FADIL REXHA: KUR MUNGON LUANI MAJMUNËT BËHEN MBRETËR

Fadil REXHA: SHËTITJE E IMPONUAR

(Reportazh poetik)

 

VAROSH

 

E lash për të satën herë

Vendlindjen time

Në heshtje rrethuar

Në acar të fortë

Me borë mbuluar …

 

FERIZAJ

 

Mbrëmje dimri

Grumbull i njerëzve

Mos është demonstratë?

Jo. Nuk dëgjohen thirrjet: LIRI! DEMOKRACI!

Janë njerëz që ikin jashtë Atdheut!

Duart e tyre  nuk mbajnë gur!

Duart e tyre fshijnë lotët e ndarjes!

 

PRISHTINË

 

Mbrëmje prishtinase!

Jo e korzove!

Jo e shëtitjeve të lumtura të të rinjve!

Por mbrëmje e lotëve të ndarjes!

Ashtu  si në Ferizaj!

Ashtu si dhe në gjysmën e Atdheut tonë!

 

MITROVICË

 

Mitrovica e Boletinëve dremit

Nën përkundjen e qetë të Ibrit!

Ashtu si dhe gjysma e Atdheut tonë!

Ndërsa nëntokën tonë e brenë krimbi i zi! *

 

KULLA E OSO KUKËS

 

Bashkudhëtari Mahmuti më thotë:

,,I shikon ato themele mbi at shpat?

Janë themelet e Kullës së Oso Kukës!”

I shikoj nga larg ato  themele

Me dëshirë që të shikoj kullën

Që të  prodhoj barot

Për viset tona të pushtuara

Që t’i shporrim armiqtë

Nga Vranja, Presheva e Bujanoci…

Nga Ulqini, Tivari, Hoti e Gruda…

Nga Kumanova, Tetova, Ohri e Kërçova…

Nga Çamëria e Kosova…

 

TIVAR

 

Ky Tivar gjithçka ka parë!

Ka parë Jakup FERRIN e Ali Pashë GUCINË

Ka parë një varg të pafund kryengritësish,

Për mbrojtjen e tij,

Në luftë kundër shtatë krajlive… 

Ky Tivar ka parë

Edhe një varr shumë të madh të masakruarish

Gjëmat e të cilëve

Bashkë me valët e detit

I dëgjoj edhe tani…

 

NË DET

 

…sa here jemi larg Shqipërie

me ty det ne bisedojmë

me Atdheun tonë të dashur

ti na ndan e na bashkon…

 

 

Hapësirë e paanë!

Bashkë me Shqipen e Skënderin

Në bordin e anijes

Flasim për gjithçka

(kujtojmë Shyqri Alushin,Vaçe Zelën, Sali Manin)

E më shumë flasim

Për artin e anatemuar…

Brenda në vapor në një tavolinë

Disa të rinj gjakovarë,

Me shishe të rakisë përpara

Ja thonë këngëve më të mira për Atdheun…

 

BARI

 

Nëpër rrugët e qytetit

Në grumbullin e njerëzve

Më duket se shëtit

Vrasësi i Luigj  Gurakuqit!

Takojmë shumë shqiptarë

Hallexhinj e matrapazë…

Njëri nga ata na e hapi derën e shtëpisë e zemrën!

Bashkë me Kukësjan Tasimin e Prizrenas Mahmutin

Bisedojmë për të palarat e të “mëdhenjve”!

 

PARIS

 

Parisi i diplomacive të ndyra!

I strehuesve të tradhtarëve

Apo i ndëshkuesve të tradhtisë!

Parisi i toptanëve,

Apo Parisi i rrustemëve!

Shikoj nëpër rrugët e qytetit

Dhe bashkudhtarit Mahmutit i themë:

“Këtu kemi Kadarenë”

Pa ditur se ç’të mendoj për te…

 

BON

 

Boni i dhjetëra mijë demonstruesve

Që kërkojnë për Kosovën LIRI!

Të udhëhequr nga krerë injorantë

Që nuk shikojnë më larg interesave të ngushta partiake

Që janë në shërbim të të huajve

E demonstruesit i ndajnë me ideologji!**

Në banesën e bashkudhëtarit Mahmutit

Shikojnë me admirim nga ne

Duke pritur t’u themi diçka

Duke pritur t’u sjellim një lajm

Duke pritur ndoshta nga Atdheu një grusht dhe!

 

STUKENBROCK

 

Ja dhe stacioni i fundit

Apo përfundim në kampin e përqendrimit!

Qëndrojmë në te pa faj

Me rrethojë të padukshme, vetizolimi

Ku ditët kam dëshirë të shkojnë shpejt

Pa harruar se janë ditë nga jeta ime

Që më parë do t’ia falja dreqit

e sa t’ja fal kurbetit…

______

*  Moto e kohës ishte: ,,Trepça punon Beogradi ndërton”

** Doli një informatë se veprimtari i LDK-së Hafiz Gagica si organizator kishte penguar pjesëmarrjen në demonstratë të të Madhit Adem Demaçi dhe të ish-Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Bujar Bukoshit, që për ne demonstruesit ishte e pa pranushme, pasi ideal e kishim Adem Demaçin!

 

Shkurt 1995

 

Kontrolloni gjithashtu

Albert Z. Zholi

Albert Z. ZHOLI:  Dita Botërore e  librit dhe e kriza e së drejtës së autorit në Shqipëri

 Dita Botërore e  librit dhe e kriza e së drejtës së autorit në Shqipëri Shqipëria …