Bashkimi Evropian

Dr. Skënder Demaliaj; FAKTORËT PSIKOLOGJIKË QË PËRSHPEJTOJNË INTEGRIMIN EUROPIAN TË VENDIT TONË 

Në Ditën e Europës

      Ben Rosamond e përkufizon integrimin europian si një “proses pa mbarim, i thellë, i gjerë, i bashkëpunimit politik, ekonomik dhe i sigurisë ndërmjet kombeve, me synimin kryesor ruajtjen e paqes”.

      Veriu i Europës është quajtur Europë nga grekët në shekullin e shtatë Para Krishtit, duke i dhënë emrin e vajzës së mbretit fenikas të sjellë në Kretë nga rrëmbyesi i saj Zeusi.

Procesi i integrimit është një proces kompleks, i ndërlikuar, shumëdimensional, është një proces i thellë reformash në të gjitha fushat. Është një proces i gjatë dhe i përgjegjshëm që kërkon një investim të madh dhe plotësimin e standardeve. Faktorët psikologjikë kanë peshën dhe vendin e tyre në tërësinë e faktorëve që e përshpejtojnë këtë proces.

Rritja e besimit, e ndërgjegjësimit dhe e përpjekjeve reale të shqiptarëve për t’u

bërë sa më parë pjesë ë BE-së

Në raportin e BE për Shqipërinë theksohet: “Rritja e ndërgjegjësimit për përpjekjet reale dhe kohën që i duhet Shqipërisë për t’u integruar në BE është vendimtare. Përndryshe rreziku i zhgënjimit është i lartë”.

      Njohja e rezultateve të arritura, nxitja e shpirtit të garës, lavdërimi dhe shpërblimi për të gjithë ata që punojnë e ndihmojnë për integrimin europian – janë elemente të rëndësishëm psikologjike për rritjen e besimit dhe të entuziazmit. Në rrugën drejt integrimit, shqiptarët kanë nevojë të nxiten e të inkurajohen dhe të ecin përpara me guxim e kurajo. Sipas psikologëve: “Kurajo s’është një akt i izoluar, një impuls i momentit. Është një aksion komplet dhe kompleks, i cili duhet ndjekur deri në qëllimin final. Sforcimet më të mëdha nuk janë ato të fillimit, por ato gjatë rrugës, për t’u rezistuar dobësive tona dhe pengesave të paparashikuara që duhet të përballojmë me durim e kujdes të madh. Kurajo s’është virtyt i të filluarit të një pune, por e të vazhduarit më tej, i të kompletuarit dhe i të parit të gjërave larg”.

Krijimi i një atmosfere pozitive, entuziaste realizohet kur arrihet konsensus kombëtar për gjëra madhore, siç është edhe procesi i integrimit në BE. Vendit tonë i duhet një politikë e mënçur pragmatiste që të realizohet ky konsensus. Kërkohet rritja me të njëjtin nivel e pjekurisë së politikës shqiptare për t’iu përgjigjur me të njëjtin standard-standardeve europiane. Kërkohet të ndërgjegjësohen të gjithë shqiptarët për koston e reformave e të ecim së bashku pa dallim bindjesh politike në rrugën drejt Europës. Të vështrojmë drejt të ardhmes dhe të punojmë për të ardhmen. Vizionet janë të mundura e të realizueshme, në mos menjëherë në mënyrë graduale kur ato ngrihen e mbështeten mbi realitetin e prekshëm të kombinuar me një vullnet politik të qartë.

Po të shikojmë rezultatet e anketimit në vite arrijmë në përfundimin se po rritet numri i shqiptarëve që mendojnë se integrimi nuk varet nga Brukseli, por nga reformat e brendshme. Thirrja e brendshme, bindja e brendshme, mbështetja në faktorët e brendshëm, si më kryesoret – na krijojnë mundësinë të hyjmë në kontakt me energjitë e thella që na mbështesin e që na udhëheqin dhe të mos e ndjejmë si më parë frikën, lodhjen, por të arrijmë më shpejt atje, ku i kemi vënë vetes qëllimet dhe objektivat tona.

Ndërgjegjësimi i qytetarëve për domosdoshmërinë e integrimit sa më shpejt të vendit tonë në BE

Ndërgjegja e individit është faktor i rëndësishëm i motivacionit të tij. Procesi i integrimit europian është proces i motivuar i shqiptarëve për të qenë në familjen europiane. E lidhur kjo me dëshirën e afirmimit të shqiptarëve si komb i barabartë me kombet e Europës, me dëshirën e fortë për zgjidhjen e problemeve ekonomike, me mënyrën që i ka zgjidhur edhe Europa, me dëshirën për të përqafuar të renë në teknologji, në mënyrën e jetesës e të tjerë.

Motivi ynë, tashmë i përcaktuar për integrimin sa më shpejt në BE kërkon:

Së pari, puna me njerëzit të përqëdrohet në vlerësimin e sjelljeve të mira e pozitive, të edukojmë ndjenjën e humanizmit, të tolerancës, solidaritetit, të respektit për zbatimin e ligjit. Integrimi dhe kultivimi i vlerave morale, i rregullave dhe i ligjeve është e rëndësishme. Kjo lidhet me vetë anëtarësimin në BE, i hapur për çdo shtet europian që respekton “parimin e lirisë, të demokracisë e të respektit për të drejtat e njeriut e liritë themelore dhe shtetin ligjor”.

Së dyti, gjithë qytetarët, por edhe klasa politike duhet ta ndjejë thellë përgjegjësinë që ka për të përshpejtuar ose ngadalësuar procesin e integrimit, ku çdo njëri nga ne vendos nga një gur ose e heq në këtë proces. Vetëdija dhe përgatitja psikologjike duhet të jetë pjesë e pandarë. Një këngë e nxënësve në SHBA thotë: “Sa dritë do të kishte bota jonë, nëse secili prej nesh do të ndizte vetëm një qiri shumë të vogël”.

Ne duhet të bëhemi pjesë e BE-së me dinjitet, me veçoritë tona etnopsikologjike, me identitetin tonë. Motivi i afirmimit, i arritjes së suksesit, i interesit, i kureshtjes, i përsosjes, i prestigjit e nxitin individin të vetëpërsoset e të ndihmojë edhe të tjerët për të ecur së bashku në trasene që të çon drejt integrimit europian.

Shqiptari është krenar, preket shpejt në sedër, është i ndjeshëm dhe këto cilësi duhen shfrytëzuar për të ecur më shpejt në rrugën e integrimit. Mbështetja që i jep individi shqiptar procesit duhet përkthyer në energji pozitive për hartimin e politikave sa më të favorshme për të. Për Prof. Dr. Ermelinda Meksi, Ministre e Integrimit Europian në vitet 2002-2005: “Faktori vendimtar për shpejtësinë në integrimin europian jemi vetë ne, përmes largpamësisë së vizionit, lidershipit dhe ndërgjegjësimit për kompromiset tona politike”.

Roli i interesimeve tek njeriu, veçanërisht tek të rinjtë është i madh, aq më tepër kur këto janë të forta, të thella, afatgjata. Interesimet duke nxitur aktivitet që çon në sukses, japin kënaqësi për suksesin e arritur. Shqiptarët luftojnë për suksesin dhe e kërkojnë atë më padurim. Edhe kjo cilësi duhet shfrytëzuar më mirë për të përshpejtuar integrimin në Europë.

Aftësitë, shprehitë, shkathtësitë – si pjesë e integrimit më të shpejtë në BE

Aftësitë janë tipare individuale të personalitetit të njeriut që individit i mundësojnë sukses të dalluar në një fushë veprimi të caktuar. Nga llojet e aftësive – aftësitë mentale, aftësitë intelektuale, aftësitë e larta mëndore janë më të rëndësishmet. Një shkollë e integruar në sistemin arsimor europian e realizon këtë mision. Shprehitë janë tërësi lëvizjesh të mësuara në bazë të ushtrimeve sistematike dhe që ekzekutohen automatikisht, kurse shkathtësitë janë ekzekutim i shpejtë dhe i saktë i veprimeve të caktuara profesionale, sportive e të tjerë, janë zhdërvjellshmëria e njeriut në punë, në lojë. Që të dyja e ekonomizojnë shumë veprimtarinë e individit duke krijuar premisa dhe kohë për veprime intelektuale dhe produktive. Fillojnë të mësohen qysh në moshë të re. Ne e kemi të domosdoshme t’i aftësojmë nxënësit, t’i shkathtësojmë se kemi humbur shumë kohë dhe duhet të arrijmë kohën e humbur. Kjo kërkon ndryshime në programet dhe tekstet tona.

Strategji të reja komunikimi për integrimin në BE

      Problemi i strategjisë, i metodave dhe i teknikave të komunikimit me publikun dhe me negociatorët europianë – është çelësi i suksesit për përshpejtimin e integrimit. Ne si popull i një vendi që aspiron të bashkohet me familjen e madhe europiane dhe që ka hyrë në procesin e integrimit kemi nevojë që “ta zbulojmë” BE-në, historinë e këtij organizmi, thelbin, politikat e integrimit gradual e të gjithanshëm, përfitimet dhe detyrimet e të qenit anëtar të tij, kushtet e pranimit, mekanizmën e funksionimit të institucioneve të përbashkëta e të tjera.

Komunikimi në çdo rast e kurdoherë është mëndësi, ndjenjë, sjellje

“Duhet ndryshuar rrjedha e ngjarjeve. Për këtë duhet ndryshuar shpirti i njerëzve”. Psikologjia e komunikimit na mëson se për të qenë të komunikueshëm nuk mjaftojnë vetëm udhëzime në formë recetash. (Aq më tepër kur komunikohet me Europën e lashtë, të fuqishme, të qytetëruar e moderne). Ajo çfarë duhet për t’u mësuar rreth dërgimit dhe marrjes së një mesazhi, është të kuptuarit e asaj që ndodh kur komunikojmë, si dhe aftësia për t’iu përshtatur rrethanave të komunikimit. Mesazhet tona për Europën duhet të jenë të qarta, miqësore, me rreze të gjerë veprimi. Po kështu mesazhet e saj duhen kuptuar e zbërthyer në kohë, me inteligjencë. Është shumë i rëndësishëm edukimi i sjelljes komunikative për zhvillimin e aftësive, shkathtësive dhe të shprehive të komunikimit me tipare qytetare. Kjo duhet të jetë pjesë e punës së shkollës sonë. Për të ndërtuar një shoqëri është e domosdoshme t’i prekësh njerëzit në ndjenja. Fuqia e fjalës është forca e vërtetë lëvizëse në mbretërinë e padukshme të mendimit. Sipas filozofit Umberto Eko “Kultura e integrimit është në vetë qenien e njerëzimit, ajo është kultura e identifikimit planetar, e mbijetesës, por gjithmonë një kulturë me pluralitet të gjallë dhe të shumëfishtë”. Nisur nga kjo janë mjaft të rëndësishme, gjurmëlënëse dhe me ndikime pozitive takimet në formë diskutimesh me fokus:

  • të përmirësohen njohuritë publike dhe të kuptuarit e BE-së,
  • të shpjegohen ndërlikimet që do të ketë secili vend për shkak të pranimit,
  • të shpjegohen lidhjet ndërmjet ecurisë së përgatitjeve për anëtarësim dhe progresit të negociatave.

Debate dhe diskutime ka edhe për pozicionin e qytetarit europian në procesin e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ne duhet të marrim iniciativën në komunikimin me BE-në. Kjo kërkon një përgatitje serioze, qëndrime të mënçura, njohje të shkëlqyer të vendeve të BE-së, të psikologjisë së tyre, gjetjen e momentit të përshtatshëm të komunikimit, një komunikim cilësor. Në komunikimin me BE të zërë më shumë vend strategjia e vrojtimit, e ndërhyrjes, kur është e nevojshme, strategjia e afrimit real me Europën, (jo me fjalë, por me vepra), strategjia e bashkëpunimit, e partneritetit, e bindjes, e nxitjes dhe e mbizotërimit të situatës, e shmangies së konflikteve, e tolerancës dhe e mirëkuptimit, e përshtatjes së sjelljes, e këmbënguljes në motivin kryesor dhe në mbrojtjen e interesave kombëtare.

Shqiptarët duhet të informohen mbi politikat e integrimit të Shqipërisë në BE, mbi procesin dhe veçoritë e funksionimit të institucioneve të BE-së, me qëllim që ata të zhvillojnë programet e tyre mbi një bazë të mirëinformuar. Shkolla ka një rol të rëndësishëm me kurrikulat e saj bashkëkohore europiane.

E rëndësishme është të përdoren teknika komunikimi që favorizojnë një situatë besimi reciprok, si për shqiptarët edhe për europianët. Këto teknika komunikimi ndikojnë pozitivisht në rast se aplikohen mjetet e reduktimit të vështirësisë në dialog dhe përzgjidhen qëndrime të përshtatëshme që japin rezultat. Integrimi europian dhe politika publike janë të lidhura pazgjidhshmërisht me njëra-tjetrën. Politika publike qëndron tek qytetarët që veprojnë vetë, që veprojnë për të fituar një kontroll më të madh mbi të ardhmen e tyre. Shqiptarët me të drejtë duan të dinë më shumë për Europën, për politikën, ekonominë, kulturën, traditat dhe historinë e saj. Këta kërkojnë një rrahje mendimesh publike për çështjen e integrimit. Rrahje mendimesh nuk do të thotë thjesht të bisedojnë për çështje të ndryshme ose të kuptojnë njëri-tjetrin. Rrahje mendimesh efektive nuk mund të ketë pa vendime që lidhen me atë se si duhet vepruar në publik. Demokracia është vizion i një bashkëpunimi të vullnetshëm, mbi të cilin lindin shumë nisma të rëndësishme. Duhen orientuar e kanalizuar këto edhe në drejtim të integrimit europian të shkollës sonë. Integrimi realizohet nga njerëz me vështrim të përbashkët dhe mbi bazën e forcës së zotimeve të ndërsjellta. Strategjia e re e komunikimit duhet të ketë në thelb rritjen e pjesëmarrjes dhe të rolit aktiv të publikut deri në vendimmarrje të rëndësishme.

      Format dhe metodat për ta realizuar këtë janë të shumëllojshme. I kemi mundësitë të bëjmë gjëra të bukura, tërheqëse dhe të dobishme. Kemi dy avantazhe: kapacitetet intelektuale dhe përvojën e vendeve të Europës Lindore (gati pothuajse të gjitha këto vende e kaluan me sukses provën e madhe, betejën e madhe të integrimit të plotë europian),

Çfarë mund t’u ofrohet shqiptarëve në të ardhmen në këtë drejtim?

  • Një punë më e kualifikuar për të përcjellë tek brezi i ri mesazhin e rëndësishëm.
  • Përshpejtimi apo ngadalësimi i integrimit është në dorën tonë, varet nga shqiptarët, nga forcat politike në vendin tonë, nga konsensusi midis tyre, nga zbatimi i reformave në të gjitha fushat.
  • Shqiptarët duhet ta kenë të qartë se “mrekullia europiane” u arrit me punë, edhe “mrekullia shqiptare” këtë rrugë do të ndjekë. Integrimi kërkon punë, punë, punë, por nënkupton edhe shpenzime, ka koston e tij financiare dhe kërkon të arrihen standardet.

Para se të japim data për pranimin në BE të ulemi e të punojmë seriozisht që procesi të ecë natyrshëm dhe shpejt.

     Integrimi europian i vendit tonë është një proces objektiv, i pakthyeshëm – projekti më i madh i shqiptarëve që nga rënia e sistemit totalitar. Në BE e shohin shqiptarët të ardhmen e tyre. Fjala “Europë” nuk përfaqëson një fenomen gjeografik, por një nocion shpirtëror. Në anketimet e zhvilluara vite më parë 89% e shqiptarëve shprehen pro anëtarësimit në BE. Motivet janë të shumta: avantazhe ekonomike, stabilitet politik, konsolidimi i demokracisë dhe i shtetit ligjor, lëvizja e lirë e shqiptarëve.

      Dëshirën e shqiptarëve për të qenë pjesë e Perëndimit, e Europës e kanë shprehur para një shekulli Rilindasit tanë. Vargjet: “Jak, o ditë e uruar që lint nga perëndon” – janë tepër domethënës, aktualë edhe për ditët e sotme dhe shprehin lidhjet e kahershme shpirtërore të shqiptarëve me Perëndimin. Robert Shuman na mëson: “Europa nuk do të bëhet e gjitha njëherësh. Ajo do të ndërtohet përmes arritjesh konkrete”.

      Radhën e kemi ne tani që nëpërmjet reformave, punës sonë të pandërprerë të bëhemi pjese e BE-së sa më parë. Ne kemi nevojë për Europën, por edhe Europa ka nevojë për ne. BE-ja është shtëpia e përbashkët e qytetarëve të Europës.

      Duke u bërë pjesë e BE-së, ne mbrojmë me më shumë vendosmëri liritë themelore, krijojmë më shumë siguri, bëjmë më shumë drejtësi, zhvillojmë ekonominë, forcojmë shtetin ligjor. BE-ja na mëson të gjejmë konsensusin për reforma dhe vendime madhore.

       Bashkëpunimi dhe përgjegjshmëria e të gjitha forcave politike, e të gjithë qytetarëve – janë fjalët kyçe në rrugëtimin e vështirë e të gjatë, por të domosdoshëm drejt BE-së. Europa ka prodhuar arsyen dialogjike, njëherazi kritike dhe konstruktive. Mbi të gjitha nisur nga shembulli dhe vlerat e Europës ne duhet të jemi më shumë humanë, sepse humanizmi është një krijim origjinal dhe tipik i kulturës europiane. Projektuesit e Europës së Bashkuar kanë nënvizuar se Europa u bë nocion gjeografik vetëm pse u bë nocion historik.

       Pranvera e Europës është gjithnjë përpara nesh…

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …