Fetnete Ramosaj

Fetnete Ramosaj: Në procesin maratonik gjyqësor në rastin “Qyshku”, Serbia vazhdon të tallet edhe me këtë akt gjenocidi

Procesi maratonik gjyqësor në rastin, “Qyshku”, rigjykimi i të cilit po zhvillohet në Beograd, është një ndër proceset gjyqësore, ku “drejtësia” e Serbisë sikurse në të gjitha rastet e tjera që kanë të bëjnë me krime të luftës kundër popullsisë civile shqiptare, është tallur dhe po vazhdon të tallet edhe me këtë akt gjenocidi, të kryer gjatë luftës në Kosovë. Edhe në këtë rast, Serbia me çdo kusht po përpiqet që të heqë përgjegjësinë si shtet për gjenocidin e kryer gjatë luftës në Kosovë. Në këtë masakër nuk kanë marrë pjesë “grupe të pakontrolluara” paramilitare serbe, por Njësitet e Veçanta të Policisë së Serbisë (PJP) dhe njësitet e Komandës 125 të Brigadave të Motorizuara të Ushtrisë së Serbisë. Prej gjashtë Brigadave, në rajonin e Dukagjinit, pra edhe në këto vende të krimeve mizore, kanë vepruar katër brigada të ushtrisë serbe-jugosllave (Brigada 2, Brigada 3, Brigada 5 dhe Brigada 6) nën komandën e Dragan Zhivanoviqit, të cilin Serbia e amnistoi për krimet e luftës në Kosovë. (Faksimilet e urdhëresave lidhur me veprimtarinë e këtyre Brigadave janë të publikuara në dy vëllimet e librave “Pa Apologji…”2005, 2008)

Numri i të vrarëve të përfshirë në këtë aktakuzë është i përgjysmuar (flitet për rreth 100 persona të vrarë). Në vitin 2015, gjykata serbe i kishte bashkuar procesin “Qyshku” me procesin “Lybeniqi” (vetëm në Lybeniq, më 1 e 7 prill 1999 ishin vrarë, masakruar e zhdukur 112 civilë shqiptarë). Pra numri i të vrarëve vetëm në fshatrat e Pejës, të përfshira në aktakuzë: Qyshk, Zahaq, Pavlan, Fushë e Pejës e Lybeniq, është më i madh se 200 civilë të vrarë.

Kjo aktakuzë e ngritur në vitin 2010, kishte marrë epilog në vitin 2014, kur për të gjitha krimet e kryera në këto fshatra të komunës së Pejës, të akuzuarit u dënuan me 106 vjet burgim, që i bie më pak se nga gjysmë viti burgim për një shqiptar të vrarë gjatë luftës!!! Edhe ky dënim iu duk “i lartë”, prandaj në vitin 2015, Departamenti për Krime Lufte i Gjykatës së Apelit në Beograd e kishte anuluar dhe e kishte kthyer lëndën në rigjykim, për t’u tallur me viktimat shqiptare të luftës!

Kontrolloni gjithashtu

Tri vjet me arrogancë, mujshari politike, keqqeverisje, korrupsion, shpërfillje e aleatëve, thellim të ndasive e përçarjeve…

Kanë kaluar tashmë tri vjet të qeverisjes së Kosovës nga koalicioni: Vetëvendosje ne krye me …