Brickos

Dr. Zymer Neziri

Dr. Zymer Neziri: Peja ’68 dhe 50-vjetori i kërkesave për Republikë, Kushtetutë e Vetëvendosje, 19.10.2018

Viti 1968, me kërkesat kryesore për Republikë, Kushtetutë e Vetëvendosje u bë pjesë e historisë më të re dhe lidhet edhe me kohën nga Kongresi i Berlinit, 1878, kur Fuqitë e Mëdha e copëtojnë Shqipërinë dhe krimi i tyre vazhdoi me ricopëtimin e Shqipërisë dhe në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, më 1913. Viti 1968 ta kujton se sot Republika e Kosovës ka vetëm një pjesë të vogël të territorit të Vilajetit të Kosovës dhe bashkë me Republikën e Shqipërisë kanë vetëm afër gjysmën e viseve shqiptare. Siç e dini, ajo u copëtua edhe sivjet, më 21 mars, kur 80 deputetë ia dhuruan Malit të Zi një të tretën e Rugovës dhe një pjesë të Podgurit. Viti 1968 lidhet me kohën kur tre milionë shqiptarë ishin nën sovranitetin e Serbisë, të Maqedonisë e të Malit të Zi, dhe dolën në demonstrata. Demostratën e parë e organizoi Grupi i studentëve të Shkollës së Lartë Pedagogjike në Prizren. Ky grup, në krye me studentin Meriman Braha, ishte bërthamë e organizimit në Rrafshin e Dukagjinit, në Prizren, më 6 tetor, në Therandë (Suharekë), më 8 tetor, përgjegjës Haxhi Bajraktari, dhe për Pejë, më 19 tetor, përgjegjës Zymer Neziri.  Ky grup ishte në lidhje edhe me një grup tjetër, për Rrafshin e Kosovës, në Prishtinë. Lidhjen e mbante studenti Isa Demaj, që veproi edhe në themelimin e Grupit të Pejës, në organizimin e Demonstratës në Pejë dhe mori pjesë edhe në Demonstratën e Prishtinës, ku u plagos.

Grupi i Pejës, ku bënin pjesë edhe Ramadan Blakaj dhe Xhemajl Gashi, organizoi grupe pune në qytet (nxënës, studentë, arsimtarë, zejtarë, fshatarë) dhe veproi në ilegalitet të thellë. Nga grupet në qytet, kryesori ishte ai i Shkollës Normale: Miftar Tishuku, Demë Mulliqi, Rexhep Ferizi, Sylë Kuçi, Sadik Binaku. Xhemajli e koordinonte punën me këtë grup dhe veproi me shumë përkushtim. Edhe Ramadani veproi me kujdes dhe guximshëm me grupin thetër, të Shkollës Ekonomike. Organizime u bënë edhe në Gjimnaz dhe pjesërisht në Shkollën e Lartë Komerciale.

Zejtarët Rexhep Berisha e Ali Azem Lajçi, me nx. Emine Neziri kanë përgatitur tërë natën shenja identifikuese kuq e zi për demonstrantë, kurse studenti Murat Gorani e pranoi detyrën dhe e solli në Pejë flamurin nga Prizreni. Dua të shtoj se për flamurin kishim më shumë frikë nga ndonjë sulm i popullsisë malazeze sesa nga policia, prandaj u krijua edhe njësiti i mbrojtjes së tij dhe ai ishte shumë i suksesshëm para rrezikut te St. i Trenit. Fatkeqesisht, ai u dogj në pranverën 1999.

Peja dukej madhështore më 19 tetor 1968, nga brohotitjet e rreth 7000 demonstruesve për Republikë, për Flamur, për Kushtetutë e për Vetëvendosje. Peja nuk ka qenë asjnëherë më e gjallë se atë ditë nga këngët atdhetare, që ushtonin deri në Zatra e në Tabje dhe deri në Grykë të Rugovës. Peja i shtroi edhe me shkrim kërkesat e veta, që u lexuan në shesh, dhe ia lëshoi radhën Prishtinës. Ndihmuan në organizim edhe Sadri Kelmendi, arsimtar, Riza Smaka, student, Tafë Shala, bujk, nx. Hatmane Selmanaj, Shahë Fetaj, Shpend Blakaj, Sadik Gashi e shumë e shumë të tjerë. Sa do të doja t’i përmend të gjithë, por kjo sot nuk është e mundur. Ndihmë dha edhe brezi tjetër: Ramadan Shala, Remzi Baloku, Neziri Gashi, Murteza Nura, Avni Lama, Ymer Neziri etj., si dhe brezi para tyre: Sylë Mehmeti, Mulla Zekë Bërdynaj, Sami Peja, Hajrullah Gorani etj.

Sot, përulemi para pjesëmarrësve të 19 tetorit ‘68, që nuk jetojnë më. I kujtojmë me respekt  mbrojtësit tanë nga sulmet politike dhe akuzat, në tubimet e bashkësive lokale, kurse Kapeshnicën e trimërisë e kujtojmë me krenari, ku u mbajt edhe takimi i parë i Grupit të Pejës, te Mullini i Bekës. Brezi ‘68 bën të quhet hallkë historike e bashkimit të kombit të ndarë shqiptar, që i hapi derën Brezit ‘81 dhe shënon fillimin e shpërbërjes së Federatës jugosllave, që tash nuk ekziston, pas luftës fitimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kontrolloni gjithashtu

1 prill 1981

Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba: DOKUMENTE BRITANIKE PËR DEMONSTRAT E VITIT 1981 NË KOSOVË – IV

-30- Konfidenciale GR 550 Fm Beograd 140826Z, maj Direkt për FCO (DESKBY 141030Z)                                                  Kopje …