Sabri Simnica: Në përkujtim të veteranit të luftës së UÇK-së, Abedin Sogojeva

Abedin Sogojeva (26.2.1958 – 9.3.2007)

Më 9 mars 2015 mbushen tetë vjet që  pushoi së rrahuri zemra e Abedin Avdyrrahman Sogojevës,  Komandant DINIT.

Ishte viti 1960, kur nga trojet tona vazhdonte shpërngulja e shqiptarëve për në Turqi. Tani nën petkun e bashkimit familjar, radhën e kishin familjarët e luftëtarëve që luftuan që Kosova të jetë e bashkuar me Shqipërinë.

Pas përfundimit të  luftës së Dytë Botërore, trojet tona u gjenden të robëruara nga forcat çetnike të kamufluara si partizanë. Këto forca  menjëherë  filluan terrorin ndaj popullit tonë e posaçërisht ndaj atyre që asnjëherë nuk ishin pajtuar me robërinë, pra nuk ishin pajtuar që Kosova të mbetet nën Jugosllavi- Serbi.

Njëri prej atyre që nuk u pajtua që Kosova të mbetej nën shkja ishte Gjysh i Abedinit Beqiri i njohur me nofkën  Zogu. Beqir (Zog)  Simnica së bashku me Sali Kolludren(Gashi) ishin të organizuar në lëvizjet politiko-ushtarake të kohës për bashkim kombëtar, duke luftuar edhe me armë në dorë  për bashkimin e trojeve shqiptare. Në vitin 1946 pas betejës së zhvilluar në malet e Bardhit me partizanët, Beqiri(Zogu) me shokë e kishin të pamundur të qëndrimin në këto male, u detyruan si shumë luftëtarë të çështjes kombëtare ta lëshojnë Kosovën. Tani Kosova administrohej nga  partizanët e Titos si aleat kundër fashizmit për çka qëndrimi i këtyre djemve në Kosovë ishte i pa mundur.

Aktivitetet  e Beqir (Zog) Simnicës me shokë gjatë viteve 1939÷46 në planin kombëtar, i angazhuar edhe ushtarakisht për bashkimin e trojeve shqiptare, në pamundësi të qëndrimit në Kosovë u detyrua me shumë shokë që të merr rrugën e arratisjes në drejtim të Turqisë. Beqir (Zog) Simnica, si shumica e shokëve te tij kishin familje dhe familjet e tyre të mbetura në Kosovë ishte gjithmonë nën vëzhgimin e pushtetit të kohës dhe  nuk shihnin mundësi reale për ekzistencë. Në vitin 1960, nëna, gruaja me dy djemtë dhe dy vajzat e Beqirit (Zogut)  kishin përgatitur dokumentacionin e nevojshëm për tu bashkuar me babën e tyre në Turqi. Aprovimi i kërkesës për bashkim familjar ishte aprovuar për të gjithë anëtarët e familjes. Kërkesa për  bashkim familjar ishte aprovuar edhe për Hatixhen  si fëmija me i vjetër i kësaj familjeje.  U afruan ditët kur familja e Beqirit  (Zog ) Siminicës duhej të udhëtonte në drejtim të Turqisë. Pikëllimi i kishte kapluar të gjithë, familjen  e gjerë Simnica por edhe gjithë fshatin. Pikëllimi  e kishte kapluar  Ibrahimin që ishte djali më i madh i kësaj familjeje, që duhet ta lente vendlindjen, duhet ti lente shokët e fëmijërisë, duhet ta lente vendin ku ishte rritur pa e ditur se ku po shkonte dhe çka e pret atje. Por më së shumti ishte e pikëlluar Hatixhja. Ajo ishte  e pikëlluar për dy arsye: e para se duhet të largohej nga toka ku kishte lindur, toka ku i kishte kujtimet e fëmijërisë, dhe arsyeja më e madhe ishte sa ajo ishte e martuar dhe kishte një fëmijë tani gati dy vjeçar.  Ky fëmijë e bënte që për asnjë moment të mos ishte e qetë. Të shkonte për Turqi, fëmijën nuk mund ta merrte me vete, por duhet ta lente në Kosovë. Duhet të zgjidhte në mes dy dilemave; të shkonte më nënën ,dy vëllezërit dhe motrën për Turqi apo të mbetej në Kosovë?!

Hatixhja e kishte shumë vështirë të vendoste se në cilin drejtim do të shkonte, me familje apo të mbetej gjithmonë nën presionin e pushtetit për të rritur fëmijën e saj.

Rrugës nga Gur Shkaba ku ishte e martuar për në Bardh të Madh, rrëhen Hatixhja, vaji i fëmijës sikur më thoshte ”ku po më len mua”. Kjo klithmë më ndihmoi që më në fund të vendos që siç thotë ajo, të bëhem kurban për të, të mbetem në Kosovë, pra në Gur Shkabë  pran burrit, për të vazhduar jetën, për ta rritur këtë fëmijë dhe  të tjerët ,pa marrë parasysh vështirësitë që do ti kem.

Me mall për babën që kishte kohë që se kishte parë, me lot për faqe e përcolli gjyshen, nenën, dy vëllezërit dhe motrën në rrugën e mërgimit. Pra, Abedin Sogojeva u bë shkaktar që nënë Hatixheja vendosi të vazhdojë jetën në Kosovë, përkatësisht në Gur Shkabë me Avdurrahmanin. Për vendimin që mori kishte respektin e burrit, por edhe të gjithë familjes së tij. Bardhi në përgjithësi  por edhe familja e madhe Simnica në veçanti Hatixhen e pranoi si bijë, si motër dhe u mundua t’ia zvogëlojë dhembjen për mungesën e  familjes së ngushtë. Në familjen Simnica,  Hatixhja ishte e mirëpritur dhe i kishte gjithmonë dyert hapur.

Abedin Sogojeva u rritë në këtë frymë, nën përkujdesjen e vazhdueshme të nënës, me tregimet për trimëritë e Gjyshit dhe të shokëve të tij, pra u kalit në frymën e atdhedashurisë.

Malet e Bardhit dhe të Gur Shkabës gjithmonë kishin qenë mburojë e mirë për luftëtarët e lirisë. Fshatrat për rreth këtyre maleve, fshatarët dhe familjet e tyre gjithmonë u kishin ofruar mikpritje dhe i kishin ushqyer këta luftëtarë. Në këtë pjesë të Kosovës janë gërshetuar rrugët e kalimit nga regjioni i Dukagjinit, Drenicës në drejtim të rrafshit të Kosovës, Anamoraves dhe anasjelltas. Fshatarët përreth këtyre maleve e kanë siguruara këtë rrugë dhe ju kanë ofruar mikpritje  këtyre trimave . Këto male gjithmonë kanë lindur dhe rritur trima. Në këtë vend u rrit dhe u kalit edhe Abedin Sogojeva.  Abedini si i ri ishte i pasionuar për armët dhe municionin, i adhuronte armët e të gjitha llojeve, armët i punonte ndërsa municionin e adaptonte për to. Asnjëherë pa një armë në brez nuk dilte. Ai ishte  njohës i mirë i maleve që e rrethonin, i dinte të gjitha rrugët dhe rrugicat, krojet, me një fjalë malet përreth i kishte si  në pëllëmbë të dorës. Dëshirën për armë dhe  për malin i kishte trashëguar nga familja, por edhe nga dëshira për të ditur se si  gjyshi Beqiri me shokë kishin qëndruar në këto male, si kishin arritur të mbijetonin për disa vite dhe si i kishin shpëtuar rrethimit në vitin 1945 nga forcat e shumta  partizane. Abedini si i vogël  sikur përgatitej që një ditë do ti duhen këto male dhe njohuritë për to, prandaj  njohu çdo shteg, rrugë dhe rrugicë  që ishte e kalueshme, njohu se cili dru dhe shkurre rriten ne këto male, njohu se ku kishte burim uji  dhe ku duhej rregulluar burime të reje  uji.  Ai në këto male  përgatiti strehimore për vete, shokët dhe  familjen dhe kroje për tu furnizuar me ujë. Abedini ishte i pasionuar edhe pas këngës folklorike. Në vitrinat e odës së tij i kishte të incizuara në shirita, kaseta ose disqe këngët e të gjithë rapsodëve të  Kosovës dhe trojeve Shqiptare. Ishte i disponuar që me kilometra të tëra të udhëtonte për ta dëgjuar dhe mundësisht për ta incizuar rapsodin  duke kënduar  këngën folklorike.

Abedin Sogojeva u lind me 26 shkurt të vitit 1958. në Gur Shkabë ose Guri i Arbrit (Grabofc). Shkollën fillore e kreu në vendlindje dhe në Bardh të Madh, shkollën e mesme teknike drejtimi xehetari ne Drenas. Pas përfundimit të shkollës së mesme u punësua ne Elektroekonominë  e Kosovës-Mihja sipërfaqësore Bardhi. Ishte aktiv në organizimin e punëtorëve dhe qytetarëve gjatë protestave dhe demonstratave të vitit 1981 dhe 1989 në Bardh të Madh dhe Prishtinë. Me futjen e masave të dhunshme në EEK nga pushtuesi serb, nga Mihja Sipërfaqësore e Bardhit u  larguan nga puna  më shumë se 2000 punëtorë, në mesin e të cilëve ishte edhe Abedini.  Pushteti serb, me largimin  e punëtorëve shqiptarë nga puna mundohej që ta nënshtrojë dëshirën për liri të këtij populli.  Abedini u detyrua që për ta siguruar ekzistencën, të punojë punë të ndryshme, nga punë  krahu e deri te ato të muratorit. Përkundër  gjendjes jo të mirë financiare dhe  punëve të rënda që punonte,  Abedini asnjëherë nuk pushoi së angazhuari edhe në të gjitha aktivitetet e kohës si ato politike po ashtu edhe humanitare. Vizitat e kohë pas kohshme në Turqi tek dajallarët, informimi me aktivitetet e emigracionit atje, bëri që edhe më shumë të brumoset me atdhedashuri . Paraqitja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e gëzoi  pa masë, ishte i etur të dinte me shumë për këta djem dhe vajza që ja kishin drejtuar pushkën Serbisë. Ju kishte ngjallë shpresa se më në fund liria nuk ishte larg,  kishte ardhur koha që edhe ai të jep kontributin e tij në luftë, pra kishte ardhur koha që njohuritë për armët dhe malin do t’i ndihmonin që të del faqebardhë në të gjitha betejat. Abedini filloi të lëvizte shpesh në drejtim te Drenicës me të vetmin  qëllim që sa më shpejt të takohej me djemtë e luftës. Një ditë dëshira iu plotësua, u takua me djemtë e luftës, u takua me burrat siç ishte heroi i kombit  Fefmi Lladrovci dhe të tjerë. Dëshira për ta veshur uniformën e UÇK-së dhe  për ta luftuar armikun po i plotësohej. Abedini u pranua në radhët e UÇK-së zona operative e Drenicës, i njohur për trimëri dhe guxim, gjithmonë i gatshëm për aksione. Në betejën e Bardhit, betejë kjo ku Abedini me shokë i dolën përball kësaj makinerie vrastare, demaskoi para tërë botës ushtrinë serbe se deri në këtë kohë kamuflohej si forcë që nuk është e involvuar në luftë. Nga kjo betojë edhe sot na kujtohen storiet e paraqitura në të gjitha mjetet ndërkombëtare të informimit si BBS, SNN etj.

Tanimë UÇK-ja kishte filluar të shtrihej në tërë territorin e Kosovës. Me  rekomandimin e  komandantit Fehmi Lladrovci, ajo  do të  shtrihet edhe në rajonin e Rrafshi të Kosovës të kufizuar me Drenicën dhe me pjesën e Zonës së Shalës, gjegjësisht malit të Qyqavicës. Ultësira e Lumit Drenica, hekurudha  dhe aftësimi i rrugës  për gjatë lumit Drenica, i cili kalon nëpër Bardh të Madh, Gur Shkabë (Graboc) dhe Mjekaj, u bë arterie kryesore për lëvizje të njerëzve dhe furnizim me armatim, barëra dhe material tjetër për popullatën dhe UÇK-në në malet e Drenicës dhe rrafshit të Dukagjinit. Në këto hapësira do të veprojë UÇK-ja me njësitë e Bardhit të Madh dhe të Gur Shkabajt. Togu i Gur Shakbajt do të vepronte  nën komandën e Abedin Sogojevës. Interesimi i të rinjve që t’iu bashkëngjiten radhëve të UÇK-së ishte i madh, por në mungesë të armëve nuk mund të përfshiheshin të gjithë, ishin rreth 50-60 qytetarë të gatshëm që në çdo kohë ti rroknin armët. Abedini e kishte përvojën e mjaftueshme të drejtonte këtë tog dhe ti realizonte objektivat e UÇK-së për të siguruar këtë arterie shumë të rëndësishme te lëvizjes  së popullatës, mjeteve materiale dhe sanitare të nevojshme për jetë dhe luftë. Këtij togu, Komandanti Fehmi Lladrovci do ti ndihmonte në përgatitjen e strategjisë së mbrojtjes, ndërtimin e istikameve, pikave të vrojtimit etj.

Vija e pozicionimit të togut ishte në të njëjtën vijë ballafaquese me pozicionet serbe të pozicionuara gjatë rrugës: Mihja Sipërfaqësore e Bardhit e deri te Kazerma e Mesbardhit (Pomozotinit). Pikat e vendosura nga togu njiheshin si  “Pika e kuqe”.  Togu i Gurshkabajt me vonë iu bashkëngjit Brigadës  114 “Fehmi Lladrovci”, si “Shkaba 5”.  Togu në gjirin e vetë kishte tri njësite.

Ofensiva e njohur si Ofensiva e 22 shtatorit  dhe sidomos ajo më 25 shtator ishte e drejtuar  enkas për pozicionet e togut të Gurshkabajt. Si zakonisht, serbët edhe atë ditë, në intervale të caktuara kohore, granatuan pozicionet e togut dhe shtëpitë përreth, ku pati shumë shkatërrime dhe djegie.

Më 14 prillit 1999,  forcat serbe do ta sulmojnë prapë togun e Gur Shkabajt. Vendosmëria e komandant Dinit dhe ushtarëve të tij ishte  që  të rezistojnë. Ushtarët zunë pozicionet e tyre, grupe-grupe nëpër istikame. Grupin e parë e përbënin komandant Abedin Sogojeva, Ali Sogojeva, Fidaimi, Afrimi, Hyseni, Feridi, Ganiu, Fikria, Mirsadi, Xhevati, Adnani, Petriti, Milaimi…Grupin e dytë e udhëhiqte Arsimi, ndërsa grupin e tretë Ali Berisha. Popullata që ishte prezente, familjet e ushtarëve  dhe të tjerë të zhvendosur nga vende të tjera, u strehuan në pyllin ku ishin strehimoret e improvizuara. Rreth orës 7:00 të mëngjesit, kanë krisur pushkë e parat të betejës, që ishin tonat. Përgjigja e armikut është bërë me gjithë potencialin e artilerisë së rëndë, topa pa dridhje, minahedhës 120 mm, nga tri pozicionet e tyre. Abedini e Aliu ishin gjithnjë në lëvizje për gjatë vijës së frontit. Për një moment kishin vërejtur se nga pozicioni i Feridit dhe bashkëluftëtarit të tij  nuk hapej zjarr. Ata ishin afruar dhe kishin vërejtur se një granatë, jo më larg se gjysmë metri prapa shpinës së tyre, kishte rënë dhe  dy luftëtarët ishin plagosur shumë rëndë. Rezistenca nga ai vend ka vazhduar deri para mbrëmjes. Feridi dhe vëllai Petriti, ishin të plagosur rëndë. Ditë e kobshme ishte ajo e mëngjesit të 15 prillit, i cili nuk agoi së bashku me Feridin. Ditën e rënies Feridi pati 36 copa të hekurit që i kishin mbetur në trup nga shpërthimi i granatës, e cila shpërtheu jo më larg se gjysmë metri nga vendndodhja e tij, rrëfen doktori i togut, dr Ridvan Krasniqi. Feridi pas plagosjes kishte një problem më të madh se dhimbjet e mëdha, që ia kishte shkaktuar granata. Problemi ishte se një copë e granatës ia kishte bërë të paaftë funksionimin e dorës së djathtë dhe Feridi brengosej se nuk do të mund të luftonte më. Ajo ishte për të dhimbja më e madhe se gjithë ai hekur që i kishte depërtuar në trup. Ai nuk arriti t’iu përballojë plagëve të marra. Pra, në këtë betejë ra në  altarin e lirisë Ferid Curri, i cili vdiq më 15.4.1999.  Në kushte të vështira lufte u varros në fshatin Graboc, që më vonë të zhvarroset dhe rivarroset në varrezat e dëshmorëve në kryeqytet. Pas vdekjes së tij, Universiteti i Prishtinës, studentit Feri Curri ia ndau diplomën e nderit të Fakultetit Teknik, si dëshmor i kombit. Vepra e tij e bëri atë të pavdekshëm.

Dëbimi i trupave të ushtrisë dhe policisë serbe nga toka e Kosovës, Abedinin e gjeti si gjithmonë në mbrojtje të vendit. Tani kishte për detyrë ta mbronte pasurinë e pronës publike, ato pajisje të Mihjes sipërfaqësore të Bardhit dhe Mirashit që kishin mbetur të pa dëmtuara. Këtë e bënte për ti dhënë mundësi minatorëve që kur të kthehen, të kenë mundësi të nxirrnin qymyr dhe të prodhonin megavatet e parë të energjisë elektrike në liri.

Në vazhdimësi krijonte mundësitë e vendosjes së pushtetit lokal në Fushë Kosovë dhe Kastriot. Me një fjalë ishte kudo ku e kërkonte nevoja.

Me transformimin e UÇK-së në TMK, Abedini ishte pjesëtar aktiv e saj .Gjatë kësaj periudhe nuk ishte shumë i kënaqur me rrjedhat e ngjarjeve, proceset e shtet ndërtimit, ngritjen ekonomike, vonesat që bëheshin në zgjedhjen e statusit përfundimtar të Kosovës, zgjedhjen e statusit të shqiptarëve në Maqedoni, Kosovë Lindore dhe Mal të Zi, të cilat e shqetëson pa masë. Ai u angazhua në të gjitha hapësirat shqiptare ku kërkohej pushka dhe përvoja ushtarake e tij.

Me të kuptuar se ishte i sëmurë nga një sëmundje e pa shërueshme, Abedini asnjëherë nuk u lig, por assesi nuk u ndal së punuari edhe pse kishte dhimbje të mëdha. Kjo ndodhi se ai gjithmonë kishte kurajë të paparë për arritjen e qëllimit përfundimtar. Sipas mjekëve ishte e çuditshme se si ai i përballonte dhimbjet.

Sëmundja e rëndë dhe pashërueshmee bëri të veten. Më 9. mars .2007, në ora 19.45 pushoi së rrahuri zemra e Abedin Avdurrahman Sogojevës- Komandant DINI, i cili kaloi nga kjo botë në boten e amshueshme.

Me 10 mars 2007 në ora 16,00 me dhembje dhe pikëllim, por me krenari dhe nderime të TMK-së, bashkëluftëtarëve, bashkëfshatarëve, familjarëve, shokëve, miqve dhe mijëra qytetarëve nga të gjitha trojet etnike Shqiptare u përcoll në përjetësi Abedin Sogojeva. Mijëra qytetarë, shokë të idealit, bashkëfshatarë, qytetarë nga të gjitha trojet etnike erdhën për të ndarë dhimbjen me familjarët. U thanë shumë fjalë miradije për jetën dhe veprën e Komandant Abedinint.

Gjatë kësaj kohe pati momente që nuk mund të përballonim dhembjen, por kishim edhe ndenjën e krenarisë që e patëm djalë, vëlla, nip, shok, bashkëfshatarë etj.

I përjetshëm qoftë kujtimi për te. Lavdi Dëshmorëve të Kombit.  Lavdi jetës dhe veprës së

Abedin Sogojeva-Komandant DINI…

Kontrolloni gjithashtu

Marie Shllaku, (1922-1946) luftëtarja heroinë e bashkimit të trojeve në një Shqipëri Etnike

Marie Shllaku, (1922-1946) luftëtarja heroinë e bashkimit të trojeve në një Shqipëri Etnike

Pavarësisht Kanunit, fesë dhe traditës patriarkale, në shumë raste gjatë historisë, femra  shqiptare i ka …