mbpzhr 2018
Airport Adem Jashari
kek
MIT
Fillimi / Dëshmorët / Fazli Haxhi Jakupi (29.12.1971 – 23.5.1999)
Fazli Haxhi Jakupi (29.12.1971 - 23.5.1999)

Fazli Haxhi Jakupi (29.12.1971 – 23.5.1999)

Njëri ndër bijtë e Drenicës, që iu përgjigj zërit të atdheut që në orët e para të kushtrimit për liri, ishte edhe i riu Fazli Jakupi nga fshati Baks i Skënderajt. Prindërit, Kada e Haxhiu patën edhe katër djem të tjerë (Bajramin, Avdiun, Avniun e Muhametin). Fazliu shkollën fillore e kryen në Qirez, me sukses të shkëlqyeshëm, ndërsa të mesmen-Gjimnazin-në Skënderaj. Qysh si nxënës i fillores ai kishte treguar talentin e tij si aktor, këngëtar e recitues i dalluar. Pas kryerjes së shkollës së mesme regjistrohet në Shkollën e Lartë Pedagogjike të Prizrenit, në degën gjuhë e letërsi shqipe, e pastaj i vazhdon studimet po në këtë degë në SHLP të Prishtinës. Në vitin e dytë të studimeve, gjatë viteve ’90, për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike, u detyrua t’i ndjekë studimet me korrespondencë, ndërkohë punon mësues, pa pagë.
Fazliu rrjedh nga një familje patriotike, e cila brez pas brezi kishte luftuar kundër armikut shekullor serb. I edukuar në një frymë të tillë atdhetare, ai nuk mund të rrinte duarkryq e të bënte sehir, kur Drenica e tij e dashur dhe e tërë Kosova ishte mbërthyer në një kasaphanë nga forcat policore, paramilitare e ushtarake serbe, të cilat nuk kursenin as pleq e fëmijë shqiptarë. Kështu, më 22 maj të vitit 1998, bëhet pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, së pari në pikën e Prellocit të komunës së Skënderajt, e më vonë ushtar i brigadës 114 “Fehmi Lladrovci”. Komandant i tij ishte luftëtari i devotshëm Jakup Nura, nën komandën e të cilit kryen shumë aksione ushtarake. Ndërsa bashkëluftëtarë më të ngushtë kishte Qerim Rexhepin dhe Nagip Mehmetin, që të dy nga fshati Prelloc. Mirëpo, atëbotë, Ushtria Çlirimtare e Kosovës kishte nevojë të madhe për armatim. Fazliu, duke parë një nevojë të tillë, në fillim të korrikut të vitit 1998, paraqitet vullnetar dhe së bashku me shokun e tij, Qerim Rexhepi e me grupin më të madh nga Zona Ushtarake e Drenicës, niset për në Shqipëri për t’u furnizuar me armë. Atje qëndron rreth tri javë dhe pasi furnizohet me armatim, kthehet në Kosovë. Edhe pse atëbotë shumë shokë të tij kishin rënë në minat serbe, ndërsa rreth 800 ushtarë të tjerë detyrohen të kthehen prapa në Shqipëri, Fazliu, falë trimërisë dhe gjeturisë së Bekim Berishës, i cili kishte dhënë urdhër për sulm, së bashku me shokun e tij, Qerimin, e me disa shokë të tjerë, të ngarkuar me municion, nëpër errësirë e shkrepa të thepisur më 18 korrik 1998 arrijnë deri në Junik në mesin e ushtarëve të lirisë.
Me të arritur në Drenicë, në gusht të vitit 1998, ai së bashku me luftëtarë të tjerë të lirisë qëndon kryesisht në vijën e parë të frontit në malet e Baksit dhe merr pjesë në shumë luftime që zhvillohen kundër forcave pushtuese serbe, si në Prelloc, Polac, Vaganicë, Duboc etj., duke treguar trimëri të rrallë.
Më 22, 23 dhe 24 shtator 1998, forcat serbe kishin ndërmarrë një ofensivë të egër në Drenicën Lindore, ku brigada 114 “Fehmi Lladrovci”, në të cilën bënte pjesë edhe Fazliu së bashku me shokun e tij Nagip Mehmeti, bëri një rezistencë të paparë, duke iu shkaktuar humbje të konsiderueshme këtyre forcave.
Në ofensivën e ashpër të armikut, që zhvillohet në Prelloc, në shtator të vitit 1998, Fazliu nuk lejon që armatimi i UÇK-së të bie në duart e policisë dhe të ushtrisë serbe.
Pranvera e vitit 1999 Fazliun e gjen me armë në dorë, duke luftuar kundër forcave serbe në fshatrat rrëzë Çiçavicës, në zonën që e kontrollonte brigada 114 “Fehmi Lladrovci”. Kjo brigadë e kishte nën kontroll brezin e Çiçavicës deri në fshatin Frashër (ish-Sfinjar) të komunës së Mitrovicës.
Më 23 maj 1999, rreth orës 11, dy automjete ushtarake me paramilitarë e me rreth 20 policë serbë, nga drejtimi i fshatit Shtuticë kishin arritur në Dashefc dhe kishin rrethuar shtëpinë ku gjendej Fazliu, i cili kishte shkuar për të vizituar babanë, vëllezërit, axhën me djemtë e tij, të cilët ishin vendosur në shtëpinë e Avni Xanit. Fazliu, kur heton se është rrethuar, zë pozicion dhe fillon të gjuajë me bomba dore në drejtim të forcave serbe. Zhvillohet një luftë e ashpër dhe e pabarabartë. Fazliu-Bali, siç e thërrisnin shokët, luftoi trimërisht, por duke ndërruar pozicionin, plumbat e automatikut të armikut e godasin për vdekje. Ra në fushën e nderit për të hyrë në pavdekësi. Atë ditë brenda në shtëpi gjendej babai i Fazliut, Haxhiu, me katër djemtë e tij: Fazliun, Bajramin, Avniun dhe Muhametin, si dhe axha Osmani me të dy djemtë (Besnikun, 16-vjeçar dhe Gazmendin, 14 vjeç), si dhe shumë të tjerë. Pas rënies së Fazliut, aty vriten edhe babai i tij, Haxhiu, vëllai Muhameti, 16-vjeç, si dhe Xheladin Asllani nga Makërmali. Axha i tij, Osmani, plagoset rëndë dhe dërgohet së pari në spitalin e Prishtinës, kinse për t’u shëruar, ku torturohet dhjetë ditë rresht dhe ashtu i dërrmuar dërgohet në burgun e Lypjanit e pastaj në atë të Pozharevcit. Një njësit i UÇK-së, në krye me Sami Lushtakun e Rasim Kiçinën, nga larg kishin dëgjuar krismat dhe, me të arritur aty, gjejnë trupat e pajetë të Fazliut dhe të vëllait të tij, Muhametit. Samiu dhe Rasimi i urdhërojnë ushtarët e UÇK-së të Shtuticës që t’i varrosin të rënët, kurse të plagosurit i marrin me vete.
Rivarrimi i Fazliut bëhet më 22 gusht 1999, në mënyrë solemne e me nderime ushtarake, në Kodrën e Dëshmorëve në Polac të Drenicës.
Pas rënies, Fazliu është dekoruar me Mirënjohje nga Qeveria e Përkohshme e Kosovës; Shkolla e Lartë Pedagogjike e Prishtinës e ka shpallur Student dëshmor, ndërsa në vendin e rënies, në fshatin Dashec, i është ngritur përmendorja, e cila u tregon kalimtarëve që kalojnë atypari se në atë vend është derdhur gjak për këtë tokën e shtrenjtë. (Sh. K.)

Kontrolloni gjithashtu

Musa Selman Begu (19.10.1969 - 17.9.1998)

Musa Selman Begu (19.10.1969 – 17.9.1998)

Në familjen Begu të Kaqanollit, që ishte e njohur për trimëri jo vetëm në Shalë ...