Airport Adem Jashari
MIT
kek
Fillimi / Dëshmorët / Fejzullah Sokol Graiçevci (22.1.1951 – 19.4.1999)
Fejzullah Sokol Graiçevci (22.1.1951 - 19.4.1999)

Fejzullah Sokol Graiçevci (22.1.1951 – 19.4.1999)

Fejzullahu ishte djali i Sokol e Vahide Graiçevcit. Lindi më 22 janar të vitit 1951, në fshatin Hade të Kastrioti (ish-Obiliq). Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen e mbaroi në vitin 1971, në Kastriot.

Me qëllim për ta ngritur dhe për t’i ndihmuar familjes, Fejzullahu zë punë në Termocentralet e Kosovës. Pasi ishte aftësuar në profesionin e xehtarisë, punoi në këto termocentrale deri më 2 shtator të vitit 1990. Për shkak të pjesëmarrjes në grevën e 3 shtatorit 1990, e cila kishte për qëllim të mos i pranonte masat e dhunshme të okupatorit serb, Fejzullahu ashtu sikurse edhe mijëra punëtorë shqiptarë dëbohet nga vendi i punës. Me qëllim për ta mbajtur familjen dhe për ri shkolluar bijtë e bijat, punon tokën dhe arrin të mbijetojë krizën e papunësisë, e cila asokohe kishte përfshirë tërë vendin.

Qysh në rini kishte përjetuar padrejtësitë, që u bëheshin shqiptarëve nga okupatori serb. Duke qenë i orientuar drejt kombëtarisht, Fejzullahu përkrah dhe merr pjesë në protestat dhe demonstratat që i organizon rinia përparimtare dhe lëvizja ilegale patriotike në Kosovë, sidomos në vitet 90 të shekullit të kaluar.

Me të dëgjuar për aksionet e armatosura të njësiteve të para guerile të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Fejzullahut i shtohen shpresat për çlirim nga robëria dhe përcjell me vëmendje të gjitha zhvillimet ushtarake e politike në Kosovë. I orientuar drejt kombëtarisht e politikisht, ai i besonte lirisë dhe ishte i vetëdijshëm tanimë se liria do të agonte vetëm me sakrifica dhe luftë të armatosur.

Në qershor të vitit 1998, pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kishin zgjeruar pikat e rezistencës nga Qyqavia në disa fshatra të Artakollit dhe fshatrat Bardh i Madh, Hade, Graboc e të tjerë. Nën udhëheqjen e komandantit emblematik të UÇK-së, Fehmi Lladrovci, dhe bashkëluftëtarëve të tij si: Xhevë Krasniqi-Lladrovci, Sabit Lladrovci, Ilaz Dërguti, Shaban Shala e të tjerë, fillon zgjerimi i radhëve të UÇK-së deri në fshatrat e Kastriotit, duke iu afruar Prishtinës.

Fejzullahu asokohe kishte kontakt me komandantin e njësitit të fshatit Hade, Enver Graiçevci. Ai pa asnjë hezitim fillon të ndihmojë luftën çlirimtare dhe zgjerimin e saj. Kërkon nga eprorët që mundësisht ta pajisin rne një murtajë dore, meqë kishte njohuri në përdorimin e saj të përpiktë. Në Betejën e 29 qershorit të vitit 1998, Fejzullah Graiçevci ishte në prapavijë, në bunkerin numër 1, ku kishte siguruar edhe hapësirë për goditje në drejtim të forcave të armikut. I ndodhur në një pozitë ballë për ballë me forcat serbe, ashtu sikurse edhe luftëtarët e tjerë të lirisë, ai godet me mortajën e tij në drejtim të forcave armike, duke i prapsur ato, thotë ish-komandanti i pikës në fshatin Hade dhe bashkëluftëtari, Enver Graiçevci. Në luftimet ballë për ballë forcave serbe, gjatë asaj dite Fejzullahu merr lëndime të lehta “ga shpërthimi i granatave të pandërprera të armikut. Në përballje të fuqishme kundër forcave serbe, atë ditë në mbrojte të pozicioneve të UÇK-së, duke luftuar kundër forcave të panumërta armike bijnë në altarin e atdheut: Mentor Dërvishaj, Ismet Uka dhe Xhemajl Mehmeti. Trupat e tre dëshmorëve ishin tërhequr, ndërsa bashkëluftëtarët i varronin më 30 qershor të vitit 1998.

Luftëtarët e Hades dhe të fshatrave përreth, ndërkohë iu bashkohen forcave të UÇK-së në fshatin Graboc, ku kishte konsoliduar radhët qysh prej fillimit të luftës komandanti, Abedin Sogojeva me bashkëluftëtarët e tij. Pikat luftarake të fshatit Grabovc u sistemuan në kuadër të Brigadës 114 “Femi Lladrovci” të Zonës Operative të Drenicës. Luftëtarët e lirisë nga fshatrat e rrëzës së Qyqavisë qëndruan të pathyeshëm deri në fund të luftës. Atje qenë zhvendosur edhe shumë familje të fshatrave që ishin nën kontroll të UÇK-së, të cilët gjatë tërë verës së vitit 1998, nuk u larguan nga vendi.

Në prill të vitit 1999, forcat serbe po përgatiteshin për të ndërmarrë sulme të fuqishme kundër të gjitha bazave dhe pozicioneve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ndërsa më 18 prill 1999, forcat serbe ndërmorën ofensivën e përgjithshme kundër të gjitha pikave dhe fortifikatave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Më 19 prill, forcat serbe të pozicionuara përballë fshatit Graboc, fillojnë sulmin me armatim të rëndë drejt lagjes Behramaj, ku ndodhej popullata e zhvendosur. Me qëllim për të mbrojtur popullatën, përforcohen të gjitha pikat luftarake të Grabovcit, ndërsa forcat serbe fillojnë depërtimin nga anash fshatit. Fejzullahu me disa bashkëluftëtarë arrin të evakuojë një pjesë të të rinjve në mal, te vendi i quajtur Lugu i Qireqit. Atë ditë kritike, rreth orës 16, forcat serbe kishin arritur të depërtojnë te vendi ku ndodhej e strehuar një pjesë e popullatës së zhvendosur. Nga frika e ndonjë hakmarrjeje apo masakre mizore, që mund të ushtronin bandat kriminale serbe, luftëtarët e lirisë tërhiqen në pozicionet e tyre, duke pritur përballë vendit ku mendohej se do të kalonte këmbësoria armike.

Fejzullah Graiçevci, asokohe ndodhej i sistemuar në togën e komandantit Fehmi Mjeku. Ishte i pajisur me mortajën e dorës. Nga pozicioni i tij sulmon në çastin kur makineria e motorizuar armike sulet drejt istikameve. Sulmi ishte zhvilluar ballë për ballë dhe arma armike godet për vdekje Fejzullah Graiçevcin, i cili ditën e 19 prillit bie në altarin e atdheut, duke fituar përjetësinë dhe epitetin e lavdishëm dëshmor i kombit. Po atë ditë forcat serbe martirizojnë në rrethana të ndryshme edhe 12 banorë të tjerë të Grabovcit e të fshatrave përreth.

Të nesërmen, bashkëluftëtarët e dëshmorit Fajzullah Graiçevci e varrosin trupin e tij, në fshatin Grabovc i Epërm. Në radhët e UÇK-së në zonën e Artakollit luftën e vazhdon edhe djali i tij, Mërgimi, i cili ishte inkuadruar në radhët e UÇK-së që prej 22 qershorit të vitit 1998, në Brigadën 142. Enveri dhe Xhaferi, nga familja e gjerë, po ashtu ishin luftëtarë të lirisë.

Pas mbarimit të luftës, bashkëluftëtarët dhe familja, trupin e dëshmorit Fejzullah Graiçevci e zhvarrosin nga fshati Grabovc i Epërm dhe e rivarrosin në Varrezat e Dëshmorëve në Prishtinë, ku eshtrat e tij dhe të dëshmorëve të tjerë prehen në përjetësi.

Dëshmori Fejzullah Graiçevci ka lënë bashkëshorten, Lebibe Krasniqi, tre bijtë: Fadilin, Mërgimin e Fidanin, si dhe katër bijat:

Shehrinë, Lutfinë, Melihaten dhe Linditën, që e përkujtojnë dhe kurrë nuk e harrojnë gjakun e babait të derdhur për çlirimin e vendit nga robëria serbe. Krenarinë për të e ruajnë edhe vëllezërit dhe motrat: Zejnullahu, Ismeti, Izeti, Behxheti, Elhamja, Azizja, Shukria dhe Fetia.

Në nderim dhe respekt për jetën dhe veprën e tij, në vendrënie, në fshatin Grabovc i Epërm, është ngritur pllaka për kujtimore. Në qendër të Kastriotit emri i tij është i skalitur në mesin e dëshmorëve të rënë për lirinë e Kosovës nga fshatrat e kësaj komune. (A. Q.)

Kontrolloni gjithashtu

Halit Isuf Geci (16.11.1945 – 26.11.1997)

Halit Geci i përket brezit të parë të nxënësve të Drenicës, të cilët sapo e ...