Brickos

Elfije Sadik Jashari (28.2.1963 – 7.3.1998)

Elfije Sadik Jashari (28.2.1963 – 7.3.1998)

Beteja e Prekazit, e zhvilluar më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998 ishte njëra ndër betejat më të dhembshme, por edhe më krenare të historisë sonë më të re.
Tri ditë rresht luftuan në mbrojtje të dinjitetit kombëtar dhe njerëzor të gjithë Jasharët, duke filluar prej Legjendarit, Adem Jashari, pastaj Hamëz Jashari, Shaban Jashari dhe duke u zgjeruar në tërë lagjen. Për tri ditë rresht mbi shtëpitë dhe mbi anëtarët e këtyre familjeve u zbrazën të gjitha llojet e municionit të armëve të makinerisë së krimit serb.
Ranë për të fituar përjetësinë 20 pjesëtarë të familjes së ngushtë të Legjendarit Adem Jashari, 12 pjesëtarë të familjes së Sadik, Hamit e Qerim Jasharit, 11 anëtarë të familjes së Halit, Zymer dhe Zejnë Jasharit dhe dhjetëra anëtarë të kësaj lagjeje të Prekazit. Të rënët e të martirizuarit ishin të të gjitha moshave prej fëmijëve e vajzave të mitura, deri te gratë, plakat e pleqtë. Ranë në këtë mes edhe të gjithë ata, që rezistuan me armët që kishin dhe që për asnjë çast nuk u ligështuan dhe nuk u dorëzuan.

Elfija, bija e Sadik dhe Afije Jasharit u lind në Prekaz, më 28 shkurt të vitit 1963.
Ashtu sikur edhe shumë bashkëmoshatare të saj, ajo nuk pati fatin të shkollohet, por mori një edukatë të pastër patriarkale nga prindërit. Kur kishte dëgjuar se familja ishte në rrezik të rrethimit, Elfija vjen të prindërit në Prekaz
Në orët e hershme të mëngjesit të 5 marsit të vitit 1998, forcat policore dhe ushtarake serbe kishin filluar sulmin e furishëm mbi lagjen Jashari të Prekazit, duke goditur të gjitha shëpitë e lagjes me armë të rënda të artilerisë, me tanke e topa të kalibrave të mëdhenj dhe me të gjitha llojet e armëve, që kishin në dispozicion. Ata kishin rrethuar lagjen nga tri anët dhe nuk lejonin të depërtonte askush, qoftë edhe për të sjellë ushqime apo barna.
Paraprakisht, serbët kishin vendosur një njësit tankist nga ana lindore e lagjes dhe në një distancë prej 200 metrash kishin filluar goditjen e shtëpive ku ndodheshin nën rrethim të hekurt fëmjët, gratë e burrat e të gjitha shtëpive të lagjes Jashari. Epiqedra e sulmit ishte në shëpinë e Shaban Jasharit dhe në shtëpitë e Sadik, Hamdi e Qerim Jasharit, në shtëpinë e Halit Jasharit, të cilat ndodheshin krejt afër pozicioneve të forcave serbe. Pastaj ishin goditur të gjitha shtëpitë e lagjes. Në secilën nga këto shtëpi kishte nga 10 deri njëzet anëtarë familjesh të ngujuar në rrethim dhe të bombarduar pandërprerë për tri ditë rresht.
Elfija, atë ditë ndodhej së bashku me prindërit, vëllezërit e motrat. Ajo e kishte ndarë fatin me familjen, duke qëndruar pranë tyre në çastet e rënda të bombardimeve gjatë disa ditëve. Më në fund edhe ajo së bashku me babanë, nënën, motrën dhe dy vëllezërit kishte rënë nga bombardimet e forcave serbe të cilat për tri ditë rresht kishin goditur mizorisht të gjtha shtëpitë e rezistencës në Prekaz, veçmas të familjes së legjendarit dhe familjeve të tjera që ndodheshin përballë forcave serbe.
Familja e Sadik Jasharit ka marrë mirënjohje nga SHP i UÇK-së, nga Ministria e Mbrojtjes së QPK, nga Zona Operative e Drenicës dhe nga shoqatat e luftës së UÇK-së. Emrat e dëshmorëve të kësaj familjeje, janë skalitur mbi varrezat e tyre në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz. (A. Q.)

Kontrolloni gjithashtu

Ismajl Isuf Kryeziu (20.2.1965 – 18.4.1999)

Ismajl Isuf Kryeziu (20.2.1965 – 18.4.1999)

Dëshmori i kombit, Ismajl Kryeziu, ka lindur më 20 shkurt të vitit 1965,  në Arbanë …