Edi Rama Hashim Thaçi

Edi Rama do ta votonte Thaçin për kryetar të Kosovës e të Shqipërisë, Albini e Vjosa nuk ua përmendin as emrat, në ditën e Pavarësisë

Zyrtarë të lartë të Partia Socialiste të Shqipërisë janë  takuar  në Tiranë për të diskutuar ndër të tjera edhe për emrin e ri të kryetarit të Shtetit, pasi kryetarit surrogat, të korruptuar deri në fyt dhe  arrogant  të Shqipërisë, Ilir Meta i skadon  mandati në korrik të këtij viti.

I pyetur nga gazetarët, për preferencën e tij kryetari i Partisë Socialiste  dhe kryeministri,  Edi Rama, ka deklaruar se nëse Shqipëria dhe Kosova duhet të kenë një president, ai është shprehur se do ta votonte me kënaqësi, Hashim Thaçin dhe do të ishte një president i shkëlqyer, por  në rrethanat aktuale kjo është e pamundur. “Do të kishim vënë Hashim Thaçin dhe do të ishte president i shkëlqyer si për Shqipërinë ashtu edhe për Kosovën, dhe do ta kishim votuar me bindje dhe kënaqësi. Por ai nuk është i pranishëm, në jetën e bashkësisë qytetare, si qytetar i lirë pasi ndaj tij po zhvillohet një proces, për të cilin mos më detyroni ta them këtu se çfarë procesi është”.

Kjo deklaratë e Edi Ramës sado që është thënë decidivisht, mund të komentohet në këndvështrime të ndryshme, por nuk mohohet dot e vërteta  e fjalëve që thotë, nuk mohohet përkushtimi që ai ka pasur dhe ka për luftën e drejtë dhe të pastër të UÇK-së, të cilën forcat antishqiptare po mundohen ta diskreditojnë. Dhe, dashur pa dashur ky qëndrim i Edi Ramës zgjon jo vetëm simpati e solidaritet, por edhe mirëkuptim e vëllazëri, të cilat mjerisht  aq shumë na kanë munguar dhe na mungojnë.

Përderisa kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, përkrahu hapur dhe pa asnjë rezervë, Hashim Thaçin krerët institucionalë të Kosovës, Albin Kurti, Vjosa Osmani, Glauk Konjufca  e urrejnë njëjtë sikur e ka urryer Millosheviqi dikur, regjimi i të cilit e kishte dënuar 12 vjet burg në mungesë, për veprimtari anti-jugosllave, në krye me Grupin luftarak të Adem Jasharit.

Po ka edhe më keq.

Nuk ka politikan në Serbi që nuk e përmend emrin e Hashim Thaçit, qoftë edhe si “kriminel” e “terrorist”, por ka  politikanë në Kosovë, drejtues të tri institucioneve të Shtetit të Kosovës, të cilët pikërisht në ditën e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, të cilën, hapur, botërisht në Kuvend e kishin  shpallur Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi dhe Fatmir Sejdiu, marrin qëndrim  për të mos u përmendu as emrat, sepse dy të parët, ndodhen në Gjykatën Speciale të akuzuar për krime lufte, dhe për shkaqe të tjera politike, të cilat dihen.

 

Ky është precedenti më antikombëtar i shprehur ndonjëherë në historinë më të re të Kosovës.

Këtë precedent në gjendje normale mendore e shëndetësore e kanë futur në historinë e tyre qeverisëse, tre politikanë, mashtrues, arrogantë, prepotentë: Albin Zaim Kurti, Vjosa Raif Osmani dhe Glauk Sherif Konjufca.

Urrejtja që ka ky tresh për krerët e UÇK-së, për Drenicën, për luftën e UÇK-së, për veteranët e invalidët, për komandantët e luftës, është urrejtje morbide, e sëmurë dhe skizofrenike.

Po në historinë e së kaluarës kishte edhe ndodhur diçka e tillë, Pasi i kishte vrarë mizorisht e barbarisht pas shpine: Bajram Currin, Luigj Gurakuqin, Avni Rrustemin, Hasan  Prishtinën, e të tjerë, Ahmet Zogu kurrë më nuk u kishte përmendur emrat, por  u kishte ndjekur edhe familjet e tyre.

Në aspektin politik dihet se ky qëndrim u sjellë vota këtyre tre krerëve aktualë të Kosovës,  për shkak se vetëm 20 për qind e popullatës liridashëse të vendit iu kishte bashkuar luftës së UÇK-së,  në vitet 1998-1999. Por ajo që është edhe më shqetësuese ka të bëjë me faktin se disa emra të rezistencës, të cilët për qëllime politike iu kanë bashkuar Vjosës e Albinit, nuk marrin guximin të diferencohen nga qëndrimet e tilla, ose pajtohen qind për qind me konstatime të tilla, ose i kanë rënë vizë së kaluarës së tyre, për përfitime politike.

Qëndrimi skizofrenik, i sëmurë dhe degjenerik kundër kreut të luftës, shpallja e Republikës së Tretë nga Albin Kurti dhe pasuesit e tij, janë qëndrime shkizmatike, të cilat i hedhin benzol ndasisë, duke thelluar përçarjen në nivel kombëtar.

Është fat i madh që Shqipëria e Edi Ramës ka qëndrim kombëtar unifikues, pasi ka edhe përkrahjen e shumicës së shqiptarëve, jo vetëm në Shqipëri por edhe në trojet tona të ndara e të përçara.

 

Ahmet Qeriqi

28. 4. 2022

Kontrolloni gjithashtu

Ylli Mece

YLLI MEÇE: POLITIKA – INDUSTRIA E PRODHIMIT TË KRIMIT NË VENDIN TONË

POLITIKA – INDUSTRIA E PRODHIMIT TË KRIMIT NË VENDIN TONË Nuk ka ndodhur kurrë gjatë …