Fatmir Graiqevci

Fatmir Graiçevci: Kush kishte të drejtë, poeti, Rainer Maria Rilke apo filozofi, Ludvig Vitgejnshtajn?

   Është interesante kur bëhet krahasimi i dy pikëpamjeve të kundërta rreth një çështje të rëndësishme. Dhe sa herë njeriu nis e shkruan dhe mandej nis e ndjen se nuk po mund të shprehesh ashtu sikur ke dëshirë, se gjuha jote është e mangët dhe nuk e ka fuqinë shprehëse që dëshiron, nuk ka se si të mos kujtohen dy mendimtar të jashtëzakonshëm të botës gjermano folëse dhe më gjerë, njëri poet i shquar e tjetri filozof i jashtëzakonshëm që konsiderohet një nga themeluesit kryesor të një rryme filozofike.  Dhe kur ndeshësh me vështirësi në të shkruar, nuk ka se si të mos vije pyetja, athua cili kishte të drejtë, poeti Rainer Maria Rilke apo filozofi, Ludvig Vitgejnshtajni, kur bisedonin për pafuqinë respektivisht fuqinë e gjuhës për ta pasqyruar objektivisht realitetin për të cilin merr mundin të na tregon!?

    Mbi një shekull më parë, poeti i jashtëzakonshëm, Rainer Maria Rilke ( 1875–1926 ), në “Letër dërguar poetit të ri konstatonte se “në disa raste, gjuha është e pafuqishme për ta pasqyruar realitetin të cilin mundohet të na dëftoj”. Ai shkruan më tutje se “gjërat nuk janë dhe aq të kapshme dhe të shpjegueshme siç besojmë ne: shumica e situatave janë të pashpjegueshme, ndodhin në një botë në të cilën gjuha nuk ka depërtuar kurrë”. Ai dorëzohet përball pafuqisë së gjuhës për ta pasqyruar besnikërisht realitetin për të cilin mundohet të na tregoj. Me gjithë këtë, poeti, Rainer Maria Rilke porositë më tutje se nëse dëshirojmë të shkruajmë dhe ta dimë nëse shkrimi ynë ka vlerë, para se t’i pyesim të tjerët se a ka shkrimi ynë vlerë, nëse ia vlen të botohet, e pyetje të tjera, është mirë ta pyesim veten tonë- a jemi të gatshëm të vdesim për të drejtën tonë për të shkruar!?, a jemi të gatshëm të vdesim për shkrimin tonë!?, dhe nëse thellë nga brendësia jonë na vije një PO e fuqishme, atëherë s’kemi nevojë t’i pyesim të tjerët nëse kanë apo jo, vlerë shkrimet tona!

   Nuk ka se si të mos kujtohen këto fjalë të poetit Rainer Maria Rilke mbi pafuqinë e gjuhës nëse bënë përpjekje për ta pasqyruar dashurinë e dëshmorëve për komb e atdhe dhe dashurinë e nënave dhe baballarëve që janë të gatshëm ta japin jetën për mirëqenien e bijve dhe bijave të tyre por kur është në rrezik atdheu, prindërit janë të gatshëm t’ua japin bekimin fëmijëve të tyre, gjatë rrugëtimit për në frontin e luftës, ku vdekja e jeta janë pranë njëra tjetrës dhe ka shumë të ngjarë që ata të mos kthehen më të gjallë nga atje.

Si mund ta pasqyroj gjuha dashurinë e nënave e baballarëve për lirinë e vatanit kur qeniet për të cilat ata janë të gatshëm ta japin jetën – bijtë dhe bijat e tyre, i falin për lirinë e kombit e të atdheut!? Kush merr guximin të na thotë se do të ja  dal ta pasqyron plotësisht këtë dashuri!? Kush mund të na tregoi për dashurinë e dëshmorëve për komb e atdhe kur gjatë luftës për çlirimin e tyre, i vriten para syve më të dashurit e tij për të cilën ishte i gatshëm të vdes – fëmijët, dhe pavarësisht kësaj, ai nuk ndalon luftën për asnjë moment deri në frymën e fundit, në rënien heroike!!! E një akt kulmor i tillë, është bërë nga familja emblematike e kombit, familja Jashari me 5, 6 e 7 mars, të vitit 1998, në luftën për çlirim.

 Lufta e tyre titanike dhe dashuria e madhe për lirinë e popullit e mëmëdheut dhe heroizmi i pashoq, do t’i stepë edhe shkrimtarët më të shquar për artin e shkrimit në përpjekjet e tyre për pasqyrimin e realitetit, të cilin mundohemi ta përshkruajmë. Po cila pendë mund të ta përshkruaj plotësisht dashurinë e Shaban Jasharit për komb e vatan, kur kjo dashuri e tij nuk e ndalon që të angazhohet dhe lufton deri në frymën e fundit për lirinë e popullit e mëmëdheut, i vetëdijshëm që kjo luftë nuk do t’ia kursejë as bijtë e as gruan, as dhjetëra nipa e mbesa!? Nëse nuk mund ta pasqyrojmë dashurinë e tij për bijtë e bijat, për nipat e mbesat, si mund ta përshkruajmë dashurinë e tij edhe më të madhe për kombin e vatanin!? Si!? Po dashurinë e kryekomandantit, Adem Jasharin dhe vëllaut e bashkëluftëtarit të orëve të para, urtakut e strategut, Hamëz Jasharit!? Nëse nuk mund ta përshkruajmë dashurinë e pamasë dhe të pafundme të bijve për prindërit e fëmijët e tyre, si mund ta përshkruajmë dashurinë e tyre madhështore për kombin e atdheun, për lirinë e të cilëve luftojnë me një heroizëm të paparë në historinë e njerëzimit edhe pse ishin të vetëdijshëm që gjatë luftimeve, forcat barbare shqiptarvrasëse serbe, nuk do ta kursejnë askënd, as pleq e plaka, as vajza e gra, as foshnje e fëmijë!?

Të gjitha këto qenie njerëzore, krye heronjtë dhe kryetrimat e Kosovës, Adem e Hamëz Jashari i donin pa masë, pafundësisht, por ja që mes dashurisë dhe kujdesit për mirëqenien e tyre në njërën anë, dhe dashurisë për kombin e vatanin, në anën tjetër, të gjithë tok, pa përjashtim, kishin vendosur të angazhohen, rezistojnë dhe luftojnë deri në frymën e fundit, për lirinë e kombit dhe vatanit, edhe pse e dinin se gjatë luftimeve, do t’i vrasin të gjithë, pa përjashtim, pleq e plaka, nipa e mbesa, foshnje e fëmijë! Kur njerëzit duan të tregojnë për atdhedashurinë, pohojnë: Për dashuri jap jetën, për atdhe jap dashurinë! Dhe Familja Jashari e bëri këtë, pa hezitim! Mbase poeti i njohur gjerman, Rainer Marie Rilke, kishte të drejt kur këmbëngulte: Gjërat nuk janë dhe aq të kapshme dhe të shpjegueshme siç besojmë ne: shumica e situatave janë të pashpjegueshme, ndodhin në një botë në të cilën gjuha kurrë nuk ka depërtuar”.

Dhe vështirë se ndonjëherë do të ja del gjuha që ta përshkruaj dashurinë e pakufishme, të pashoqe, te Familjes Jashari, për mirëqenin e kombit e atdheut, për lirinë e të cilëve, nuk kursyen as jetët e atyre për të cilët ishin të gatshëm ta japin jetën! Dhe dashuria e jashtëzakonshme, e të gjitha anëtarëve të kësaj familje, bëri që ata për lirinë e kombit e atdheut, të luftojnë si një trup i vetëm, dhe të luftojnë deri në frymën e fundit, dhe të biejnë në altarin e lirisë, një nga një, bashkërisht, heroikisht!

    Pak kohë pas tij, Ludvig Vitgejnshtajni ( 1889  – 1951 ), pretendonte të kundërtën duke këmbëngulur se gjuha e ka këtë mundësi e nëse nuk ia del, fajin duhet gjetur te mangësitë e përdoruesit të saj – njeriut, shkrimtarit, e jo te gjuha! Vitgejnshtajni shpjegon më tutje se gjuha e ka potencialin për ta pasqyruar në mënyrë besnike realitetin të cilit i referohet e nëse nuk ia dal mbanë, faji nuk qëndron te gjuha por te përdoruesi i saj që nuk po ia del ta përdorë tërë potencialin e gjuhës. Por jo vetëm kaq. Me kalimin e kohës, filozofi Vitgejnshtajn arrin në një përfundim edhe më të madh dhe thotë se gjuha përveç që përmban potencial për pasqyrimin objektiv të realitetit, dukurisë apo fenomenit që ka marr mundin të dëftoj, ajo ka potencial edhe për të krijuar realitete të reja! Dhe fundja e fundit, a nuk na e ka dëftuar këtë Bibla, dy mijë vite para Vitgejnshtajnit, ku mes rreshtave të saj, në kapitullin Zanafilla, mes tjerash thuhet:

Dhe Zoti tha: Bëhu!, dhe bota u bë.

A nuk ishte kjo fjalë e Zotit që krijoj një realitet të paqenë më parë!? Pra, një realitet të ri, sikur na thoshte filozofi, Ludvig Vitgejnshtajni!

   Është interesant nëse analizojmë shembuj nga bota shqiptare, e që për fatin tonë të mirë, kemi. Shembulli më i mirë është ai i nënës së simbolit të rezistencës sonë kombëtare, Bacë Adem Demaçi, nënës Nazife. Duke folur për atdhedashurinë e saj, liridashësi ynë, Bacë Adem Demaçi rrëfente se një ditë, nëna e tij, Nazifja i tha:

   Biri imi, ti i ke dy nana. Më ke mua por ke edhe një tjetër – nanën Shqipni. Unë një ditë do të lë ty por ajo tjetra, nana Shqipni, nuk ka për të lan kurrë kështu që mos u lidh vetëm për mua por më dëgjo, lidhu për nanën e përjetshme, nanën Shqipëri.

   Ishin këto fjalë të saj, që te unë ndezën një zjarr e dashuri të madhe që nuk e kisha përjetuar asnjëherë, zjarrin për mëmëdheun që më shoqëroi përherë – tregonte liridashësi ynë, Bacë Adem Demaçi. Dhe vërtetë fjalët e kësaj nëne, krijuan te djali i saj një dashuri të zjarrtë e të jashtëzakonshme për mëmëdheun – Shqipërinë, një zjarr të padukshëm nga jashtë por që thellë në brendinë e tij i sillte ngrohtësi, dritë e dashuri Bacës sonë edhe në qelitë e burgut që sundonte ftohti, errësira e vetmia. Dhe tani vijmë te një aspekt tjetër, edhe më interesant. Sa e madhe duhet të ketë qenë dashuria e nënës Nazife për të transmetuar kaq shumë dashuri të madhe për Shqipërinë te djali i saj i vogël e me trup të hajthëm!? Cili ishte toni dhe ngjyra e zërit të saj kur i fliste për atdheun e lirë të shqiptarëve!?

Mbase gjuha është e pafuqishme për ta pasqyruar në mënyrë të drejtpërdrejt dashurinë e nënës Nazife për Shqipërinë por ja që gjuha ka potencial për të na treguar për të nëpërmjet nxitjes së imagjinatës, e imagjinata tejkalon kuftijt e realitetit, të cilin gjuha e ka thuaja të pamundur për ta pasqyruar besnikërisht. Psikologët na mësojnë se motivi amnor i shtynë njerëzit për akte sublime, për ta sakrifikuar jetën për pasardhësin e tyre. E nëna Nazife bëri më shumë se kaq. Dashuria e saj për mëmëdhenë, bëri që qenien për të cilën ishte e gatshme ta jap jetën, birin e saj Ademin, t’ia fal kombit e atdheut. Dhe liridashësi ynë, Bacë Adem Demaçi, çdo çast të jetës së tij, ia fali kombit, atdheut, lirisë e humanizmit, deri në frymën e fundit, pa pritur asgjë për kompensim. Dhe kështu, me jetën e tij unike, na dëshmoi dashurinë që ndjente për lirinë e mirëqenien për kombin, vatanin, njerinë, dashuri që ishte ndezur shumë dekada më parë, nga nana Nazife, e cila e rriti me shumë djersë, sakrifica e mundime dhe ia fali Shqipërisë!!! Dashuri e madhërishme, unike, shembullore, e pamasë, e pafundme! Kemi edhe shumë nëna të tilla, por ja që për to kujdesemi disa minuta, njëherë në vit – kur vizitojnë familjet e dëshmorëve dhe bëjmë foto para kamerave me nënat e tyre – Heroinat tona të harruara e të margjinalizuara, padrejtësisht!!!

Kontrolloni gjithashtu

Sejdi Veseli

Sejdi Veseli: URANIUMI I VARFËRUAR DHE NDOTËSIT E TJERË RREZIK SERIOZ PËR KOSOVËN

Po mbushen tetë vete të plota nga përfundimi i luftës së armatosur kundër shkelësve të …