Mehmet Hajrizi

Elife LUZHA: MEHMET HAJRIZI, PRIJËS I SHQUAR I LËVIZJES PËR LIRI DHE BASHKIM KOMBËTAR

Elife LuzhaNjë ditë të ngrohtë gushti, bashkë me Mehmet Hajrizin, shkuam në Vushtrri, për të marrë pjesë në paraqitjen që po i bëhej librit “Arsimi në Strofc dhe në fshatrat përreth tij”, të autorit Habib Mustafa. Strofci është vendlindja e Mehmetit, ndaj nuk duhej gabuar kjo ditë, e veçanërisht kur në libër po flitej për historikun e fillimeve të para të shkollës shqipe atje. Kur arritëm salla ishte mbushur dhe vetëm pas pak moderatori e mori fjalën, duke i ftuar në skenë të gjithë ata që kishin për të thënë diçka për librin. Ndër folësit, si mysafir i veçantë u ftua edhe Mehmeti, i cili nga mënyra se si reagoi më la përshtypje se këtë nuk e kishte pritur. Megjithatë me një ecje të qetë si prej hyjnori, mes duartrokitjeve të forta, u ngrit në foltore. Gjithsesi ishte nder i madh që një atdhetar i përkushtuar si Mehmet Hajrizi, të thoshte ca fjalë për fillimet e shkollës shqipe, në Strofcin e tij të lindjes, por kësaj here fjala e tij pati një ngjyrim ndryshe emocioni, sa që të pranishmit në sallë vazhduan me duartrokitje edhe pasi ai përfundoi.

Kush është Mehmet Hajrizi?

Më 1948 kur Mehmeti u lind, populli i Kosovës krahas pushtimit të egër sllav, lëngonte edhe nga varfëria ekstreme që po i shkëpuste nga jeta sidomos fëmijët. Kjo ishte arsyeja që nga trembëdhjetë fëmijët e prindërve të Mehmetit, të mbijetojnë vetëm gjashtë prej tyre. E në kërkim të kushteve më të mira për jetë, prindërit e tij u shpërngulen nga Strofci për të jetuar në Henc të Fushë Kosovës. Kurse nga viti 1970, u vendosën në Prishtinë ku Mehmeti edhe sot jeton me familje.

Rrjedh nga një familje me traditë të pasur patriotike që kanë dhënë shumë për lirinë e Kosovës. Më 1921, pushtuesit serb nga kjo familje i pushkatuan, Zymberin, Osmanin dhe Hajrizin. Përderisa më 1961 vëllain Zeqirin, bashkë me të birin e xhaxhait, Zenel Hajrizin dhe dajën Banush Ademin, për veprimtari atdhetare i dënuan me burgim të rëndë, të cilin e mbajtën në Goli Otokun famëkeq. Disa vite më vonë, në pranverën e vitit ’81, në ballë të demonstratave në moshë shumë të re u vra djali i vëllait, Naser Hajrizi. Më 1982, djali i vëllait tjetër, Jahir Hajrizi u dënua me 11 vjet burgim. E përndjekur ishte edhe bashkëshortja e Mehmetit, Haxherja, me vëllezërit Gani dhe Ismail Syla, që të gjithë ilegalë të organizuar.

Mehmeti shumë herët e kishte ndjerë urrejtjen për ata që siç thotë “ia kishin marr në burg vëllain Zeqirin” dhe po i shkaktonin vuajtje atdheut dhe familjes së tij. Këmbëngulte t’i mësonte të gjitha që nuk i dinte, prandaj qysh në përfundim të fillores bie në kontakt me libra të ndaluar. Si normalist, diskutonte me shokë për nevojën e organizimit të rezistencës kundër pushtuesit sllav, për të ardhur deri në vitet ’70-të, kur fillon organizimin e tij të para në lëvizjen klandestine.

Ato kohë si student nëpërmjet vëllait Zeqirit, ishte njoftuar me veprimtarë dhe intelektualë të shquar, si Kadri Halimi e Ali Aliu, nga të cilët mësonte përvojën e tyre organizative dhe konsultohej për çështje të ndryshme. Një ndikim të veçantë në edukimin e tij atdhetar, pos vëllait Zeqirit, patën edhe ngjarjet e vitit 1968, si dhe shënimi i 500 vjetorit të vdekjes së Skënderbeut.

Mehmet Hajrizi 15 vjet ka punuar në arsim, ku përjetoi dramën e arrestimit para nxënësve në klasë. Është e tmerrshme vetëm ta paramendosh këtë ngjarje, njashtu siç ishte i tmerrshëm edhe trajtimi në hetuesi. Në fakt, ky ishte arrestimi i tij i dytë, meqë për herë të parë ishte arrestuar më 1979, sepse po at vit, gjatë vizitës së Titos në Kosovës, një trakt i shkruar nga vetë Mehmeti, brenda një ore ishte shpërndarë në të gjitha qendrat e Kosovës, për çka pushtuesit të alarmuar kishin arrestuar mbi 500 veta, ndër ta edhe Mehmet Hajrizin e Gani Sylajn, por në mungesë të fakteve, pas dy muaj hetimesh e liruan.

Prijës i Lëvizjes për Çlirim dhe Bashkim Kombëtar

Lëvizja Kombëtare ka zanafillë të hershme veprimi, dhe që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit më 1878, qëllim të vetëm pati çlirimin dhe bashkimin kombëtar, sepse siç thoshte Bismarku “vetëdija dhe ndërgjegjja e një bashkimi kombëtar duhet të jenë të përjetshme.” Ndër vite përvoja e organizimit pasurohej nga grupet klandestine të shqiptarëve kudo në trojet e tyre të pushtuara. Përkundër ndjekjeve, torturave, burgosjeve e persekutimeve, ato vazhdonin të vepronin në konspiracion të thellë. Në vitet ’60-të, organizimi ilegal çlirimtar pati ngritje, me “Komitetin Revolucionar për Bashkimin e Kosovës me Shqipërinë”, “Lëvizjen Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve”, demonstratat e vitit 1968 etj.

Në fillim të viteve ’70-të, u formua organizata “Grupi Revolucionar i Kosovës”, i cili është cilësuar si “bërthama e revolucionit në Kosovë”. Kjo organizatë ishte ndër më seriozet dhe me jetën më të gjatë në historinë e lëvizjes klandestine deri atëherë. Organizata një vit u udhëhoq nga Kadri Osmani dhe tetë vjet të tjerë, nga Mehmet Hajrizi.

Në maj të vitit 1974, u arrestuan të gjithë anëtarët e Komitetit Drejtues të organizatës, përveç Mehmetit. Ai nuk ndjehej aspak i shpëtuar, por menjëherë mori përgjegjësinë për ripërtëritjen e udhëheqjes, gjë që e bëri shumë shpejt, me Gani Sylajn, Hydajet Hysenin, Kadri Zekën etj.

Organizata vepronte në konspiracion të thellë dhe në një kontekst historik mashtrues. Ajo si kriter për t’u anëtarësuar vlerësonte sidomos atdhedashurinë, besnikërinë, guximin, dijen dhe punën.

Si lëvizje moderne kombëtare, me qëllimin e vetëm, bashkimin kombëtar, ajo “përgatiti kushtet për kryengritje të popullit të robëruar shqiptar”, e më 1981, kur ajo shpërtheu, si një trup i vetëm, “doli në ballë me tërë anëtarësinë që kishte”.

Vite më vonë ky subjekt i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare u quajt, Organizata Marksiste-Leniniste e Kosovës” (OMLK). Nga kjo organizatë, në maj të vitit 1981 doli ideja dhe programi i një Fronti për Republikën e Kosovës, i cili u materializua në vitin 1982, kur OMLK u bashkua në Lëvizjen për Republikën Shqiptare në Jugosllavi (LRSHJ).

Në librin me titull “Histori e një organizate politike dhe demonstratat e vitit 1981”, Mehmet Hajrizi trajton gjerësisht kohën në të cilën veproi kjo organizatë, e cila kulmoi me Luftën e UÇK-së dhe kapitullimin e Serbisë më 1999.

Themelues dhe kryeredaktor i shtypit klandestin

OMLK është organizata e parë në lëvizjen e re kombëtare, që pati të organizuar shtypin e vet klandestin, të lirë e të pavarur në Kosovë. Mehmeti ishte bashkëthemelues dhe kryeredaktor i tij. “Zëri i Kosovës”, “Pararoja”, “Liria”, “Këngët e lirisë”, dhe traktet politike të kësaj organizate, siç thuhet me të drejtë, bënë “revolucion të vërtetë në shpirtin dhe bindjet politike të njerëzve në Kosovë.”. Me forcën e fjalës e të argumentit, patriotët entuziastë, nëpërmjet shkrimeve profesionale, demaskonin jo vetëm politikën pushtuese serbe, por edhe atë të klasës kolaboracioniste në Kosovë.

Është me interes ta kujtojmë një analizë të vitit 1978, ku akuzohej politika shoviniste sllave e cila po e pamundësonte avancimin e arsimimit të shqiptarëve, sepse siç thuhej aty “në vend të shkollave po hap mejtepe, kurse xhamitë dhe kishat po i kthen në shkolla fetare, duke përdorur kështu ideologjinë fetare për përçarjen e popullit shqiptar në Kosovë.”

Shtypi klandestin përfshin edhe shumë materiale, trakte, artikuj, thirrje e botime të veçanta, pjesa më e madhe e të cilave gjatë bastisjeve policore janë zhdukur. Megjithatë një pjesë e konsiderueshme e tyre, mbeten të arkivuara si dokumente të çmuara të faktografisë shqiptare. Vlerën e tyre nuk e cenojnë ngjyrimet ideologjike të aty-këtushme, sepse siç thotë Mehmet Hajrizi, “çfarëdo trajtimi apo vlerësimi që t’ju bëhet atyre, duhet vendosur në kontekstin historik kur janë shkruar dhe shfrytëzuar”. Gjithsesi, një përmbledhje dhe informacion më të gjerë për ndikimin që pati shtypi klandestin i kësaj organizate në edukimin dhe ndërgjegjësimin kombëtar për çlirimin e Kosovës, si burime të dorës së parë, mund t’i gjejmë në librin “Nga Grupi Revolucionar te Fronti i Republikës”, të bashkautorëve Mehmet Hajrizi dhe Gani Sylaj.

Nëpër kohë të vështira

Të flasësh për veprimtarinë atdhetare të Mehmet Hajrizit do të thotë të flasësh për një figurë morale, personalitet model, udhëheqës vizionar e ushtar besnik të popullit të vet, që diti dhe guxoi të qëndrojë në ballë të betejave për realizimin e aspiratave tona kombëtare.

Më 1978, kur agjentët e sigurimit të pushtuesit e kishin ndalur për një natë sekretarin organizativ të OMLK-së, Hydajet Hyseni, ishte kuptuar se ata kishin rënë në gjurmët e organizatës, prandaj ai dhe Kadri Zeka kaluan në ilegalitet të thellë.

Pas demonstratave të vitit 1981 dhe arrestimeve masive, u burgosën edhe shumë veprimtarë të OMLK-së, midis të cilëve edhe udhëheqja e saj, përveç Kadri Zekës që vepronte në Zvicër. Ishte kjo koha kur pushtuesi serb nëpërmjet ndjekjeve, arrestimeve, burgosjeve e mbytjeve me torturë kishte arritur universin e tmerreve në Kosovë. Në shënjestër ishte Lëvizja Kombëtare Shqiptare, por edhe çdo vlerë e kombit tonë. Gjithë ky sulm frontal i armikut duhej përballuar, sepse siç thotë Mehmeti, “si çdo lindje edhe rilindjet e popujve janë me dhembje e gjak”.

Mehmet Hajrizi është arrestuar më 18 dhjetor të vitit 1981, kurse më 10 korrik 1982, bashkë me një grup veprimtarësh, u dënua me 12 vjet burg të rëndë. Sipas një gazetari kolaboracionist të asaj kohe, Rr. Rugova, gjatë gjykimit që zgjati tri ditë, Mehmeti “mbronte pikëpamjet e grupit me kokëfortësi, dhe me një far qetësie e urtësi”. Të dënuar tjerë ishin edhe Jakup Krasniqi, Gani Sylaj, Hydajet Hyseni, Nezir Myrtaj, Berat Luzha, Sherafedin Berisha, Ismail Syla, Jahir Hajrizi, Sheqir Zeneli, Fehmi Plaku, Azem Syla, Xhevdet Syla, Fatmir Krasniqi, Ferid Çollaku, Hysni Hoti, Mustafa Ademi, Jashar Alia si dhe anëtari më i ri i këtij grupi Kadri Luzha. Janë këta veprimtarë të plejadës së madhe të lirisë dhe krenarisë kombëtare, që përkundër torturave çnjerëzore “të denja për inkuizicionin mesjetar” qëndruan të palëkundur, duke mbrojtur kërkesat e drejta të shqiptarëve të Kosovës, për liri dhe bashkim, si të drejta legjitime të popullit të ndarë padrejtësisht.

Një grup tjetër i kësaj organizate prej 16 vetave, më 13 korrik të vitit 1982, u dënua në Gjykatën e Qarkut në Gjilan si, Nazmi Hoxha, Bejtullah Tahiri, Basri Musmurati, Naim Salihu, Shemsedin Hoxha, Shaip Ismajli, Ilmi Ramadani, Sadri Sherifi, Xhevat Ajvazi, Sabit Rexhepi, Nijazi Idrizi, Xhymshit Osmani, Selim Ahmeti, Farush Mjaku, Hysen Demelezi dhe Tahir Lubishtani. Më pastaj, u dënuan edhe shumë veprimtarë të  tjerë të organizatës.

Në këto kohë udhëheqja e OMLK-së e kishte të lirë vetëm Kadri Zekën, të cilit i binte barra e riorganizimit të radhëve, por pikërisht në kohën kur ishte arritur marrëveshja për bashkimin e forcave vepruese brenda dhe jashtë vendit, veprimtarët dhe udhëheqësit e shquar të Lëvizjes Kombëtare, që dukej sikur ia “kishin rrëmbyer rrufetë qiellit për t’i bërë dritë atdheut”, Kadri Zeka, bashkë me vëllezërit Jusuf e Bardhosh Gërvallën, më 17 janar të vitit 1982, në Untergrupenbach të Gjermanisë, i vrau UDB.-ja jugosllave.

Gjatë tërë kohës së dënimit, Mehmeti është mbajtur në burgjet hetuese në Prishtinë, në Prizren dhe në Novi Sad. Ai dëshmon se të burgosurit politikë shqiptarë torturoheshin mizorisht nga hetues “me gjakftohtësinë e lukunisë, pa asnjë ndjenjë njerëzore”. Të rinjtë e të rejat nëpër kazamate jugosllave qëndronin stoikisht, me motiv dhe vullnet të pathyeshëm. “Ishin tri forca që e bënin të qëndrueshëm në burg veprimtarin e çështjes kombëtare” thotë ai: “njëra quhet IDEAL, e dyta IDEAL dhe e treta IDEAL”.

Mehmeti, përveç një letre proteste që e kishte bërë me shokë nga Burgu i Novi Sadit, asnjëherë nuk u kishte dërguar organeve të pushtetit pushtues, shkresë lutjeje apo ankese, sepse konsideronte se nuk mund t’u ankohej atyre që ishin shkaktar të vuajtjeve të popullit të tij.

Në Burgun e Prishtinës ai e mori lajmin tronditës për vrasjen e Kadri Zekës dhe vëllezërve, Jusuf e Bardhosh Gërvalla. “Tërë pesha e katit të sipërm të burgut prej betoni, sikur ra mbi kokën time kur mora lajmin për vrasjen e Kadriut me shokë”, kujton me dhimbje të madhe Mehmeti. “Kisha ndier një nevojë shpirtërore të arrestohesha edhe unë më 1974, kur m’i morën shokët e Komitetit Drejtues, kurse tani po ndjeja nevojën e vrasjes time, si një çlirim shpirtëror” shprehet më tej ai.

Si mijëra shqiptarë që po provonin helmin e jetës nëpër burgjet jugosllave, Mehmeti ishte vendosur në një dhomë me kriminelë ordinerë, hajdutë të regjur e të sëmurë mentalë, madje edhe me sëmundje ngjitëse, në Novi Sad. Në kushte të tilla, mori lajmin për rënien edhe të veprimtarëve të shquar të çështjes kombëtare dhe bashkëveprimtarëve të tij, Rexhep Malaj e Nuhi Berisha. “Kjo ishte gjëma tjetër që më bënte të harroja gjithë vuajtjet e burgut”, thotë Mehmeti, duke kujtuar me mallëngjim të madh gjithë ata djem të rinj që në lulen e rinisë u sakrifikuan për idealin e tyre”.

Më vonë iu vranë edhe bashkëveprimtarë të tjerë, si Bajram Bahtiri, Zija Shemsiu, Afrim Zhitia e Fahri Fazliu etj.

Pas daljes nga burgu

Kur Mehmeti u lirua nga burgu, rrethanat kohore në të cilat ndodhej Kosova ishin krejt ndryshe nga ato kur ishte arrestuar. Ishin këto vitet e ndryshimeve demokratike në kampin socialist që mundësuan formimin e partive të para legale të jetës politike pluraliste edhe në Kosovë. “Kur unë dola nga burgu, Lëvizja Kombëtare e traditës kishte qenë e ndarë dhe e përçarë”, thotë Mehmeti, ndaj bashkë me disa veprimtarë të Lëvizjes, për t’i dhënë një orientim sa më të drejtë rezistencës kombëtare, u angazhua në subjektin më masiv të kohës, LDK, por pa u shkëputur asnjëherë nga lëvizja konspirative patriotike. Në LDK ushtroi postin e anëtarit të Këshillit të Përgjithshëm, të anëtarit të Kryesisë dhe përgjegjësit të Sektorit për Informim etj. Megjithatë, gjatë tërë kohës sa ishte i angazhuar në këtë subjekt, puna kryesore e tij ishte me qytetarët anekënd Kosovës.

Më 1992, në zgjedhjet e përgjithshme, në një zonë të Prishtinës u zgjodh deputet. Përndjekjet e regjimit serb, por edhe neglizhenca subjektive, e reduktuan shumë veprimtarinë parlamentare të kohës. Komisioni Parlamentar i Informimit, i drejtuar nga Mehmet Hajrizi, megjithatë ishte shumë aktiv gjatë gjithë mandatit të tij.

Në kohën kur “Kosova po kalonte sprova të rënda të çlirimit nga sundimi serb por edhe nga vetvetja”, kur regjimi i shfrenuar barbar, kishte intensifikuar dhunën dhe terrorin nëpërmjet masave të dhunshme, të largimit nga puna të shqiptarëve, helmimin e mijëra nxënësve shqiptarë e mbylljen e objekteve shkollore, Mehmetin e gjejmë si kryetar të Këshillit Qendror për Financim. Ky dikaster shumë i rëndësishëm institucional i Kohës, me tërë energjinë dhe potencialin intelektual, profesional e patriotik e ndihmoi mbijetesën e sistemit paralel shqiptar përballë sistemit të dhunshëm serb në Kosovë, duke i dhënë karakter aktiv rezistencës kundër pushtuesit.

Në të njëjtën kohë, pena e tij shkëlqente nëpërmjet shkrimeve publicistike, ku pasqyronte realitetin kohor nëpër të cilin po kalonte Kosova, bënte analizat e situatave dhe kërkonte rrugëzgjidhjet. Nga qindra artikuj, intervista e shkrime tjera të periudhës kohore dhjetëvjeçare (1993-2003), publikuar në mediat vendore dhe të huaja, i përzgjodhi shumë prej tyre dhe i publikoi në formë të librit, me titull domethënës “Sprova të Çlirimit”. Në parathënien e tij, ai shkruan: “Toni kritik në këto shkrime shpreh shqetësimet e autorit për dobësitë e mangësitë e lëvizjes së re kombëtare të Kosovës, si dëshmitar dhe pjesëmarrës në proceset e saj, por edhe angazhimin e sinqertë për evitimin e tyre.

Çlirimi i një populli të robëruar është vepër e madhe historike dhe shumë komplekse. Që çlirimi nga sundimi serb të ishte vepër e popullit të saj, Kosovës i duhej bashkimi i gjithë potencialeve, i mendjes dhe i forcës, i guximit dhe veprimit, i duhej organizimi serioz, uniteti politik e kombëtar dhe fryma e sakrificës e vetëmohimit. Në ç’masë u arritën këto parakushte jetike,  më mirë flet vetë aktualiteti ynë historik, por në libër bëhen përpjekje që përveç pasojave të analizohen edhe shkaqet  e tyre.”

Nëpër peripeci të ndryshme

Durimi i shqiptarëve për zgjidhjen paqësore të çështje së tyre mori fund, sidomos pas Konferencës Paqësore në Dejton, ku Kosova u injorua plotësisht. Kjo bëri që lëvizja çlirimtare, si formë e rezistencës aktive në Kosovë, tani me uniformën e UÇK-së, të merrte përgjegjësinë për çlirimin e plotë të Kosovës, nga regjimi pushtues i Beogradit. Krimet gjenocidare serbe të kryera gjatë Luftës në Kosovë, e sidomos krismat e pushkëve të UÇK-së, “më në fund e detyruan drejtësinë ndërkombëtare ta dënojë Serbinë”, shkruan Mehmeti , në artikullin me titull, “Vetëvendosja e popullit vulos fatin e Kosovës”. Edhe “procesi përgatitor për Konferencën Ndërkombëtare për Kosovën, ka filluar më shumë se gjysmë viti përpara Rambujesë, kujton ai. Nga bashkësia ndërkombëtare, respektivisht Richard Holbrooke dhe Christopher Hill, ishte kërkuar që Kosova në konferencë të fliste me një zë, ndaj dhe më 1998, Mehmeti u propozua si mandatar për formimin e Qeverisë së unitetit. “Por ajo nuk u formua për shkak të obstruksionit të brendshëm, që lidhej jo me një, por me disa emra”, kujton Mehmeti. Ai ishte zhgënjyer thellë që Kosova e humbi shansin e një qeverie përbashkuese dhe me mbështetje ndërkombëtare, prandaj doli me një deklaratë para mediave për ta “zhdavaritur mjegullën që ishte ngritur rreth kësaj çështjeje”. Megjithatë, sipas një marrëveshjeje të Delegacionit shqiptar në Rambuje, më 2 prill 1999, u formua Qeveria e përkohshme, ku Mehmeti u emërua nënkryetar, por siç dihet as kjo nuk përfaqësonte unitetin, prandaj në shkurt të vitit 2000 u shua.

Më 1998, Mehmeti Hajrizi, ishte njëri nga themeluesit e Lëvizjes Demokratike Shqiptare, më vonë Lëvizja e Bashkuar Demokratike (LBD), në emër të së cilës ishte në Delegacionin e Kosovës në Rambuje. Si anëtar i Grupit Politik të Delegacionit, ka dhënë kontribut të veçantë në aspektin profesional e politik të formulimit të drafteve të Marrëveshjes, e cila siç pohon ai, nuk i përmbushte aspiratat e popullit të Kosovës, ishte e padrejtë, por u pranua, sepse kishte  mandat vetëm tri vite dhe e bënte të mundur intervenimin e NATO-s në Luftën e pabarabartë midis Kosovës dhe Serbisë. Pas nënshkrimit të Marrëveshjes nga pala shqiptare, u mundësua ndërhyrja e NATO-s dhe kapitullimi i Serbisë në Kosovë. “Tiranët duken të mëdhenj kur skllavi u rri në gjunjë. Ngrehu lart edhe ai është i vogël”, thotë një mendimtar.

Çlirimi i Kosovës pas njëqind vjet robërie, dhune, terrori e krimi gjenocidar, pa dyshim është rezultat i përpjekjeve e sakrificave vetëmohuese të gjithë atyre brezave, si Mehmeti me shokë, që nuk duruan pushtuesin sllav në tokat shqiptare. Në një nga shkrimet e tij të pasluftës, nën drithërima dhimbjesh shpirtërore, Mehmeti bën homazh për dëshmorët, ose siç i quan ai, “kurbanet e themeleve të lirisë”, duke mbajtur lart idealin e tyre, që e patën yll polar gjatë gjithë jetës dhe rënies së lavdishme. Në anën tjetër, me zemër të plasur, bën bilancin e dhimbshëm të të vrarëve, të zhdukurve e invalidëve, që siç thotë, “i humbën këmbët në luftë, që Atdheu i tyre të ecte i lirë”. Sipas Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, vetëm gjatë periudhës janar deri më 12 qershor të vitit 1999, forcat serbe vranë në Kosovë 12.843 shqiptarë. Midis tyre, të vrarë ose të zhdukur evidentohen 1.396 fëmijë nën moshën 18 vjeç, apo më shumë se 11 për qind e të vrarëve. U vranë gjithashtu 1.741 gra, kurse të rënët me armë në dorë janë 2.261. E nga shtëpitë e tyre, u larguan dhunshëm edhe një milion qytetarë tjerë.

Në kushte lirie

 

Pas mbarimit të luftës në Kosovë dhe shpërndarjes së LBD-së, Mehmeti nuk i është kthyer më asnjë subjekti politik. Ka qenë anëtar i Këshillit Tranzitor të Kosovës, si organ përfaqësues,  që nga themelimi i tij, menjëherë pas Lufte. Nga shkurti i viti 2000, për dy vite ka ushtruar detyrën e bashkëkryesuesit të Departamentit të Rindërtimit, në Administratën e Përbashkët me UNMIK-un. Nga të gjitha angazhimet në proceset e shtetndërtimit të Kosovës së lirë, më mirë thotë të jetë ndjerë në drejtimin e rindërtimit të Kosovës së rrënuar. Në gusht të vitit 2002, është zgjedhur sekretar i përhershëm i Kryeministrisë së Kosovës, kurse nga viti 2014, nuk ka bërë ndonjë përpjekje për t’u angazhuar, as profesionalisht, sepse konsideron se “puna duhet ta kërkojë njeriun e jo njeriu punën”.

Sot Mehmet Hajrizi pensionist, ditët i kalon duke shkruar, por pa lënë anash asnjë nga zhvillimet që kanë të bëjnë me botën shqiptare, prandaj dhe nuk i mungon qëndrimi kritik ndaj tyre. Ngecja e zhvillimit ekonomik dhe shoqëror të Kosovës, vështirësitë e fuqizimit të subjektivitetit të saj ndërkombëtar,  papunësia dhe varfëria, ikja masive e të rinjve jashtë vendit, moskujdesi i mjaftueshëm për dëshmorët e invalidët e luftës, edukimi i urrejtjes brendashqiptare, mungesa e vullnetit për mbrojtjen dhe kultivimin e vlerave të traditës së shkëlqyer shqiptare e shumë problematika tjera, janë çështje që e preokupojnë Mehmetin edhe në këtë moshë.

Ai ka mbajtur qëndrim kritik në shumë nga vonesat e Kosovës në procesin e shtetformimit, ndaj disa aspekteve të Pakos së Ahtisaarit, kompetencave shtesë të “diskriminimit pozitiv”, por obstruktues ndaj institucioneve, Gjykatës Speciale etj.

Megjithatë, përkundër zhvillimeve të shumëngjyrta që kanë ndodhur dekadave të fundit në hapësirat shqiptare, por edhe më gjerë, Mehmeti, nga fushëpamja e tij, ka vizion optimist për të ardhmen tonë. “Anija shqiptare ecën drejt destinacionit, edhe pse me ritmin e breshkës”, shkruan ai në një artikull të mëhershëm. Mehmeti edhe në të kaluarën ka pasur besim të plotë për zgjidhjen e shpejtë e të drejtë të çështjes së pazgjidhur shqiptare, por siç citonte një fjalë angleze, “Zoti na i dhuron ato që i bëjmë me duart tona”.

Kontrolloni gjithashtu

Tri vjet me arrogancë, mujshari politike, keqqeverisje, korrupsion, shpërfillje e aleatëve, thellim të ndasive e përçarjeve…

Kanë kaluar tashmë tri vjet të qeverisjes së Kosovës nga koalicioni: Vetëvendosje ne krye me …