Skender Demaliaj

Dr. Skënder Demaliaj: PROFESOR SERVET PËLLUMBI FILOZOF, SOCIOLOG DHE POLITIKOLOG PLURALIST       

Pas viteve `90 Profesor Servet Pëllumbi ka qenë tepër aktiv në politikë dhe në botime shkencore. Çdo vit ka dalë para lexuesit me libra, analiza, refleksione për filozofinë, sociologjinë dhe politikën.

     Veprat e tij janë:

 

Ç’është Feja (1962)

Formimi i filozofisë marksiste (1981)

Fjalori i Filozofisë (1974, 1983)

Nga Materializmi në Idealizëm (1987)

Dritëhije të tranzicionit (2000)

Të mendosh ndryshe (2001)

Gjurmime sociologjike (2002)

Sprova në sociologjinë politike (2002)

Edhe politika do moral (2005)

Pluralizmi politik-Përvojë dhe sfida (2006)

Bashkëbisedim për politikën (Libri i parë, 2007)

Demokracia dhe zëri i moralit (2008)

Globalistika-refleksione për një epokë (2009)

Filozofia e aktualitetit (2010)

Fjalor Filozofik (2011)

Bashkëbisedim për politikën (Libri i dytë, 2011)

Bashkëbisedim për politikën (Libri i tretë, 2012)

Integrimi dhe nacionalizmi (2013)

Etikokracia (2013)

Kultura filozofike dhe misticizmi: (vlera & antivlera) (2014)                                               

Përmbysja e “komunizmit” (2015)                                                                                          

 

Pluralizmi i dytë: ese-analiza-intervista (2015)                                                                        

Përvoja ime në Partinë Socialiste: ditar politik: (1991-1996) (2016)                                      

“Fundi” i filozofisë politike: (shënime nga “Laboratori i ideve”) (2017)                                                    

Për një filozofi ndryshe (2018)                                                                                                

Servet Pëllumbi: fjalime në Kuvendin e Shqipërisë  (2019)

 

Shqetësimet e Profesorit janë:

  • Njerëzit tek ne nuk arrijnë të kuptojnë dallimin midis idesë së demokracisë dhe realitetit. Duke u ndeshur me halle dhe shqetësime të shumta, duke mos u realizuar ajo që ata prisnin nga demokracia ia venë fajin demokracisë.
  • Deformimet historike të aspekteve të pluralizmit që kanë të bëjnë me vendin dhe rolin e forcave politike dhe të protagonistëve politikë.
  • A u shoqërua demokracia në vendin tonë me vlera të tilla si drejtësia, morali, përparësitë e personalitetit njerëzor që ajo të jetë reale, e vërtetë dhe e pamposhtur?
  • Si të kuptojmë drejt natyrën historike të ndryshimeve?
  • Përse shoqëria jonë vazhdon me praktikën e vonesave në procesin politik dhe në vendimmarrje, me praktikën e harxhimit të shumë energjive, me një politikë me grindje shterpë e konflikte rrënuese midis protagonistësh që e quajnë veten të pagabueshëm dhe të përjetshëm në politikë?
  • Qëndrimet e forcave politike dhe të politikanëve para, gjatë dhe pas një fushate zgjedhore.
  • Si duhet ta kuptojmë kulturën e kritikës, “kulturën e posterave”, kulturën politike që mbështetet mbi punën.
  • Çështjet e moralit dhe kodet morale që duhet të ekzistojnë në politikë.
  • Përqëndrimi i pushtetit në një dorë të vetme.
  • Tranzicioni i tejzgjatur dhe “uniteti” i forcave demokratike.

Për një filozofi ndryshe

      Filozofia sipas Fjalorit sociologjik i drejtohet një spektri të gjerë çështjesh të lidhura ndërmjet natyrës së të kuptuarit, logjikës, gjuhës dhe shkakësisë.

       Na duhet një filozofi ndryshe për të ndryshuar të kuptuarit e botës, pra një mënyrë kritike të menduari.

       Për Prof. Servet Pëllumbin, filozofia ndryshe është filozofia e jetës. Filozofia ndryshe është e lidhur me realitetin ndryshe. Ai e sheh filozofinë ndryshe nga ajo klasike tradicionale, apo si intelektologji që ofron ndihmesën e vet për zgjidhjen e problemeve që lindin sot në pikat e takimit të shkencave të ndryshme, natyrore dhe shoqërore, apo për sqarimin e raporteve të reja midis shkencave te sotme dhe teknologjisë së lartë të bazuar mbi intelektin artificial që shoqërohet me skepticizëm të motivuar.

      Nuk kërkohet ndonjë filozofi e historisë, si ajo e Hegelit dhe as ndonjë materializëm historik, si ai i Marksit, por një rikonceptim i problematikës së sotme që aktualiteti si objekt i filozofisë ndryshe të dallohet nga aktualja dhe të marrë vulën krijuese të subjektit që e zgjedh dhe e krijon vetë objektin e njohjes dhe të reflektimit politik. Kjo e bën atë filozofi të edukimit, për të cilën ka aq shumë nevojë shoqëria e sotme njerëzore… E rëndësishme mbetet që edhe trajta e sotme e filozofisë të ruajë përgjithësisht karakterin specifik të mendimit filozofik dhe të aparatit të saj konceptual, si edhe kohezionin e brendshëm që idetë diverse, metodat dhe parimet metodologjike të nënkuptojnë dhe të depërtojnë reciprokisht në njëri-tjetrin. Po ashtu, ajo duhet të jetë e hapur, pluraliste, dialoguese.

      Në libër gjejmë thirrjen për një filozofi praktike, nisur nga Katërkëndëshi i Kantit: Çfarë mund të bëj unë? Çfarë duhet të bëj? Për çfarë mund të guxoj të shpresoj? Ç’është njeriu? Këto përbëjnë thelbin e filozofisë praktike.

      Sipas filozofisë ndryshe, njerëzit edhe në shoqërinë e informacionit kanë për të jetuar në kushte mosbesimi. Sepse nga vetë natyra dhe institucionet në shërbim të saj, shpesh edhe në mënyra të pavetëdijshme shtohen si niveli, ashtu edhe faktorët që dobësojnë apo edhe shkatërrojnë besueshmërinë e njerëzve.

      Frojdi mbon idenë se nënshtresat e shumta të shpirtit, të vetëdijes e të pavetëdijes që drejtojnë personalitetin, ndjesitë e së vjetrës, me ato të së resë, pra të plakut me ato të të riut sjellin si pasojë që njeriu të kërkojë maksimumin nga jeta ose të paktën një dimension më tepër që i mungon këtu në tokë.

      Filozofia ndryshe kërkon më shumë transparencë, përdorim më me efektivitet të teknologjisë shifrore, kontroll për realizimin e vendimeve e të programeve konkrete, rritje të shpirtit të iniciativës ligjvënëse të qytetarëve, të ekspertizës së tyre, të llogaridhënies së pushtetarëve para tyre, ballafaqim të vazhdueshëm për mbajtjen e premtimeve, jo vetëm kur afron dita e zgjedhjeve. Filozofia ndryshe kërkon politikanë e lidership larg klaneve dhe oligarkëve. Prapa filizofisë ndryshe qëndron kërkesa për një botë tjetër nga e sotmja, ku pritet që të forcohet revolta e individit ndaj së vjetrës, ndaj pushtetit të traditave dhe “tiranisë” së steriotipeve ideologjike, shoqëruar me kërkesën e fokusimit të së ardhmes tek njeriu konkret i të adhrmes me shkallë të lartë organizimi, me intelekt të zhvilluar, me kapital kulturor, me aftësi krijuese dhe shprehi praktike. A jemi të përgatitur për këtë situatë? Jo. A kemi studime dhe prognoza nga politologët shqiptarë për botën e nesërme të re? Jo. A është e pasqyruar dhe e reflektuar në programet elektorale të partive kjo botë e re? Jo. A jemi të përgatitur psikologjikisht për të ndërmarrë reforma të thella, të guximshme për të fituar kohën e humbur në këto 29 vite? Jo.

      Nga këndvështrimi i filozofisë ndryshe, Profesor Servet Pëllumbi në librin e tij përcakton edhe rrugët sesi mund të arrihet kjo: të bëhen analiza të thella për të zbuluar faktorët objektivë që e bëjnë procesin e ndryshimeve të jetë permanent dhe i çliruara nga spontaniteti, si edhe metoda adekuate që faktorët subjektivë të kuptojnë se e ardhmja “gatuhet” dhe “ rritet” në të sotmen nëpërmjet ideve, qëllimeve e veprimeve të njerëzve, të gërshetimit të globalizmit me individualizmin, me gjenerimin e “bijve të shekullit të ri” për të cilët shkruante Migjeni.

Ndihmesa e tij në zhvillimin e sociologjisë shqiptare

Në vendet ish-socialiste, ku përfshihet edhe Shqipëria, sociologjia konsiderohej (shkencë borgjeze). Teza e Leninit ose ideologji borgjeze, ose ideologji proletare, të mesme nuk ka, luajti rolin përcaktues për etiketimin si borgjeze të çdo lloj sociologjie që nuk përfshihej brenda skemës së “filozofisë marksiste-leniniste”. Në Shqipëri sociologjia ishte unifikuar me materializmin historik. Në Fjalorin e Gjuhës së Sotme Shqipe (1980:1772) jepet ky përkufizim i sociologjisë: “Shkencë që studion dukuritë dhe anët e ndryshme të jetës së shoqërisë, të grupimeve të ndryshme shoqërore e të marrëdhënieve në shoqëri. Sociologjia paramarksiste (borgjeze), sociologjia e përgjithshme marksiste, materializmi historik, sociologjia konkrete. Baza e sociologjisë shkencore është materializmi historik”. Në Fjalorin e filozofisë (1982: 400-401) thuhet: “Zbulimi i kuptimit materialist të historisë nga Karl Marksi bën të mundur shndërrimin e sociologjisë në shkencë. Materializmi historik, sociologjia marksiste është e vetmja teori shkencore mbi shoqërinë dhe ligjet e përgjithshme të zhvillimit të saj, e vetmja bazë botkuptimore e metodologjike për studimet e veçanta sociologjike”.

Profesori është ndër të parët që e zhvilloi lëndën e sociologjisë në shkollat e larta pas një miratimi gjysëmzyrtar në vitin 1986. Mbrojti gradën shkencore “Doktor i Shkencave Sociologjike” në vitin 1989. Nga kundërshtarët e tij brenda dhe jashtë Partisë Socialiste është quajtur një filozof apo sociolog marksist. Në fakt ai është filozof e sociolog pluralist. Njeh sot për sot si askusht tjetër shkollat e mendimit filozofik e sociologjik. Është ndër themeluesit e Institutit Shqiptar të Sociologjisë dhe drejtues i tij.

Për Profesorin kurba e interesimeve të shqiptarëve për politikën është në rënie. E kishte paralajmëruar para 20 vitesh dhe koha i dha të drejtë. Si sociolog jep arsyet përse ndodh kjo:

  • rënia e prestigjit të veprimtarisë politike,
  • konfliktualiteti,
  • politika është larg interesave publike,
  • korrupsioni i pushtetarëve dhe mosndëshkimi i tyre,

Siç ka vënë në dukje Profesor Lekë Sokoli, me shumë qartësi Profesor Servet Pëllumbi ka bërë dallimin midis komunitarizmit dhe komunizmit e “manifesteve” respektive të tyre, duke e cilësuar komunitarizmin si lëvizje historike botërore të së ardhmes. Ai shkruan: “Në manifestin komunist të Marksit dhe të Engëlsit nuk bëhet fjalë për reformimin e shoqërisë, por për revolucion me dhunë, për lidhje të fatit të njerëzimit me “misionin historiko-botëror të proletariatit”, mision që duhej të realizohej përmes një lufte të ashpër klasore dhe diktaturës së proletariatit”. Eksperimentin komunist në vendet ish-socialiste e quan një eksperiment të surrogatëve të bashkësive kolektive të dështuara, të cilin askush nuk do që t’i rikthehet.

Profesori shtron tezën: Si dhe pse ndodhi edhe tek ne që një forcë politike e djathtë si PD-ja të futet në një krizë të thellë e të shndërrohet gradualisht në një forcë regresive antidemokratike. Analizon të gjithë faktorët: vazhdoi të qeverisë sipas konceptit “më pak shtet”, nuk ndoqi një politikë të paqes sociale, të pajtimit e të harmonisë kombëtare dhe të arrinte një kohezion moral të popullit shqiptar. Sipas tij PD-ja u pozicionua në kundërshtim me logjikën e tranzicionit, duke krijuar një hendek të thellë midis idealeve demokratike, në emrin e të cilave e mori pushtetin dhe realitetit. Deformoi votën e lirë, instaloi një demokraci autoritare. Asnjëherë nuk e kuptoi se në demokraci luftohet vetëm me mjete demokratike.

Është quajtur Sokrati shqiptar

Studiuesit e veprës dhe veprimtarisë së tij politike kanë nënvizuar se Profesor Servet Pëllumbi pasqyron në mënyrën më të mirë tri cilësitë kryesore të një politikani racional, të përshkruar nga Maks Weber: pasioni objektiv, ndjenja e përgjegjësisë dhe një gjykim i distancuar. Ai nuk karakterizohet me kotësinë, e cila e bën politikanin të papërshtatshëm dhe të papërgjegjshëm. Është një politikan i përgjegjshëm, nuk është politikan që jeton prej politikës, por politikan që jeton për politikën. Sokrati, filozofi i madh grek nuk pati frikë të thoshte e të mbronte të vërtetën. Po kështu edhe Profesori e thotë dhe e mbron të vërtetën edhe kur i rrezikohet karriera politike dhe jeta. Kurajo në mbrojtje të së vërtetës dhe njerëzve kurajozë si ai – është linja konstante e qëndrimeve dhe e veprimtarisë së tij politike. Ai e vlerëson të Madhin Dritëro Agolli si një nga këshilltarët më të mirë dhe të urtë. Fjala e tij në Kongresin e Partisë së Punës luajti rol vendimtar për të sjellë ndryshimin dhe për të mbyllur kapitullin e kësaj partie dhe lindjen e Partisë Socialiste të Shqipërisë. Nuk ishte e lehtë të mbaje një ligjëratë të tillë para qindra militantëve fanatikë që kërkuan varjen në litar, pushkatim për Dritëroin.

Skenën politike filluan ta dominojnë politikanë të tipit weberian, të cilët rrojnë e pasurohen nga politika dhe jo ata që rrojnë për politikën. Këta politikanë i hapën rrugën korrupsionit dhe u korruptuan sipas parimit “sheh rrushi rrushin e piqet”, e shndërruan politikën në pazar interesash, në strategji të konflikteve destabilizuese dhe të “drejtimit përmes kaosit”. Në këtë analizë, të trajtuar hollësisht në librin “Pluarizmi i dytë” buron thirrja e tij për një pluralizëm të dytë, me vizion e ide të reja, me njerëz të rinj (jo vetëm në moshë), të emancipuar dhe me moral të lartë. Kërkohet një reformim i thellë i sistemit politik. Vetëm kështu mund të rikthehet besimi i qytetarëve tek politika. Ai e kuptoi politikën për të ndërtuar një shoqëri më të mirë, jo dëshirë për fuqi, pasuri dhe ndikim. Është Profesori që dëshiron ta edukojë politikën, është filozofi që dëshiron të sjellë parime etike në politikë. Jo makiavelizmi, por konceptet etike kantiane janë orientimi i tij. Suksesin në sistemin socialdemokrat të Suedisë, Norvegjisë, Danimarkës, Finlandës e shpjegon me politikat e mira ekonomike, sociale, të reformave sociale, me të bërit e shtetit më reagues dhe efektiv. Përfundimi nga analiza e tij është: “Në këto vende shteti është popullor jo pse është i madh, por sepse funksionon”. Funksionon se sundon ligji dhe themeli i një shoqërie demokratike është, pikërisht sundimi i ligjit. Sipas Xhon Lock “Ku s’ka ligj, nuk ka liri”, kurse për Rusoin “Liria ndjek përherë fatin e ligjeve, ajo jeton e vdes bashkë me to”.

Në vitin 1996 ai dha dorëheqjen nga zëvendëskryetar i Partisë Socialiste të Shqipërisë se idetë dhe platforma e tij nuk u mbështetën nga drejtuesit e atëhershëm të saj. E drejtoi me kompetencë, me urtësi, me përgjegjshmëri të lartë, me qytetari Kuvendin e Shqipërisë në vitet 2002-2005. U tërhoq nga jeta politike, pikërisht në këtë vit në mënyrë dinjitoze.

Epilogu

Për Profesorin politika është mision, ide, fantazi, ndjenjë, ndershmëri dhe përkushtim qytetar. Mishëron devizën e politikologut ideolog. Si qytetar, filozof, politikan ai bën thirrje mbi nevojën e përpunimit të një sistemi të ri vlerash, të një filozofite politike kombëtare, qëllimi kryesor i së cilës të jetë gjetja e mënyrave më të mira të veprimit politik e atdhetar për realizimin e interesave dhe të unitetit kombëtar, të stabilitetit të rendit demokratik, të sigurisë dhe mirëqënies së qytetarëve. Mesazhi që ai përcjell në botimet e tij është: Që shoqëria shqiptare të ngrihet në një stad të tillë emancipime e pjekurie politike, nevojë e ngutshme është reformimi demokratik i udhëheqjes politike, nevoja për politikanë vizionarë e me intuitë të zhvilluar, të cilët dinë të vënë në lëvizje burimet e brendshme të zhvillimit ekonomiko-shoqeror të vendit, që kanë aftësi bindëse dhe që dinë të fitojnë ndershmërisht pëlqimin e zgjedhësve të tyre në prtitë përkatëse apo në elektorat.

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …