Dritan Goxhai: Varfëria intelektuale e një zyrtari

 

Duke shfletuar nëpër faqet e internetit Pashtriku.com, më tërhoqi vëmendjen shkrimi i z.Xhavit Halitit rreth nënshkrimit të protokollit midis Serbisë dhe EULX-it. Ky zotëri e quan këtë një gjë të shkëlqyer sepse “ Nënshkrimi i Protokollit të bashkëpunimit ndërkufitar mes misionit EULEX të Prishtinës dhe Beogradit, s’ka bërë gjë tjetër veçse ka njohur pranimin e kufirit aktual mes Serbisë dhe Kosovës. Me këtë akt, që sipas tyre njeh dhe konfirmon kufirin ekzistues mes Kosovës dhe Serbisë edhe në përputhje me të Drejtën Ndërkombëtare, është njohur e afirmuar elementi kyç i pavarësisë dhe sovraniteti”, shkruan ai. Thua të jetë e vërtetë se me këtë nënshkrim, populli shqiptar të jetë bërë sovran? Me sa dihet, sovraniteti është një koncept politik, është një fuqi që ka populli i një vendi për t’u vetëqeverisur.
A vetëqeveriset Kosova? Jo.
Sovraniteti shënon raportin themelor midis bartësve të pushtetit dhe pushtetit; është princip i kontrollit absolut dhe i pakufizuar i popullit ndaj politikbërësve dhe qeveritarëve të zgjedhur prej tij, kur bëhet fjalë për demokracinë. Gjithashtu, një shtet konsiderohet sovran kur mund te zhvilloje edhe luftë me shtete të tjera për realizimin e interesave të veta . (Ukshin Hoti)
Protokolli që EULEX bëri me Serbinë nuk i jep aspak te drejte tezës së z. Haliti. EULEX-i është vendosur në Kosovë vetëm pasi ju zotua dhe i premtoi Serbisë se do të veprojë sipas rezolutës 1244 dhe “neutral”ndaj statusit, që do të thotë kundër pavarësisë së Kosovës. Këtë e përforcoi këto ditë edhe z. Ban Ki Mun. EULEX nga mandati dhe misioni është në Kosovë njësoj si UNMIK-u, sipas marrëveshjes me Serbinë dhe ato çka ju pranuat në maratonën e bisedimeve në Vjenë. Dhe në këtë protokoll, për të cilin ju bëni fjalë, Serbia është e vërtetë që e njeh kufirin e Kosovës, por jo si po mundohet ta paraqesë z. Haliti. Në këtë protokoll, Serbia, kufirin Kosovë-Serbi e quan kufi administrativ dhe jo kufi ndërshtetëror. Kjo vërteton vijimësinë e Rezolutës 1244 për Kosovën. Ky protokoll bën të kundërtën; ai shkel plotësisht sovranitetin dhe integritetin e Kosovës, të cilin zoti Haliti&Co e deklaroi me aq bujë të madhe ditën e shpalljes së pavarësisë. Protokolli nuk tregon aspak plotësim të kushtit te pare të sovranitetit, por kufiri është elementi kyç i integritetit.
Prandaj këtu lindin dy pyetje: ose z. Haliti i ngatërron këto terma ndërkombëtare të shtetit, ose ai është duke vazhduar një politike te mohimit te asaj qe po ndodh në Kosovë, që do të thotë, të kthimit, nga ana juridike, të Kosovës përsëri nën sundim të Serbisë. Ndërsa, sa i përket mospëlqimit të organeve qeveritare të “Republikës së Kosovës” ndaj këtij protokolli, ajo është shume e thjeshte për t’u shpjeguar: Gjithë halli i politikanëve shqiptarë aktualë në qeverisje është pse nuk qenë pjesë e nënshkrimit të atij protokolli dhe jo se janë kundër tij.
Nënshkrimi i këtyre protokolleve dhe mbështetja qe BE i jep kësaj, tregon një logjike të thjeshtë dhe shumë të vjetër: ajo tregon se problemin e Kosovës, BE e shihte atëherë në kontest të raporteve jugosllave, dhe e sheh tashti në kontest te raporteve Serbi–BE, në mënyrë që Kosova vijon te mbetet një vend i brishtë, me të cilën ata mund te luajnë ping-pong. Kjo tregon se në Kosovë, e në veçanti në klasën politike të saj mbizotërojnë parametra politikë te tejkaluar kaherë, dhe një lloj politike që shkon ndesh me realitetin aktual në Kosovë. Si e tille ajo nuk mund te jetë në interes te popullit te Kosovës.
Prandaj e gjithë ajo çka ky zotëri ka dashur te na thotë, është një përpjekje instrumentalizimi, çfarëdo qofte dhe i kujtdo qoftë. Dhe përvoja ka treguar se këto lloj instrumentalizimesh nuk janë bërë kurrë në të mirë te popullit, por vetëm në favor të interesave afatshkurtra te pushtetarëve dhe politikanëve në fuqi. Këta zotërinj që na parashtrojnë kujdesin dhe vëmendjen e ndërkombëtarëve ne te tilla çështje, mesa duket e pandehin Kosovën oborr të eksperimenteve te ndryshme të raporteve ndëretnike, me qellim te konstatimit se a është e mundur te çlirohen nga instrumentalizimi i vetes ne interes te politikave te huaja; me ata të cilët e pandehin Kosovën si parcele të përzierjes se kulturave, për te sprovuar teoritë e llojllojshme qe në fund te arrijnë të konstatojnë se a do te ishte i mundshëm respektimi i te drejtave legjitime te shqiptareve. Pra i vetëvendosjes.
Ndërsa sa i përket shkrimit “Loja e dëmshme me termat“, z. Haliti vepron sikundër e shpjegon profesor Ukshin Hoti: “Vështirësitë më të mëdha lidhen me faktin se subjektet politike, gjatë fazave te ndryshme te zhvillimit të ndonjë procesi, duke synuar kontrollimin e tyre, me metoda te ndryshme dhe përmes mjeteve te komunikimit, qëllimisht ua ndryshojnë kuptimin fjalëve dhe u japin përmbajtjen që iu përshtatet interesave te tyre ne momente te caktuara politike“. Dhe ja përmbajtja që Xh Haliti i jep sovranitetit të popullit të Kosovës: “Duke thënë që sovraniteti mbështetet në idenë që populli duhet të vendosë në çdo rast dhe kurdoherë për fatin e vet, pra të vendosë për krijimin e shtetit, miratimin e Kushtetutës dhe për çdo ngjarje tjetër madhore me referendum, pa ndërmjetësinë e Parlamentit etj, jo vetëm nuk i ndihmojmë të vërtetës dhe ecurisë normale të proceseve, por dhe bëhemi pengesë për to. Ndoshta arbritrarisht, por do ta quaja “demokraci romantike” idenë që populli ka të drejtën dhe mundësinë të vendos për fatin e vet”. Sikundër shihet,Xhavit Haliti në këtë shkrim i mohon popullit të qenit sovran i Kosovës, që do të thotë se Xh Haliti mohon vetveten. Ai i mohon popullit në Kosovë të drejtën e kontrollit mbi parlamentin dhe qeverinë, nga që i ka zgjedhur ata dhe ata tashti paskan të drejtën të bëjnë çfarë të duan dhe si të duan. Dhe këtë na e quan demokraci. Që t’ia bëjmë më të qartë z. Haliti legjitimitetin e të qenit të popullit sovran në demokraci, mjafton t’i citojmë ish presidentin amerikan Beniamin Franklin: “Në qeveritë e lira qeveritaret janë shërbëtorët, ndërsa populli superior dhe sovran”. Ky zotëri po tenton t’ua ndërroje vendet këtyre koncepteve.
Këta zotërinj duhet ta kenë të qartë se populli i ka zgjedhur për të bërë ligje dhe jo për të miratuar ligje, sepse ligjet themelore i miraton populli me referendum. Një milionë e pesëqind mendje janë me shumë se 100 mendje te parlamentit. Parlamentarët kanë të drejtën të përfaqësojnë popullin në kuvend, dukë hartuar ligje në interes të tij, por jo të mendojnë në vend të tij.
Jo më kot në Kosovë ekziston proverbi: “Mos e vet se të kallëzon vetë”. Ndoshta pa dashje z Haliti tregon të vërtetën se pse popullit shqiptar në Kosovë nuk iu dha e drejta e vetëvendosjes ose e shprehjes se vullnetit të tij politik me ane te referendumit 3 vjet pas lufte, sikundër ishte vendosur në Rambuje, nga që “Ndoshta arbritrarisht, por do ta quaja “demokraci romantike” idenë që populli ka të drejtën dhe mundësinë të vendos për fatin e vet”. Dhe pse ai dhe kolegët e tij kanë këtë bindje, prandaj vijojnë te sundojnë mbin popullin e Kosovës së bashku me protektorët, që s’veprojnë ndryshe veç si kolonizues të rinj.
Ndërsa, sa i përket tezes që ky parashtron ky zotëri se: “Në Kosovë kemi kontribuar me sakrifica, luftë, flijim, për të krijuar një shtet të Pavarur dhe Sovran”, dua t’i kujtoj këtij zotëriu sepse kështu i bie që të tallet me gjakun dhe sakrificën e mijëra bijve e bijave te kombit shqiptar qe sakrifikuan mundin dhe jetën e tyre.
Ata që rrëmbyen armët, është e vërtetë që luftuan për të qenë populli sovran, por jo për një Kosovë me flamur, himn e gjuhë ndryshe nga ajo e kombit sikundër e ka miratuar Parlamenti i Kosovës por për bashkim me shtetin amë. Dhe këtë nuk e them unë, por e shpreh teksti i betimit ushtarak të UÇK-së, që bënë të gjithë ata që luftuan, sakrifikuan, u gjymtuan dhe që derdhën gjak. Po e citojmë të plotë atë betim: “Unë, ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, betohem se do të luftoj për çlirimin e tokave shqiptare dhe bashkimin e tyre. Do të jem përherë ushtar besnik, luftëtar i denjë i lirisë, vigjilent, guximtar dhe i disiplinuar, i gatshëm që në çdo kohë, pa kursyer as jetën time, të luftoj për t`i mbrojtur interesat e shenjta të atdheut. Nëse shkel këtë betim, le të ndëshkohem me ligjet më të ashpra të luftës dhe nëse tradhtoj, qoftë i humbur gjaku im. Betohem! Betohem! Betohem!” A mund të themi së ky zotëri dhe kolegët e tij i kanë qëndruar dhe po i qëndrojnë besnikë këtij betimi? A e ka ditur vallë ky zotëri këtë zotim për të cilin “‘kemi kontribuar me sakrifica, luftë e flijim”, sikundër shprehet vetë?
Tiranë, 11.10.2009

Kontrolloni gjithashtu

Prindi i ish presidentit Hashim Thaçi, Haxhi Thaçi ka uruar që sa më parë të kthehen në Kosovë të gjithë që po mbahen në Hagë

Ish kryetari, Hashim Thaçi ka pritur sot në paraburgim prindërit e tij, Haxhi dhe Hyra …