Në kuadër të Panairit të Librit 2026, Forumi i Intelektualëve të Shtimes organizon tryezën me temë “Portrete Krijuesish”, një aktivitet kulturor kushtuar jetës, veprës dhe kontributit shumëdimensional të profesor Ahmet Qeriqit në fushën e arsimit, publicistikës, letërsisë dhe çështjes kombëtare.
Aktiviteti do të mbahet të hënën, më 3 gusht 2026, duke filluar nga ora 18:00, në Bibliotekën e Qytetit në Shtime.
Tryeza do të hapet me fjalën përshëndetëse të kryetarit të Forumit, prof. Banush Imeri, ndërsa gjatë programit do të mbahen kumtesa dhe vështrime nga personalitete të njohura të jetës akademike, letrare dhe kombëtare.
Programi i aktivitetit:
- Prof. Abdyl Hajredini – “Portreti krijues i Ahmet Qeriqit”.
- Prof. Dr. Sabit Syla – “Jeta dhe veprimtaria e profesor Ahmet Qeriqit – kontributi i tij në fushën e arsimit, publicistikës dhe çështjes kombëtare”.
- Dr. Ruzhdi Jashari – “Rrugëtimi jetësor i Ahmet Qeriqit – angazhimi i tij në UÇK”.
- Bedri Tahiri – vështrim letrar mbi romanet “Guri i Betimit” dhe “Betimi i Motrës”, duke trajtuar vlerat e tyre artistike, historike dhe kombëtare.
- Salih Lajçi, veprimtar i çështjes kombëtare dhe ish-komandant i Brigadës 136 “Rugova”, do të ndajë kujtime nga vitet e burgut dhe bashkëvuajtja me profesor Ahmet Qeriqin.
Këshilli Organizativ i Forumit të Intelektualëve të Shtimes fton intelektualët, krijuesit, studiuesit, lexuesit dhe të gjithë qytetarët e interesuar të marrin pjesë në këtë veprimtari, e cila synon të nderojë dhe të vlerësojë kontributin e profesor Ahmet Qeriqit në kulturën, historinë dhe jetën kombëtare shqiptare.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
