Dr. Skënder Demaliaj: BIZNESMENI PUNËSHUMË E FJALËPAK, RAMË GECI NGA BYTYÇI

Dr. Skënder Demaliaj: BIZNESMENI PUNËSHUMË E FJALËPAK, RAMË GECI NGA BYTYÇI

Portret socialpsikologjik

Bytyçi i Malësisë së Gjakovës ka nxjerrë personalitete të shquara, të cilët e kanë nderuar atë dhe e kanë lartësuar me veprat e tyre. I tillë, ndër më të spikaturit është biznesmeni punëshumë e fjalëpak, Ramë Geci.

Pasioni për punën dhe aksioni janë çelësi i suksesit të tij

Nëse nuk e kemi pasion punën, nuk ecim parpara. Është një veçori psikologjike e rëndësishme që i bën realitet qëllimet, objektivat, ëndrrat tona. Nuk është e vështirë ta vësh re, ta veçosh si tipar dallues kur analizon gjithë punën 29 vjeçare të Ramë Gecit si biznesmen i suksesshëm. Në vitin 1994 krijoi firmën “Geci” Shpk me ambicien për të kapur majat në fushën e ndërtimit dhe shërbimin hoteleri-turizëm. Nga viti në vit ka ardhur duke u fuqizuar. Sot zotëron mbi 150 makina të ndryshme: betoniera, ekskavatorë, mjete të transportit të rëndë, instrumente të ndryshme matëse. Ka fabrikë për prodhim asfalti, betoni, linjë për prodhim inertesh, autobot uji, autobote për transport dhe mbajtje karburanti, servis statik e të lëvizshëm për riparim të makinerive etj.

Një lider duhet të ketë ambicie. Ramë Gecit nuk i ka munguar kjo. Në vitin 2004 ishte aksioner bashkë me disa biznesmenë të tjerë në Hotel “Tirana Internacional”, kurse në vitin 2011 i bleu të gjitha aksionet e këtij hoteli, duke paguar 21 milionë euro. Ky hotel ka një sipërfaqe 17 mijë metra katrore, 170 dhoma, 11 salla aktivitetesh. Sipas vlerësimit të kryer nga kompani ndërkombëtare, vlera totale e këtij hoteli është mbi 50 milionë euro.

Ka punuar në Rrugën e Kombit, Kukës – Krumë – Qafë  Prush, Bajram Curr – Kam, Dragobi – Valbonë, Dardhë – Ura e Drinit, në rrugën e Voskopojës, Plloçë – Korçë, në ndërtimin e Urës së Gomsiqës, në ndërtim ujësjellësish e kanalizime, në ndërtimin, rikonstruksionin dhe rinovimin e unazës së vogël, rikonstruksion dhe shtesë e re për shkollat 9 vjeçare “Musine Kokalari” dhe “Myslym Keta”. Pra firma “Geci” ka realizuar mëse 186 projekte, duke ndërtuar mbi 400 km rrugë nacionale, rreth 500 metër linearë ura të hapësirave të ndryshme etj.

Ndërtimi i këtyre veprave kërkon strategji, aftësi menaxhuese, intuitë, staf të përgatitur e të kualifikuar, dije, disiplinë shkencore e korrektësi. Ka konkuruar dhe fituar me firma dhe kompani me më shumë punëtorë, specialistë mjete e para. I udhëhequr nga parimi: “Konkuroni gjithmonë! Nuk ka rrugë tjetër ose konkuroni, ose jo! Konkuroni në gjithçka që bëni! Bëhuni të fortë! Përçoni mesazhe pozitive! Ekipi është i pari!” Pra faktori përcaktues i suksesit nuk është vetëm dituria, por edhe aksioni. Me njerëzit që ka zgjedhur për të bërë punë të mëdha, ekspertë të aftë në shumë fusha, me metodën e aksionit ka ndërtuar në kohë e me cilësi veprat që i janë besuar. Vetëm duke punuar mëson, korrigjohesh, përmirësohesh e perfeksionohesh më tej. Zhvillon tek vetvetja një dëshirë të fortë për të njohur thellë parimet e rregullat e biznesit të ndershëm e të suksesshëm, marrëdhëniet shoqërore, evidenton dhe realizon ide të rëndësishme, rizgjon dëshirat e apasionuara.

Një fjalë e urtë e huaj thotë se një burrë që nuk di të qeshë, nuk di kurrë të hapë një dyqan. Aq më tepër të jetë biznesmen i madh. E qeshura sjell lumturi në shtëpi, vullnet të mirë në punë, është simbol i miqësisë, është çlodhje për të lodhurit, një shpresë për të dëshpëruarit, një rreze dielli për atë që është i trishtuar dhe ilaçi më i mirë për të gjitha shqetësimet. Ramë Geci është përherë i qeshur, i komunikueshëm me njerëzit dhe që ua zgjidh hallet e problemet njerëzve në nevojë. E dëgjojnë me vëmendje varësit e tij, punëtorët. Mirësjellja dhe përzemërsia janë gjithnjë më të fuqishme se forca e keqe. Ai di pa e kaluar masën të kritikojë e të lavdërojë në kohën e duhur dhe kur është e dobishme. Sipas psikologëve kur kritikat ulen në maksimum dhe lavdërimet rriten, veprimet e mira vijnë duke u rritur dhe të këqijat bllokohen. Aftësitë veniten nga kritikat e pamotivuara, që s’kanë lidhje me punën, me suksesin. Aftësitë lulëzojnë nga nxitja e guximit për veprim. Ramë Geci është njeri dhe si i tillë edhe gabon, por kur ndodh kjo e pranon, pa asnjë mëdyshje dhe reflekton. Kështu ndihmon edhe të tjerët të reflektojnë dhe të korrigjohen në vazhdimësi. Pranimi i gabimeve ndihmon ta bindësh bashkëbiseduesin të ndryshojë sjelljen e tij. Vetëm kështu rritet interesimi për atë çfarë duhet të bësh më mirë. Vetëm kështu arrin suksesin, fitoren mbi meskinët, indiferentët, paragjykimet, thashëthemxhinjtë. Ku ka fjalë shumë, ka bereqet pak. Ramë Geci është punëshumë e fjalëpak. Nuk e kemi dëgjuar të mburret për atë çfarë ka bërë, të dalë në ekrane televizionesh, të japë intervista, të dallojë nga të tjerët në sjellje, në veshje e në jetën e tij të përditshme. Nuk ka nevojë për këto. Flet puna e tij, veprat që ka ndërtuar me firmën e tij. Beson në aftësitë e tij, beson në aftësitë e njerëzve me të cilët punon.

Aftësia për të dalë nga zona e rehatisë

Biznesmeni Ramë Geci është nga më të pasurit e më të fuqishmit në Shqipëri, hyn në dhjetëshen e parë. Me një kapital mbi 100 milionë euro, me 15 katëshin e tij me emër për shërbimin ndaj klientit e kishte më të lehtë të bëjë pushim ca kohë. Të jetë i kënaqur me atë që ka arritur. Zvarritja e punëve ka të bëjë me mungesën e motivimit, me vështirësitë që të dalin, me mospërballimin e konkurrencës. Me atë që ndihesh komod me çfarë ke arritur. Por nuk mendon kështu Rama. Të bësh më të mirën do të thotë të jesh vetëvetja e vërtetë. Të riformulosh mënyrën sesi e percepton detyrën për ta bërë atë pjesë të një vizioni më të madh e më emocionues. Zvarritja e punëve të dembelos, ka kosto. Ramë Geci regjistron gjithçka që bën, vendos një qëllim të qartë pas çdo gjëje që realizon, vendos qëllime të vogla çdo ditë. Fillon me pak, përgatit mjedisin, realizon fitore të shpejta që i mundësojnë të rritë vetëvlerësimin e tij e të realizojë objektivat e paracaktuara. Kjo e bën të ndihet i çliruar nga stresi, krenar dhe i lumtur.

I shqetësuar për paratë që flenë në banka, të cilat nuk janë të dobishme nëse nuk i investon, pa humbur kohë filloi në qershor të vitit 2019 ndërtimin e hotelit tjetër 30 katësh, ngjitur me 15 katëshin, “Tirana Interkontinental”. Në katet e para të tij do të ketë dyqane të luksit, zyra biznesi dhe në katet e sipërme dhoma, suita hoteli dhe salla të mëdha konferencash, pra do të jetë shumë më modern dhe shumfunksional. Për ta mbaruar sa më shpejt para afatit pesë vjeçar, sepse është rritur kërkesa nga turistët që vijnë nga të gjitha anët e botës, çka e dëshmoi edhe viti 2023. Kështu ai demonstroi edhe njëherë aftësinë për të dalë nga zona e rehatisë. Ndërtimi i këtij hoteli 30 katësh është një hapje për të shqyrtuar dhe realizuar drejtime të reja veprimi. Ndërmarrja e një nisme të tillë e rriti gjendjen e tij pozitive. Kur vepron kështu pa vonuar në momentin e duhur ke më shumë energji në dispozicion, më shumë besim në atë që bën. E demonstron dhe e dallon në bisedat me të rreth punës ndërtimtare të hotelit të ri. Suksesi lidhet edhe me përqendrimin e mendjes sonë, të vetëdijes e nënvetëdijes sonë me gjërat që dëshirojmë t’i arrijmë, jo në ato që kemi frikë. Ramë Geci është i vetëdijshëm për sfidat që e presin, për veprat e reja që do të ndërtojë. Në fund të fundit qëllimi i tij final nuk është vetёm ta bëjnë më të pasur, t’i shtojnë milionat, por t’i shërbejë edhe komunitetit, të bëjë punë publike, duke patur parasysh ndjesitë, shijet, interesat dhe nevojat e qytetarëve.

I vendosur, i përgjegjshëm dhe i guximshën në realizimin e qëllimeve të tij

Të kesh vendosmëri do të thotë të vazhdosh të hedhësh hapat njëri pas tjetrit, t’i përmbahesh një qëllimi interesant dhe domethënës, të investosh çdo ditë përballë një parktike sfiduese, të rrëzohesh 7 herë dhe të ngrihesh 8 herë. Njerëzit e vendosur, të guximshëm e me vullnet i bëjnë realitet ëndrrat e tyre. I tillë është edhe biznesmeni Ramë Geci. Psikologët na mësojnë se nëse doni të zhvilloni vendosmërinë, gjeni një kulturë ku kultivohet vendosmëria dhe bëhuni pjesë e saj. Krijoni një kulturë të inspiruar nga vendosmëria. Kështu ka ndodhur edhe me Ramë Gecin. Atë që e ka planifikuar, që e ka synuar e ka realizuar duke qenë në krye të punëve 24 orë në 24. Të gjallët nuk pushojnë, kanë kohë për të pushuar në botën tjetër… Kur e pyet për hotelin e ri, Rama të përgjigjet: “Do ta vë në punë para afatit. I kam avancuar punimet në të gjitha fazat. Jam i vendosur ta mbaj fjalën. Falë edhe gatishmërisë dhe sakrificave që po tregojnë e po bëjnë specialistët dhe punëtorët në të gjitha hallkat e zinxhirit të ndërtimit”. Puna me ekipin, ku ai është lider është edhe një arsyet tjetër, pse ai ecën përpara dhe vetëm përpara. Vendosmëria është e lidhur me atë: të besosh në forcën e faktit, që nënkupton e do të thotë të kuptosh që një këndvështrim i vetëm mund t’iu kufizojë së tepërmi imagjinatën. T’i besosh forcës së faktit do të thotë të kuptosh se kur është urgjente nevoja për të marrë një vendim, çka do të thotë se vendimi për ndërtimin e hotelit të ri ishte në momentin e duhur. Të mbështetesh në njohurinë e fakteve është shumë kufizuesë dhe kuptimplote. Një perceptim për çfarë duhet të bëjë në të ardhmen i mbështetur në fakte e ka ndihmuar dhe orientuar Ramë Gecin të gjejë drejtimin e duhur. Duke vepruar kështu ke më pak stres, humbje të shpresës, kupton më mirë çfarë duhet bërë për t’u përmirësuar e për t’u rritur. Lëvizësi kryesor i njeriut është “dëshira për të qenë i rëndësishëm”. Kur ia thua këtë Ramë Gecit ai nuk do që të jetë i rëndësishëm. Është modest. Veprat e rëndësishme të bëjnë vetëvetiu të rëndësishëm. Vetëpërgjegjësia e ka ndryshuar jetën e tij. Aftësia për të marrë vendimet e duhura në kohën e duhur ka bërë të arrijë qëllimet në çdo fushë të jetës. Ka edhe diçka tjetër të rëndësishme tek Ramë Geci: vetëpohimi (respektimi i dëshirave, i nevojave dhe i vlerave të tij, në kërkim të formave më të përshtatshme të shprehjes së tyre në realitetin jetësor).

Ramë Geci, njeriu human dhe bamirës

Humanizmi i tij është shumëdimensional, social. Veprat e tij bamirëse i prekim çdo ditë. Mesazhi që përcjell libri “Psikologjia e kulturës” është: “Lloji njerëzor vuan për dhemshuri”. Psikologu i famshëm vjenez, Alfred Adler në librin e tij “Qëllimet e jetës” shkruante se njerëzit që nuk interesohen për të tjerët kanë më shumë vështirësi në jetë dhe janë individët që dështojnë në arritjen e qëllimeve të tyre”. Ramë Geci mund të mos i këtë lexuar këta psikologë, por atij nuk i ka munguar asnjëherë interesimi për njerëzit, veçanërisht për ata në nevojë, një interesim përherë i sinqertë.

Bamirësinë e tij e ka treguar në të gjithë Shqipërinë, në Kosovë, në Mal të Zi, në Maqedoninë e Veriut, në Luginën e Preshevës dhe në diasporën shqiptare, por në mënyrë të veçantë në vendlindjen e tij, në Bytyç. Kështu ai në vitin 2020, në kohën e Covid 19-ës shpërndau 300 pako me ushqime në Bytyç. Sponsorizon çdi vit Festën e Bjeshkëve në Sylbicë (dekorin, programin dhe drekën), Festën e Bytyçit në Dajt, botimin e gazetës “Bytyçi”. Bëri rikonstruksionin e shkollës së mesme në Pac, pajisjen e saj me laboratorë. Çdo vit bën 20 abonime vjetore falas për bytyçasit në Gazetën e Alpeve. Rregulloi dhe mobiloi zyrën e veteranëve të LANÇ-it në Tropojë. Ndihmon njerëzit në nevojë edhe jashtë Bytyçit, u përgjigjet thirrjeve dhe kërkesave për ndihmë mjekësore. Ka sponsorizuar botime të studiuesve bytyças, tropojanë dhe në trojet shqiptare në Kosovë e kudo. Ka sponsorizuar ekipin e kategorisë superiore të futbollit të Laçit e të Kukësit për vite të tëra. Ka sistemuar dhe asfaltuar rrugën nga Paci në Qafë të Nevadit me lekët e veta. Është kjo arsyeja që është nderuar me titullin “Qytetar nderi” në Bytyç, në Tropojë, në Laç dhe Personaliteti i vitit në rrethin e Kukësit. Bytyçasit e quajnë “Burrë zotni”, “Sojniku i Bytyçit”. Me dashuri, e mirënjohje, me emocione e sinqeritet shprehen: “Jemi krenarë për ty!”

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …