leoni

Elmije Plakiqi

Elmije Plakiqi: Libri, “Zëri i lirisë” është një pasqyre reale e besnike e punës dhe veprimtarisë së Radios-Kosova e Lirë

Lirë i titulluar, “Zëri i lirisë” të cilin e ka nxjerrë në dritë Redaksia e Radios-Kosova e Lirë është një pasqyre reale e besnike e punës, angazhimit dhe veprimtarisë së kësaj Radioje gjatë këtyre 20 viteve.

Ky libër dokumentar paraqet një kronologji  tashmë historike të punës së pandërprerë 20-vjeçare,  të aktivitetit informativ e kulturor që ka zhvilluar dhe që zhvillon ky mendim emblematik i luftës dhe i paqes në vendin tonë.

Duke qenë zë paralajmërues i fitores në ditët më të rënda të luftës çlirimtare, duke u ballafaquar për çdo ditë me breshërinë e armës së armikut serb, stafi i kësaj radioje ka shkruar faqe të tëra heroizmi sidomos gjatë luftës, sepse me qëndrimin e saj militant  shqeu terrin informativ në Kosovë dhe pati guxim që përballë forcave serbe  dhe pacifizmit të mekur, për çdo ditë në orën 16.00 ta hapë programim me fjalët: Ju flet Kosova e Lirë, fjalë që hynë në histori, fjalë të shqiptuara fuqishëm nga luftëtari i lirisë, folësi i parë i Radios, Nusret Pllana. Po ky zë i kësaj Radioje, që për gjashtë muaj mbijetoi  nëpër shkrepat malet dhe pyjet e Drenicës, më 21 qershor të vitit 1999 kishte shpallur kumtin e fitores, duke transmetuar  lajmin historik për dëbimin  e gjithmonshëm e të turpshëm të ushtrisë e policës  vrastare  serbe nga Kosova.

Libri, i cili po përurohet sot ka vlera të pamohueshme, dokumentare, historike, e mbi të gjitha është libër që reflekton tashmë historinë e informimit gjatë kohës së luftës, si medium i saj, së bashku me Agjencinë Kosovapress, e cila përmes faqes në internet shpërndante realitetin e luftës në Kosovë dhe pathyeshmërinë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sa do që në luftë të pabarabartë me forcat serbe.

Libri është i ndarë në katër pjesë, në të cilat është mbarështuar me kujdes tërë lënda dokumentare, e cila po ta marrim si tërësi paraqet një histori në vete, të pashembullt, jo vetëm në historinë e informimit por edhe të kulturës kombëtare në përgjithësi.

Redaksia e Radios  cila e ka përgatitur këtë libër ka për qëllim që në këtë 20-vjetor,  t’ i japë lexuesit të Kosovës e më gjerë një testament dokumentar, shkrimor, një dëshmi reale e të faktuar  të  asaj që,  në pika të përgjithshme ka ndodhur në Radion Kosova e Lirë,  gjatë këtyre 20 viteve.

Duke qenë e rrezikuar me zhdukje nga arma armike gjatë luftës, me tërë stafin, Radios-Kosova e Lirë, që mori pjesë aktive në çlirimin e Kosovës, jo vetëm që nuk iu njohën meritat, por u bënë përpjekje të panjerëzishme për shuarjen e zërit të saj, sepse ky zë i  prek në sedër, për të mos thënë në ndërgjegje  tërë sojin  e gazetarëve të kohës së luftës që kishin ikur nga Kosova dhe nuk kishin treguar guxim t’ i bashkoheshin asaj.

Ata gazetarë, që ishin vetëshpallur të vdekur, që kishin ikur apo thjesht kishin ndërruar vendqëndrimin pas intervenimit të NATO-s kundër makinerisë serbe të krimit, ata të cilat nga Gjermania, Shkupi, Tirana kërcënonin UÇK-në se e kishte shtyrë popullin në luftë të paparashikueshme, dhe atje kishin marrë mirënjohje si gazetarë të guximshëm, përnjëherë pas luftës filluan t’ i vjelin frytet e çlirimit të Kosovës, duke u paraqitur si viktima të regjimit serb, edhe në rastet kur kishin bashkëpunuar me atë regjim dhe nuk iu kishte munguar asnjë qime floku. Ata iu kishin bashkuar komandantëve të pas luftës dhe ndonjërit edhe të luftës, për të ndarë fitoren,  jo sipas meritës por me bërryla e abuzime e përvetësime  që tashmë dihen.

Në librin “20-vjet Zëri i Lirisë”, janë sistemuar shkrime, analiza, komente, dokumente, të kohës së luftës dhe të pas luftës, pastaj është prezantuar edhe një pjesë ilustruese e  aktivitetit informativ e kulturor   që kjo Radio ka zhvilluar gjatë këtyre viteve.

Një vend me rëndësi zënë edhe dokumentet të cilat flasin jo vetëm për injorimin dhe pengesat që iu kanë bërë kësaj Radioje nga protektorët e medieve të pas luftës, por edhe injorimit që i kanë bërë dhe i bëjnë institucionet e Kosovës, duke e përjashtuar si vlerë të kohës së luftës, vetëm për shkak të qëndrimit të pathyeshëm dhe të papërkulur ndaj politikës, si asaj të deklaruar pacifiste, si dhe kësaj tjetrës me prejardhje nga lufta, po ashtu e  pacifikuar e servile ndaj të huajve.

Libri dokumentar, “20-vjet zëri i lirisë”, do të mbetet dëshmi e kohës, mbi të gjitha dëshmi e përpjekjeve të pareshtura për ekzistencë të një mediumi, i cili pavarësisht se nuk u ndihmua, madje edhe u injorua dhe injorohet nga qarqe të ndryshme pushtetare, mbijetoi ashtu sikur kanë mbijetuar shqiptarët kudo në trojet e tyre.

Kontrolloni gjithashtu

Doli nga shtypi vëllimi 19-të i monografisë “Feniksët e lirisë” 

Doli nga shtypi vëllimi 19-të i monografisë “Feniksët e lirisë” 

Në vazhdim të realizimit të projektit për botimin e monografisë për dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare …