Eprori i shquar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ish-deputeti i Kuvendit, Fatmir Humolli, ka shprehur kritika të ashpra ndaj vonesave në konstituimin e institucioneve pas zgjedhjeve. Humolli tha se procesi politik po zvarritet në mënyrë të papranueshme, duke e krahasuar me ritmin e zhvillimeve gjatë luftës çlirimtare. “Për mua, mos krijimi i institucioneve është përgjegjësi e klasës politike. Secila parti, në bazë të peshës që ka në opinion, mban përgjegjësi. Vota merret në mënyrë personale, nuk votohet partia, por deputeti”, theksoi ai. Sipas Humollit, presioni i qytetarëve duhet të ndikojë që deputetët të marrin me seriozitet detyrën e tyre përfaqësuese dhe të veprojnë në frymën e përgjegjësisë ndaj shtetit. “Shumë zona operative e kanë zhvilluar luftën më shpejt sesa që po formohet Kuvendi i Kosovës. Disa luftëtarë tanë kanë pasur periudhë më të shkurtër luftarake sesa kjo zvarritje institucionale”, shtoi ai me tone kritike. Në fund, Humolli u shpreh se kjo gjendje politike ka zbuluar mungesën e figurave të besueshme në skenën publike: “Kjo situatë ka treguar se në Kosovë nuk ka më asnjë idhull politik.”
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
