Ka njerëz që historinë e lexojnë, e ka njerëz që historinë e shkruajnë me jetën e tyre. Zijadin Hoxha i përket brezit të atyre burrave që nuk kursyen as rininë, as lirinë, as jetën për idealin e çlirimit dhe dinjitetit kombëtar. Për më shumë se katër dekada, ai qëndroi i palëkundur në shërbim të atdheut, duke vepruar me përkushtim, përgjegjësi dhe besnikëri ndaj çështjes kombëtare.
Kontributi i tij në rezistencën kombëtare dhe në luftën për liri është pjesë e historisë sonë dhe nuk mund të zhbëhet nga askush. Ai i përket kujtesës kolektive të popullit tonë dhe do të mbetet një shembull i sakrificës, guximit dhe atdhedashurisë për brezat që vijnë.
Shprehim nderimin dhe mirënjohjen tonë të thellë për veprën dhe angazhimin e Zijadin Hoxhës, duke ritheksuar se respekti për veprimtarët e lirisë është respekt për themelet mbi të cilat është ndërtuar shteti ynë.
Njëkohësisht, deklarojmë qartë dhe pa asnjë mëdyshje se nuk do të lejojmë askënd që, për çfarëdo qëllimi, interesi apo përfitimi personal, të tentojë ta njollosë figurën, integritetin dhe kontributin e Zijadin Hoxhës. Çdo përpjekje për të shtrembëruar të vërtetën historike, për të shpifur apo për të cenuar dinjitetin e tij është e papranueshme dhe do të marrë përgjigjen e merituar përmes rrugëve ligjore.
Kushdo që ndërmerr një hap të tillë dhe me veprimet e tij cenon nderin, reputacionin apo të drejtat e mbrojtura me ligj, do të ballafaqohet me institucionet kompetente dhe me forcën e ligjit. Askush nuk është mbi ligjin dhe askush nuk ka të drejtë të përdhosë me shpifje e trillime figurat që i kanë shërbyer lirisë së këtij vendi.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
