DR. Isak Shema: Jeta dhe krijimtaria letrare e Josip Relës

Në fushën e studimeve historike letrare hartimi i monografive për jetën dhe krijimtarinë letrare të shkrimtarëve të njohur të letërsisë shqiptare ka rëndësi të madhe. Studimet monografike janë kontribute shkencore me të cilat, në mënyrë të gjithanshme dhe të thelluar, trajtohen të gjitha çështjet e një teme të rëndësishme për shkencën e letërsisë. Duke qenë të bindur se një studim monografik kushtuar jetës dhe krijimtarisë letrare të shkrimtarit Josip Rela është me interes të veçantë shkencor dhe kontribut historisë së letërsisë shqiptare, e pamë të arsyeshme që këtë studim monografik ta paraqesim dhe ta punojmë si temë të  disertacionit të doktoratës.

Ideja për të studiuar jetën dhe krijimtarinë letrare të Josip Relës është e hershme. Ajo është kristalizuar pastaj si rezultat i dëshirës për të dhënë një kontribut të çmuar shkencor, i bindjes së thellë se bota interesante e arbëneshëve dhe kultura e tyre duhet të studiohet dhe të integrohet në kuadër më të gjerë të kulturës kombëtare shqiptare.

Josip Vlladoviq Rela, shkrimtar i Arbëneshit të Zarës, është krijuesi më i shquar i kësaj kolonie shqiptare. Ai bën pjesë në atë grup personalitetesh të dalluara të arsimit, të kulturës dhe të letërsisë, për të cilët profesori Eqrem Çabej ka shkruar: “… i kanë lënë nder atdheut të të parëve të tyre dhe atdheut të tyre të ri”. Rela, si edhe disa krijues të tjerë të kësaj pjese të diasporës shqiptare, i ka lënë nder edhe Kosovës dhe mbarë Shqipërisë. Që nga koha e botimit të parë të veprës së vet letrare në gjuhën shqipe në revistën letrare “Jeta e re”, ai ka qenë shpirtërisht i lidhur më së shumti me këtë vend aq shumë të adhuruar.

Shkrimtari Josip Rela në letërsinë shqiptare është afirmuar si poet, prozator dhe veçanërisht si dramaturg. Kujtimet tona për plakun e Arbëneshit janë të paharrueshme. Takimi ynë i parë me Josipin dhe me botën – jetën e arbëneshëve ka qenë ai i verës së vitit 1958. Miqësia e sinqertë është vazhduar për shumë vjet me radhë. Ka mbetur i gjallë përherë kujtimi për njeriun e dashur, për shkrimtarin, që ka dhënë kontributin e vet në lëmin e kulturës shqiptare. Njëkohësisht ka lënë trashëgim krijimtarinë e pasur letrare. Jetëshkrimi i këtij krijuesi arbënesh është mjaft interesant. Duke gjurmuar për shtegtimet jetësore dhe krijuese të tij, mund të ndriçohen disa aspekte të historisë, të kulturës dhe të jetës së arbëneshëve dhe të popullit shqiptar në koordinatat më të gjera ballkanike dhe evropiane. Krijimtaria letrare e këtij krijuesi është e shtrirë në një gjysmë shekulli (1916-1966). Kjo i përket, me pjesën e parë, letërsisë së traditës, ndërsa me pjesën tjetër, letërsisë bashkëkohore shqiptare. Me krijimtarinë letrare të Relës një ambient i veçantë, ai i arbëneshëve të Zarës dhe i Dalmacisë, përfshihet në mënyrë mjaft specifike në letërsinë kombëtare shqiptare. Edhe një rrjedhë e natyrshme, që për fat të keq është në rrezik të shuhet, është shkrirë në deltën e letërsisë shqiptare.

Josip Rela ka qenë dhe ka mbetur përfaqësuesi më i denjë arbënesh. Pas tij edhe shkrimtari Shime Deshpali e ka përfunduar krijimtarinë e vet letrare, prandaj është detyrë e shkencës së letërsisë që ky thesar kulturor dhe letrar të studiohet me përkushtim të duhur dhe rezultatet e këtyre studimeve të integrohen në sintezën e sudimeve tona historike letrare.

Për arbëneshët e Zarës në të kaluarën janë shkruar studime, monografi të veçanta dhe vështrime të ndryshme ku, përveç të tjerash, janë trajtuar dhe ndriçuar çështjet historike të shpërnguljes së tyre nga trojet etnike shqiptare të Krajës: Brisku, Shestani etj., kryesisht gjatë viteve 1726-1733, por edhe më vonë, si edhe aspekte të ndryshme të jetës arsimore, kulturore dhe letrare. Gjatë viteve të fundit gjithashtu janë botuar materiale studimore me interes të madh shkencor.

Eqrem Çabej ka pohuar: “Afër Zarës së Dalmacisë, ka një vend me banorë shqiptarë, që Italianët e thërrasin Borgo Erizzo, Kroatët e rretheve Arbanasi, banorët vetë Arbënesh. U themelua më 1734, një valë e dytë erdhën e u shtruan më 1750. Banorët janë Gegë. Këta, sikur e kanë parë T. Erberi e G. Weigandi dhe më në fund me dokumentin e plotë C. Tagliavini, rrjedhin prej Briskut dhe Shestanit në bregun jugperëndimor të Liqenit të Shkodrës. Në Dalmaci gjatë gjithë bregdetit si edhe nëpër ishuj ka pasur edhe të tjera koloni të shpërndara shqiptare”.                                                   Pasqyrën më të plotë të studimeve për arbëneshët, dhe sidomos për gjuhën e arbëneshëve të Zarës, e gjejmë në studimin monografik “Zhvillimi historik i së folmes gege të arbëneshëve të Zarës” të akademik Idriz Ajetit. Më 1987 është botuar “Fjalori i të folmes së arbëneshëve të Zarës”.  Shumë autorë të tjerë kanë studiuar aspekte të ndryshme të historisë, të arsimit dhe të kulturës së kësaj bashkësie etnike shqiptare. Studimi më i plotë për krijimtarinë letrare të Josip Relës është ai i akademik Rexhep Qosjes “Josip Vlladoviç – Rela (1895-1966)”. Bibliografia e arbëneshëve të Zarës, e cila është shumë e pasur, në mënyrë adekuate do të përfshihet në kapitujt vijues të këtij studimi. Puna kërkimore disa vjeçare më ka forcuar bindjen se për këtë shkrimtar ka rëndësi të veçantë shkrimi i një studimi monografik, ku të gjitha aspektet e jetës dhe të veprimtarisë letrare do të analizoheshin të sistemuara në mënyrë të gjithanshme.

Në aspektin metodologjik studimi do të dalë gjithpërfshirës. Në të do të shfrytëzohet tërë lënda ekzistuese, pra edhe ajo e pa përfshirë në shkrimet e deritanishme kritike dhe historike letrare. Do të analizohet arkivi personal i Josip Relës, të cilin pati mirësinë ta lë në dispozicion për qëllime studimi shkrimtari Ramiz Kelmendi. Pra, do të shfrytëzohen si lëndë burimore dhe si literaturë e domosdoshme dorëshkrimet, materialet arkivore, shkrimet e botuara në shtypin dhe periodikun e kohës, artikujt dhe krijimtaria letrare në të gjitha variantet ekzistuese në gjuhën shqipe dhe në gjuhë të huaja. Me përkushtim të posaçëm percjellet evoluimi i procesit krijues, bëhet krahasimi i varianteve në të gjitha gjinitë dhe llojet letrare. Pikëpamjet sociale dhe idetë humaniste, shoqërore, filozofike, politike etj., analizohen në tërë kronologjinë e shfaqjes së tyre dhe njëkohësisht ndriçohen dukuritë kryesore letrare, si edhe raporti i tyre me fenomenet sociale në procesin aq të gjatë të krijimtarisë. Duke zbatuar metodat e veçanta dhe atë integrale në studimin e letërsisë, pra edhe të analizës së veprave letrare në veçanti, bëhet interpretimi dhe vlerësimi kritik shkencor i opusit letrar. Gjithherë merren parasysh rrethanat kur janë krijuar poezitë, skicat, tregimet, dramat dhe komeditë. Poetika e Josip Relës meriton studim më të gjithanshëm. Në këtë studim me objektivitet shkencor shquhen vlerat artistike të krijimtarisë letrare, por edhe të metat në planin e realizimit artistik. Kjo krijimtari vlerësohet në bazë të kritereve adekuate, ashtu siç e kërkon fenomeni letrar dhe problematika komplekse e letërsisë si art.

Meqë drama ka shtrirje më të madhe në opusin letrar të Relës, edhe hapësira që në këtë studim i kushtohet kësaj gjinie letrare është në përpjestim të drejtë dhe përfshin më shumë kapituj. Në kuadër më të plotë bëhet shqyrtimi i artikujve të ndryshëm, i epistolarit dhe i intervistave. Kjo zgjeron dhe e thellon njohjen e gjithanshme të çështjeve të trajtuara. Lënda e hulumtuar, faktet, idetë, vështrimet dhe dokumentet e ndryshme, krahas krijimtarisë letrare, literatura e lexuar, komunikimi me bashkëkohësit dhe jehona që ka pasur vepra letrare te lexuesit shqiptarë, janë gjithashtu çështje që studiohen me përkushtim dhe përfshihen në kuadër të këtij punimi.

Rela ka jetuar dhe ka krijuar në një ambient specifik, ku gjatë shekujve të kaluar janë gërshetuar kultura të ndryshme. Krahas kulturave dhe letërsive të popujve të atyre hapësirave gjeografike të Dalmacisë, kanë depërtuar e janë përhapur edhe gjuhët dhe kulturat e popujve të tjerë fqinjë si edhe të shteteve që kanë shtrirë ndikimin e tyre në ato vise. Gjatë periudhave të ndryshme historike ka pasur prandaj ndikime të vazhdueshme në kulturën e arbëneshëve e cila, pa pasur kontakte të vazhdueshme me kulturën kombëtare shqiptare, për disa shekuj me radhë kjo popullsi ka bërë përpjekje të ruajë gjuhën, veçoritë e tjera kombëtare, doket, zakonet, veshjet, artin, virtytet pozitive etnike dhe kulturën shqiptare të traditës. Në të njëjtën kohë janë krijuar edhe vlera të reja, me të cilat ky etnitet është dëshmuar gjatë historisë si element i qëndrueshëm dhe ka përballuar procesin e asimilimit të plotë.         Për të ndriçuar këto rrethana komplekse që lidhen në një mënyrë, ose në një tjetër, me kulturën e arbëneshëve dhe veçanërisht me jetën dhe krijimtarinë e Josip Relës, janë konsultuar shumë vështrime dhe punime që kanë vlerën e tyre të veçantë. Jeta dhe vepra e Relës edhe më parë ka qenë në fokusin e interesimeve shkencore të studiuesve shqiptarë. Që nga fillimi i viteve ’50 dhe deri më sot janë shkruar shumë vështrime dhe punime shkencore. Josip Relës i janë kushtuar shumë poezi dhe në këtë mënyrë figura e këtij krijuesi është përjetësuar në letërsinë shqiptare. Numri i zërave bibliografikë në shtypin dhe në periodikun shqiptar është mjaft i madh.

Në vazhdim të hulumtimeve shkencore janë konsultuar disa fonde arkivore në Arkivin e Zarës, në Arkivin e Kroacisë në Zagreb, në Arkivin e Vjenës, në Arkivin e Shtetit në Tiranë, në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë në Tiranë, në Arkivin e Kosovës në Prishtinë etj. Për qëllime studimi është konsultuar literatura e pasur në bibliotekat e ndryshme dhe me interesim është përcjellë shtypi dhe periodiku i kohës si edhe botimet e veçanta.

Një pjesë e mirë e dokumenteve arkivore është përkthyer në gjuhën shqipe dhe është përdorur në atë masë sa ka qenë e domosdoshme për këtë punim. Janë shikuar edhe mikrofilmat, letrat, fotografitë dhe materialet e tjera të rëndësishme për këtë periudhë historike.

Josip Rela shkollimin fillor dhe atë të mesëm e ka kryer në Zarë. Me atë vend lidhet edhe formimi i përgjithshëm arsimor dhe kulturor i tij. Në këtë studim, për këtë arsye, duke shqyrtuar lëndën arkivore lidhur me mësimin e gjuhës shqipe ndër arbëneshët, ndriçohen edhe aspekte të tjera të arsimit dhe të kulturës në këtë lokalitet dhe në disa vise të tjera shqiptare. Në fillim të shekullit XX në kuadër të politikës së përgjithshme kulturore dhe arsimore të Austro-hungarisë, është dhënë orientimi që nga arbëneshët gjuha shqipe të mësohet si lëndë mësimi e detyrueshme në shkollë që nga viti 1901 deri më 1918.

Me interes shkencor është ndriçimi më i gjthanshëm i rrethanave të atëhershme kulturore, lufta kundër ndikimeve asimiluese, përpjekja për nxjerrjen e gazetës në gjuhën shqipe, qëndrimi ndaj mësuesve shqiptarë, disponimi i popullsisë ndaj mësimit të gjuhës shqipe dhe ndaj kulturës kombëtare, çështja e botimit të teksteve shkollore, kontributi i arsimtarëve shqiptarë (Pashk Bardhi, Shtjefen Gjeçovi, Gjergj Koleci, Anton Paluca, Mati Logoreci etj.). Ndikimi i tyre dhe i shkrimtarëve të tjerë siç janë: Gjergj Fishta, Ndre Mjeda, Luigj Gurakuqi, Faik Konica etj., ka qenë i madh, ndërsa puna e tyre shumë e dobishme. Rilindja kulturore e arbëneshëve ka marrë hov dhe është përfshirë në rrjedhat e Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Shtypi dhe periodiku i asaj kohe ka pasqyruar ngjarjet dhe ka trajtuar problemet aktuale shoqërore, politike dhe kulturore. Mendimi shoqëror dhe politik i Rilindjes ka depërtuar edhe në këtë pjesë të diasporës dhe ka nxitur aktivitete kulturore dhe shoqërore me jehonë të theksuar patriotike. Mësimi i gjuhës shqipe, njohja e historisë dhe e kulturës shqiptare, ka forcuar rezistencën kombëtare dhe ka penguar, aq sa ka qenë e mundshme, përçarjen kombëtare, dominimin e rrymave të huaja politike dhe asimilimin. Përkthimi dhe botimi në vazhdime i veprës “Shcytaret e Borgo – Erizzos” të Tullio Erberit në revistën “Albania” të Faik Konicës, botimi i poezisë popullore dhe i materialeve të tjera folklorike nga Arbëneshi, vështrimet për gjuhën, historinë dhe për kulturën e shqiptarëve të Zarës, ia kanë bërë të njohur më mirë opinionit më të gjerë shumë aspekte të së kaluarës dhe të realitetit aktual të Arbëneshit. Në revistën “Albania” janë botuar shumë artikuj dhe materiale të tjera lidhur me arbëneshët. Po aty është hapur edhe tribuna e përhershme “Zani préje arbnéshvét”. Formimi i shoqërisë kombëtare në Kuvendin e mbajtur më 8 prill 1903 në Arbënesh ka qenë ngjarje e rëndësishme për shqiptarët e këtij lokaliteti. Në pikën e parë të dëshirave të shqiptarëve është përfshirë ky tekst: “I. Jemi é levdohémi ce jémi Shciptare nga ghaku é nga zemera. Si Shciptare, nohim per déture te shentmé te duhémi te ghithe sa jemi Shciptare, te jémi te bashkuar é te japim, mish é shpirt per te shellbuar ghakun t’on, – ghuhen t’one”.    Gjatë dekadave të mëvonshme arbëneshët vazhdimisht kanë bërë përpjekje ta ruajnë gjuhën dhe kombin, ta zhvillojnë kulturën e tyre dhe ta kultivojnë letërsinë dhe artin në përgjithësi. Studimi i historisë kulturore në planin më të gjerë paraqet baticat dhe zbaticat në jetën shoqërore dhe kulturore të tyre. Sa krenari dhe njëkohësisht sa dhembshuri në jetën e kësaj popullsie, e cila prore ka synuar të ngadhnjejë.

Bibliografia e punimeve për arbëneshët e Zarës , e hartuar nga Aleksandar Stipçeviqi me rastin e 250-vjetorit të shpërnguljes së arbëneshëve të Zarës, dhe vepra “Historia dhe bibliografia e arbëreshëve të Zarës” tregojnë se çfarë ka qenë interesimi i studiuesve, i publicistëve dhe i udhëpërshkruesve për t’u marrë me probleme të ndryshme shkencore të historisë, të gjuhësisë, të letërsisë dhe të kulturës materiale dhe shpirtërore të arbëneshëve. Lënda e pasur studimore dhe rezultatet shkencore të studimeve albanologjike, që lidhen me diasporën shqiptare të Zarës, nxisin punonjësit shkencorë për të zgjeruar dhe thelluar studimet shkencore dhe për të ndriçuar problemet e veçanta në dritën e qasjeve të avansuara të shkencës së letërsisë.Pjesa e parë e kësaj monografie përfshin fazat kryesore të jetës dhe të krijimtarisë së shkrimtarit Josip Rela: fëmijëria, vitet e rinisë, vitet e mësuesisë, përjetimet e viteve të luftës, jetën në Arbënesh dhe rrjedhat e krijimtarisë letrare. Në pjesën e dytë objekt studimi është krijimtaria letrare (poezia, proza tregimtare, drama dhe shkrimet e tjera). Vlerësimet kritike dhe veçoritë stilistike dhe gjuhësore janë pjesë e këtij studimi integral.

Përfundimi sjell rezultatet e studimit monografik si tërësi. Bibliografia, burimet dhe literatura e përdorur, që kanë rëndësi të veçantë shkencore, përfshijnë informacion të pasur shkencor lidhur me këtë objekt studimi.                      Ndihmesa që kanë dhënë individët dhe institucionet kulturore dhe shkencore për ta kryer me sukses këtë studim monografik, ka qenë e konsiderueshme. Mirëkuptimi dhe mikpritja e arbëneshëve, i të gjithë atyre njerëzve të dashur, më ka frymëzuar dhe më ka nxitur në punën hulumtuese shkencore. Me këtë rast ndjej kënaqësi të veçantë të falënderoj të gjithë ata që, në mënyra të ndryshme, kanë dhënë ndihmesën e duhur dhe me vlerë. Falënderimi u drejtohet edhe të gjitha institucioneve ku kam kryer hulumtimet dhe ku kam siguruar literaturën dhe materialet e tjera, siç janë: Arkivi Historik i Zarës, Biblioteka e Qytetit të Zarës, Bashkësia Lokale e Arbëneshit, Arkivi i Shtëpisë Oborrit dhe Shtetit në Vjenë, Arkivi i Shtetit në Tiranë, Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë në Tiranë, Biblioteka Kombëtare në Tiranë, Arkivi i Kosovës në Prishtinë, Biblioteka Popullore dhe Universitare e Kosovës në Prishtinë etj.

Prishtinë,1999

Isak Shema

Kontrolloni gjithashtu

Nermin Vlora – Falaschi (1921-2004)

Nermin Vlora-Falaschi ( 1921- 2004), studiuese e zellshme dhe intelektuale e dalluar shqiptare

Nermin Vlora – Falaschi lindi më 18 prill të vitit 1921 në Tiranë. Filloi nxënien …