Ermira Babamusta: Intervistë me themeluesin e "Win or Win Communications" Julian Zyla

Ermira Babamusta: Intervistë me themeluesin e “Win or Win Communications” Julian Zyla

Çfarë pune bëni aktualisht? Na tregoni pak për kompaninë tuaj “Win or Win”?

Julian Zyla: Pasioni dhe përvoja ime në gazetari, si dhe në politikë, më bëri të nisja Win or Win, një kompani për të ndihmuar institucionet dhe kompanitë të komunikojnë në mënyrë efektive. Win or Win është e specializuar në fushata politike dhe marketingu. Më jep kënaqësi të shoh se si një ide e thjeshtë u shndërrua në realitetin e suksesshëm të një firme me klientë të rëndësishëm.

 

Cilat janë disa nga projektet në të cilat keni qenë i përfshirë deri tani?

 Julian Zyla: Vendosa të shkoj në Shqipëri pasi punova si gazetar për Zërin e Amerikës në Uashington D.C dhe Nju Jork. Gjithashtu kam studiuar, por edhe kam pasur përvojë në komunikim politik, duke u përfshirë në fushatën presidenciale të znj. Hillari Klinton. Që kur vendosa të themeloj Win or Win, kam punuar me klientë si Bashkimi Demokratik për Integrim dhe Komuna e Gostivarit në Maqedoni, apo Sfida për Shqipërinë në Shqipëri, duke qenë gjithashtu në kontakt me korporata si klientë të rinj si Teoren, ABI Bank, Union Bank, Global Travel, etj. Në Shqipëri gjithashtu isha pedagog i Marrëdhënieve me Publikun dhe të Folurin në Publik në Universitetin Europian të Tiranës. Me z. Henri Cili, aksionari i vetëm i UET, filluam kompaninë e PR-it politik “Pro-Democratia”, ku unë shërbeva si CEO i parë i kompanisë. Më pas vendosa të themeloja Win or Win.

 

Ju intereson personalisht politika? A jeni i interesuar të jeni vetë politikan?

 Julian Zyla: Unë besoj te politika si shërbim. Kam studiuar shkenca politike në Romë, në Universitetin Sapienza dhe pastaj në Nju Jork, në NYU: politikën e shoh si thirrje. Ndërsa studioja, zakonisht mendoja se si ato gjëra mund të zbatoheshin për të ndihmuar në përmirësimin e jetës së njerëzve në Shqipëri. Tani punoj në komunikim. Por nëse më ofrohet, do të pranoja me entuziazëm të kontribuoja për vendin tim.

 

Cilat çështje ju interesojnë?

Julian Zyla: Në Shqipëri, ekonomia është ende çështja dominuese. Edhe pse kjo është e vërtetë për shumë vende, ende shumë shqiptarë përballen me vështirësi të mëdha ekonomike. Më intereson të gjej mënyra për të përdorur politikën për të përmirësuar shanset e njerëzve. Deri tani, besoj se procesi i integrimit evropian është ende përgjigja më e mirë strategjike për Shqipërinë dhe shqiptarët.

 

Cili është ndryshimi më i rëndësishëm që keni sjellë në një projekt?

Julian Zyla: Unë besoj në komunikimi frymëzues. Kjo është arsyeja pse me klientët e mi insistoj në krijimin e emocioneve dhe pozitivitetit. Ky është ndryshimi më i madh që zakonisht u sjell projekteve të mia.

 

Si ndikon komunikimi politik te politikëbërësit, media dhe publiku?

 Julian Zyla: Një pjesë e madhe e politikës së sotme është komunikim. Por kurrë nuk mund të jetë e gjitha, sepse pa përmbajtje, vlera ose komunikime të të vërtetave nuk do të funksionte. Komunikimi është rruga për politikanët për të arritur te njerëzit dhe për të ndikuar vendimet e tyre. Ky ndërveprim, natyrisht, ndikon edhe vendimmarrjen e vetë politikanëve. Kjo sepse ata, ndërsa vendosin, do të mendojnë se si do të jenë reagimet publike ndaj politikave të tyre. Mediat kanë një rol të dyfishtë. Ato duhet të informojnë duke respektuar dhe transmetuar ato që komunikojnë politikanët. Por gjithashtu duhet të informojnë edhe duke krijuar përmbajtje të pavarur.Komunikimi politik është kombinim i këtyre forcave: politikës, medias dhe publikut.

 

Çfarë strategjish përdorni në “Win or Win” për marketingun e kompanive?

Julian Zyla: Ne kombinojmë praktikat më të mira, si të marketingut tradicional ashtu dhe mediat e reja. Është vërtetuar shkencërisht se njerëzit veprojnë bazuar në emocione. Pra, për të shitur një produkt nuk mjafton të thuash është i mirë. Duhet të pasqyrosh që identitet për të cilin konsumatori yt të jetë krenar. Ne zakonisht e studiojmë kompaninë që kemi klient, studiojmë konkurrentët, tregun, dhe pastaj gjejmë mënyrën më të mirë për të maksimizuar potencialin e saj.

 

Çfarë është e nevojshme për një fushatë marketingu efektive dhe krijuese?

 Julian Zyla: Gjëja më e domosdoshme për një fushatë efektive është procesi i hulumtimit. Duhet kuptuar identiteti i vërtetë i kompanisë dhe të komunikohen pikat e saj të forta kundër dobësive të konukurrentëve. Nëse shmanget forca e identitetit të kompanisë apo komunikohen ekskluzivisht produktet, kemi të bëjmë me marketing të paefektshëm ose të pjesshëm.

 

Cili është sekreti i një strategjie të suksesshme mediatike?

 Juian Zyla: Strategjia për mediat ka sukses nëse njihet mirë publiku që nevojitet dhe nëse komunikohet mesazhi i duhur për të. Pra, duhet targetim. Kjo do të thotë që duhet të japësh përmbajtjen e duhur në mediumet e duhura. Qoftë gjatë emisioneve televizive. Qoftë në gazeta. Dhe me ta duhet komunikuar në një mënyrë të tillë që mes teje dhe publikut që të intereson të krijohen pika të përbashkëta.

 

Cilat çështje ndieni tuajat? Çfarë pasionesh keni?

Julian Zyla: Pasioni im është politika. E shoh si një mjet për të përmirësuar jetën e njerëzve. Këtë filozofi përpiqem ta zbatoj edhe në komunikim. E shoh si kontribut që subjektet të mund të komunikojnë më mirë vizionin e tyre. Kjo, njëkohësisht, u jep njerëzve mundësi për alternativa më të qarta.

 

Çfarë, kush ju frymëzon?

 Julian Zyla: Njerëzit që luftojnë për ndryshim më frymëzojnë. Unë besoj se mundësitë tona për përmirësim janë të pafundme. Pra, sa më shumë të përpiqemi të përmirësojmë status quo-në, aq më mirë është për ne dhe për njerëzit që duam.

 

Cilat janë planet, synimet,  projektet tuaja të ardhshme?

 Julian Zyla: Për momentin jam i fokusuar në suksesin e Win or Win. Politika mund të quhet një qëllim afatgjatë. Unë besoj te krijimtaria, si në komunikim ashtu edhe në politikë. Kështu që do të vazhdoj të praktikoj sa më shumë kreativitet në çdo gjë që bëj.

Kontrolloni gjithashtu

Festa e Nënës vjen bashkë me pranverën: Flasin Meri Mezini, Irini Qirjako, Margarita Xhepa, Alida Hisku, Myfarete Laze, Enrieta Sina

Festa e Nënës vjen bashkë me pranverën Gëzuar 8 Marsin nënat tona Çfarë është për …