kundërthënëse. Situata në të cilën Eknat Malmiri tash gjendej bënte që ta arsyetonte njëfarë dore Atëgjyshin. Edhe atij ndonjëherë i shkonte mendja t`ia zinte pritën ndonjërit, t`i qëllonte ato fundërrina, që ia shqetësonin familjen, fëmijët, ose farefisin e ngushtë. Dhunën e tillë nuk do ta harronte kurrë. Të këqijat dhe dhuna e njerëzve keqbërës të pushtetit shtohej dita-ditës. E brente diçka e brendshme dhe mendonte pse u është kaptisur maleve, pse kishte marrë arratinë. I bënte vetes pyetje: a kështu duhet të sorollatet pa plan dhe pa qëllim të caktuar, ndërsa të tjerët t`ia shqetësojnë e t`ia trazojnë fëmijët për veprat e babës, e ky të bënte sehir. A të qëndronte ai kështu e të mos bënte gjë. Çfarë nuk bluante dhe ç`mendime të ndryshme nuk silleshin në mendjen e tij.


             Këtu të përfundojmë. Shikuar nga aspekti teorik dhe nga strukturimi përmbajtësor, vepra qëndronte ndërmjet romanit,  siç do ta trajtojë autori, novelave, formës së ditarit apo të kronikës artistike. Shprehim mendimin tonë kështu ngase hetojmë elemente të njërës farë letrare dhe të tjetrës. Veprën sikur e rëndojnë pak disa përsëritje aty-këtu, por kjo nuk është e theksuar dhe nuk ia ul vlerën artistike. E tëra është në funksion të lidhshmërisë së aksioneve të personazhit. Vepra ka stil dhe gjuhë të rrjedhshme, të lehtë,shenjë kjo e mjaftueshme se autori është i sprovuar në letrat shqipe.

Kontrolloni gjithashtu

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Bab’, ma gjej “Hamletin” Këtë kërkesë kishte ime bijë, nxënëse e klasës së nëntë, sot …