Pas aktgjykimit të 16 shtatorit 2026 ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, Kosova hyn në një fazë të re dhe të rëndësishme juridike.
Në këtë moment nuk mjaftojnë emocionet dhe deklaratat politike. Nevojitet organizim profesional, institucional dhe afatgjatë Kombëtar– jo për të ndërhyrë në drejtësi, por për të shfrytëzuar çdo mundësi juridike dhe për të mbrojtur me fakte të dokumentuara të vërtetën historike.
- KOORDINIM JURIDIK PROFESIONAL
Të krijohet një strukturë me juristë e ekspertë vendor dhe nga shqipëria të së drejtës penale ndërkombëtare, të drejtës humanitare dhe procedurave të Dhomave Specializuara, në koordinim me ekipet e mbrojtjes.
- ANALIZË E PLOTË E AKTGJYKIMIT
Aktgjykimi duhet të shqyrtohet pikë për pikë: gjetjet, provat, interpretimi juridik, mospërputhjet e mundshme dhe bazat për apel. Asnjë qëndrim serioz nuk mund të ndërtohet pa analizuar dokumentin themelor.
- QENDËR PROFESIONALE E DOKUMENTIMIT
Të krijohet një arkiv me dokumente origjinale, dëshmi të verifikueshme, materiale ndërkombëtare, dokumentacion ushtarak, harta dhe kronologji të ngjarjeve. Çdo material duhet të ketë burim dhe të jetë i verifikueshëm.
- EKSPERTIZË NDËRKOMBËTARE
Të angazhohen ekspertë vendorë dhe nga shteti shqiptar të së drejtës ndërkombëtare, historisë, çështjeve ushtarake, hetimeve dhe analizës së provave, me përvojë në procese të ngjashme.
- STRATEGJI E FUQISHME PËR APEL
Apeli duhet të mbështetet në analizë të provave, identifikim të gabimeve të mundshme juridike e procedurale dhe argumentim të strukturuar. Sistemi i Dhomave Specializuara parashikon shqyrtimin e aktgjykimit nga Paneli i Apelit dhe, në rrethana të caktuara, mjete të tjera juridike.
- MBËSHTETJE INSTITUCIONALE DHE DIPLOMATIKE
Institucionet e Kosovës në bashkëpunim të ngusht me ata Shqiptare duhet të krijojnë mbështetje të ligjshme dhe transparente për mbrojtjen juridike, pa ndërhyrë në pavarësinë e gjykatës apo të ekipeve mbrojtëse. Duhet të përdoren edhe mekanizmat ekzistues të asistencës juridike.
- ANGAZHIM I AKADEMISË DHE HISTORIANËVE
Historia e luftës, struktura e UÇK-së, konteksti i konfliktit dhe dokumentet ndërkombëtare duhet të studiohen me standarde akademike, duke krijuar një bazë të qëndrueshme dokumentare për të ardhmen.
KJo duhet të bëhet duke punuar në vazhdimësi nga të dya akademitë, edhe përtej këti procesi.
- DIPLOMACI DHE KOMUNIKIMI PUBLIK
Kosova , diaspora dhe ekspert nga shteti shqiptarë duhet ta shpjegojnë në mënyrë profesionale historinë dhe kontekstin e luftës në arenën ndërkombëtare. Argumenti duhet të jetë i qetë, faktik dhe i mbështetur në dokumente – jo në presion apo retorikë.
- SHOQËRIA CIVILE: FAKTE, JO PRESION
Duhet të shmangen kërcënimet, dezinformimi dhe sulmet ndaj gjyqtarëve apo personaliteteve , të ndalin me forcën e bindjës denigrimet dhe fyerjet nga rrjetet sociale . Të lansojnë fushatë të traditës Shqiptare që fyerja apo shpifja janë turpi. Ato nuk e ndihmojnë mbrojtjen. Në vend të këtyre të mbledhin prova te verifikueshme dhe argumente juridike në favor të mbrojtjës.
- TË MENDOJMË PËRTEJ NJË RASTI
Së bashku Shqipëria dhe Kosova i duhet të krijojnë një institucion profesional dhe të qëndrueshëm për dokumentimin e historisë, hulumtimin dhe ekspertizën në fushën e drejtësisë ndërkombëtare – një strukturë që mbetet edhe pas përfundimit të këtyre proceseve.
TANI ËSHTË KOHA PËR ORGANIZIM
Nuk na duhen vetëm reagime. Na duhen juristë, historianë, profesorë, ekspertë ushtarakë, hetues, arkivistë dhe studiues nga Kosova dhe diaspora, të bashkuar rreth një pune serioze.
Shteti duhet të mbështesë.
Juristët duhet të argumentojnë.
Diplomacia duhet të veprojë.
Akademia duhet të hulumtojë.
Shoqëria duhet të dokumentojë.
Kjo betejë nuk zhvillohet me zhurmë, por me ligj, prova, diplomaci dhe dije.
Tani është koha për një qasje të organizuar Kombëtare, profesionale dhe afatgjatë – për drejtësinë, për dokumentimin e së vërtetës dhe për kujtesën historike të Kosovës.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
