Familja Dehari

Familja e Astrit Deharit nuk do hetim ndërkombëtar pa dorëheqjen e ministrave: Hoxha dhe Hyseni

Përmes një deklarate për medie, Avni dhe Xhemile Dehari, prindërit e Astrit Deharit, i cili u gjet i vdekur në një dhomë të Burgut të Prizrenit, më 5 nëntor 2016, bëjnë përgjegjës Qeverinë, Ministrinë  e Drejtësisë dhe të Punëve të Brendshme, të cilat ende nuk kanë arritur ta zbardhin shkaktarin e vdekjes së djalit të tyre. Kjo kërkesë do të kishte kuptim vetëm nëse njëkohësisht Dhurata Hoxha dhe kolegu i saj, ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, japin dorëheqje menjëherë, thuhet mes tjerash  në deklaratën e Avni dhe Xhemile Deharit.

Deklarata e plotë:

 Nga mediet mësuam se Ministrja e Drejtësisë, znj.Dhurata Hoxha, i është drejtuar ambasadorit britanik z.Ruairi O’Connell, me kërkesë për një hetim të pavarur të vdekjes së djalit tonë Astritit, me arsyetimin se pjesë të caktuara të opinionit publik kanë shprehur dyshime sa u përket integritetit dhe paanësisë së procesit hetues.

Së pari, ministrja Hoxha nuk u mor me kërkesën tonë si familje për hetim të pavarur, por vetë ajo bëri kërkesë. Pra, nuk është se ajo po bëhej gati të jepte leje për ne, por e inicoi kërkesën pa kurrfarë konsultimi me ne. Së dyti, nuk është se vetëm pjesë të caktuara të opinionit publik kanë shprehur dyshime për hetimin e deritanishëm, por të gjithë qytetarët e panë publikisht deklaratën e rrejshme të komandantit të policisë nga Prizreni, z. Nexhmi Krasniqi, për shkakun e vdekjes së Astritit, rrjedhjen e provave në televizione publike si dhe paragjykimin e kryeprokurorit Sylë Hoxha për shkaktarin e vdekjes së Astritit pa u kryer hetimet.

Kërkesa e ministres së Drejtësisë znj. Dhurata Hoxha është pranim i saj për papërgjegjësinë dhe për paaftësinë e kësaj qeverie dhe të institucioneve shtetërore për ta zbardhur rastin e zbuluar shkaktarin e vdekjes së djalit tonë. Kjo kërkesë do të kishte kuptim vetëm nëse njëkohësisht znj. Dhurata Hoxha dhe kolegu i saj, ministri i Punëve të Brendshme, z. Skënder Hyseni, japin dorëheqje menjëherë. Paralelisht me këtë duhet të ndërpriten hetimet aktuale që po i udhëheqin prokurorët Metush Biraj e Sylë Hoxha. Nga publikimet e kohëve të fundit morëm vesh se këta dy prokurorë i lidh me konflikt interesi vëllai i kryeprokurorit, z. Elez Hoxha, i dënuar me katër vjet burg për korrupsionit.

Pa dorëheqje të këtyre dy ministrave dhe pa ndërprerjen e hetimeve aktuale ne si familje Dehari nuk pajtohemi për hetime ndërkombëtare, përkundër vlerësimit të lartë që kemi dhe reputacionit të lartë që ka Scotland Yard, përfundon deklarata e Avni dhe Xhemile Dehari, prindërve të Astrit Deharit, që vdiq në Burgun e Prizrenit.

Kontrolloni gjithashtu

BDI: Për fituesin vendosin qytetarët dhe jo VMRO

Bujar Osmani ka siguruar epërsi të lartë nga votimi i Mërgatës, në zgjedhjet presidenciale që po mbahen në Maqedoni

Sipas mediave në Maqedoninë e Veriut, raportohet se janë publikuar rezultatet paraprake nga votimi i …