Dr: Shefqet Krasniqi: Kosova në vitin e gjashtë të pavarësisë


Në vitin 2008 Kosova shpalli pavarësinë. Ishte ditë e madhe dhe e tillë vazhdon dhe do të vazhdojë të jetë, me lejen e Allahut. Çlirimi nga një okupator që, përveç tjerash, na ka luftuar edhe pse jemi muslimanë, nuk ka pse të mos jetë datë e shënuar. Ndonëse Kosova pati dalë nga lufta afër një dekadë para shpalljes së pavarësisë, megjithëkëtë rëndësia e kësaj dite ndërlidhet me atë se tashmë shteti është në duart tona. Për herë të parë po qeverisnim me veten, ani pse me kushtëzime, të cilat po vazhdojnë. Ishte shpresë për të gjithë. Kishim vuajtur shumë ndërsa gjatë periudhave të mëhershme kishim treguar një afri dhe vëllazëri, që mendonim se do të vazhdojnë me këtë ritëm edhe pas marrjes së pushtetit në duart tona. Por, kishim gabuar. Afria dhe vëllazëria kishin qenë të zorit. Ideal dhe objektiv, më parë se populli, shteti, e gjithçka tjetër, kishte qenë interesi ynë individual. Për këtë shkak, edhe sot e gjashtë vite pas shpalljes së pavarësisë, nuk mund ta fshehë e madje as ta fshijë askush njollën e vetëvrasjes së dhjetëra ish-luftëtarëve të UÇK-së si rezultat i diskriminimit ndaj tyre, mjerimit dhe skamjes.


Edhe pas gjashtë vitesh pavarësi, gjendja ekonomike vazhdon të jetë tepër e rënd, zhvillimi ekonomik në minimum, varfëri e skajshme sa të duash, madje ajo sa po vjen e po shtohet. Shpresat për një përmirësim dhe përparim në fushën ekonomike gjithnjë janë më të vogla, në veçanti pas marrjes së lajmit të hidhur se as në Evropë nuk do na lejohet të udhëtojmë pa viza edhe për disa vite radhazi, gjë që i bëri njerëzit të jenë edhe më pesimist. Shumë prej tyre akoma e shohin zgjidhje të vetme ikjen për në Evropë për të marrë ndonjë azil, qoftë edhe duke shitur shtëpi e katandi nëse e kërkon nevoja. Premtimet e njëpasnjëshme të ministres se integrimeve se dyert e Evropës do të na hapën këtë pranverë e pastaj këtë vjeshtë, e jo këtë vit e jo atë vit, tashmë u ka dalë fala. Madje, përveç lakmisë për karrige, unë nuk di se pse ajo vazhdon të qëndrojë edhe më tej në atë pozitë.


Gjatë vikendit të kaluar pata rastin të jem për një vizitë të shkurtët në Emiratet e Bashkuara Arabe. Kur pashë se çfarë kanë bërë ata dhe ku kanë arritur, për 42 vite pavarësie, kujtova vendin tim dhe bëra një krahasim të vockël duke rikujtuar se ku jemi ne pas gjashtë vitesh pavarësie, respektivisht 15 vite pas çlirimi nga okupatori dhe a thua ‘ku’ do të jemi pas 42 vitesh? A do të arrijmë nivelin e Dubait e Abu Dhabit apo do arrijmë të krahasohemi me Bangladeshin dhe Tanzaninë?  Vërtetë për tu mërzitur e pikëlluar shumë pse ne nuk punojmë për shtetin tonë më shumë, pse nuk jemi të sinqertë, punëtorë e aktiv për vatanin tonë të dashur, pse të paktën nuk kemi xhelozi në këtë drejtim? Pse mos t’i marrim shembull shtetet tjera që janë zhvilluar për pak kohë si Emiratet, Singaporin etj?  Apo ndoshta nuk jemi të denjë për të udhëhequr shtetin e për ta çuar para, apo mos vallë shteti ka ngelur në duar të gabuara e duhet ndërruar udhëheqësit?


Gjashtë vite pavarësie gjersa rrjetet kriminale në Kosovë lulëzojnë, korrupsioni, trafikimi me qenie njerëzore, përhapja e drogës, prostitucionit dhe shumë dukurive tjera të liga e të dhimbshme e kanë ngulfatur vendin tonë. Në anën tjetër, edhe pas gjashtë vitesh pavarësie qeveria jonë vazhdon t’i shkel të drejtat e muslimanëve në mënyrën më të ligë, duke tentuar që t’u ndërhyjë edhe në xhamitë e tyre, respektivisht në çështjen e thirrjes së ezanit, duke tentuar pa fije turpi edhe ta ndalin atë. Madje disa duke u krekosur edhe tallen me muslimanët duke fyer ata si “të pistë”.


Natyrisht se ka edhe hapësirë për ta falënderuar Zotin, për të qenë optimist, për të ardhmen e shtetit tonë, e ndër to janë edhe ndryshimet politike në zgjedhjet lokale, që veç i lamë prapa, e shpresojmë shumë që zgjedhjet e ardhshme do t’i sjellin në pushtet ata që meritojnë më shumë. Ndaj apeloj tek të gjithë dashamirësit e vendit tonë, Kosovës sonë të dashur, që mos të lejojnë në asnjë mënyrë që idealet tona të kthehen në plaçkitje e keqpërdorime.


Allahu na drejtoftë dhe na ruajt mëmëdheun tonë, shoqërinë tonë, dhe na bëftë shembull për të mirë e jo për të keq. Amin dhe deri javën e ardhshme me një temë tjetër selam alejkum.


 


Dr. Shefqet Krasniqi: Parimet tona


 


Çështja e ezanit edhe më tej vazhdon të jetë mjaft aktuale në gjithë vendin. Kjo çështje, pa pasur nevojë fare, është bërë temë diskutimi në parlament e qeveri, e në veçanti nëpër media, ndaj meqë për besimtarët ezani është prej gjërave esenciale nuk na mbetet zgjidhje tjetër vetëm se të reagojmë.


Por reagimi ynë ndaj atyre që votuan leximin e parë të ligjit kundër zhurmës, ku ezani trajtohet si zhurmë akustike, u keqinterpretua nga disa medie, si zakonisht siç dinë mediet tona të bëjnë gallatë pa farë përgjegjësie. Ndaj reagimi ynë  u interpretua si fillim i një distancimi dhe kundërveprimi ndaj VV-së, të cilën, sipas tyre, ‘gjithnjë e paskam përkrahur, paskam lobuar dhe paskam folur mirë për të’. Votimi i deputetëve të tyre në favor të këtij projektligji është marrë si shkas që të parafrazohet një lloj çarje apo fronti në mes nesh dhe VV-së. Sigurisht këtij paragjykimi i ka shërbyer edhe një reagim i yni në emisionin tonë të rregullt televiziv  javor “Rruga e ndriçuar”. Madje disa individë, që kryesisht shquhen për nguti dhe mendime e deklarata të pamatura, shkuan deri atje sa që u shprehen se ne jemi bërë të atillë që i ndryshojmë parimet dhe qëndrimet ndaj çështjeve të caktuara mëngjes e mbrëmje. Me këtë rast, dëshiroj tu rikujtojë të gjithëve, qofshin medie apo individë, se parimet dhe qëndrimet tona as nuk janë tepër të ngurta që të bëhen de-mode e as tepër elastike që, siç thotë populli, të mos presë sëpata asnjëherë në një vend.


Ne, falë Zotit, çdo qëndrim tonin mundohemi ta ndërtojmë mbi bazat e interesit fetar dhe kombëtar, interesit shoqëror dhe atij mbarënjerëzor. Mbi këtë parim i zhvillojmë edhe ligjëratat, mësimet, këshillat, fetvat, intervistat, deklaratat dhe tërë jetën tonë. Nga ky kontekst nuk ka gjykim të përhershëm ndaj njerëzve apo subjekteve të ndryshme. Fillimisht mund të kemi mendim të mirë për dikë, por posa ta shohim se ai-ajo ka shkelur haptas normat fetare dhe njerëzore, se ka punuar apo vepruar kudër interesit shoqërorë, atëherë, fillojmë të formojmë mendim tjetër ndaj tij-saj. Por edhe e kundërta, mund të kemi mendim jo edhe aq pozitiv ndaj ndokujt, për shkak të qëndrimeve apo sjelljeve të tij apo saj, por posa ta shohim se ai-ajo fletë dhe vepron në të mirë të fesë, vatanit dhe interesit shoqërorë në përgjithësi, atëherë, ne e ndryshojmë mendimin tonë karshi tij-saj.


Kjo ka ndodhur më shumë se një herë dhe besoj se do të ndodhë prapë në të ardhmen. Ndaj, një gjë e këtillë besoj se mund të shikohet si hezitim, papjekuri apo qëndrim kontrovers vetëm për ata që nuk e kuptojnë apo nuk duan ta kuptojnë realitetin. Mendoj se kjo mënyrë e veprimit është e duhur dhe e qëlluar, sepse rrethanat gjithmonë ndryshojnë e së bashku me to ndryshojnë edhe njerëzit dhe qëndrimet e tyre, madje njerëzit vazhdimisht ndryshojnë, qoftë pozitivisht apo negativisht sepse fazat e jetës ndryshojnë dhe vet jeta është ndryshim. Andaj edhe qëndrimet duhet të ndryshojnë, në veçanti kur kanë të bëjnë me rrethanat, qëndrimet apo sjelljet tashmë të ndryshuara të njerëzve. Po ashtu edhe feja por edhe edukata jonë familjare na mëson se nuk ka urrejtje të përhershme, ashtu siç nuk ka dashuri absolute. Sot mund ta duash dikë pa masë por nesër kur ta kuptosh më mirë realitetin e tij/saj mund edhe mos ta pëlqesh dhe e kundërta.


Andaj kur dëgjoj dikë që ma fyen dhe ma lufton fenë, vjedh pasurinë e shtetit, mashtron qytetarët, si do të mund ta dua atë! Druaj se me vret Zoti po ta bëjë një gjë të tillë. Mu për këtë, kur kam dëgjuar p.sh. ndonjë lider a politikan se ka folur mirë, fjala vjen për shaminë, atëherë e kam përkrahur atë pa hezitim, pavarësisht se cilit subjekt politik i përket. Dhe e kundërta, kur kam kuptuar kush e konsideroi ezanin zhurmë akustike dhe votoi për ta ndaluar atë, natyrisht se më ka prekur thellë në shpirt dhe jam mërzitur shumë, ashtu siç janë mërzitur e prekur qindra mijëra shqiptarë mysliman gjithandej nëpër botë ndaj edhe kemi reaguar.


Ne në asnjë mënyrë nuk mund të bëjmë kompromis me askënd kur është në pyetje interesi i fesë, ashtu siç nuk pajtojmë të bëjmë kompromis kur është në pyetje interesi i vatanit, andaj edhe kam dalë haptazi nga dita e parë e nënshkrimit të marrëveshjes me Serbinë duke e quajtur atë “marrëveshja famkeqe”, sepse e kam kuptuar që dëmi është shumë më i madh sesa dobia dhe se Kosova humbë shumë e fiton pak. Ky reagim nuk ishte punë ezani, por punë vatani, por megjithatë kam reaguar dhe do të vazhdojë edhe më tej të reagoj gjithherë duke i ruajtur dhe përmbajtur të njëjtave parime mbi të cilat e kam ndërtuar jetën dhe lus që kështu edhe ta takoi Zotin tim.


Ndaj ne nuk do të ndalim reagimet e aktivitet e tona vetëm pse, fjala vjen, një portali i teket të manipulojë me deklarata tona. Në veçanti kur kemi të bëjë me portale të atilla që nga dështimi kanë humbur shansin e të qenit gazetë e shkruar dhe tashmë tentojnë të fitojnë lexues e klikime falë aftësive të tyre për të manipuluar e keqcituar deklaratat e të tjerëve.


Meqë jemi te ezani edhe një herë dua t’i falënderojë ata që kanë qenë kundër atij projektligji dhe kërkoj nga të gjithë deputetet që mos ta votojnë atë projektligj nëse nuk hiqet nga aty konsiderimi i ezanit si zhurmë. U japim fjalën të gjithë atyre që votojnë kundër ezanit se jo vetëm ne, por gjithë shqiptarët muslimanë do të jenë kundër tyre përderisa ata vazhdojnë me qëndrime të këtilla të paskrupullta në drejtim te fesë. Dhe për fund u bëjmë me dije se ezani nuk do të ndalet, por do vazhdoj të thirret ashtu siç ka qenë këtu e 15 shekuj, me emër të Zotit. Allahu e drejtoftë këtë qeveri dhe mbarë këtë shoqëri, amin dhe deri javën e ardhshme me një temë të re.


 


Dr. Shefqet Krasniqi: Ezani nuk është zhurmë dhe nuk bën të trajtohet në atë mënyrë


 


Feja, padyshim se ka një vend të posaçëm në zemrat e njerëzve. Edhe tash, kur ka përpjekje nga individë, grupe, rrjete dhe qarqe të caktuara për ta minimizuar rolin e saj, prapë kjo e fundit ngel në pozitën më të lartë. Feja është e Zotit, ndaj mësimet e saj nuk janë fjalë të njerëzve. Për këtë, mposhtja e saj është e pamundur. E pamundur, në kuptimin e mposhtjes se vërtetësisë, origjinalitetit dhe saktësisë se saj me forcën e fakteve dhe argumenteve, por jo edhe me forcën fizike-të dhunës. Feja është mësuar të ballafaqohet me probleme të shumta, me barriera e pengesa, të cilat, ndonjëherë kanë qenë aq të mëdha saqë janë menduar se janë të pakapërcyeshme, por Zoti ka dashur dhe janë tejkaluar. Feja mund të sfidohet por assesi nuk mposhtet.


Komunizmi ishte gati ta shpallë veten për zot por përfundoi në koshin e plehrave të historisë. Me përfundimin e komunizmit kemi menduar se edhe lufta kundër fesë ka përfunduar, bile ne mendonim se posa ta fitojmë pavarësinë e ta formojmë shtetin tonë, do t’i gëzojmë të gjithë të drejtat, secili ashtu siç do, natyrisht pa i shkelur të drejtat askujt dhe pa dëmtuar askënd. Por për fat të keq nuk na doli ashtu, po na del se kjo fe, pra Islami, meqë për të tjerat as që guxojnë të flasin, ka armiq të shumtë, dushman të shumtë, pavarësisht se në çfarë petku vishen apo çfarë qëllimi kanë. Një gjë është shumë e vërtetë se ata po mundohen ta mposhtin fenë Islame, por nuk kam fare dyshim se edhe këta do të përfundojnë ashtu siç përfunduan komunistët, e ndoshta edhe më keq.


Nuk është përpjekja për ndalimin e ezanit tjetër pos një hallk nga hallkat e zinxhirit të sfidave të shumta që po i bëhen Islamit dhe muslimanëve në këtë vend të banuar kryesisht me muslimanë. Natyrisht, në pamundësi për të dalë haptazi kundër ezanit, disa qeveritarë tanë ‘të moderuar’ po e konsiderojnë atë si zhurmë, e cila kinse po i penguaka njerëzit. E kësaj i thonë: jo buka por kulaçi, siç thotë populli ynë. A mendon ministri në fjalë se ne nuk i kuptojmë qëllimet e tija tendencioze dhe anti-islame? Jo ministër, jo! Mos i vër vetes siklet se neve nuk mundesh të na i shesësh këto lojëra, ne të njohim mirë që besa dhe e dimë se ti vjell vrer kundër Islamit shumë madje. Ndaj dëshiron t’i shfrytëzosh edhe këta pak muaj që të kanë mbetur nga pushteti për ta luftuar këtë fe madhështore, se më kurrë, me lejen e Zotit, nuk do të kesh pushtet. Mos harro se çka të bësh e ke për vete, Zoti është i Madh, Ai do të të hakmerret, në një formë ose tjetër. Jo vetëm nga ti, por edhe nga ata deputetët të cilët i çuan gishtat kundër ezanit, ashtu siç i patën çuar para dy vitesh kundër shamisë. Nuk ua harrojmë as atyre e as ty, vije koha e zgjedhjeve e do ta shohim. E mbi të gjitha, Zoti ju sheh të gjithëve.


Meqë jemi tek deputetët, ashtu siç shpreh indinjatën time të thellë ndaj atyre që votuan që ezani të trajtohet si zhurmë, po ashtu shpreh falënderimin tim të skajshëm për të gjithë deputetët dhe deputetet që votuan kundër këtij projektligji, jo për faktin se nuk duhet ndaluar zhurma, por për faktin se ezani nuk është zhurmë, nuk duhet të trajtohet si i tillë dhe nuk bënë të politizohet. Kësaj radhe një falënderim të veçantë shumicës së deputetëve të LDK-ës të cilët kësaj radhe qëndruan si burrat duke kundërshtuar këtë projektligj, e bashkë me ta edhe disa deputet tjerë, si ata të PD-ës, pastaj AKR-ës, etj. Meqë jemi te ezani, duam të bëjmë me dije të gjithë atyre që nuk e dinë apo bëhen kinse nuk e dinë se ezani gjithmonë ka qenë, atë kurrë askush nuk e ka ndalur, ashtu siç nuk janë ndaluar kambanat e kishave. Ky vend ka pasur shumë pushtues, por kurrë kush nuk e ka trajtuar atë si zhurmë që pengon njerëzit, bile ka pasur përplot serbë e malazezë, komunistë e ateistë të cilët nuk e kanë dashur xhaminë e as ezanin, ndaj edhe pse ezani ka mundur ta shqetësojë ndonjërin prej tyre, megjithatë, kurrë nuk kanë tentuar ta ndalojnë atë. Nga ky këndvështrim, edhe sot e kësaj dite të gjithë pjesëtarët e SLS-së votuan kundër këtij projektligji, ndaj a nuk mendojnë votuesit pro të këtij projektligji, a nuk kanë pak turp. Kjo për shkak se ata e dinë shumë mirë se ezani dhe kambanat janë simbol i identifikimit fetarë të kësaj shoqërie dhe vendi. Ezani paralajmëron se aty ka myslimanë. Ezani nuk është nga njeriu, ai është porosi nga i madhi Zot dhe që nga dita e parë kur u thirr në Medinë, para 1435 vitesh, ai kurrë nuk u ndal. Atë nuk e ndalën as shtete më komuniste, madje as nazi-fashizmi, megjithatë, renegatët muslimanë në stil të Ataturkut dhe diktatorit Enver Hoxha po përpiqen edhe sot të kthejnë kohën prapa. Andaj, çfarë kuptimi ka konsiderimi i ezanit si zhurmë duke pasur në konsideratë se ai përmban fjalë kuptimplote përderisa kishat, e të gjitha fraksioneve, kumbojnë lirshëm dhe askush as që guxon të mendoj rreth zhurmës së tyre. Në këtë kohë, kur po gënjejmë vetveten se jemi të barabartë, se të drejtat e njeriut janë të garantuara, përpiqemi me çdo kusht t’u garantojmë të drejtat pakicave ndërsa shumicën e luftojmë sheshazi. A thua vallë çfarë dallimi ka në mes të diktaturës se dikurshme dhe asaj aktuale nëse ndërmerren të njëjtat veprime vetëm se në emër të një sistemi tjetër. Madje shkeljet e të drejtave fetare, lirisë së plotë të manifestimit të fesë, në këtë kohë kur vendin e kanë kapluar probleme nga më të ndryshmet, secili më i madh se tjetri, e pushtetarët në vend se të merren më ato probleme ata zhvendosin vëmendje duke tentuar të na ndalin ezanin. Flasin se feja nuk bënë të politizohet, prijësit fetarë nuk bënë të merren me politikë, ndërsa anë anën tjetër ata vet e politizojnë fenë dhe në emër të saj mundohen të fitojnë karrierën e tyre tashmë të humbur. Andaj konsideroj se kjo që po ndodhë tek ne në lidhje me ezanin është skandaloze dhe turp i shekullit 21. 


Duke pasur parasysh atë që u cekë më lartë dhe duke pasur në konsideratë se ezani është i shenjtë për muslimanët, se loja me të është lojë me identitetin e tyre, se të drejtat për ta praktikuar fenë lirshëm janë të garantuara kushtetutën e këtij vendi, konsiderojmë se ky projektligj duhet anuluar apo modifikuar për dy arsye:


 1. Ezani nuk duhet futur në këtë ligj, pasi që ai nuk është zhurmë, as ndotje akustike, e as i dëmshëm apo i padëshiruar për masën.


2. Objektet fetare respektivisht liria e manifestimit të fesë, zbatimi i ritualeve fetare, duhet të rregullohen me ligj të veçantë, sikur që është ligji mbi liritë fetare. Ezani është pjesë e riteve pra e faljes-namazit.


Përveç kësaj, nga parlamentarët dhe komisioni përkatës kërkojmë që të jenë të mëshirshëm ndaj popullit që i ka zgjedhur, t’i mëshirojnë njerëzit në tokë ashtu që të mëshirohen nga Ai që është në qiell, siç ka thënë Muhamedi alejhi selam. Allahu e drejtoftë këtë popull e këtë qeveri, na e përmirësoftë shoqërinë dhe gjendjen tonë në përgjithësi. Amin, e deri javën e ardhshme me një temë tjetër selam alejkum.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Organizatat kryesore atdhetare në Kosovë nga LNDSH-ja, LRBSH-ja, OMLK-ja, LPK-ja, PKMLSHJ e të tjera

Përpjekjet e disa individëve, ish të burgosurve dhe e ishave të tjerë, me qëllim  për …