Lulzim Basha

Enver Cakaj: Përse kërkon të bëhet kryeministër, Lulzim Basha?

Çdo njeri ka të drejtë të kërkojë një post të lartë ose të ulët, po para se ta bëjë këtë, duhet të kuvendojë një copë herë me veten e tij pastaj me të tjerët. Çfarë kam bërë unë gjatë jetës sime që të ngjitem në lartësi të tilla? Çfarë di të bëj, po dhe çfarë kam bërë? Lulzim Basha po kërkon t’ia japin, sepse vetë e ndjen se nuk e merr dot detyrën e lartë. Jo se nuk di tabelën e shumëzimit. Po kush do t’ia japë këtë detyrë të lartë Lulzim Bashës? Ku ishte dhe ku e shpuri partinë? Pesë parti nga zgjoi i tij roitën, sepse nuk pranonin ta kishin as kryetar partie!

Por Lulushi nuk e ka kuptuar ende se kryeministër nuk të bëjnë të tjerët, po vetja e tij. Kjo e detyron Lulushin të ulet e të mendohet nëse i ka aftësitë për t’u ngjitur më lart se ç’është. Po lartësitë kanë maja dhe duhet të dish t’u përshtatesh stuhive. Mirëpo a e di ky lloj Lulushi, se prapa tij ka të tjerë që e shtyjnë dhe e shpien në fund? A thua të jetë i zoti ky njeri për ta vënë në buxhak? Se buxhaku kërkon njerëz që të ketë vrarë trutë para se të flasë, ndryshe ata që janë poshtë tij, shikojnë nga fundi i shtëpisë.

E meta kryesore e Lulzimit është, se ai nuk njeh veten. Nuk mjafton të ardhurit nga ka ardhur. Njerëzit nuk të pyesin nga ke ardhur, po çfarë na solle me vete që të vëmë në buxhak. Po ne bëjmë dhe ndonjë pyetje: A e njeh mullixhiu i fshatit për të parin e oxhakut këtë hurup? Me njohje nuk kuptojmë balluket e nxira me xhel, po bëmat që ka bërë. Kryeministër nuk të bëjnë balluket, po çfarë ke nën to. Na thoni që të dinë njerëzit se për çfarë shquhet ky njeri. Deri tani njihet si përçarës i partisë së tij. I flaku dhjetoristët dhe ruajti me fanatizëm kryekomunistin e krimeve pa numër! Thonë se ka qenë kryetar i Bashkisë në Tiranë, po asnjë njeri nuk e mban mend të ketë qenë. Njeriu mbahet mend që ka kryer një detyrë kur bën një farë pune që t’i shërbejë popullit.

Për katër vjet populli i Tiranës nuk pati fat të merrte pjesë në inaugurimin e ndonjë vepre! Gjatë fushatës për t’u ngjitur në krye të bashkisë, të cilën ia dhanë ashtu si ia dhanë, premtoi se do të bënte një tramvaj Kombinat-Kinostudio! Mirëpo populli nuk pati fat ta gëzonte atë vepër. Tani nuk e dimë ç’tertipe ka. Mbase do të na bëjë ndonjë tramvaj Tropojë-Konispol! Mbahet mend që ka bërë një zarar andej nga Rruga e Kombit. Mbahet mend edhe për fabrikim gënjeshtrash. Sepse qëkur i ka hipur partisë në kurriz ka hapur vetëm shkollën e gënjeshtrave. Për këtë klasifikohet i pari. Nëse mbani mend, na thoni, se cilin aksion politik shpuri deri në fund? Sa herë kërkoi zgjedhje të parakohshme dhe kur ishin për të bërë nuk mori pjesë. Kërkon pushtet, po la dhe atë që kishte në Kuvend! Dhe ankohet se Rama i mori të gjitha pushtetet! Po mirë, more Lulush, pa pushtet ta linim këtë vend, se ti i bën llogaritë me 7 X 7? Deklaroi se nuk hyjmë në zgjedhje me Ramën kryeministër, po harroi se çfarë tha. Sa herë zgjedhe janë bërë dhe cilën prej tyre fitoi Lulushi?

Ca njerëz kanë filluar të pyesin: A e ka bërë shkollën fillore Lulzim Basha? E thonë këtë se tabela e shumëzimit mësohet në shkollën fillore. Ka të ngjarë të ketë kaluar direkt në shkollën e lartë, siç bënë të gjithë shokët e partisë së tij në atë farë qeverisje që bënë. Është mbushur Shqipëria me profesorë e doktorë pa bërë shkollë fare! Lulushi nuk na ka vënë ende një “Prof.” përpara emrit deri tani, po ku i dihet. Mbase na i tregon kur të hipi në karrigen e Kryeministrit. Mirëpo tej e këndej dëgjojmë të thonë: “Kur të hipi gomari në majë të arrës do të hipi Lulushi në karrigen e Kryeministrit”. Dhe kanë të drejtë, se deri tani ka punuar kundër vetes tij. Ai i prishi të gjitha tabanët, ku mund të vendoste shkallët e ngjitjes. Ata pak partiakë që i kanë mbetur nuk kanë fuqi më ta mbajnë mbi supe më.

Lulushi ka mbetur në një rrugë qorre. Nuk di nga të iki, se të gjitha rrugët i ka menderosur. Qëkur është vënë ai në krye të partisë vetëm kanë ikur prej saj. Tani ka gjetur një rrugë tjetër, vetëm të gënjejë. Të gjallët e kuptuan dhe vetëm i largohen dhe ai u është drejtuar të vdekurve. Sajon lista të vdekurish, që na i paska fshehur mjekësia! Si duket Edi Rama, me pangopësinë e tij të vjedhjeve, na i paska vjedhur edhe te vdekurit! Po me gënjeshtra as jetohet, as fitohet, as drejtohet.

Me Babalet nuk fitoi gjë dhe tani po vret mendjen si të sajojë ndonjë shpifje, që të mos i roitin më ata bishturina që i kanë mbetur. Po përse merret me gjëra të kota ky njeri i kotë? Konkurrenca bëhet me alternativa, po ai vetëm gënjeshtrën ka alternativë. Bën ndonjë shëtitje andej nga Durrësi e takon vetëm një biznesmen, ku bën një copë herë muhabet dhe kthehet në SHQUP. Po mirë, përse kërkon ta bëjnë Kryeministër këtë njeri që ka mbetur si hurup? Si duket do të realizojë porosinë e Berishës, që nuk vrau dot edhe 400 protestues të tjerë, se ata katër nuk u dilnin! Ai që tani ka filluar të thërresë: “Ta bëjmë Shqipërinë si Europa”. Por e përkthyer ndryshe kjo do të thotë: “Ta bëjmë Shqipërinë siç bëra unë Tiranën për katër vjet”. (Sot)

Kontrolloni gjithashtu

RrGK: Sot gjithë shoqëria duhet të bëhet zë ri i grave dhe vajzave

Ende pa kaluar 5 ditë nga rasti tragjik i vrasjes së gruas në Ferizaj, sot …