leoni

Fatmir Greiqevci: Radio Kosova e Lirë dhe Ahmet Qeriqi, dy emra të një njësie unike, atdhetare, informative e kulturore, qe 25 vjet

 Ndërlidhja e jashtëzakonshme që kanë personalitetet e rralla me ngjarje, të arritura apo institucione, bënë që të krijohet një ndërlidhje e pashkëputshme me njëra tjetrën, sikur është emri i Adem Demaçit me rezistencën tonë kombëtare, emri i Migjenit me letërsinë tonë realiste, emri i Martin Luter Kingut me lëvizjen për të drejta të njerëzve me ngjyrë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, emri i Nelson Mandeles me angazhimin e tij kundër aparteidit në Afrikë, Kopernikun me heliocentrizmin, Frojdin me psiko-analizën, e kështu me radhë.

 Kjo ndodhë sepse këto personalitete, tërë jetën e tyre ua kanë kushtuar kauzave të tilla dhe sa herë përmenden ato, na kujtojnë edhe personalitetet më meritore për jetësimin e tyre. Në mesin e personaliteteve të tilla, pa as më të voglin dyshim, është edhe Ahmet Qeriqi, emri i të cilit ta sjellë në mendje Radion Kosova e Lirë, të cilën e drejton me vetëmohim, për një çerek shekull, dhe anasjelltas, përmendja e kësaj Radio ta sjellë në mendje emrin e tij.  Nuk e ka bërë e as e bënë këtë pse kjo i sjell ndonjë dobi personale materiale por për shumë arsye tjera fisnike. Duke qenë njohës tejet i mirë i personaliteteve më meritore të kombit, herë të injoruara apo edhe të keqtrajtuara me pa të drejtë, ai e ka marrë përsipër barrën për ndriçimin dhe afirmimin e jetës së tyre, duke iu dhënë sa më shumë hapësirë në valët e Radios Kosova e Lirë, ku si një asnjë medium tjetër, flitet e shkruhet për më meritorët e kombit, fal gjakut, mundit dhe djersës së të tillëve, ne sot jetojmë e flasim lirshëm.

E veçanta e këtij mediumi që drejtohet nga studiuesi i përkushtuar, Ahmet Qeriqi është se nuk përkujtohet vetëm veprimtaria e heronjve dhe dëshmorëve të kombit të tri luftërave të fundit çlirimtare 1998 – 2001( Kosovë, Maqedoni Veriore dhe Kosovë Lindore ) por veprimtaria e personaliteteve të shumta përgjatë gjithë historisë sonë. Njohja tejet e mirë e biografive dhe sakrificave që kanë bërë heronjtë dhe dëshmorët tonë përgjatë gjithë historisë për komb e atdhe, kanë bërë që studiuesi, Ahmet Qeriqi të jetë një luftëtar i pa kompromis kundër çdo kujt dhe çdo nisme që cenon apo baltos vlerat më të larta të shoqërisë sonë.

Mbase në shikim të parë, mund të krijohet përshtypja se kritika e tij është me e fuqishme se sa duhet, më e shpeshtë se sa është nevoja, e pakursyer, e ashpër e përshtypje të tjera  që krijohen në shikim të parë por posa fillon të hulumtosh më thellë arsyet e reagimeve të tilla, e kupton se baca ynë ka të drejtë sepse po ndanë momente të jetës së tij për të ruajtur të pacenuara ato vlera që heronjtë dhe dëshmorët e kombit ua kanë falur jo një pjesë të jetës por tërë jetën e tyre!

 Kjo ka bërë që ai, jo rrallë herë të shihet si tekanjoz, kokëfortë, jo bashkëpunues, jo tolerant, vetiak e përshkrime të tilla por të gjitha këto e shumë të etiketime tjera që i bëhen e i janë bërë, bien përtokë e shkërmoqen posa e kupton dashurinë e tij të pa masë e të pafundme për vlerat më të larta të kombit e vatanit, për jetësimin e të cilave është angazhuar dhe angazhohet me tërë qenien e tij, edhe tani kur po përballet me një problem shëndetësor dërmues!!! Si duket, në qenien e tij, është një luftë e ashpër mes sëmundjes në njërën anë dhe dashurisë së tij të jashtëzakonshme për lirinë, kombin, atdheun, përparimin,… dhe afirmimin e vlerave më të larta të kombit e atdheut në anën tjetër. Është kjo dashuri e papërshkrueshme që po e sfidon sëmundjen e cila po ashtu po e lufton bacën në vazhdimësi!!! Fal kësaj dashurie të papërshkrueshme, baca ynë, vazhdon të shkruaj, reagoj, kundërshtoj ndaj çdo të keqe, kudo ku ajo shfaqet por pa e lënë për asnjë moment anash edhe afirmimin e së mirës, kudo ku ajo është shfaqur apo ka filluar të lulëzon.

 Ndonëse për shumë vite me radhë jetën e tij e kalonte brenda objektit të Radios Kosova e Lirë, objekt i cili për një kohë të gjatë më shumë të asocionte në objekt burgu se sa mediumi, dritare me grila po sikur të burgjeve, mure të mykura po sikur dhomat e vetmisë në burgje, lagështi ngado po sikur në burgje, ai nuk ishte mjaftuar me kaq! Ndonëse dritaret e tilla ta ndanin diellin cop- copa dhe ta pamundësonin ta shihje në tërësinë e tij edhe në liri, ashtu sikur ëndërrojnë ta shohin atë liridashësit, baca ynë i vë edhe një barrë tjetër vetes së tij, realizimit të ëndrrës së simbolit të rezistencës sonë kombëtare, Bacë Adem Demaçit për themelimin e një televizioni ku do të kultivoheshin dhe afirmoheshin vlerat puro shqiptare. Ndonëse ishin të shumtë që ia kishin rrahur supet bacës, Adem Demaçit se do ta ndihmojnë për t’ia realizuar këtë dëshirë të flaktë të tij, ishte baci Ahmet ai i cili në heshtje e pa krekosje, mori përsipër edhe këtë barrë për realizimin e ëndrrës së bacë Adem Demaçit dhe themeloi mediumin tjetër të pagëzuar me një emër domethënës “Televizioni Dielli” dhe kështu realizoi amanetin e njeriut që të gjithë krekosen duke postuar foto me të e duke u hequr si ithtar të tij por që përveç fjalëve, fotove të përbashkëta e rrahje të supeve, nuk bënë asgjë tjetër për realizimin e ëndrrës së tij.

Por nuk është vetëm respekti i tij i pamasë e i pafundmë për Bacë Adem Demaçin që e ka motivuar për realizmin e ëndrrës së tij për televizion por është edhe karakteri tij i paepur për të bërë sa më shumë për kombin e vatanin dhe bijve dhe bijave më të mira të tij. Ahmet Qeriqi nuk është mjaftuar vetëm së shkruari për veprimtarinë e tyre, nuk është mjaftuar as me bërjen e mijëra audio dokumentarëve për heronjtë, dëshmorët dhe personalitetet meritore të kombit por ka bërë edhe një hap tutje, vazhdimin e realizimit të këtij misioni fisnik me anë të video dokumentarëve të shumtë.

Vetëm një humanist i paepur e që ka një dashuri të pamasë e të pafundme për vlerat më të larta, mund të bëjë kaq shumë dhe ta ketë ndjesinë se ende nuk ka bërë sa duhet, sa e meritojnë. Përderisa mijëra bashkëmoshatarë të tij tani jetën e tyre ia kushtojnë vetvetes dhe mirëqenies së tyre, baca ynë vazhdon ende që jetën e vet t’ua kushtoj të tjerëve, heronjve, dëshmorëve, personaliteteve shqiptare e ndërkombëtare duke ndriçuar e afirmuar jetën e tyre si dhe duke u angazhuar me vet mohim për realizimin e ëndrrës shekullore të idealistëve të sa e sa gjeneratave, për bërjen e Shqipërisë etnike, ëndërr për të cilën e flijuan sa e sa gjenerata, shekuj me radhë.

Prandaj ai , është i pa kompromis në ruajtjen e vlerave më të larta të kombit dhe shkruan, reagon, kritikon e kundërshton pa ekuivoke, pavarësisht se kënd ka përballë, pavarësisht se sa i kushton kjo atij sepse ai me të drejtë vlerëson se atdheu e kombi dhe liria e tyre kanë vlerë më shumë se pushteti, më shumë se partitë e më shumë se individët dhe se vlerat për mbrojtjen e të cilave kanë dhënë jetën dëshmorët, duhet mbrojtur me çdo çmim!  Baca ynë këtë e ka bërë përgjatë gjithë jetës, qoftë në rininë e tij kur ishim të robëruar, qoftë gjatë luftës kur luftohej për t’u çliruar por edhe 25 vite me radhë pas çlirimit, për një çerek shekull me radhë, me vet mohim e si askush tjetër u angazhua për afirmimin dhe lartësimin e vlerave më të larta të kombit e atdheut, pa pritur e as marrë asnjë kompensim për këtë angazhim!!! Thjeshtë, i jashtëzakonshëm e shembullor dhe që të bënë ta duash dhe vlerësosh pa masë, pafundësisht dhe t’i urosh me tërë qenien e përzemërsisht jetë të gjatë e të lumtur dhe ta përjetoi realizimin e ëndrrës se atyre dhe asaj që ua kushtoi tërë jetën – bërjen e Shqipërisë etnike!

 

 

 

Kontrolloni gjithashtu

Isuf Ismaili: Kështu foli për Kryengritjen Shqiptare të vitit 1981, drejtori i Radios-Kosova e Lirë, Ahmet Qeriqi

Isuf Ismaili: Radio Kosova e Lirë veproi e do të veprojë në tabanin e shqiptarësisë sonë

Kur flasim apo shkruajmë për Radion Kosova e Lirë, duhet të kemi, përherë, parasysh faktin, …