Edi Rama: Qeveria dëgjon qytetarët, por timonin nuk ia dorëzon zhurmës së rrjeteve sociale

Kryeministri Edi Rama deklaroi se qeveria duhet të dëgjojë me vëmendje kritikat dhe shqetësimet e qytetarëve, por nuk mund ta ndërtojë vendimmarrjen mbi presionin e zhurmës apo ndikimin e rrjeteve sociale. Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Rama theksoi se një qeveri serioze nuk ka të drejtë të mbyllë veshët ndaj qytetarëve, por as të dorëzojë drejtimin e saj përballë valëve të opinionit që krijohen në internet. Ai u shpreh se debati publik shpesh dominohet nga emocione dhe dinamika të rrjeteve sociale, ndërsa vendimmarrja politike duhet të mbështetet në vizion dhe qëndrueshmëri, jo në algoritme. Rama komentoi edhe ndërhyrjet që, sipas tij, vijnë nga jashtë Shqipërisë në debatet politike, duke përmendur persona nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut që, sipas tij, përfshihen në diskutime “në emër të shqiptarëve”. “Një qeveri nuk e dorëzon kurrë timonin tek zhurma. Sa më e madhe të jetë zhurma, aq më shumë duhet të forcohet identiteti dhe destinacioni i saj. Një shtet nuk mund të ndërtohet nëse qeveria ndryshon drejtim sipas erës që fryn”, deklaroi Rama. Në përfundim, kryeministri tha se shpreson që një ditë, kur të mos jetë më në detyrë, të mos ketë nevojë “t’i trokasë algoritmit”, duke nënvizuar se nuk beson në një qeverisje që udhëhiqet nga valët e opinionit online.

Kontrolloni gjithashtu

Peter Sorensen: SHBA-ja është partnere e rëndësishme, por marrëveshjet duhet t’i zbatojnë Kosova dhe Serbia

Emisari i BE-së për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen, ka thënë se Shtetet e Bashkuara mbeten …