Brickos

Shefqet Fazli Mustafaj (2.4.1969 – 19.4.1999)

Shefqet Fazli Mustafaj (2.4.1969 – 19.4.1999)

Shefqet Mustafaj u lind më 2 prill të vitit 1969, në një familje me tradita atdhetare në Gllogjan të Deçanit, e cila vazhdimisht ishte e përndjekur nga regjimi jugosllavo-titist. Prindërit Fazli e Nepë Mustafaj kishin pesë fëmijë, katër djem e një vajzë. Familja e tij mori pjesë aktive në ngjarjet madhore të vitit 1981. Vëllai i Shefqetit, Sokoli, dënohet me pesë vjet burg për shkak të veprimtarisë atdhetare si pjesëtar i grupit ilegal të të rinjve “Shqiponja” që vepronte në kuadër të Komitetit të Vendit të Lëvizjes për Çlirim Kombëtar të Kosovës (LÇKK), që drejtohej nga atdhetarët Jusuf Gërvalla e Smajl Haradinaj. Këso kohe pesëmbëdhjetë ditë në paraburgim mbahet edhe motra e vetme e Shefqetit, Ganimetja. Ndërsa vetë Shefqeti si nxënës i klasës së gjashtë të shkollës fillore, për shkak të shpërndarjes së pamfleteve për t’u ngritur në demonstrata, për një vit përjashtohet nga shkolla fillore në Rrezar (ish-Irzniq). Pas një viti e vazhdon shkollimin fillor dhe më pas edhe atë të mesëm në gjimnazin “Vëllezërit Frashëri” në Deçan.
Pas mbarimit të shkollës së mesme, për shkak të rrethanave të kohës, si pjesëtar i një familjeje të padëshirueshme për pushtetin jugosllav e serb, detyrohet të marrë udhën e mërgimit. Një kohë qëndron në Zvicër e më vonë vendoset në Gjermani. Gjatë qëndrimit në mërgim gjithnjë ishte në ballë të protestave e demonstratave që organizoheshin në shtetet e ndryshme të Evropës, në përkrahje të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.
Në pranverën e vitit 1998, më 26 mars, vetëm dy ditë pas Betejës së 24 marsit në Gllogjan, lë Gjermaninë për t’u kthyer në Kosovë.
Më 1 prill 1998, u bashkohet radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Gllogjan, për të marrë pjesë në frontet më të rrezikshme të luftës. Në radhët e UÇK-së, tashmë po vepronin edhe tre vëllezërit e tij, Sokoli, Shkëlzeni e Kushtrimi por edhe babai Fazliu.
Shefqet Mustafajn, që në radhët e bashkëluftëtarëve do të njihet me nofkën “Dukagjini”, si epror të Shtabit të Gllogjanit do ta gjejmë në vijat e para të frontit në Baballoç e Gramaqel, Prejlep e Rastavicë, Raushiq, Loxhë e në një varg betejash të rrepta. Dallohet edhe në luftimet e zhvilluara në frontin e Rastavicës, përgjatë magjistrales Gjakovë-Deçan, më 24 e 25 maj 1998, ku luftimet u zhvilluan në afërsi fare të vogë1.
Në vijën e parë të frontit në Rastavicë, në mëngjesin e 26 majit 1998, nga istikamet e luftëtarëve të lirisë po jehonin edhe krismat e lirisë edhe kënga kushtrimtare. Një predhë minahedhësi godet në hyrje të istikamit. Aty bie dëshmori Arben Qerimaj dhe plagosen rëndë Agron Mustafaj dhe pak më lehtë Shefqet Mustafaj.
Për një kohë Shefqeti do të qëndrojë bashkë me komandantin Shkëlzen Haradinaj në Gllogjan, duke u përkujdesur për mbarëvajtjen e punëve në Shtab. Edhe pse ende pa iu shëruar plagët, për më se një javë radhazi do të luftojë e qëndrojë në frontin e luftës në Raushiq të Pejës, ndërsa që në orët e hershme të 6 korrikut, Shefqeti bashkë me bashkëluftëtarët Shpend Malaj, Agim Selmanaj, Fatmir Nimanaj (të tre dëshmorë), të vëllanë Sokolin e luftëtarë të tjerë, që vepronin në kuadër të njësitit intervenuese, gjatë tërë ditës do të luftojë heroikisht në betejën për mbrojtjen e Loxhës.
Kah gjysma e korrikut 1998, pasi i keqësohet gjendja e plagëve në këmbë, Shefqeti bashkë me njësinë e furnizimit niset për në Shqipëri për t’u shëruar. Në këtë udhëtim do ta shoqërojë i vëllai, Shkëlzeni, gjithashtu ushtar i UÇK-së. Pas një rrugëtimi të vështirë mbërrn në pikën e furnizimit në Kojë të Tropojës. Pasi që bashkëluftëtarët e tij u furnizuan me armë, u nisën drejt Kosovës ndërsa Shefqeti niset drejt Tiranës, ku për një kohë shtrihet në Spitalin Ushtarak. Ende pa u shëruar mirë, nga vullneti i madh dhe dëshira e flaktë që të jetë në mesin e bashkëluftëtarëve, kthehet në Tropojë, për të hyrë prej andej në Kosovë. Mirëpo edhe përkundër përpjekjeve të bëra disa herë radhazi nuk ia arrin qëllimit, sepse këto njësi disa herë bien në pritat e forcave serbe, por edhe në fusha të minuara dhe detyrohen të kthehen prapa. Këtu duhet veçuar aksionin në fundgushtin e vitit 1998, kur me rreth shtatëdhjetë luftëtarë të lirisë, në mesin e tyre edhe komandanti i Brigadës 136 “Rugova”, Sali Lajçi, niset të hyjë në Kosovë kah drejtimi i Bjeshkës së Bogiqes për të kaluar në Rugovë, mirëpo bie në fushë të minuar. Me atë rast plagoset rëndë Sali Lajçi dhe më lehtë disa luftëtarë të tjerë, të cilët detyrohen të kthehen prapë në Shqipëri. Falë guximit, sakrificës dhe gjeturisë së Shefqetit ata arrijnë ta tërheqin armatimin dhe të plagosurit e të kthehen prapë në Tropojë.
Gjatë qëndrimit në Tropojë, Shefqeti angazhohet maksimalisht në furnizimin me armë. Në dimrin e vitit 1999, merr leje dhe shkon në Gjermani për ta operuar këmbën. Me t’u shëruar, në muajin mars kthehet në Shqipëri dhe vetëm pas disa ditësh u bashkohet shokëve të luftës në Padesh.
Prej fillimit të luftimeve në frontin e luftës në Koshare, për thyerjen e kufirit të robërisë, më 9 prill 1999, Shefqeti do të jetë në vijat e para të luftës, ku shquhet për vullnet të pathyeshëm, guxim e heroizëm të pashoq.
Si komandant kompanie në Brigadën 138 “Agim Ramadani” të Zonës Operative të Dukagjinit, vazhdimisht drejton kryerjen e aksioneve tepër të rrezikshme në prapavijë të thellë të armikut, kur dihet se aty ishin përqendruar forcat elite serbe, por edhe mercenarë të huaj, sidomos rusë.
Më 17 prill 1999, pas rënies së komandantit Shkëlzen Haradinaj me tre bashkëluftëtarë në frontin e luftës në Dushkajë, Shefqeti ndërmerr një aksion në prapavijë të armikut, te Rrasa e Koshares, prej ku ai sjell 18 kallashnikovë të përgjakur të forcave serbe.
Më 19 prill, sërish gjendet në krye të aksionit. Kësaj radhe Shefqeti rrethohet nga forcat serbe, që tentojnë ta zënë të gjallë. Por jo. Nuk zihej i gjallë Shefqet Mustafaj derisa t’i këndonte “maliheri”. Në këtë betejë bie dëshmor trimi i Dukagjinit, Shefqet Mustafaj.
Ai qëndroi përkrah Agim Ramadanit e Sali Çekajt, Xhemajl Fetahut e Abaz Thaçit. U varros me nderime ushtarake përkrah shumë bashkëluftëtarëve dëshmorë në qytetin e Bajram Currit, ndërsa në ditë lirie, rivarrimi i dëshmorit Shefqet Mustafaj, bëhet me nderime të larta ushtarake, më 24 gusht 1999, në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit në Gllogjan. (F. R.)

Kontrolloni gjithashtu

Arsim Nazmi Muzaqi (13.11.1978 – 26.4.1999)

Arsim Nazmi Muzaqi (13.11.1978 – 26.4.1999)

Në familjen Muzaqi, në Vushtrri, më 13 nëntor të vitit 1978 u lind, Arsim Muzaqi. …