Është mbajtur mbledhja e parë e jashtëzakonshme e Kuvendit të Ferizajt

Kuvendi i Ferizajt i rekomandon Ministrisë së Financave që të lirojë nga tatimi në pronë për vitin fiskal 2023, në vlerën deri në 100, ose pezullimin e aplikimit të vlerësimit të pronave të paluajtshme dhe faturave të vitit 2023 dhe rikalkulimi i tyre sipas vlerësimeve të bëra para vitit 2022. Këtë të premte Kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Ferizajt, Xhavit Zariqi, ka mbajtur mbledhjen e parë të jashtëzakonshme, mbledhje kjo e thirrur nga anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje në Ferizaj. Adnan Selmani-shef i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje në Ferizajt, me këtë rast është shprehur se javën e kaluar është krijuar një keqkuptim i madh për vlerën e përgjithshme të normave tatimore. Sipas tij, Ministria e Financave ka dhënë një propozim që e lehtëson jashtëzakonisht shumë barrën tatimore për të gjithë qytetarë. “Propozimi është dhe nënkupton që secili tatimpagues t’i falen deri në 100 euro të faturës së tatimit në pronë”, ka thënë Selmani. E nga ana tjetër shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës në Ferizaj, Arian Imeri, fillimit ka kërkuar që të di saktë se a duhet të merret vendim apo rekomandim sa i përket kësaj çështje. “Nuk është kompetence e jona që të marrim këtë vendim, një vendim të tillë duhet ta merr ministria”, ka thënë Imeri. E nga ana tjetër shefi i grupit parlament të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Flamur Istrefi, qysh në fillim ka qenë kundër kësaj nisme. Pas të gjitha diskutimeve që pati në këtë mbledhje,  e që nuk ishin të pakta, kuvendarëve me një fjalë i është drejtuar edhe Nënkryetari i Komunës së Ferizajt Lulzim Aliu. Ai ka thënë se duhet të qartësohet çdo gjë,  sepse sipas tij, ky vendim është jo ligjor. “Kërkesa e  ministrit të financave është kërkesë amatere, është jo profesionale, jo ligjore. Nuk mundësh me gjet askund as një nen, as një presje ku thuhet që tatimi në pronë  mund të falet. Ky është vendim është caktu tatimi në pronë dhe nuk falet. Unë jam çudit qysh ditën e parë kur ministri ka thënë se Kuvendi të merr një vendim dhe ky tatim të falet”, ka thënë Aliu, përderisa  ka shtuar se tatimi nuk falet, ai vetëm mund të shtyhet ose të programohet, por me u fal asnjëherë. Edhe Kryesuesi i Kuvendit të Komunës, Xhavit Zariqi, në këtë mbledhje të jashtëzakonshme  është shprehur se Qeveria e Kosovës, ka bërë ngritjen e tatimit në pronë, dhe nuk e ka pasur parasysh gjendjen ekonomike dhe sociale në Republikën e Kosovës. “E ka ngarkuar me një peshë jashtëzakonisht të madhe qytetarin e Republikës së Kosovës, dhe tani duke e parë që ka bërë një gabim të rëndë dhe të pa përmirësueshëm dhe me veprime intaqore, duke mos e pranuar realitetin, nuk  e merr vendimin për tërheqjen nga ky vendim, por kërkon nga strukturat më të ulëta të nivelit të vet që të bëhet kërkesë për falje të 100 eurove”, ka thënë Zariqi. Kuvendareve ferizajas një sqarim për  faljen e tatimit në pronë, e ka dhëne edhe drejtorja e Financave Sebahate Ajeti-Sadiku. “Me ligjin e tatimit në pronë, komunave ju takon përcaktimi i normave të tatimit në pronë  të cilin  vendim e keni marrë në seancën e muajit nëntor të vitit 2022. Në atë mbledhje janë vendosur normat minimale, çka është varur  prej komunës që t’ju ndihmojmë qytetarëve, ne kemi marr vendim për caktimin e normave minimale, sepse ligji parasheh normat prej 0.15 për qind deri në 1 për qind, vlerë kjo që mund të përcaktohet nga komuna, mirëpo në si qeverisje dhe me propozim të Kryetarit Agim Aliu, kemi marr vendim  që mos ta rëndojmë xhepin e qytetarëve, por kemi marr vendim që t’i caktojmë normat minimale të tatimit”, ka thënë drejtorja Ajeti-Sadiku. Pas të gjithë këtyre diskutimeve është marr rekomandimi nga Kuvendi që  të lirojë nga tatimi në pronë për vitin fiskal 2023, në vlerën deri në 100€, të gjithë tatimpaguesit e Komunës së Ferizajt ose pezullimin e aplikimit të vlerësimit të pronave të paluajtshme dhe faturave të vitit 2023 dhe rikalkulimi i tyre sipas vlerësimeve të bëra para Vitit 2022. Ky rekomandim u votua me 33 vota pro, ndërsa ishin 3 abstenime nga ana e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Kontrolloni gjithashtu

Njoftim për Konkursin kombëtar letrar “Sulejman Krasniqi”

Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Rahovecit fton krijuesit shqiptarë që të …