Faton Mehmetaj: Serbia pretendon ta bartë krizën e brendshme në Kosovë

 


Të gjithë e dimë se pas normës juridike qëndron shteti, e kjo Kosovës i ka munguar qe sa kohë. Ka gati dhjetë vjet që Mitrovica përballet pothuajse me të njëjtat probleme. Madje, gjatë shkurtit të vitit 2000, serbë të organizuar e të armatosur vranë 13 civilë shqiptarë, në mesin e tyre edhe fëmijë dhe plagosën 60 të tjerë. Pas kësaj, persona të maskuar, të uniformuar dhe të armatosur dëbuan me dhunë mbi 11 mijë shqiptarë nga pjesa veriore e Mitrovicës. Dëshmitarët okularë, viktimat e kësaj fushate terrorizuese të spastrimit etnik kanë dhënë dëshmitë e tyre për udhëheqësit dhe kryesit e këtyre krimeve, por askush nuk është marrë me rastin. Dosja paska humbur diku! Që nga ajo kohë dhuna atje vazhdon me intensitet herë më të vogël e herë më të madh. Ditë më parë, organet paralele serbe në veri të vendit, kanë bërë regjistrimin e popullatës shqiptare, gjë që ka sjellë shqetësime shtesë për banorët e kësaj pjese, sepse dihet se çfarë ka pasuar pas regjistrimeve të tilla si gjatë luftës si pas saj. Pothuajse asgjë nuk ka ndryshuar as gjatë qeverisë Rexhepi, as asaj Haradinaj, Kosumi e Çeku, e as gjatë qeverisë aktuale Thaçi. Me theks të veçantë banorëve shqiptarë të kësaj pjese u ka munguar mbështetja dhe përkrahja në të gjitha aspektet. Disi gjatë të gjitha këtyre qeverive është bërë amortizimi i problemit tejet serioz të Mitrovicës. Ka munguar dhe mungon angazhimi, përgjegjësia institucionale dhe zbatimi i parimeve të ligjshmërisë.
Deshëm apo jo, njerëzit nuk janë të barabartë para ligjit, ata po kategorizohen. Shqiptarët në rajonin e Mitrovicës nuk janë të barabartë me pakicën serbe atje, nuk janë të barabartë as me pakicat serbe nëpër enklava. Kanë kaluar dhjetë muaj qysh kur janë suspenduar me pagesë mbi 325 policë serbë të SHPK-së, të cilët me urdhër të Beogradit e kishin bojkotuar punën, në shenjë proteste pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Ata pos pagave që i marrin si të suspenduar me pagesë, marrin paga edhe nga Serbia si kundërshtarë të sistemit të Kosovës (marrin paga që i kanë zbatuar qëndrimet zyrtare të Serbisë). Lidhur me këtë, zyrtarët thonë se ky është rast politik! Secili pajtohet me këtë, por çdo tolerancë duhet të ketë kufi. Ka mjaft alternativa nëse ka vullnet të mirë për ta rregulluar këtë çështje. Beogradi zyrtar ka krijuar strategji të ndryshme për të shantazhuar situatën në Kosovë, të cilat po i zbaton nëpërmjet të ashtuquajturës “Ministri për Kosovë e Metohi” e cila, sipas tyre, është e zhvendosur në Kosovë, përkatësisht në pjesën veriore të Mitrovicës.
Edhe pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, gjatë gjithë vitit 2008, Serbia ka investuar në Kosovë, pa pyetur askënd as pa i dhënë askujt llogari. Problemet janë shtuar veçanërisht pas konstituimit të të ashtuquajturit “Parlament të Serbëve të Kosovës”, sepse ata po bëjnë përpjekje për ta funksionalizuar atë jo vetëm në Mitrovicë por edhe në tërë Kosovën. Si produkt i këtij Kuvendi kanë dalë edhe kuvendet komunale paralele në komunat ku serbët janë shumicë. Emrat e strukturave paralele të krijuara janë pothuajse të njëjta. Diçka ngjashëm me formimin e kuvendeve komunale serbe në Kosovë, kishte ndodhur edhe në Kroaci dhe Bosnjë gjatë vitit 1990-1991. Kuvendi i Bashkësisë së Komunave fillimisht u krijua së pari në Kroaci dhe më pas në Bosnjë. Më pas këto institucione përfshinë edhe struktura tjera të cilat u bënë instrument për marrjen e pushtetit, spastrim etnik të joserbëve dhe konsolidimin e republikave serbe në çdo vend. Tek ne rrjedhat e ngjarjeve janë pak më ndryshe, por nuk janë edhe aq larg atyre skenarëve.
Në parim nuk ka shtet multietnik, por ka shoqëri multietnike. Serbët po tentojnë ta imponojnë dhunshëm edhe këtë nocion. Hapja e postës së Serbisë në Graçanicë, hyrja e trenit serb në Kosovë pa lejen e askujt, pastaj incidentet që u shkaktuan nga grupet guerile serbe që veprojnë në Mitrovicë dhe në enklavat serbe në përgjithësi në prag të Vitit të Ri 2009 dhe në fillim të vitit, ku u plagosën me armë zjarri së paku dy shqiptarë kurse dhjetëra të tjerë u lënduan me mjete tjera, paraqesin skenarët serbë për destabilizimin e vendit nëpërmjet akteve të dhunës sistematike, e cila po vazhdon pandërprerë gjatë viteve të pasluftës. Këto akte kriminale paraqesin një cikël të provokimeve të hapëta që faktikisht nxisin tensione të reja etnike të cilat mund ta përshkallëzojnë dhunën në këtë kohë deri në konflikt të haptë.
Këtë e ilustron edhe fakti i dy incidenteve të ndara që ndodhën në mbrëmjen e 2 janarit në veri të Mitrovicës. Njëri shpërthim kishte ndodhur para kafiterisë “Viva”, ku nga shpërthimi u shkatërruan së paku tetë vetura civile, të cilat ishin të parkuara në afërsi të lokalit, por pa dëme në njerëz. Në rastin tjetër, një grup personash të nacionalitetit serb rreth mesnatës, në Lagjen e Boshnjakëve ua kanë vënë zjarrin disa lokaleve të shqiptarëve. Derisa zjarrfikësit po intervenonin për shuarjen e zjarrit, pati një shpërthim tjetër, me ç’rast u lënduan gjashtë zjarrfikës të nacionalitetit serb. Lidhur me këtë, kryetari i Lagjes së Boshnjakëve, Adem Mripa, ka rrëfyer për media se bomba në drejtim të zjarrfikësve është hedhur nga një grup serbësh, në shenjë hakmarrjeje pse ata kanë filluar ta shuajnë zjarrin. Me atë rast është sulmuar edhe ekipi i një televizioni të Beogradit. Mripa po ashtu ka thënë se vetëm gjatë dhjetë ditëve të fundit ai personalisht është sulmuar shtatë herë nga serbët. Edhe Rada Trajkoviq, i ka deklaruar agjencisë së lajmeve të Beogradit “FoNet” se serbët janë përgjegjës për incidentet e fundit në veri. Ajo ka thënë se “serbët e kanë hedhur bombën mbi zjarrfikësit dhe serbët e kanë sulmuar ekipin e televizionit “Most”, e kanë lënduar gazetaren dhe janë orvatur që duke e asgjësuar kamerën, ta shkatërrojnë materialin e filmuar mbi ngjarjet atë natë”.

Formacionet paraushtarake dhe ushtarake, ato të BIA-s dhe të policisë serbe me veprim në Mitrovicë, janë në koordinim dhe të cytura nga Qeveria e Serbisë. Veprimet e tyre nuk po pengohen nga strukturat kompetente për sigurinë në vend. Strukturat në fjalë nuk kanë pengesa serioze as nga bashkësia ndërkombëtare. Edhe në rastin kur u shkatërruan pikat doganore në veri (Porta 1 dhe 31), më 19 shkurt të vitit të kaluar dhe trazirat e 17 marsit, kur pos dhjetëra të plagosurve serbët vranë edhe një polic ndërkombëtar të UNMIK-ut nga Ukraina, mu në prag të këtyre rasteve Kosovën e kanë vizituar udhëheqës të lartë të Serbisë, të cilët drejtpërdrejt kanë bërë trysni tek pakica serbe dhe vartësit e tyre për destabilizimin e Kosovës. Sikurse edhe në rastet e fundit që i ashtuquajturi ministër serb për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanoviq, kishte ardhur sërish në Kosovë vetëm dy ditë pas incidentit ku u lënduan gjashtë zjarrfikësit serbë, vetëm disa ditë pasi kishte përuruar postën e Serbisë në Graçanicë.
Duhet theksuar këtu se përfaqësuesi i KFOR-it për rajonin e Mitrovicës, Micheal Jakovljev, dhe komandanti i Policisë së EULEX-it, Riahner Kun, nuk janë lejuar që të futen në spitalin që gjendet në veri për t’i vizituar gjashtë të plagosurit serbë. Ata janë cilësuar “persona të padëshiruar” nga zyrtarët e spitalit, të cilët i kanë kthyer mbrapsht këta dy zyrtarë të lartë të bashkësisë ndërkombëtare.
Po shihet qartë se kush po i nxit serbët dhe po i stimulon për akte të tilla. Në anën tjetër, tolerimet në pafundësi nga ana e bashkësisë ndërkombëtare ndaj sulmeve të organizuara serbe, e mbajnë të hapur opsionin e ndarjes së Kosovës. Edhe ashtu ky problem pothuajse është bërë realitet nga ekstremistët serbë, më herët “Rojat e Urës” e organizata tjera, të cilat e kanë dëbuar dhunshëm popullsinë shqiptare nga veriu i vendit.
Këtë situatë alarmante e bëjnë edhe më diskutabile paralajmërimet për fillimin e bisedimeve të reja mes Kosovës dhe Beogradit për “çështje teknike” apo edhe “statutare”, që si të tilla deshëm apo jo, e kthejnë prapa Kosovën, duke ua humbur imunitetin resurseve politike, të cilat edhe ashtu janë të brishta dhe si të tilla e shtyjnë vendin në krizë institucionale.
Vitin e kaluar zyrtarët komunalë të Mitrovicës, u kishin bërë kërkesë zyrtarëve të Komandës së Policisë në Mitrovicë për heqjen e pllakës me mbishkrimin “Republika e Serbisë, Kuvendi Komunal Mitrovica e Kosovës”, që ishte vendosur nga strukturat paralele në një ndërtesë në Lagjen e Boshnjakëve, por pa sukses. Po ashtu qe refuzuar edhe ankesa e qytetarëve shqiptarë për ndalimin e punëve në një ndërtesë shumëkatëshe që po ndërtohej në Lagjen e Doktorëve nga serbët, në kohën kur shqiptarëve nuk iu kishte lejuar ndërtimi i shtëpive të djegura e të shkatërruara edhe pse ishte pjesë e banuar me shumicë shqiptare. Aktet e tilla ndalohen edhe me Rezolutën 1244 të OKB-së por edhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Provokimet nga strukturat paramilitare dhe grupet ilegale serbe që veprojnë në Kosovë po shkaktojnë incidente të vazhdueshme edhe në fillim të këtij viti. Elementi serb në Kosovë është i armatosur dhe i padëgjueshëm ndaj institucioneve të Kosovës, të cilat nuk i njeh si të vetat. Ata po e nxisin urrejtjen nacionale, fetare dhe ndëretnike duke mos lënë hapësirë për tolerancë dhe mirëkuptim. Veprimet e tilla e sfidojnë padyshim në një masë edhe EULEX-in, si autoritet që në letër e ka përkrahjen serbe, por jo edhe në terren.
Këtu duhet pasur parasysh se gjatë tre-katër muajve të fundit, njësitë e të ashtuquajturës “Mbrojtje territoriale” të Serbisë, në mënyrë të organizuar disa herë u kanë shpërndarë armë serbëve nëpër enklava. Në rastin tonë jotoleranca vjen nga pakica serbe e jo nga shumica shqiptare. Ndoshta kjo vjen edhe si pasojë e një krize të brendshme (ekonomike e politike) që e ka përfshirë Serbinë. Këtë krizë Serbia po tenton ta zbarkojë në Kosovë, duke nxitur elementë të caktuar të pakicës serbe për të kryer akte dhune brenda në Kosovë.
Qeveria serbe në kuadër të këtyre aktiviteteve ka ndërmarrë një valë dhune edhe në Kosovën Lindore, me qëllim të frikësimit dhe dëbimit masiv të popullatës shqiptare nga ajo pjesë. Ditë më parë arrestoi dhjetë shqiptarë, të akuzuar kinse për krime lufte, akt ky që tregon qartë se serbët nuk janë për tolerancë as bashkëjetesë me shqiptarët, dhe se nuk kanë bërë fare ndryshim kursi nga kursi i politikës serbomadhe të Millosheviqit.

Këto që u thanë më lartë janë disa nga treguesit e qartë që tregojnë se qetësia dhe stabiliteti politik do të mungojë edhe në të ardhmen dhe se me vështirësi do të mund të menaxhohen krizat. Në vorbullën e problemeve që sillen në Kosovë tash sa mot janë edhe propozimet e herëpashershme për ndarjen e Mitrovicës dhe ndarjen e Kosovës përgjithësisht mbi baza etnike, gjë që e bën gjendjen e sigurisë dhe të ardhmen të pasigurt. Mbajtja e qytetit të Mitrovicës të ndarë në dy pjesë, sikurse edhe e pjesës tjetër të veriut të Kosovës, ku është bërë edhe grumbullimi i forcave paramilitare, ushtarake e policore serbe, ka bërë që në vend të ketë një pasiguri që ka ardhur duke u rritur gradualisht pas shpalljes së pavarësisë. Këto plane në një mënyrë i paralizojnë nismat apo idetë e ndonjë grupi serb në Beograd apo në Kosovë që të ecin përpara me një bashkëpunim konstruktiv për të mirën e tyre. Pengesat që të mos shkohet kah aspekti i përparimit dhe integrimit të pakicës serbe në Kosovë janë të mëdha. Në vijim të këtij qëndrimi të artikuluar qartë, Moska dhe Beogradi i kanë harmonizuar veprimet e tyre për ta ndërlikuar dhe pamundësuar sa më shumë që të jetë e mundur punën e mekanizmave vendorë e ndërkombëtarë në Kosovë. Në këtë kontest edhe më tutje nuk po i hapet rrugë EULEX-it për veprim dhe shtrirje gjithëpërfshirëse. Këto ditë pushteti paralel në veri të Mitrovicës formoi “Shtabin e Krizës”. Ky shtab do t’i sigurojë të gjitha pajisjet e qytetit, ka deklaruar i ashtuquajturi kryetar i komunës së Mitrovicës, Nenad Topalloviq.
Në anën tjetër, banorët shqiptarë në veri janë detyruar të vetorganizohen dhe bëjnë roje gjatë natës, sepse turmat serbe gjatë incidenteve në fjalë kanë qenë të armatosura dhe se pjesëtarët e KFOR-it dhe të EULEX-it, sipas dëshmitarëve okularë, janë tërhequr nga vendi i ngjarjes. Dikush duhet t’i mbrojë këta qytetarë. Lidhur me këtë, OJQ “Bregu i Veriut” kërkon nga institucionet e vendit që të merret nën kontroll i tërë territori i Kosovës. Tolerimet deri në pakufi e kanë shndërruar Kosovën në një laborator ndërkombëtar, ngase Serbia edhe më tutje po i ruan dhe kultivon recidivat e mëhershme të armiqësive. Dihet se faktori shqiptar nuk dëshiron të jetë pjesë e krizës, por duhet të inkuadrohet në ndërtimin e strategjive të reja për të dalë nga kjo vorbull krizash të brendshme dhe të jashtme të cilat edhe ashtu po reflektohen në spektrin e krizave të mëdha botërore.

Kontrolloni gjithashtu

Kosova dhe Serbia, janë zotuar se më 22 mars do t’i dorëzojnë propozimet e tyre për përdorimin e dinarit në Kosovë

Pas diskutimeve, në Bruksel, Lajçak, paraqiti një dokument kompromisi lidhur me qëndrimet e të dyja palëve për dinarin e Serbisë

Në takimin e fundit të dialogut në Bruksel, Kosova dhe Serbia nuk arritën një marrëveshje …