Deputetja e zgjedhur e Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza Hoxha, ka bërë të ditur se partia e saj nuk do të mbështesë pa kushte kandidatin që mund të propozojë kryeministri në detyrë dhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për postin e Presidentit të Kosovës. Ajo ka deklaruar se vota e PDK-së nuk do të jetë automatike dhe se beson se edhe partitë e tjera opozitare do të mbajnë të njëjtin qëndrim, duke refuzuar çdo mbështetje që bazohet vetëm në presion politik. Sipas Hoxhës, opozita ka përgjegjësi ndaj elektoratit të saj dhe përfaqëson vizione të ndryshme për zhvillimin e vendit, prandaj nuk mund të shërbejë si mekanizëm për realizimin e vullnetit të një subjekti të vetëm politik. Ajo theksoi se zgjedhja e presidentit kërkon dialog dhe kompromis politik, duke shtuar se përgjegjësia kryesore për krijimin e një konsensusi i takon fituesit të zgjedhjeve. Hoxha vlerësoi se funksionimi i demokracisë bazohet në balancimin e pushtetit dhe përfshirjen e të gjitha forcave politike në proceset vendimmarrëse, duke kundërshtuar çdo tendencë për përqendrimin e pushtetit në duart e një partie të vetme.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
