leoni

Ndahet nga jeta në moshën 99 vjeçare Nexhmije Hoxha, gruaja e ish-liderit shqiptar Enver Hoxha

Fitim Çaushi: Rreth librit të autores, Nexhmije Hoxha, ”Përjetime dhe meditime nga jeta ime politike”

Kemi parur mundësinë të lexojmë shumë libra me kujtime nga personalitete të huaja apo vendas, nga fusha të ndryshme të jetës. Botimet e veteranes Nexhmije Hoxha, bëjnë pjesë në atë memorialistikë, që shquhet nga eleganca dhe fryma humane, nga vlerësimi dhe respekti i madh për shokët e Luftës Antifashiste dhe luftëtarët që kontribuan për ndërtimin e socializmit. Ato shquhen nga kultura dhe thjeshtësia e fjalës, mbi të gjitha nga përkushtimi për çështjen e shenjtë të Atdheut.

Ajo që i karakterizon botimet e veteranes së Luftës Antifashiste Nexhmije Hoxha, është ndërgjegjja e pastër dhe logjika e kthjellët, ndonëse shkruhen në prag shekulli. Përmes tyre na ka dhënë kronikën e ngjarjeve  më të rëndësishme të historisë politike të vendit tonë në 50 vjet luftë për çlirimin e vendit dhe ndërtimin e socializmit. Me shumë saktësi dhe kulturë trajton fitore historike me rezonancë ndërkombëtare dhe devijime kuadrosh, që vijnë si rezultat i presionit të jashtëm të botës kapitalisto-revizioniste.

Si dëshmitare e drejtpërdrejtë dhe në udhëheqje të epopesë të lavdishme të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, kujtimet e saj na emocionojnë si rrallë herë me vërtetësinë, thjeshtësinë, sinqeritetin, detajet, forcën realiste dhe magjinë e asaj rinie aq të frymëzuar, aq të  burrëruar, aq të atdhetarizuar. Në çdo fletë të librit na dalin përpara imazhet e tyre rinore, situatat befasuese, ngjarjet tronditëse, dhimbja për humbjet, por edhe kurajua optimiste për ta vazhduar luftën. I zhytur mes tyre, lexuesi ndjen emocionalisht përmasat e vërteta të asaj lufte heroike edhe të papërsëritshme, për nga ideali i lartë dhe shpirti i pamposhtur i rinisë shqiptare, ndjen forcën e atij ideali madhor që karakterizonte antifashistët dhe komunistët shqiptarë, të gatshëm në çdo sakrificë për të dhënë edhe jetën për çlirimin e Shqipërisë. Të treguara natyrshëm, pa hiperbola, me vërtetësi jetësore, ato zgjojnë përfytyrimin e të madhërishmes.

Në botimet e Nexhmije Hoxhës, si në një ekran filmi, prezantohen njerëz të thjeshtë, që dinë të vlerësojnë, që dinë të luftojnë, që dinë të sakrifikojnë, që dinë të fitojnë. Vepra e tyre i vuri ata në piedestalin e heronjve, dhe auorja i kujton bashkëluftarët e saj me emocione të thella njerëzore, duke ua përcjellë edhe lexuesve, si pjesë e krenarisë që nderon kombin tonë.

Shtrirja e kronologjisë së ngjarjeve tek libri i fundit ”Përjetime dhe meditime nga jeta ime politike”, përfshin fillimet e Luftës Antifashiste e deri në përmbysjen e socializmit në Shqipëri. Është kronika e historisë politike dhe rrugës heroike të popullit shqiptar të udhëhequr me heroizëm nga Enver Hoxha dhe bijtë më të mirë të popullit shqiptar, por edhe fillimi i kronikës së zezë, me rrëzimin e kështjellës socialiste nga faktorë kombëtar e ndërkombëtar.

Me emocion të veçantë përjetuam kujtimet për Enver Hoxhën, të shprehura me një besueshmëri dhe vërtetësi historike, përmes detajeve, argumenteve e ngarjeve, në periudhat e rëndësishme të historisë së Shqiprisë, prej Luftës së Dytë Botërore, deri në momentin kur ndahet nga jeta. Ky është një kontribut i madh në ndriçimin e së vërtetës historike, në këtë periudhë të falsifikimit të historisë dhe mohimit historik të Enver Hoxhës, në fitoren e Lufës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe ndëtimin e jetës së re, pas errësirës mesjetare.

Mes gjithë dendësinë e madhe të ngjarjeve dhe personazheve, autorja me të drejtë ndjehet e sensibilizuar dhe rimerr në kujtesë edhe një herë opinione të kufizuara, të disa njerëzve pa nivel intelektual e plot me ngarkesa vjetërsirash, se gjoja “Mehmet Shehun e vrau Enver Hoxha”, ndonse ky probelem është i kapërcyer dhe i vërtetuar plotësisht, se Shehu likuidoi vetveten, si pasojë e presionit që i bënë padronët e tij të jashtëm.

Për korrektesë, autorja bën disa sqarime plotësisht të argumentuara dhe e  shtjellon mjaftueshëm, krizën e parë të Shehut në vitin 1953. Nëse Enver Hoxha, duhet ta likuidonte Shehun, mund ta bënte qysh kur Sokrat Bufi e denoncoi Shehun “si rrezik për Partinë” me tendencë për të “eliminuar komandantin”, praktikë parimore e përdorur edhe ndaj Koçi Xoxes, qysh në Plenumin e XI të KQ, në vitin 1948.

Ka shumë miopë politikë dhe mediokër, që artikulojnë tezën jugosllave të botuar në gazetën “Politika” të Beogradt, se “Enver Hoxha eliminoi bashkëpunëtorët e vet”. Problemet e sektorëve të ushtrisë, ekonomisë dhe fushave të tjera, Enver Hoxhës ia çonin sekretarët përkatës të Komiteti Qendror, veçanërisht Hysni Kapo që mbulonte problemet e diktaturës së proletariatit: ushtrinë dhe Ministrinë e Brendshme, si  dhe vetë Kryeministri Mehmet Shehu. Çfarë  problemesh do t’i çonin ata, ato do të gjykonte edhe Enver Hoxha dhe shokët e tjerë të Byrosë.

Ishin Mehmet Shehu, Hysni Kapo dhe Kadri Hazbiu që e informuan Enver Hoxhën për problemet e Beqir Ballukut, Petrit Dumes dhe Hito Çakos, Abdyl Këllezit dhe Koço Theodhosit, dhe ishin po këta që i dënuan. Përse nuk kundërshtuan Mehmet Shheu, Hysni Kapo dhe Kadri Hazbiu, për dënimin e shokëve të tyre të Byrosë dhe gjeneralëve? Ata nuk ishin vetëm shokë të Enver Hoxhës, por edhe shokë të tyre! A nuk ishte detyra e tyre të zbatonin parimet e Partisë dhe ligjet e shtetit në mbojtjen e jetës së kuadrove dhe qytetarëve shqiptarë? Përse i paguante populli? Kush ishin më të fortë se Mehmet Shehu, Hysni Kapo dhe Kadri Hazbiu në Byronë Politike? Nuk kundërshtuan, sepse ishin të bindur për dënimin e tyre.

Si shpjegohet që në Konferencën e Partisë së Tiranës, e drejtuar nga Sekretarja e Partisë  Fiqrete Shehu, bashkëshortja e Shehut, u kërkua nga disa delegatë, të lidhur me ambasadat e huaja, rishikimi i kultit të individit tek Enver Hoxha, dhe Mehmet Shehu, që i bënte leckë anëtërët e Byrosë Politike për hiçgjë, nuk ndërhyri ndaj provokatorëve, por priti të vinte Enver Hoxha nga Vlora për të sqaruar situatën? Kjo është shumë autodemaskuese për Shehun, por edhe për tërë ata pasues mjeranë, që marrin sot në mbrojtje Mehmet Shehun.

Edhe më qesharake dhe tendencioze është akuza, se të gjithë këta kuadro, na i paska eliminuar Ramiz Alia, (!) si “agjent” i shërbimeve të huaja! Sigurisht s’kemi ndërmend të mbrojmë e as të përgjegjësojmë asnjërin nga kuadrot që janë pjesë e historisë politike të Shqipërisë, sepse jemi tepër të vegjël për të depërtuar në thellësitë enigmatime të shërbimeve sekrete, por mbetet e pabesueshme, për vetë faktin, se Ministrinë e Brendshme e kanë mbuluar ministrat: Mehmet Shehu, Kadri Hazbiu dhe Feçor Shehu, e vaçanërisht Hysni Kapo në rrugë partie. Si i eliminoi Baqir Ballukun, Petrit Dumen, Hito Çakon, Abdyl Këllëzin, e më vonë vetë Mehmet Shehun dhe Kadri Hazbiun, sekretari për propagandën, Ramiz Alia?!  Detyra e Mehmet Shehut, Hysni Kapos dhe Kadri Hazbiut, ishte zbulimi i agjentëve të huaj në Parti dhe në Pushtet. Përse nuk e zbuluan “agjentin” Ramiz Alia, gjatë punës së tyre 30 vjeçare? Ishin të paaftë, apo Ramiz Alia ishte i pastër nga lidhjet agjenturore?!

Edhe sikur Ramiz Alinë, ta mbronte Enver Hoxha, ata duhet t’ia thoshin në një mbledhje të Byrosë Politike dokumentet dhe argumentet, që e komprometonin Ramiz Alinë, sepse kjo ishte detyra e tyre ndaj Shqipërisë dhe popullit, detyrë që ishte më e rëndësishme se cilido anëtar i Byrosë Politike. Në Arkivin e Shtetit nuk ekziston asnjë procerverbal, që të dëshmojë se Mehmet Shehu, Hysni Kapo dhe Kadri Hazbiu, ta kenë trajtuar në Byronë Politike, si problem, komprometimin e Ramiz Alisë.  A mund të ndodhte që Enver Hoxhës t’ia hidhte Ramiz Alia, kur nuk ia hodhi dot Mehmet Shehu dhe Kadri Hazbiu, dhe ta linte Shqipërinë në duart e një agjenti të huaj?

Në mënyrë monstruoze, qarqe të caktuara përpunojnë, si ata urithët, opinionet se Ramiz Alia u zgjodh në krye të Partisë, me ndërhyrjen e Nexhmije Hoxhës! Është tepër njerëzore dhe prekëse, argumenti i Autores:  “Është qesharake të mendosh se unë, gruaja e Enverit, t’i thosha shokut tim të jetës, “të lërë pasues këtë ose atë, pas vdekjes së tij!! Unë me Enverin dhe ai me mua, nuk bisedonim kurrë se “çdo të bëhet me mua dhe me fëmijët tanë pas…”. Neve as na shkonte mendja dhe as nuk na e zinte goja të përmendnim vdekjen e tij e jo më të flisnim për emrin e atij që do ta zëvëndësonte etj. etj… Prandaj unë e hedh me neveri në shportën e marrëzisë edhe këtë budallallëk të trashë.”

Enver Hoxha ishte udhëheqësi i Parimeve të Mëdha, parime, të cilat e kishin bërë Shqipërisnë plotësisht të Pavarur dhe Sovrane. Për parimet Enver Hoxha nuk falte as veten e tij, jo gruan, prandaj nuk kishin ku ta kapnin  armiqtë e tij, pandaj ai nuk kishte as një shtëpi për të futur fëmijët e tij dhe familjen, por përfunduan në zyrat e pularisë në Laprakë.

Ajo që mbetet jashtë vëmendjes së autores, në këtë botim, është një çast tepër i rëndësishëm; tufëzimi i blegtorisë në vitin 1980, kur ishin prerë edhe marrëdhëniet tregtare dhe ndihma nga Kina, që sikurse pranon edhe autorja, solli një vështirësi të madhe ekonomike. Ishte e rastit, paaftësi për ta parashikur pasojën e saj, apo e paramenduar?!

Nuk prisnim më shumë për sqarimin e kthesës kundërrevolucionare në vitin 1990-1991, nga Autorja, sepse kjo kuptohet qysh në faqen 306: “Plenumi i 13 –të i KQ vendosi për lejimin  e pluralizmit politik.”

Që nga ky çast, nuk justifikohen analizat e mëtejshme dhe pjesëmarrja  Autores nëpër mbledhje e forume partie, sepse ajo e di fare mirë, se pluralizmi politik çon në restaurimin e kapitalizmit, çka e ka sqaruar Enver Hoxha qartësisht në “Eurokomunizmi është antikomunizëm”.

Që nga ky moment autorja duhet ta kishte kuptuar, se nuk mund të priste gjë tjetër, veçse ato vuajtje e privacione, që pësoi nga banditët e Sali Barishës dhe antikomunistët, që prisnin revanshin. Në krye të turmave në vitin 1991, qëndronte Rajersoni! Pjesa që shpjegon autorja në vitet 1990-1991, është një rutinë, që duhej kaluar për shkak të kronikës.

Një detaj interesant gjendet në f. 295 të librit, ku flitet për diskutimin e Ramiz Alisë në OKB në shtator 1990: “Ramiz Alia u ndal në mënyrë të posaçme tek Kosova. Ai denoncoi me forcë politikën diskriminuese dhe shtypëse që regjimi i Jugosllavisë  ushtronte ndaj popullsisë shqiptare në Kosovë.”

Ka zëra që thonë se socializmi dhe Enver Hoxha, u sakrifikuan për të siguruar ndihmën e fuqive të jashtme për çlirimin e Kosovës. Ishte ky një kusht i vënë nga dikush, apo duke iu nënshtruar ciklonit antikomunist, u tentua për të përfituar Kosovën?! Populli shqiptar ka dijeni për planet operative të Enver Hoxhës, që gjendeshin në dosjet e Ministrisë së Mbrojtjes, se çlirimi i Kosovës do të bëhej me ndërhyjen e forcave ushtarake edhe të Shqipërisë, pasi të ndodhte kriza në Jugosllavi.

Por, socializmi u përmbys disa vjet më parë, se të ndodhte kriza jugosllave, dhe tre muaj më vonë, pasi Ramiz Alia u kthye nga SHBA. Nëse ky thashethem qëndron, do të ishte një sakrificë sublime e popullit shqiptar, sepse shpëtoi gjysmën e popullsisë shqiptare  që ndodhej e robëruar prej 100 vjetësh.

Kjo thashethemnajë, bëhet disi e besueshme, edhe për faktin, se Shqipëria humbi shansin të lidhej me Gjermaninë, sipas  orientimit që kishte dhënë Enver Hoxha. Libri i intelektualit të shquar, Ymer Minxhozi, “Shansi i Humbur”, në të cilin flet për ngociata me palën gjermane në vitin 1987 në Gjermani, na turbullon. Mbase këtu duhej sqaruar diçka: Ishin situatat ndërkombëtare të Evropës, që nuk do ta aprovonin ndërhyrjen ushtarake të Shqipërisë në Kosovë, apo lëkundja e Ramiz Alisë që nuk i përmbushte standartet e Burrit të Shtetit, si Enver Hoxha, në këtë moment kaq vendimtar?!

Gjithsesi për disa probleme kapitale, që lexuesi nuk merr përgjigje të kënaqshme, ndoshta Autorja do t’i trajtojë në vëllimin e dytë. Rëndësi ka se me botimin e saj, ajo na dha një pasqyrë të sinqertë të situatave politike dhe veçanërisht, na rizgjoi madhështinë e Enver Hoxhës, që e çliroi dhe e ngriti Shqipërinë në nivelin e një vendi evropiam me sovranitet dhe progres ekonomik dhe shoqëror të admirueshëm, krahasuar me këtë katrahurë  dhe antihumanizëm që vjen çdo ditë në ngjitje.

Me  rastin e hyrjes në vitin e 100, e urojmë Autoren për shendet dhe mbarësi në këtë vit shekullor…

(Dita)

 

Kontrolloni gjithashtu

Shtëpia botuese “Bota shqiptare” nxori në dritë librin e autorit, Peter Lukas “Misioni Amerikan në Shqipëri”, përkthyer në gjuhën shqipe.

Shtëpia botuese “Bota shqiptare” nxori në dritë librin e autorit, Peter Lukas “Misioni Amerikan në Shqipëri”, përkthyer në gjuhën shqipe

Shtëpia botuese “Bota shqiptare” nxori në dritë librin e autorit, Peter Lukas “Misioni Amerikan në …